E Premte, 03.29.2024, 10:59am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
SUEDIA, FINLANDA - MË PAK NEUTRALITET, MË SHUMË SIGURI
Nga PETRIT HALITI

E Hënë, 09.01.2014, 08:01am (GMT+1)



Dy shtete nordike, nga më demokratikët e botës, Suedia dhe Finlanda, po rivlerësojnë orientimet e tyre të deritanishme të politikës  së jashtme në përputhje me zhvillimet e reja alarmuese në kontinentin europian, pas agresionit rus në Ukrainë. Helsinki në 27 gusht dhe Stokholmi në 28 gusht njoftuan se qeveritë e vendeve të tyre, të cilat nuk janë anëtare të NATO-s, kanë vendosur që të nënshkruajnë me Aleancën Atlantike "Marrëveshjen e mbështetjes së vendit mikpritës" gjatë samitit të NATO-s, që do të mbahet në 4-5 shtator në Uells. Sipas kësaj marrëveshjeje, forcat e NATO-s lejohen të përdorin hapësirat tokësore, detare dhe ajrore të të dy shteteve nordike gjatë rrugëve të tyre operacionale. Marrëveshja lejon stërvitjen e forcave ushtarake të NATO-s në territoret e dy shteteve nordike dhe parashikon ndihmën në rastet e krizave dhe konflikteve, si dhe në situatat e kërcënimeve për sigurinë e dy shteteve nordike. Dy shtetet mikpritëse marrin përsipër të garantojnë operacionet e mbështetjes dhe logjistike për forcat e NATO-s, që nga furnizimet ushqimore e deri te municionet. Në përputhje me vullnetin e përbashkët, forcat e NATO-s nuk mund të dislokohen pa ftesën e dy shteteve nordike, por edhe NATO ka të drejtën të mos pranojë ftesën e dy shteteve nordike për dislokimin e forcave të saj në territoret e këtyre dy shteteve.

Gatishmëria e qeverive të Suedisë dhe të Finlandës për të nënshkruar këtë marrëveshje me Aleancën Atlantike përfaqëson një kapitull të ri në marrëdhëniet mes tyre dhe NATO-s. Vetë përmbajtja e marrëveshjes flet qartë se këto marrëdhënie po shkojnë drejt një afrimi dhe shkalle të re bashkëpunimi, çka përfaqëson një lëvizje apo një zhvendosje doktrinare të të dy shteteve, dukuri që ka të bëjë me zhvillimet e fundit në kontinentin tonë. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se dy shtetet nordike, jo anëtare të Aleancës Atlantike, kanë shumë vite që diskutojnë arritjen e një marrëveshjeje të tillë me NATO-n. Por tani duket se kushtet u poqën dhe rrethanat europiane dhe ndërkombëtare sugjeruan një vendimmarrje të re, e cila materializon bashkëpunimin kualitativ të dy shteteve nordike me aleancën më të fuqishme ushtarake të të gjitha kohërave.
Është e qartë se shkallëzimi i bashkëpunimit të Suedisë dhe të Finlandës me NATO-n është pasojë dhe produkt i shqetësimeve për sigurinë dhe lirinë e popujve, që krijoi agresioni rus në Ukrainë. Ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë, aneksimi i Krimesë dhe ndezja e luftës kundër integritetit dhe sovranitetit të Ukrainës në pjesën lindore të saj me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të trupave ruse, zgjoi në të gjitha shtetet demokratike të Europës alarmin për vigjilencën, që duhet treguar ndaj këtij rreziku të ri për lirinë dhe pavarësinë e popujve. Ukraina u tregoi gjithë popujve europiane se pavarësia dhe integriteti territorial po i ekspozohen tani përsëri, 70 vjet pas mbarimit të luftës së dytë botërore, rrezikut rus. Europa kishte menduar se rreziku rus u zhduk bashkë me mbarimin e luftës së ftohtë, me shkatërrimin e komunizmit dhe të Bashkimit Sovjetik. Por viti 20014, 100 vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, jep alarmin e rrezikut të ri rus. Është një rrezik, që u shfaq në fillim me agresionin ushtarak ndaj një shteti fqinj europian si Ukraina, por i cili nuk pritet të ndalojë vetëm në raportet mes Rusisë dhe Ukrainës. Agresioni rus në Ukrainë zbuloi se përdorimi i forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare u rikthye si instrumenti kryesor i realizimit të ambicieve imperiale të Kremlinit dhe si metodë e zgjidhjes së problemeve dhe konflikteve, që Rusia ka dhe shkakton me shtete fqinje apo shtete të tjera të Europës. Është e lehtë të merret me mend se çfarë përshtypjesh mund të ketë shkaktuar agresioni rus kundër Ukrainës në qarqet vendimmarrëse qeveritare të shteteve si Finlanda, e cila ka 1300 kilometra kufi të përbashkët me Rusinë, apo si Suedia, e cila laget nga i njëjti det Baltik me Rusinë.

