E Hënë, 07.22.2019, 09:32pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
SHKËMBIMI I KARTMONEDHËS - 97 VETË U DËNUAN ME VDEKJE NË GJITHË SHQIPËRINË
Nga VELI HAKLAJ

E Enjte, 08.21.2014, 08:51am (GMT+1)



Në pjesën e parë të dossierit mbi veprimtarinë antikomuniste në Shqipërinë e pas Çlirimit paraqitëm mes dokumenteve hapat e parë të krijimit të komisioneve që shërbyen për asgjësimin e kundërshtarëve të pushtetit popullor. Kështu, që më datë 11 janar 1945, pushteti komunist publikoi vendimin për krijimin e Komisionit Qendror të Hetimeve për Kriminelët e Luftës. Komisione lokale, në varësi të këtij Komisioni Qendror, u krijuan në çdo prefekturë dhe nënprefekturë të vendit. Në emër të Komisionit Qendror, ministri i Drejtësisë, Manol Konomi ftonte "të tërë popullin shqiptar, burra, gra, të rinj e të reja që t'iu vijnë në ndihmë këtyre komisioneve në kryerjen e misionit të tyre". Po kështu ne botuam pjesën e parë të raportit periodik mbi aktivitetin e rretheve dhe grupeve kundërshtare politike dhe puna e Sigurimit të Shtetit për goditjen e tyre. Vijimin e raportit po e sjellim në pjesën e dytë të dosierit.


...Kundërshtarët politikë në të gjitha qarqet e vendit kishin gjallëruar veprimet e tyre me rastin e hapjes së Konferencës së Paqes në Paris (korrik 1946). Nga lëvizjet e tyre dhe nga parullat e ndryshme që qarkullonin, dukej se ata ishin të bindur se Konferenca nuk kishte për të dalë me sukses. Ata propaganduan shumë mospranimin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes dhe pranimin që të fliste në lidhje me traktatin me Italinë e kishin nënvlerësuar.

Pretendimet e Greqisë, provokimet e bëra gjatë kufirit tonë prej grekëve, qëndrimi i anglo-amerikanëve në Konferencën e Paqes karshi vendit tonë, mobilizimi i disa grupimeve dhe disa lëvizje kryengritëse (Kryengritja e Postribës, shtator 1946) kishin bërë që grupimet e kundërshtarëve politikë të intensifikonin propagandën e tyre kundër regjimit komunist. Me sa duket, ata ishin më se të bindur për shpërthimin e një lufte midis Shqipërisë dhe Greqisë. Parullat e lëshuara në atë kohë kishin ndikuar dukshëm në masat e popullit.

Një nga pikat e tjera ku kundërshtarët e regjimit sulmonin vazhdimisht ishte dhe sektori ekonomik. Reformat e ndryshme, si shtetëzimi i një pjese të industrisë, farmacive, bllokimin e një pjese të mallrave etj. ata i paraqisnin të padrejta dhe të pavend. Në këtë aspekt ata shfrytëzonin vazhdimisht mungesën e sendeve në treg dhe këto i propagandonin në mënyra të ndryshme, duke përhapur parulla që e paraqitnin pushtetin të pazot për të bërë politikën ekonomike dhe se nuk kishte mundësi të zhvillohej tregtia duke qenë nën kontrollin e shtetit.

Për mungesën e disa sendeve që prodhoheshin në vendin tonë, si sapuni, vaji etj., flitej se shteti i dërgonte në Jugosllavi dhe e linte popullin tonë të vuante.

Sipas raportit, një nga reformat ekonomike që ishte propaganduar nga ana e kundërshtarëve të regjimit dhe që kishte bërë mjaft efekt në masat fshatare kishte qenë regjistrimi i bereqetit. Kjo reformë jo vetëm nga ana e tyre, por edhe nga fshatarët e thjeshtë, ishte quajtur si një reformë e pavend. Jo pse bëhej regjistrimi, por më tepër sepse sasia e caktuar për çdo person nuk ishte e mjaftueshme për një punëtor që punonte me krah.

