VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BËJNË SEFÀ MBI KUFOMËN E MARRËVESHJES SË OHRIT
Nga HADI OSMANI

E Mërkurë, 08.20.2014, 08:49am (GMT1)


Në mungesë të rrezultateve, në mungesë të të arriturave, në mungesë të arritjes së qëllimit parësorë, avancimin e statusit të shqiptarëve në sistemin kushtetues të Maqedonisë, përfaqësuesit politikë vetëm të shqiptarëve në Qeveri, vendosën t'i kujtojnë “dëshirat” që kishte pasur Marrëveshja e Ohrit (MO). Ata nuk patën guxim t'i thonë as disa fjalë lamtumire, nuk patën guxim as të pranojnë se ajo ka vdekur për fajin e tyre. U munduan në maksimum të injorojnë faktin se me këtë dokument tanimë nuk merren as nënshkruesit e saj, shumica prej të cilëve janë të vdekur, ndërsa të tjerët thanë që nuk merren më me të dhe as nuk e kujtuan. Madje, as ata që sot rrejshëm merren me këtë dokument, lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski dhe ministrat e tij, as nuk kishin kohë ta mendojnë dhe analizojnë, e lëre më ta zbatojnë. Dhe për çudi, nga gurbeti i largët po lexoj se as kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, nuk gjeti kohë të merret në një aktivitet përkujtimorë të MO-së. Por, ministrat dhe deputetët e tij, nuk hezituan që mbi kufomën e Marëveshjes së Ohrit, të organizojnë një aheng i cili nga fotot e publikuara, dukej goxha i madh. Një rreth i madh me burra ishin mbledhur për të thënë disa fjalë, dikush e shante, dikush i binte direkt e i thoshte “rahmet i pastë shpirti”, ndërsa dikush me lot krokodili thoshte se shpirti i këtij dokumenti tanimë të vdekur ende qarkullon rreth nesh. Një aheng tragji-komik, apo më mirë thënë HOROR, ku një shpirt i vdekur bëhet shkak për t'u dëfryer disa trupa të gjallë të cilët e kishin vrarë atë shumë kohë më parë. Më së shumti më habiti që për këtë marrëveshje derdhnin lot edhe disa ish komunistë të Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) që sa ishin në politikë putheshin e përqafeshin me Cërvenkovskin e Gligorovin.

E kuptoj dështimin në politik, e kuptoj edhe dështimin e një marrëveshje, pasi për historinë nuk është kjo hera e parë. Por, të tentosh dhe të tallesh me atë marrëveshje pasi ajo të ketë vdekur dhe të tallesh me një popull duke i gënjyer se ajo funksionon dhe ju po punoni për të, ky është kulmi i hipokrizisë.

A nuk pati temë tjetër për të gënjyer popullatën, apo ju harxhuan premtimet dhe tani më të sigurtë ndjeheni pranë varrit të Marëveshjes së Ohrit?

Nuk është për t'u habitur! Ju jeni ata që bëni spektakle edhe mbi varret e dëshmorëve të cilët i ftuat në luftë dhe sot nuk i nderoni as ata dhe as i kujtoni e ndihmoni familjet e tyre. Ju bëni drama e cirkus-hane edhe mbi varret e dëshmorëve gjithandej, ju luani dhe thurni gënjeshtra edhe në emër të shpirtërave të dëshmorëve dhe martirëve të luftës, e si mund këtë mos ta bëni me një dokument që thjeshtë tanimë nuk e meriton as emrin dokument. Diku lexova, toalet papir, por edhe këta të fundit të paktën kanë një çmim dhe kanë një funksion shumë të rëndësishëm në momentet kur ndalet uji. E për dallim prej saj, Marrëveshja e Ohrit, tanimë nuk të kryen punë as në hale.

(Autori jeton dhe vepron në Zvicër)

HADI OSMANI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.