Standarti i lartë demokratik i shoqërive të të dyja shteteve nordike dhe sjellja model demokratike e shteteve nordike në arenën ndërkombëtare, nuk duket se janë kolona të mjaftueshme për të mbrojtur Suedinë dhe Finlandën nga një agresion i mundshëm rus. Rasti i Ukrainës, e cila ka një popullsi pesë herë më të madhe se Suedia dhe nëntë herë më të madhe se Finlanda, tregon se një shtet-kalorës i vetmuar do ta ketë tepër të vështirë, në mos të pamundur t'i rezistojë i vetëm një ndërhyrjeje ushtarake nga ariu rus.

Në këto rrethana të reja mendohet se është arritur në nevojën e rritjes së shkallës dhe mënyrave të bashkëpunimit të dy shteteve nordike me Aleancën Atlantike, në formën e kësaj marrëveshjeje, e cila natyrisht paraqet një hap të rëndësishëm dypalësh në këto marrëdhënie. Ai është hap i rëndësishëm në kuptimin e avancimit të marrëdhënieve, sepse është e qartë se ende nuk jemi në fazën që Suedia dhe Finlanda janë gati që të aplikojnë për anëtarësim në NATO. Ai është një hap i rëndësishëm, sepse sjell një formë apo një mesazh sigurie për popullin suedez dhe finlandez dhe në të njëjtën kohë sjell edhe një mesazh paralajmërimi dhe frenimi në adresë të Kremlinit, lidhur me ndonjë plan aventuresk, që mund të ekzistojë në dosjet e strategjistëve rusë me në krye presidentin Putin, të cilët po tentojnë të ndjekin gjurmët e ëndrrës së ringjalljes së Bashkimit Sovjetik të diktatorit Josif Stalin. Është ai Bashkim Sovjetik i Stalinit, i cili pushtoi 10 për qind të territorit të Finlandës gjatë Luftës së Dytë Botërore, hapësirë e cila edhe sot e kësaj dite ndodhet brenda kufijve të Rusisë.

Padyshim, rruga drejt një statusi të dy shteteve nordike si anëtarë të Aleancës është ende e gjatë, sepse ende në të dyja shtetet ka një opozitë të gjerë publike kundër një anëtarësimi në NATO, ndonëse elita politike suedeze dhe finlandeze janë gjithnjë e më të qartë për nevojën e një statusi të tillë. Duke qenë dy shtete maksimalisht demokratike, Suedia dhe Finlanda kanë një respekt të jashtëzakonshëm për normat e organizimit të shoqërisë dhe të shtetit dhe gjithmonë ndjekin politika që shprehin vullnetin e shumicës dërrmuese të popullsisë. Por edhe në këtë çështje ka një lëvizje dhe sondazhet e opinionit publik në të dyja shtetet tregojnë se pas agresionit rus në Ukrainë përqindja e popullsisë në favor të një anëtarësimi në NATO është në rritje.
Afrimi i ri i dy shteteve nordike me NATO-n ka hapur një debat mbi neutralitetin, që kanë ruajtur deri tani edhe Suedia, edhe Finlanda, të cilat në kohën e luftës së ftohtë kanë mbajtur një distancë ndaj të dy blloqeve ushtarako-politike rivale të asaj kohe. Përpara qeverive të këtyre dy shteteve shtrohet në planin strategjik dilema e zgjedhjes mes neutralitetit dhe sigurisë, që vjen nga ombrella e NATO-s. Politika e neutralitetit, e ndjekur në fushën e politikës së jashtme nordike ka pasur anët e saj pozitive gjatë dekadave të kaluara. Mirëpo agresioni rus ndaj Ukrainës zbuloi se vlerat e neutralitetit janë zbehur në raportet e reja ndërkombëtare dhe neutraliteti nuk konsiderohet aspak pengesë nga shtete agresore, të cilat doktrinën ushtarake e kanë vendosur në themel të politikës së jashtme. Ukraina, pas ardhjes në fuqi të presidentit prorus Viktor Janukoviç, në vitin 2010, adoptoi zyrtarisht politikën e neutralitetit në marrëdhëniet e saj me shtetet e tjera. Mirëpo Rusia në vitin 2014 e shkeli me tanke këtë neutralitet zyrtar të Ukrainës dhe ndërmori një agresion ushtarak, që i copëtoi asaj integritetin territorial. Doktrina zyrtare e Kievit për neutralitetin nuk u bë aspak ndalesë dhe madje, as është përmendur ndonjëherë në debatet diplomatike ndërkombëtare, të zhvilluara për ngjarjet në Ukrainë gjatë këtyre tetë muajve. Kjo do të thotë se një Rusi agresive, që nuk respektoi neutralitetin e një shteti të së njëjtës racë sllave, të një shteti me të njëjtën fe ortodokse, të një shteti me të cilin kishte jetuar bashkë për afro 80 vjet, nuk mendohet se do të jetë më e përmbajtur ndaj neutralitetit të shteteve nordike. Idenë se neutraliteti i dy shteteve nordike duhet të ruhet si dogmë fetare po kërkoi ta imponojë Rusia, e cila dëshiron që Suedia dhe Finlanda të mbeten të zbuluara dhe e cila po bën presion mbi dy shtetet nordike që të mos rrisin bashkëpunimin me NATO-n. Kryetari i komitetit të politikës së jashtme të Dumës Ruse, Aleksej Pushkov, deklaroi në 28 gusht se marrëveshja e dy shteteve nordike me NATO-n do të thotë fund i neutralitetit të këtyre shteteve. Kurse Sergej Markov, këshilltari politik i presidentit rus, akuzoi shtetet nordike për rusofobi dhe shkallëzoi kërcënimet në absurditet me deklaratën se "Rusofobia mund të fillojë luftën e tretë botërore dhe Finlanda është një nga vendet më rusofobe në Europë pas Suedisë, Polonisë dhe vendeve baltike".

