E Mërkurë, 10.16.2019, 10:35pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
SERBI-SHQIPËRI, 10 EPISODE QË INJOROI UEFA
Nga MAKS XHARDINI, Toscana News

E Djelë, 10.19.2014, 09:06am (GMT+1)



Të martën në mbrëmje pata mundësinë të ndjek drejtpërdrejt dhe mbi të gjitha nga fare pranë Serbi-Shqipëri, një ndeshje në të cilën luajti edhe një toskan, lojtari i Empolit (por i lindur në Shkodër, në Shqipëri), Elseid Hysaj. Që nuk do të kishte qenë një sfidë e lehtë, sidomos për motive që nuk kanë absolutisht lidhje me futbollin, kjo ishte e kuptueshme dhe e ditur nga të gjithë, me përjashtim të UEFA-s, e cila i mohoi Spanjës dhe Gjibraltarit mundësinë për t’u përballur përgjatë eliminatoreve të “Euro 2016″-s, por jo kombëtareve të Serbisë dhe Shqipërisë. Është vërtet e habitshme se si UEFA nuk mori parasysh faktin se plagët për Kosovën janë ende të hapura dhe mbi të gjitha shumë larg shërimit të plotë. Nuk e fsheh se mbeta gjithashtu i mahnitur teksa lexoja në shumë prej të përditshmeve se motivi i kaosit përgjatë Serbi- Shqipëri kërkohej të lidhej ekskluzivisht dhe vetëm me dronin që valëviste flamurin e Shqipërisë etnike, atë të autoktonëve, i cili nuk përfshinte vetëm Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe zona të tjera aktualisht nën administrimin maqedonas dhe serb. Të bazosh gjithçka ndodhi të martën në mbrëmje thjesht dhe vetëm te droni jo vetëm është absolutisht e gabuar, por mbi të gjitha, ky këndvështrim është sinonim disinformimi. Serbi-Shqipëri u shoqërua nga një fushatë mediatike e fokusuar tek urrejtja raciale, që në momentin e parë që goglat e shortit vendosën t’i vinin këto dy kombëtare përballë njëratjetrës në këto eliminatore.

Që në momentin e mbërritjes në aeroportin e Beogradit, stafit shqiptar iu desh të bënte llogaritë me prepotencën dhe presionin direkt e indirekt të forcave serbe. Hoteli në të cilin akomodohej Kombëtarja e Vendit të Shqiponjave ishte praktikisht i rrethuar, me qindra policë të veshur, armatosur dhe përgatitur për aset lufte, të cilët mbronin perimetrin. Dhe mund ta imagjinojmë se sa e vështirë është të përgatisësh një ndeshje në një klimë të tillë. Në ditët që paraprinë ndeshjen, Serbia fillimisht kishte ofruar gatishmërinë se në këtë 90-minutësh mund të ishin të pranishëm vetëm shqiptarët rezidentë në Shqipëri (ndeshje e ndaluar pra për kosovarët, shqiptarët e Maqedonisë dhe miliona shqiptarë të tjerë të shpërndarë në botë), por, më pas, e zgjeroi ndalimin e pjesëmarrjes në këtë event për të gjithë shqiptarët. Vetëm pak fatlumë (afro 200) arritën të hyjnë në stadiumin “Partizani”, por nën diktatin dhe urdhrin e qartë e të ashpër të autoriteteve serbe; jo flamujve, jo stemave apo banderolave motivuese për Shqipërinë, ose përndryshe, për ta do ekzekutohej menjëherë arrestimi dhe gjykimi sipas ligjeve vendëse. Një gjë e tillë është e padëgjuar ndonjëherë, ndaj së cilës UEFA nuk mund të qëndrojë pa lëvizur dhe ta tolerojë, të bëjë sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Të vetmit flamuj shqiptarë prezentë në stadium ishin ata që kishin sjellë tifozët (???) serbë dhe i dogjën, pavarësisht se UEFA dhe FIFA e ndalojnë kategorikisht këtë; ato të përdorur për ceremoninë gjatë ekzekutimit të himneve kombëtare; ai i ekspozuar (dhe më pas i fshehur) përkrah atij të Serbisë, të FIFA-s, të UEFA-s, të respektit ndaj racizmit (!!!) dhe të kualifikimeve të Europianit (siç tregohet në foto); si dhe një flamur i sjellë nga një prej gazetarëve shqiptarë. Dhe, veçanërisht për kolegët shqiptarë, atyre u shkon mbështetja dhe solidariteti im total, për agresionin e pësuar në tribunën e personalizuar për median, pas lëshimit në drejtim të tyre të materialeve të mprehta, shumë të rrezikshme…

