E Martë, 07.23.2019, 06:04am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
MEMO NATO-s DHE BE-së PËR PUTININ NË BEOGRAD
Nga PETRIT HALITI

E Premte, 10.24.2014, 08:40am (GMT+1)


Pritja madhështore që qeveria e Serbisë i organizoi Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në Beograd në 16 tetor është tipike për shtetet e reja. Përtej euforisë së marrëdhënieve të  tanishme mes Serbisë dhe Rusisë, elementi i ri interesant është gatishmëria e Beogradit për t’iu atashuar zyrtarisht strategjisë së shtetit protektor rus me qëllimet: 1–për të ngritur tensionet në rajonin e Ballkanit dhe 2-për të shfrytëzuar klimën e forcës ushtarake dhe të agresivitetit në lulëzim e sipër të Rusisë, për ambiciet e vendosjes së influencës serbe në rajon. Nuk është vetëm koreografi dashurie festa e paradës së madhe ushtarake, që Serbia organizoi për nder të presidentit rus.

Është koreografi gjeopolitike e përurimit të një epoke të re të përdorimit të kërcënimit të forcës si instrument i diplomacisë ekspansioniste dhe antiperëndimore të Rusisë dhe të Serbisë në rajon. Ndërsa ofensiva ruse në Ukrainë është duke u zhvilluar, Moska nuk priti gjatë dhe nisi ofensivën e saj në Ballkan. Pasi realizoi neutralizimin e përpjekjeve të Ukrainës për integrim europian, Kremlini hapi kapitullin e neutralizimit të përpjekjeve të disa shteteve ballkanike për integrim euroatlantik. E kam theksuar edhe më parë në kolonat e kësaj rubrike se si është e mundur që një shteti neutral, i cili parimin e neutralitetit e ka shpallur bosht të doktrinës së tij zyrtare të politikës së jashtme, i shkon ndër mend të organizojë pas 40 vjetësh një paradë të kushtueshme ushtarake për nder të Putinit.

Bëhet paradë e rrallë ushtarake për udhëheqësin e shtetit, i cili jo vetëm sapo ka aneksuar nëpërmjet pushtimit ushtarak një pjesë të territorit të shtetit fqinj të Ukrainës, por edhe po vazhdon ndërhyrjen e tij ushtarake në Ukrainën Lindore, me objektivin e krijimit të një konflikti të ngrirë, si bombë me sahat, që do të pengojë çdo lloj integrimi të Ukrainës në BE. Parada ushtarake e Serbisë për nder të Putinit dhe për demonstrim e shantazh force ndaj Ballkanit, paraqet një glorifikim të forcës ushtarake në diplomacinë rajonale dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare rajonale. Kjo bëhet si përshëndetje për politikën e re agresive ushtarake të Rusisë në Europë, por edhe si prirje për përdorimin e kërcënimit të forcës në marrëdhëniet mes shteteve, çka mbetet një nga nostalgjitë më të mëdha të udhëheqjes nacionaliste serbe, kur është fjala për Ballkanin. Deliri dhe servilizmi i qeverisë serbe në drejtim të Presidentit të Rusisë la pa mend edhe vetë rusët, të cilët u ekzaltuan ngaqë po asistonin në një shfaqje të rrallë përulësie të gjithanshme të një shteti dhe të një qeverie.

Gazeta ruse “Moskovskij Komsomelec” shkruante në 17 tetor se “Kësoj lloj pritjeje si në Serbi, rrallë ia bëjnë Vladimir Putinit edhe në provincat më besnike ruse. Për një shtet që synon të hyjë në BE, kjo në situatën e tanishme nuk është vetëm një gjest i vullnetit të mirë, por një heroizëm, që i afrohet çmendurisë”. Gazeta proqeveritare ruse “Pravda” në 16 tetor shtronte e habitur pyetjen se përse papritmas udhëheqja e Serbisë “ndërmori hapin paprecedent dhe ftoi Putinin në Beograd” dhe e vazhdonte entuziazmin e saj me citimin nga gazeta serbe “Politika”: “Nëse ambasadori i Rusisë në Beograd do të deklaronte se Rusia po merr pjesë aktive në bisedimet për formimin e qeverisë serbe, shumica e popullsisë serbe do të duartrokiste”. Përtej paradës pompoze, duhet parë përmbajtja ushtarake e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Serbisë.