Tendencat e zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Europë në kohën e sotme dhe sidomos me formën e re të agresivitetit të politikës së jashtme ruse, mësojnë se neutraliteti në politikën e jashtme nuk është më doktrina apo atuja, që jep siguri kombëtare për të panjohurat dhe kërcënimet e së ardhmes. Shpeshherë besohet se neutraliteti është tipikisht pjesë e identitetit nordik, por nuk është plotësisht ashtu. Nuk duhet harruar se nga pesë shtete nordike, tre prej tyre, Norvegjia, Danimarka dhe Islanda janë anëtare të NATO-s dhe për këdo është e qartë se ato janë po aq nordike, por ndjenja e sigurisë përballë kërcënimeve ruse është më e lartë në këto tri shtete se sa në dy shtetet e tjera.

Ndaj zgjedhja e një politike, që shkon drejt pakësimit të elementeve të neutralitetit dhe drejt shtimit të elementeve të një angazhimi drejt një ombrelle sigurie si NATO, është një kurs i drejtë, që garanton sigurinë e popujve dhe të rajonit nordik dhe i shërben paqes në krejt kontinentin europian.
PETRIT HALITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
'MADE IN KOSOVA' NË EVROPË (08.31.2014)
'KATHIMERINI' KËRCËNON SE DO TË MINOHET MË TEJ HARMONIA FETARE NË SHQIPËRI (08.31.2014)
LUSTRACIONI - NJË BEBE QË DUAN TA MBYTIN TË GJITHËNga BEN ANDONI (08.31.2014)
NDËRRON JETË NË MOSHËN 94 VJEÇARE ALBANOLOGU I SHQUAR PROFESOR SHABAN DEMIRAJ (08.30.2014)
MIRËNJOHJA  PËR NJERIUN DHE MËSUESIN REXHEP BALIAJ (08.30.2014)
ALBUMI I PIKTORIT - AKUAREL 4 NGA HELIDON HALITI (08.29.2014)
MAQEDONI - LIBRAT E MUZIKËS PA AUTORË SHQIPTARË (08.29.2014)
NIS RRUGËTIMIN NDËRKOMBËTAR 'HEROI' I LUAN KRYEZIUTFotoreportazh nga AJET NURO (08.29.2014)
FESTIVALI I GJINOKASTRËS DHE SHËMTUESIT E KOSTUMIT KOMBTAR  SHQIPTARNga FRITZ RADOVANI (08.29.2014)
PSE GJYKATA KUSHTETUESE E KA GABIM (SËRISH)Nga ANDREA LORENZO CAPUSSELA (08.29.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart�]