Që nga vërshëllima e parë e takimit, mbështetësit e Serbisë (të cilët kishin djegur edhe flamurin e NATO-s, pjesë e së cilës Shqipëria është që nga viti 2009, ndërsa Serbisë i është bërë favori që të jenë pjesë e kësaj aleance kur ta mendojnë ata të arsyeshme – siç tregohet sërish në një nga fotot) kishin nisur të digjnin flamujt Kuq e Zi, me shqiponjën dykrenare, ndonëse përgjatë harkut të ndeshjes nuk i mohuan vetes as koret “Ubij, ubij Siptar”, që e përkthyer nga serbishtja do të thotë “T’i vrasim, t’i vrasim shqiptarët”. Sërish përpara se të shfaqej droni, serbët këndonin “T’i vrasim, eliminojini shqiptarët, derisa të mos mbeten më” (e konfirmuar edhe në video të shumta). Në momentin e himneve, ai shqiptar u mbyt nga vërshëllima, pavarësisht se lojtarët provuan ta këndonin, edhe pse i duhej të ulërinin. Përgjatë gjithë harkut të ndeshjes, në fushë vërshoi gjithçka, nga fishekzjarrët, flakadanët e deri te tymuesit. Një fishekzjarr, për më shumë, shpërtheu fare pranë një prej lojtarëve të Kombëtares së drejtuar nga De Biazi, mëngjarashit Agolli, aq sa arbitri Atkinson iu desh të ndërpriste ndeshjen për disa momente.

Ai që beson se politika hyri në fushë me dronin, dua t’i bëj prezent se gjatë ndeshjes janë fokusuar, që nga sekondat e para të ndeshjes, banderola dhe flamuj mes të cilëve shkruhej (në serbisht) “Kosova është Serbi”, por rezulton se ka pasur edhe banderola të tjera kundër Bosnjës dhe Kroacisë. Në një klimë lufte, në një ndeshje ku ishin përjashtuar thuajse të gjithë tifozët e Shqipërisë, ndonëse disa prej të cilëve ishin edhe në pronësi të një bilete, duket se problemi i vetëm ishte një dron dhe flamuri i telekomanduar nga një djalosh. Ishte një përgjigje ndaj autoriteteve serbe, që i kishin ndaluar hyrjen në stadium mbi të gjitha kosovarëve. Ishte një fakt që nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse do t’u ishte lejuar hyrja tifozëve shqiptarë për të ndjekur beniaminët e tyre. Jam ende i tronditur nga deklarata e Mishel Platinisë, sipas të cilit droni mund të kishte mbartur edhe një bombë. Mbase Platini ka parë shumë filma me aksion kohët e fundit, por deklaratat e tij ishin totalisht jashtë logjike. Madje, ai duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e veta dhe të paraqesë menjëherë dorëheqjen, duke qenë se ishte ai që lejoi që Serbia dhe Shqipëria të përballeshin në të njëjtin grup të këtyre kualifikueseve.

Por, pastaj, fakti që më lë më të tronditur është se të gjithë bëjnë sikur nuk shohin se në minutën e 41-të, kur ndeshja u ndërpre, gjyqtari i ndeshjes Atkinson e kishte frenuar takimin si rrjedhojë e përplasjeve në shkallët e stadiumit, mes tifozërisë serbe dhe forcave të rendit, si rrjedhojë e hedhjes në fushë të tymuesve dhe flakadanëve, aq sa u kërkua edhe ndërhyrja e zjarrfikësve. Vetëm pas një minute, “regjia” serbe tregoi prezencën e dronit dhe dyshoj se “regjia”, për një minutë e gjysmë nga fillimi i trazirave në tribuna, nuk e vuri re prezencën e objektit fluturues, i cili do të shërbente më pas për të justifikuar dhunën serbe.

Ajo e minutës së 41-të ishte ndërprerja e dytë, gjithmonë për faj të trazirave të provokuara nga publiku vendës, i njohur më së miri tashmë në të gjithë botën për faktet e Xhenovas, në 2010- n fillimisht, përpara dhe pas Itali-Serbi. Ndërprerja e parë kishte ndodhur gjatë minutës së 36-të, kur një fishekzjarr kishte shpërthyer pranë Agollit, përveçse shumë objekteve të rrezikshme vërshonin mbi lojtarin e krahut shqiptar dhe arbitrit anësor. Lojtarët serbë, Lazoviç dhe Kolarov, kishin shkuar për të qetësuar tifozët, ndërsa futbollisti shqiptar dhe arbitri anësor largoheshin. Pas afro 40 sekondash ndërprerje dhe ndërhyrjes së folësit të stadiumit, ndeshja rinisi, por hedhja e objekteve vazhdon, aq sa folësit të impiantit, pak minuta më pas, iu desh të përsëriste mesazhin.