Nuk ka ende informacion nëse nga Brukseli e kanë vënë re dhe kanë reaguar për demonstrimin e përbashkët serbo-rus të forcës, që u bë në Beograd në 16 tetor, kur me forcat ajrore serbe u bashkua edhe një grup i specializuar i forcave ajrore ruse, që mban emrin “Strizhi”. Në shikim naiv mund të duket akrobaci ajrore, por në vështrimin diplomatik do të thotë një demonstrim i përbashkët i veprimit ushtarak, i përgatitjes dhe i bashkëpunimit ushtarak të të dyja vendeve. Përse udhëheqjes serbe nuk u shkoi në mend të ftojnë edhe grupe avionësh të forcave ajrore nga ndonjë shtet i madh i Bashkimit Europian? Përgjigja e thjeshtë është se Beogradi e kërkon identitetin e forcave të saj ushtarake në matriçen ruse. Nuk mund të mos tërheqë vëmendjen fakti që në prag të vizitës së Vladimir Putinit u organizuan në Serbi, pothuaj fshehtas, manovra të përbashkëta ushtarake të ushtrisë serbe me forcat speciale ruse, veprim i cili hap dyshimin e madh se për çfarë arsyeje përgatiten forcat speciale ruse në territor ballkanik.

Sipas mediave ruse, po në prag të vizitës së presidentit Putin, Serbia është dakorduar për arritjen e një marrëveshje, që i jep imunitet diplomatik personelit të forcave ruse, që do të vendosen në bazën ruso-serbe, të quajtur humanitare, në qytetin e Nishit. Nuk mjafton vetëm një ngritje supesh, por sugjeron shqetësim, shkaku përse një grupim ushtarak rus, i cili sipas mediave serbe do të arrijë deri në një mijë ushtarakë në bazën e Nishit, kërkon papritur pajisjen me imunitet diplomatik. Nuk mund të ketë mendje aq naive që të besojë se baza ruso-serbe e Nishit do të ketë vetëm zjarrfikës dhe sanitarë, të cilët për luftën kundër zjarrit dhe kundër përmbytjeve  të lumenjve paskan nevojë për imunitet diplomatik. Imuniteti diplomatik i duhet Moskës për mbulimin e veprimtarive të përgjimit dhe të zbulimit, që shërbimet sekrete ruse përgatiten të organizojnë në të gjithë Ballkanin, nëpërmjet bazës ushtarake ruso-serbe të Nishit. Prioriteti i dimensionit ushtarak në marrëdhëniet ruso-serbe është sanksionuar edhe në Traktatin e Partneritetit Strategjik, që presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç nënshkruan majin e vitit të kaluar.

E reja është apdejtimi i bashkëpunimit ushtarak të Serbisë me Rusinë në kushtet e reja të agresionit rus në Ukrainë dhe të shtrirjes së efekteve të tij në gadishullin e Ballkanit. Rusia dhe Serbia i drejtojnë një mesazh force dhe kërcënimi të forcës edhe NATO-s, edhe BE-së. Nuk është rastësi organizimi i një mitingu të posaçëm anti-NATO në varrezat e të rënëve në Beograd, kur atje shkoi presidenti rus, dhe sidomos mbajtja e parullave të posaçme politike, ku shkruhej: “Presidenti Putin, shpëtoje Serbinë nga pushtimi i NATO-s”. Ky manifestim i urrejtjes anti-NATO dhe antiperëndimore u përjetua me kënaqësi si nga vizitorët, ashtu edhe nga mikpritësit, që ishin edhe organizatorët. Në pamjen e parë duket e habitshme kjo kërkesë dhe ftesë për ardhjen e Rusisë në Serbi që “t’i shpëtojë nga pushtimi i NATO-s”. NATO nuk është aspak e pranishme në ndonjë formë në Serbi dhe as ka nga ndonjë mendim për ndonjë pranim të mundshëm të Serbisë në radhët e saj, sepse e ka të qartë se qeveritë proruse të Serbisë as kanë pasur dhe as kanë ndërmend të hapin ndonjë proces integrimi atlantik.