Një nga reformat që u bë gjatë asaj kohe ishte shkëmbimi i kartëmonedhës. Ligji mbi shkëmbimin e kartëmonedhës preku shtresat e larta borgjeze dhe çifligare, si dhe një pjesë të mirë të tregtarëve dhe fshatarëve të mesëm. Me këtë rast kundërshtarët politikë të regjimit e paraqitën kartëmonedhën e re si të pavlefshme dhe si hyrje në fazën e socializmit. Propagandës mbi këmbimin e kartëmonedhës ua prenë hovin gjyqet e bëra në mënyrë të shpejtë dhe dënimet me vdekje të personave të proceduar. Në këto procese u arrestuan në të gjitha qarqet 97 vetë, prej të cilëve u dënuan me vdekje: Veli Juba, Kel Gjergj Abati, Mehmet Pujani dhe Dod Gera.

Një nga problemet që shfrytëzohej për propagandë nga kundërshtarët e regjimit ishin dhe dyqanet e shtetit, për të cilat edhe shtresat e tjera të popullit ndjenin pakënaqësi, sepse vonesat e shërbimit dhe mënyrat e ndarjes nuk ishin të rregullta. Pra, kundërshtarët politikë të regjimit kapeshin kudo në këtë sektor dhe hidhnin parulla të ndryshme për të shtuar pakënaqësitë.

Antikomunistët e dinin se në krye të pushtetit qëndronte Partia Komuniste dhe për këtë ata bënin një luftë të gjerë kundër saj, duke përhapur parulla nga më të ndryshmet.
Një pikë tjetër ku antikomunistët punonin vazhdimisht që të sabotonin regjimin komunist ishte mobilizimi i masave në punë vullnetare. Ata mundoheshin vazhdimisht me anë parullash që ta paraqitnin si një gjë të dëmshme për popullin, duke pohuar se puna vullnetare ishte në dëm të punëtorit, se i linte ata pa punë.

Kundërshtarët e regjimit komunist në Shqipëri vinin nga këto shtresa të popullit: drejtues dhe pjesëtarë të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit; persona të goditur nga gjyqet ushtarake dhe nga reformat e ndryshme, si pari, bajraktarë dhe me ndjenja vorio- epirote; përfaqësues të klerit, sidomos nga ai katolik; nëpunës të administratave të mëparshme; shtetas të ndryshëm të pakënaqur etj.

Me sa rezulton nga dokumentet arkivore, në Shqipëri nuk pati një organizim të mirë të kundërshtarëve komunistë, por vetëm organizim me rrethe dhe grupe nëpër të gjitha qarqet. Rrethet dhe grupet e qarqeve të ndryshme nuk patën bashkëpunimin e duhur me njëri-tjetrin për të pasur një vijë politike. Të pakta kanë qenë rastet që grupet ose rrethet e një qarku të kenë pasur lidhje me njëri-tjetrin, por dhe kjo ka qenë fare e vogël. Kjo vinte edhe nga fakti se organet e Sigurimit të Shtetit kishin goditur vazhdimisht dhe nuk i kishin lënë që të organizoheshin. Nga goditjet e dhëna personave të rretheve dhe grupeve të ndryshme, rezultonte se kishin qenë të pakta ato grupe dhe rrethe që kishin pasur një farë organizmi me vijë të caktuar dhe me një plan veprimi konkret. Grupet që kishin pasur një farë pune të organizuar rezultojnë të kenë qenë shumë të ngushta.
Një nga faktorët e dorës së parë për organizimin e kundërshtarëve të regjimit komunist në Shqipëri ka qenë dhe veprimtaria e shteteve perëndimore, nëpërmjet strukturave të specializuara të tyre. Ato ishin përpjekur vazhdimisht për të pasur bazat e tyre në Shqipëri, por nga ana tjetër ishin munduar të ngrenë dhe një grupim kundërshtarësh të organizuar për ta hedhur në një lëvizje të hapur, kështu që aleatëve perëndimorë t'u jepej rasti për një ndërhyrje me armë nga ana e jashtme.

Por, siç rezulton nga dokumentet arkivore, rrethet dhe grupet kundërshtare të regjimit komunist në Shqipëri nuk kishin kaluar në atë fazë organizimi, nuk kishin lidershipin e duhur për ndërmarrjen e veprimeve të tilla (një pjesë e mirë e tyre kishin ikur jashtë Shqipërisë), nuk e kishin sa duhet shpirtin e sakrificës dhe i kishin humbur shpresat në forcat e veta. Gjithë tentativat e tyre për t'u organizuar dukeshin në momentet kohore kur situata e jashtme nuk ishte e qartë dhe besonin për ndërrimin e situatës në Shqipëri vetëm nga një ndërhyrje e jashtme, gjë që për arsye gjeopolitike dhe të ruajtjes së ekuilibrave të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore nuk ndodhi.