Sinqerisht, më bëjnë të qesh deklaratat e futbollistëve serbë (me siguri me sugjerim të Federatës Greke, jo shumë mike e shqiptarëve…), sipas të cilëve ndalimi i dronit shërbente për të rifilluar ndeshjen. Nëse vërtet lojtarët serbë do kishin dashur thjesht të ndalonin dronin për të rinisur lojën, këtë ndërhyrje duhet t’ia kishin lënë në dorë lojtarëve shqiptarë, duke ftuar kapitenin Cana që të mblidhte flamurin, por jo ta shqyenin me aq egërsi siç bëri Mitroviç. Dhe për sa i përket sherrit, nuk kam lexuar ende deklarata dënuese kundrejt atyre që hapën kangjellat, nga jashtë dhe brenda stadiumit, duke u lejuar kështu keqdashësve të pushtonin fushën e lojës, për të nisur një gjueti kundër shqiptarëve. Disa prej tyre goditën me stola lojtarët miq, tifozë të tjerë serbë i rrahën ndërsa ata vraponin në tunel, përpara se policia vendësve t’u jepte goditjen e radhës me shkopinj gome. Askush nuk e dënon punonjësin e sigurisë që rreh Canën, i cili ndërhyri në mbrojtje të Balajt, përpara se një pseudotifoz ta kishte goditur sulmuesin shqiptar me një stol. Asnjë nuk vë në dukje që në një shtet të civilizuar, një si Ivan “I tmerrshmi” Bogdanov, nuk do të kishte shkelur kurrë në një stadium, deri në fund të ditëve të tij.

Jo… Të gjithë të vrapojmë dhe të dënojmë gjestin demonstrativ të një djaloshi (dhe jo të vëllait të kryeministrit shqiptar, siç u komunikua nga shtypi serb për të ushqyer klimën e tensionit), mbase i rrezikshëm, duke qenë se futi në një mënyrë të pazakontë një flamur shqiptar, në atë stadium, gjatë ndeshjes kundër Shqipërisë, ndonëse autoritetet vendëse kishin ndaluar çdo simbol të kombëtares mike. E gjithë dhuna fizike e psikologjike e ushtruar nga serbët, në ditët paraardhëse dhe gjatë ndeshjes, me sa duket kalojnë në plan të dytë, përpara një droni me një flamur dhe jo me një bombë. Por bombën e vërtetë e hodhi UEFA, që gjithsesi, nëse do të kishte qenë një organ serioz, duke parë edhe përsëritjen e tifozërisë më të nxehtë serbe pas fakteve në Xhenova (dhe jo vetëm), duhet të skualifikonte Serbinë për të paktën pesë vite. Kjo kohë do shërbente për t’u riorganizuar dhe për të marrë masa të ashpra kundër të dhunshmëve. Mes shumë të dhunshmëve, në stadiumin e Partizanit kishte edhe më shumë tifozë të thjeshtë serbë, të neveritur jo nga droni, por nga dhuna që shoqëroi jo vetëm një ndeshje futbolli, por edhe gjithçka që e rrethonte atë, duke shkatërruar një mbrëmje sporti. Por, tashmë dihet, edhe në futboll politika vlen, me Serbinë që ka më shumë miq sesa Shqipëria. Mbi të gjitha kanë Danimarka dhe Portugalia, të cilat nga një humbje e mundshme në tavolinë për shqiptarët, kanë gjithçk a për të fituar, duke qenë se janë të detyruara të ndjekin burrat e De Biazit. Jo rastësisht, stafi kuqezi i ka kërkuar të gjithë shqiptarëve që të ngrenë zërin në rrjetet sociale, nëpërmjet hashtagut “#SerbiaAlbaniaTheTruth”, ku janë mbledhur të gjitha faktet e ndodhura të martën. Fakte që nuk duhet të ndodhin kurrë më, mbi të cilat UEFA po heton, pavarësisht se është ajo fajtorja kryesore. Madje, për UEFA-n, futbollistët e Shqipërisë, pasi pësuan presionin psikologjik dhe pasi u shkelën me këmbë nga tifozët dhe forcat e rendit serbe, duhej të kishin vazhduar ndeshjen. Rreziku është që gjithçka e nisur pas atyre ngjarjeve, të përfundojë me një farsë, duke dënuar të dyja kombëtaret. Një vendim ky, i cili do të legjitimonte përdorimin e dhunës në stadiume, duke transformuar apelet si “respekt” dhe “jo racizmit” në slogane të zeza propagandistike.