NATO e di se pikërisht pas nxitimit të saj për të pranuar Serbinë në 2006 në programin “Partneritet për Paqe”, Beogradi nxitoi t’i kundërpërgjigjej në 2007, duke miratuar në parlament doktrinën e neutralitetit për të bllokuar çdo mundësi, qoftë edhe teorike, të ndonjë përpjekjeje serbe për të hyrë në rrugën e integrimit atlantik. Serbia dhe Rusia kanë nevojë jetike që me nxitjen e urrejtjes kundër NATO-s të mbajnë gjallë imazhin e armikut të shteteve sllave dhe ortodokse. Jo rastësisht u dogj flamuri i NATO-s në stadiumin e Beogradit në 14 tetor, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Është sinjal i urrejtjes dhe i armiqësisë së Rusisë dhe të Serbisë ndaj flamurit dhe aleancës së 28 shteteve demokratike të botës. Nga demonstrimi ushtarak i përbashkët ruso-serb duhet kuptuar se Ballkani nuk do të jetë më aq i qetë, siç ka qenë përpara krizës ukrainase. Rusia planifikon të krijojë probleme në rajon dhe strategjia e tensionit pritet të konkretizohet në hapa dhe forma nga më të sofistikuarat. Në këtë kuadër mund të shihet edhe testimi i parë ballkanik në përpjekjen e qeverisë serbe për acarimin e marrëdhënieve me Shqipërinë.

Nga e gjithë kronika e përplasjes diplomatike në nivel të lartë mes qeverisë së Serbisë dhe qeverisë së Shqipërisë, në gjysmën e dytë të tetorit, ka një element të ri dhe rezulton se Serbia nuk e ka vënë në objektiv Shqipërinë vetëm si një kundërshtar i vjetër shekullor. Ajo e ka vënë
tani në objektiv të tensionimit si një shtet i NATO-s dhe në rastin konkret ajo po realizon një skenar rus për provokimin e tensioneve me një shtet të NATO-s. Është një klimë dhe një rol, që i interesonte në prag të vizitës së Putinit. Pas acarimeve me Shqipërinë, është e logjikshme të priten acarime në Kosovë, të priten acarime në Bosnjë-Hercegovinë, në Maqedoni e në Mal të Zi, etj. Rusia po bën çmos të aktivizojë aksin e shteteve ortodokse për t’ua kundërvënë interesave atlantike në Ballkan. Nuk duhet parë jashtë këtij mozaiku edhe përfshirja e Greqisë, ku në një performancë antidiplomatike, edhe zëvendëskryeministri e ministër i Jashtëm, edhe presidenti, gjetën kohë të merreshin të dy me “ndeshjen sportive të dy shteteve të tjera” dhe të ringjallnin rivendikime të reja territoriale si ato të presidentit Papulias për të ashtuquajturin “Vorio Epir”, qëndrime armiqësore zyrtare, të cilat kërkojnë përgjigje të vendosura.

Serbia në planin ushtarak po përgatitet që të disponojë potenciale kërcënuese ndaj shteteve të tjera ballkanike. Presidenti i Serbisë deklaroi në paradën ushtarake se “ushtarët serbë janë gati të mbrojnë stabilitetin e rajonit”. Është një mision dhe një detyrë e vetëshpallur dhe me frymëzim prorus e Serbisë, të cilës nuk ia kërkuar askush në rajon, ku shumica dërmuese, pra shtatë  shtete, janë anëtarë të NATO-s. Por udhëheqja serbe vazhdon të jetojë me mentalitetin e së kaluarës dhe të ëndrrave për të qenë forca kryesore ushtarake e rajonit, që do të mund të sigurojë rolin dhe influencën e saj si qendër e rajonit. Është një ëndërr, të cilën diktatori Sllobodan Millosheviç u përpoq ta realizonte, duke ndërmarrë disa luftëra kundër popujve joserbë, dhe nga e cila nuk duket se kanë hequr dorë ish-qeveritarët e qeverisë së tij, të cilët sot qeverisin Serbinë.