Raporti do të konkludente, se me sa duket, në të ardhmen kundërshtarët e regjimit komunist ishte vështirë të organizoheshin në një mënyrë të gjerë, por kishte mundësi të organizoheshin në rrjete dhe grupe të vogla në qarqe.

Në publikimet vijuese të këtij dossieri, do të japim një pasqyrë të detajuar mbi veprimtarinë kundër regjimit komunist të grupeve dhe rretheve të caktuara, sipas qarqeve të Shqipërisë.

II. Veprimi antikomunist në Qarkun e Tiranës
1. Grupi i të rinjve

Me goditjen që organet e diktaturës komuniste iu dhanë elementëve të Grupit Monarkist, Grupit të Rezistencës dhe Grupit Socialdemokrat, aktiviteti i kundërshtarëve politikë në qarkun e Tiranës ishte pakësuar mjaft.

Nga goditja e këtyre grupeve antikomuniste e deri në vjeshtën e vitit 1946, duke analizuar të dhënat e administruara nga proceset hetimore-gjyqësore dhe nga vëzhgimet që kishin bërë, organet e Sigurimit të Shtetit konkludonin se në Qarkun e Tiranës nuk rezultonte një punë e organizuar në mënyrë të gjerë nga kundërshtarët e regjimit. Personat që kishin zhvilluar më tepër aktivitet u përkisnin Rinisë Balliste dhe Legalitetit, të cilët kishin qenë në lidhje me Musine Kokalarin, me anë të Bektash Kokonës dhe Avdulla Berberit.

Aktiviteti i këtij grupi kishte filluar qysh nga maji i vitit 1945, por puna e tyre filloi të zgjerohej më tepër në tetor të po atij viti. Iniciatorët e këtij grupi kishin qenë Avdulla Berberi dhe Bektash Kokona, të cilët merrnin udhëzime nga Musine Kokalari mbi mënyrën e punës dhe të veprimit. Mbas arrestimit të Avdulla Berberit, Bektash Kokonës, Lutfi Tushit, Lutfi Meçes dhe Skënder Tarakut, këta për një kohë e pakësuan aktivitetin, por nuk shkëputën lidhjet.

Organet e Sigurimit të Shtetit ishin në dijeni të punës së tyre, por kjo doli edhe më qartë me arrestimin e ushtarit Dilaver Nishica, i cili u arratis nga reparti dhe me ndihmën e Ylli Selenicës dhe Akil Bashës qëndroi për disa ditë i fshehur në shtëpinë e Rinisë në Lagjen e Re dhe në shtëpinë e Akil Bashës. Ylli Selenica dhe Skënder Jenisheri, mbasi e panë se aktiviteti i tyre do të dilte në shesh me arrestimin e dy pjesëtarëve të grupit të tyre, tentuan të arratiseshin në Itali dhe rrugës kur shkonin u arrestuan.

Nga procesi hetimor i zhvilluar në ngarkim të Dilaver Nishicës, Akil Bashës, Ylli Selenicës dhe Skënder Jenisherit, rezulton që qëllimi i këtij grupi ishte rrëzimi i pushtetit popullor dhe marrja e fuqisë nga një qeveri koalicioni e tipit perëndimor. Gjatë aktivitetit të tyre, këta kishin bërë disa mbledhje në të cilat kishin shtruar nevojën e shtimit të radhëve me elementë të pakënaqur, të goditur nga reformat dhe gjyqet e popullit dhe pjesëtarë të organizatave antikomuniste. Ata kishin mundur të futnin në radhët e tyre edhe disa ushtarë. Me rastin e zgjedhjeve ishin munduar të sabotonin, duke nxjerrë trakte, të cilat ua përpilonte Musine Kokalari dhe duke propaganduar gjithmonë kundër pushtetit për të mos i dhënë votën Frontit. Gjithashtu, pas arrestimit të Avdulla Berberit, ata ishin munduar të mbanin në këmbë dhe të forconin lidhjet me elementët e tjerë të grupit të tyre. Kështu, nga muaji mars i 1946-ës kishin bërë një mbledhje në Shtëpinë e Rinisë, ku merrnin pjesë: Skënder Jenisheri, Ylli Selenica, Pëllumb Nivica, Kajkush Asllani, Tonin Kiçi, Abas Mezini, Besnik Erebara dhe Akil Basha. Në këtë mbledhje kanë shtruar nevojën e riorganizimit dhe mbajtjen e konspiracionit të fortë.