FAKTET KRYESORE TË KRONIKËS SË NDESHJES, NË MINUTA
12’40″ – Lila është në tokë pas një topi të marrë në fytyrë, ndërsa ndihet shpërthimi i një fishekzjarri gjigant.
14’29″ – Hedhja e parë e tymuesve në terrenin e lojës nga ana e mbështetësve serbë.
24’33″ – Ngritja e flamurit të Greqisë, në mënyrë të qartë provokative kundër shqiptarëve.
35’11″ – Disa tymues lëshohen drejt futbollistit shqiptar, Agolli, teksa përgatitej të rifuste topin në lojë nga një goditje këndi. Një fishekzjarr i shpërthen fare pranë, ndërsa disa objekte të tjera rrezikojnë të godasin futbollistin dhe arbitrin anësor. Atkinson ndërpret ndeshjen për disa momente. Lazoviç dhe Kolarov afrohen për të qetësuar tifozët, ndërsa qoftë lojtari i Shqipërisë, ashtu sikurse vijërojtësi largohen. Pas 40 sekondash ndërprerje dhe ndërhyrjes së folësit të stadiumit, ndeshja rinis. Kalojnë pak minuta dhe folësi fton sërish të pranishmit që të mos hedhin objekte në fushë.
40’45″ – Lëshohet një shishe uji në drejtim të Balajt.
40’58″ – “Tifozët” më të zjarrtë të Serbisë tentojnë të mësyjnë në fushë. Ata arrijnë të kontrollohen me vështirësi nga njerëzit e sigurisë, që gjithsesi rezistojnë. Si rrjedhojë e kësaj, nisin përplasjet e para, me tifozët që sulmojnë policinë dhe njerëzit e sigurisë.
41’09″ – Hidhet në fushë një tymues.
41’13″ – “Zbarkon” një tjetër tymues në fushën e lojës, me arbitrin Atkinson, i cili sinjalizon flakadanin, duke ndërprerë momentalisht ndeshjen.
41’16″ – Arbitri Atkinson kërkon ndërhyrjen e zjarrfikësve për të larguar nga fusha tymuesin që nxirrte edhe zjarr.
41’57″ – Për herë të parë fokusohet në kamera droni, por tifozët serbë kishin disa minuta që kishin nisur të hidhnin çdo lloj gjëje në fushë, duke intensifikuar edhe sendet e ndryshme prej më shumë se një minute. A ishte e mundur që “regjia” serbe, në gjithë këtë fragment kohe, nuk e kishte vënë re dronin? Ose më thjesht, si ka mundësi që droni u shfaq menjëherë pas fillimit të trazirave…? Pak përpara minutës së 45-të, Atkinson dërgon të gjithë në dhomat e zhveshjes, ku futbollistët shqiptarë do të goditeshin.

MARKO GARXHINI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MBRËMJA E FERRIT NË BEOGRAD DHE QASJA E FORMIMIT TË ORGANEVE TË REJA TË SHTETIT NË KOSOVËVështrim nga SKËNDER MULLIQI (10.19.2014)
KORI SERB I BRETKOSAVE DHE SHQIPTARËTNga AUREL DASARETI, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au) (10.19.2014)
CILI ËSHTË FAJI SHQIPTAR, SPORTIV APO ZYRTAR?Nga SAIMIR LOLJA (10.18.2014)
17 TETOR 2012 - KUR CAMERON PERSONALISHT I KËRKONTE UEFA-s SANKSIONE KUNDËR SERBISËPas thirrjeve raciale ndaj futbollistëve britanikë nga fansat gjatë ndeshjes për moshat nën 21 vjeç (10.18.2014)
PIKTORI AVNI DELVINA GRAFIKA MIQËSORE POR EDHE IRONIKE PAS DEKLARATËS BOMBË TË SHEFIT TË UEFA-S (10.18.2014)
FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT DO 3 PIKËT, JA 12 PIKAT E MBROJTJES NË UEFA (10.17.2014)
FSHF DO 3 PIKËT, JA 12 PIKAT E MBROJTJES NË UEFA (10.17.2014)
'SHKOLLAT  SHQIPTARE'VAZHDË  E  KONGRESIT  ANTIKOMBTAR  TË  1972... Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...Nga FRITZ RADOVANI (Pjesa I) (10.17.2014)
PAPA PALI VI (1897-1978)Nga Don LUSH GJERGJI (10.17.2014)
ÇKA THANË BECKHAM, RONALDO, DROGBA E IBRAHIMOVIÇ PAS NDESHJES NË BEOGRAD (10.16.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2019  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]