VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BLENDI, IDIOTI DHE NJË SHËNIM PËR SHKOLLËN E DRONEVE
Nga ADRIAN THANO

E Hënë, 10.20.2014, 10:48am (GMT1)



 

Serbët, kashtë në dysheme

Në një artikull në DITA-n e djeshme Koloreto Cukali shkruan: “Tirana kozmopolitane ka qenë disi easy-going me serbët. Ne, nuk i kishim parë nga afër. Dhe ja ku i pamë”.

Është e vërtetë. E dimë pak a shumë çfarë është Ballkani. Dihet edhe që stadiumet e sportit kanë brenda turli horrash bashkë me të tjerët. Po që vulgariteti të prekte maja të tilla shtetërore, kjo është vërtet e papritur.

Deklaratat e presidentit serb, kryeministrit, ministrit të jashtëm lidhur me atë që ndodhi në Beograd janë befasuese. Një nivel i tillë karagjozllëku është i frikshëm. Por – supozoj unë – i vetëdijshëm. Ata mendojnë se kashta në dysheme është lartësi e mjaftueshme për Shqipërinë. Steka e tyre për Tiranën zyrtare me gjasa është ish-kryeministri.

Dhe jo vetëm për ta, fatkeqësisht.

Skena dhe recitimi

Sikur një ekip serb, grek, italian apo tjetër të trajtohej në Shqipëri në mënyrën si u trajtua ekipi shqiptar në Beograd merret lehtë me mend çdo ndodhte. Qimja jonë dhe trau i tyre janë bejte e përsëritur. Ndaj broçkullat e Platinisë, pacipëria e zëdhënses së Ashtonit, raportimet e padenja të Reuters e AP – (kolegu Koçiko kishte në numrin e djeshëm një shpjegim shumë racional për psetë e kësaj të fundit) – nuk janë të papritura.

Nuk ka për të qenë një vendim i drejtë ai i UEFA-s. Le të përgatitemi për këtë. Për më tepër ne kemi vite që jemi ‘mësuar’  me këtë ‘sjellje serbe’ edhe këtu në Tiranë: e kemi provuar egërsinë e alogjikes, psikopatinë e këmbënguljes te e padrejta deri në çuarjen e tjetrit në vetëdiegie e sakrifikim, legenërinë e përdorjes së pushtetit për të dhunuar të pambrojturin, fajësimin e kundërshtarit për krimin që sapo ke bërë vetë, inskenimet, blerjen e mediave, fuqinë e propagandës për ta bërë të zezën të bardhë, etj, etj. E kemi në Tiranë një hileqar të tillë të pacipë e të paburrë, një nxënës të denjë të kësaj mender “shkolle politike” që ta shpif.

Shenjat janë të qarta. Për këtë soj, nuk ka rëndësi skena, po recitimi.

 

Blendi, idioti. Idioti, Blendi

Ardian Vehbiu shkruante dy ditë më parë se mediat në Tiranë dhe Beograd meritonin notën dysh për mënyrën si e trajtuan ngjarjen. Por, unë nuk e shoh thjesht si mungesë profesionalizmi. Le të themi që ka profesionistë të cilët duhet të nxjerrin ca mësime të tjera nga ajo që ndodhi në Beograd. Blendi Fevziu, përshembull.

Së pari, më vjen mirë që Blendi e provoi në kurriz çfarë është dhuna dhe padrejtësia. Do t’i vlejë. Por ka edhe diçka tjetër që duhet të kuptojë Blendi dhe jo vetëm ai.

Një gazetar serb gënjeu duke botuar një foto të Blendit të fshehur në cepin e lozhës me 60-70 tifozë shqiptarë dhe shkruajti: “Vëllai i kryeministrit shqiptar komandon dronin nga lozha në stadium…”.

Blendi e quajti idiot. Idiot është. Çfarë po bënte në thelb idioti i Blendit? Po i shërbente me vetëdije strategjisë dinake të pushtetit. Cila është ajo? Përqëndrim tek “droni” për të zhurmuar dhunën e pashembullt antishqiptare para dhe pas “dronit”.

I kapluar këto ditë nga ethet e padrejtësisë që i ka ngjarë, Blendi, ende nuk është aq i ftohtë sa të kuptojë se ajo që i ka bërë idioti Blendit në Beograd, është ajo që Blendi vetë ka bërë këto vite në Tiranë.

Sa here ka amplifikuar Blendi njësoj pisllëkun e ish-regjimit të dhunës dhe gënjeshtrës, duke përdorur të njëjtin marifet të “dronit”, dmth këtë kinse “përqëndrim” tek fija për të mos lejuar njerëzit të shohin lëmshin?

Sa herë në ngjarje të rënda, ka bërë Blendi (dhe jo vetëm ai) emisione të fokusuara te “zbulimet” e Berishës, duke shmangur faktet e këtyre ngjarjeve të cilat ishin sheshit? A nuk ishte Blendi që kur duhej folur për të pushkatuarit e 21 janarit, analizonte me shkop në dorë “plakun me thinja” që kishte në dorë një “çadër pistoletë” me të cilin paskësh vrarë Ziverin? A ju kujtohet për çfarë fliste Blendi kur duhej folur për fëmijët e djegur të Gërdecit, apo sa rrufeshëm i mblidhte Blendi “opinionistët” për “fluturakët me drogë” në Divjakë?

Idioti serb i Blendit në Beograd, në të vërtetë, nuk ka bërë asgjë më pak për “berishën” e tij sa ç’kanë bërë blendët e Tiranës për ish-berishën e tyre këtu në Shqipëri. Dhe që të jemi plotësisht të sinqertë me veten, nëse ai idioti në Beograd e ka bërë atë palaçollëk për vendin e vet, Blendi dhe të tjerët si ai, i kanë bërë palaçollëqet e tyre në Tiranë për arsye shumë më meskine.

 

Rama me çelik, Rama pa çelik

Votuesit kanë patur përherë nevojë të ndjejnë që Edi Rama ka edhe pak çelik brenda tij. Ish-kryeopozitari i djeshëm dhe kryeministri i sotëm i ka zhgënjyer shpesh në këtë pritshmëri. Por këtë herë ai dhe ministrat e tij kanë mbajtur një qëndrim dinjitoz. Dhe nuk është fjala vetëm për forcën e fjalës, ku Rama përherë shkëlqen. Duhet theksuar që me Beogradin është e dyta herë pas episodeve me Venizelosin në Tiranë, që qeveria dëshmon reciprocitet në lëmin e raportit me fqinjët.

Ka munguar më parë kjo kurajo. E vërteta është që në qeveritë e mëparshme qofshin ato të PD-së apo të PS-së ka mbizotëruar inferioriteti, skuthlliku, apo akoma më keq, nënshtrimi.

Vendimi për të mos e anuluar vizitën në Beograd, dëshmon ndërkohë vendosmëri, pjekuri dhe stof shtetari. Le të shpresojmë që këto të shfaqen më në fund edhe në problematikën e mprehtë brenda vendit.

Sa për opozitën, kundërshtimi i saj për vizitën e Ramës në Beograd është si përherë i dobët në argumenta. Dhe që t’u rikthehemi marifeteve të “shkollës së droneve”, është e sigurtë që nëse Rama do vendoste të mos shkonte, opozita do thoshte “pati frikë, duhet të shkonte”. Qesharake, por të gjithë e dimë (edhe ata vetë) që kështu është.
ADRIAN THANO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.