VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GRIDA DHE JOZEFINA MOLLË SHERRI - PD NUK I ZGJEDH DOT FORUMET
Nga viti 2004 kjo parti nuk zgjedh dot forume të reja

E Enjte, 10.23.2014, 07:58am (GMT1)



- Mbledhja e Këshillit Kombëtar i Partisë Demokratike duket se do të dojë ende kohë për t’u mbledhur. Zgjedhja e nënkryetarëve të PD-së, edhe pse ka shkaktuar një krizë të re mes demokratëve, nuk përbën “emergjencë”. Kjo bazuar në faktin që ende nuk flitet për një datë fikse. Varianti më i besueshëm për ngërçin, është kandidatura e Grida Dume si nënkryetare.

Një kandidaturë e propozuar, e mbështetur dhe që po mbrohet me çdo kusht nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Ky i fundit vazhdon të flasë për demokraci imagjinare brenda radhëve të një partie e cila bllokon dhe vetëbllokon çdo proces normal. Gjithsesi mbetet e paqartë nëse emri i Dumes është vërtet shkaku i ngërçit të radhës, apo justifikimi i duhur për krisjen e radhës, të asaj që tashmë është kthyer në hijen e forcës politike që deri para pak muajsh qeveriste vendin.

Përplasja

Sikur të mos mjaftonte bojkoti i Kuvendit, PD-ja ka nisur një tjetër bojkot. Fjala është për bojkotin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar, ku që nga rizgjedhja e emrave të rinj të Këshillit Kombëtar, anëtarët nuk janë mbledhur ende për të bërë konstituimin e tij dhe më pas për të përzgjedhur Kryesinë e Madhe dhe strukturën drejtuese. Nëse për bojkotin e Kuvendit opozita drejton gishtin nga mazhoranca, për bojkotin trejavor të mbledhjes së Këshillit Kombëtar ai që e ka pezulluar pa afat është Basha.

Mësohet se shtyrja e mbledhjes, ku pritet të ripërtërihet kupola drejtuese e PD-së është bërë nga Basha për shkak të mosmarrëveshjeve që ka ai me eksponentët e tjerë të rëndësishëm të PD-së për çështjen e nënkryetarëve dhe emrat e drejtuesve të tjerë. Sipas burimeve nga sekretariati i Partisë Demokratike debati që ka futur opozitën në një bojkot të brendshëm është përqendruar së fundmi tek skema për emërimin e nënkryetarëve dhe në fokus është Grida Duma, emri i së cilës ka sjellë shumë reagime dhe presione pranë Bashës ditët e fundit.

Pas përfundimit të Kuvendit Kombëtar të PD-së, ndryshoi dhe skema në statut për zgjedhjen e nënkryetarëve. PD ka shkelur të gjitha afatet e mundshme të nisjes së punimeve, dhe deri tani nuk është dhënë asnjë sqarim për shkeljen e afateve të paracaktuara. Variantet që kanë shkaktuar përplasjen mes Bashës dhe pjesës tjetër është dyzimi i qëndrimeve rreth nënkryetarëve. Në variantin e parë thuhet se PD do të ketë dy nënkryetarë.

I pari është kreu i grupit parlamentar, ndërsa tjetri zgjidhet nga kryetari. Sipas statutit të ri, i takon kryetarit Basha të përcaktojë se sa nënkryetarë do të ketë PD-ja, e mbi çfarë kriteresh do të përzgjidhen ata. Ekzistojnë dy skema mes të cilave Basha duhet të zgjedhë. Mbajtja e 2 nënkryetarëve. Kreun e grupit parlamentar Edi Paloka dhe nënkryetarin e Kuvendit Edmond Spaho, Ndërsa varianti i dytë, është ai i shtimit të nënkryetarëve duke e bërë PD-në me 5 nënkryetarë.

Të dyja variantet janë në tryezën e Bashës, ndërsa variantin për shtimin e numrit të nënkryetarëve e mbështesin posaçërisht të ardhurit e rinj në PD, sidomos Grida Duma, e cila po përpiqet që të fitojë një pozicion si nënkryetare e kësaj partie. Por variantet e shtimit të numrit të nënkryetarëve duket se mbështetet dhe nga Jozefina Topalli, e cila kërkon që të marrë gjithashtu një post nënkryetareje në parti. Burime nga PD -ja bëjnë të ditur se moduli i dytë, që sugjeron shtim të numrit të nënkryetarëve, është parë nga deputetët apo zyrtarët e vjetër në këtë parti, si një modul që katapulton në rangjet më të larta persona pa të kaluar dhe pa karrierë në PD.

Përfaqësuesja simbol i këtyre zyrtarëve të katapultuar konsiderohet Grida Duma. Procesi paszgjedhor, në selinë e Partisë Demokratike është shoqëruar me diskutime rreth emrave të mundshëm të kupolës drejtuese. Sipas burimeve, Basha ka bërë dhe propozimet e tij por i ka ngelur sharra në gozhdë, pasi është i vogël numri i eksponentëve që pranojnë shtimin e të rinjve në Kryesinë e re. Shtimi i të rinjve apo “ngujimi” te emrat e vjetër është çështja më e nxehtë, që pas daljes së emrave fitues për Këshillin Kombëtar.
ISUF KURTAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.