Me arrestimin e të sipërshënuarve, Organet e Sigurimit të Shtetit mundën të zbulojnë punën e tyre, kurse pjesën tjetër të grupit që mbeti jashtë arritën ta kontrollojnë duke depërtuar brenda grupit.

Në lidhje me këtë grup, nga Organet e Sigurimit të Shtetit u arrestuan dhe këta ushtarakë: Ramadan Drishti, Xhavit Alimerko, Asllan Cena, Ibrahim Cena, Refik Çepele, Shuaip Hashto dhe Skënder Kosova.

Nga pjesëtarët e grupit që mbetën jashtë, ata që mundoheshin të mbanin lidhje me rrethin e tyre dhe që vazhdonin të punonin ishin: Niazi Hoxha, Abaz Mezini e Napolon Tasi. Kështu që për të ndërprerë organizimin dhe veprimtarinë e tyre këta u arrestuan. Më vonë u arrestuan edhe Mujin Ruli dhe Muhamet Bako. Mujin Ruli u arrestua në lidhje me grupin e Kuçovës. Ky, me anën e Nexhmi Vrionit (i grupit të Kuçovës) lidhej me reaksionin e atjeshëm. Kishte shtypur trakte të cilat i kishte dërguar në Kuçovë dhe Berat, të firmosura "Rinia Antiplutokratike e Shqipërisë". Përmbajtja e trakteve nuk kishte qenë diçka e menduar dhe e përpiluar prej njerëzve të organizuar, por siç doli më vonë nga deponimet dhe nga informatat e grumbulluara, Mujini këto i shtypte dhe i përpilonte vetë. Organet e Sigurimit të Shtetit ishin në korent të çdo gjëje në lidhje me traktet me anën e të besuarit të tyre që e kishin në grupin e Kuçovës.

Të gjithë të arrestuarit kishin pasur nga një rreth shokësh pas vetes. Kështu, nga rrethi i Skënder Jenisherit ndodheshin të lirë: Rasim Pashollari, Bajram Golemi, Agron Kallajxhiu, Ferdi Toptani dhe Skënder Çesku. Nga rrethi i Ylli Selenicës: Çerçis Zavalani, Xhelal Koçi, Qerim Kuçi, Hysen Dibra dhe Sali Toptani. Nga rrethi i Niazi Hoxhës dhe Napolon Tasit: Çesk Begu, Vildan Banka, Agim Çaçi, Ibrahim Turdiu, Eqrem Frashëri, Ali Zhuri, Viktor Keralliu, Sabri Hamzarai etj. Nga rrethi i Abas Mezinit: Mentor Hatipi, Reshit Korbi, Llambi Loli etj.

Me daljen në gjyq të të arrestuarve dhe pasi nga deponimet e tyre kishin dalë të gjitha lidhjet që kishin me elementët e jashtëm, ishte konstatuar që personat e implikuar dilnin rrallë nëpër qytet dhe nuk takoheshin shpesh me njëri-tjetrin.
VELI HAKLAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DIPLOMË PËR DHJETË DITË PA DITUR SHQIPJa pse u mbyll “Universiteti Kristal”. Publikohen 24 kriteret e ligjshmërisë të shkelura nga ky institucion i Arsimit të Lartë (08.21.2014)
NJOFTIM - NJERZ TË DASHUR TË MËRGIMIT!Nga AGIM GASHI (08.20.2014)
SHQIPTARËT KËRKOJNË DËNIMIN E FULLANITNga BASIR ÇOLLAKU (08.20.2014)
BËJNË SEFÀ MBI KUFOMËN E MARRËVESHJES SË OHRITNga HADI OSMANI (08.20.2014)
ALL FULLANI'S MEN*Nga ALFRED LELA (08.20.2014)
FOTO QË KANË HYRË NË HISTORI (08.20.2014)
ARRESTIMET E 'BASHKIMIT SHQIPTAR' - ANTIKOMUNISTËT MBETËN PA LIDERËNga VELI HAKLAJ (08.20.2014)
DITARI I NDOJIT - SI U BË GJENOCID NË MIRDITË PËR VRASJEN E BARDHOK BIBËS (08.20.2014)
SOCIALISTA APO SPECIALISTA-Seks për një vend pune-Nga KOLEC TRABOINI (08.20.2014)
'GJETHI' - SI U BË SHTËPIA E MJEKUT TË ZOGUT BAZË E SIGURIMIT (08.19.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Korrik 2019  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31      
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]