VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT DO 3 PIKËT, JA 12 PIKAT E MBROJTJES NË UEFA

E Premte, 10.17.2014, 12:35pm (GMT1)


FSHF-ja do 3 pikët, ja 12 pikat e mbrojtjes në UEFA 

Federata Shqiptare e Futbollit ka barrën e faktimit të pafajësisë së kuqezinjve në stadiumin e Beogradit, pavarësisht se nga UEFA janë ngritur dy akuza kundër tyre: braktisje e ndeshjes dhe shpërndarjen e mesazheve politike përmes flamurit që u ngrit me dron mbi fushën e blertë (në fakt, kjo e fundit nuk është vërtetuar ende nga autoritetet e sigurisë serbe, se kush është autori). Ditën e premte, qeveria e futbollit shqiptar ka vijuar punën për kopsitjen e dosjes me të cilën do të mbrohet në Komisionin Disiplinor të UEFA-s, por edhe ka reaguar ndaj qëndrimit më të fundit të homologes serbe.

“Na vjen keq për deklaratën e djeshme të homologëve tanë të Federatës Serbe. Formulimi dhe mesazhi që ai përcillte i përngjante thirrjeve fyese që shoqëruan gjatë gjithë kohës qëndrimin e kombëtares sonë në stadiumin “Partizani” të Beogradit. Ky tashmë është një mentalitet i vjetëruar, që nuk ka lidhje me futbollin dhe bukurine e lojës,” – thuhet në reagimin e FSHF-së.

Kjo e fundit, po ashtu, ka bërë publike 12 pikat mbi të cilën do të ndërtojë mbrojtjen në UEFA, duke synuar të vendoset drejtësia në vend, ose më saktë të marrë 3 pikët në tavolinë.

1. Janë hedhur gurë në drejtim të autobusit që po transportonte kombëtaren shqiptare në stadium.
2. Në stadium, përpara se skuadra të dilte në nxemje, një copë betoni ka goditur zyrtarë të lartë të federatës shqiptare. Prova zotërohet nga delegati i UEFA-s.
3. Në çdo moment, kur lojtarët shqiptarë dilnin nga fusha, shoqëroheshin me një rritim agresiv nga shkallët e stadiumit.
4. Pas nxemjes, lojtarët u goditën me një breshëri monedhash, çakmakësh dhe sendesh të tjera, ndërkohë që largoheshin nga fusha.
5. Gjatë gjithë nxemjes, lojtarët shqiptarë u shoqëruan nga kori i 30.000 të pranishmëve, të cilët brohorisnin “vritini shqiptarët”, ose “vdekje për shqiptarët”.
6. Tifozë të shumtë qëndronin mbi kangjella të pashqetësuar nga forcat e policisë.
7. Përpara se të ekzekutoheshin himnet kombëtare. banda muzikore luajti një marsh nacionalist. i cili nuk ishte pjesë e programit. duke i dhënë udhë një shpërthimi nacionalist në stadium.
8. Himni shqiptar vërshëllehet në masë, duke u bërë i padëgjueshëm për të pranishmit në tribuna dhe ata që e ndiqnin nga ekrani.
9. Në fushë janë hedhur gurë, sende të forta, çakmakë dhe fishekzjarrë, të cilat kanë ndikuar për keq në atmosferën e lojës dhe janë evidentuar nga pamjet filmike. Tre lojtarët që dolën në nxjemje, pas fillimit të ndeshjes u goditën me sende të forta aq, sa zyrtarët e ndeshjes u detyruan që të ndërronin pozicionin e zhvillimit të saj.
10. Huliganë hynë në fushën e lojës duke goditur me karrige, grushta e shkelma futbollistët e kombëtares shqiptare, ndërsa më pas lojtarët u goditën edhe nga forca të sigurisë në stadium.
11. Gjatë rrugës që të çon nën tunelin e dhomave të zhveshjes, futbollistët shqiptarë, janë goditur vazhdimisht nga tifozë, forca të sigurisë në stadium dhe policë.
12. Gjithashtu, para se futbollistët shqiptarë të lejoheshin të dilnin nga stadiumi, me urdhër të Prokurorit te Beogradit (sipas deklaratës së policisë), i gjithë stafi dhe lojtarët e ekipit kombëtar u kontrolluan fizikisht një për një, së bashku me sendet personale.





















WWW.VOAL-ONLINE.CH


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.