Dhe që këta të sotmit janë vazhduesit e të njëjtës ambicie serbomadhe, ia dëshmuan opinionit ndërkombëtar edhe me aktin sfidues për gjithë botën demokratike perëndimore, duke ftuar në paradën ushtarake edhe kriminelët ndërkombëtarë të luftës Momçillo Perishiç, Milutin Milutinoviç dhe Dragolub Ojdaniç. Mesazhi tjetër ishte i drejtuar BE-së, së cilës iu konfirmua se sa iluzor është programi diplomatik europian i transformimit të Serbisë nga një aleat strategjik i Rusisë në një shtet proeuropian, anëtar i BE. Nga vizita iu dhanë dy goditje BE-së. E para, që presidenti Putin detyroi Nikoliçin dhe Vuçiçin të përsërisnin me zë të lartë për të gjithë botën se Serbia nuk do t’u bashkohet sanksioneve të BE ndaj Rusisë, me gjithë kërkesat e përsëritura të Komisionit Europian. Goditja e dytë ishte vendimi i presidentit Putin që qeveria ruse të subvencionojë sipërmarrjet bujqësore serbe për të shtuar prodhimet e eksportit bujqësor në Rusi.

Kjo është kundërvënie e hapur ndaj kërkesës së Brukselit drejtuar Beogradit, që qeveria serbe të mos subvencionojë eksportet bujqësore serbe në drejtim të Rusisë. Dhe si për t’i vënë kapakun programit të orientimit prorus të Serbisë, presidenti serb deklaroi para presidentit rus, se Serbia e mbështet zhvillimin e saj ekonomik në tregun rus dhe në investimet nga Rusia. (Vizita e Presidentit të Rusisë në Serbi shpresojmë të shërbejë si shkundje e madhe edhe për levantinët proserbë në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilët janë djersitur nga mallëngjimi për të zhbiruar ngjashmëritë dhe ndikimet reciproke kulinare shqiptaro-serbe dhe rolin e tyre për arritjen e kompromisit të madh historik mes dy shteteve.

Kozmopolitizmi rural është sëmundje e vjetër e levantinëve politikë dhe mediatikë të Tiranës, të cilët dikur profesonin kozmopolitizmin internacionalist komunist dhe tani kozmopolitizmin integrues demokratik. Përrallën serbe të “shtetit të përbashkët ballkanik”, që tregoi kryeministri serb i RF të Jugosllavisë, Milan Paniç, gjatë vizitës në Tiranë në 11 gusht 1992, ende ka veshë në Tiranë, që duan ta dëgjojnë. Presidenti i Rusisë foli qartë në Beograd lidhur me martesën shtetërore Rusi- Serbi: “Ne kemi një të kaluar të përbashkët dhe besoj do të kemi një të ardhme të përbashkët”. Është një këmbanë, jehona e së cilës shpresojmë se është dëgjuar, shënuar dhe analizuar në Bruksel.

PETRIT HALITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
GAZETARI SOKOL BALLA DHE ANALISTI HALIL MATOSHI, NË EMISIONIN SHQIP TË TOP CHANNEL JANË PËRPLASUR ASHPËR NË LIDHJE ME NACIONALIZIMIN (10.24.2014)
ÇAMÇAKËZI  I  “AKADEMISË  SË  SHKENCAVE”...Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë... Pjesë e origjinalit të letres së At P. Mëshkallës...Nga FRITZ RADOVANI (10.24.2014)
NUK DUHET TË KEMI ILUZIONE SE NGA SHTAZËT MUND TË KRIJOJMË NJERËZVështrim nga SKËNDER MULLIQI (10.24.2014)
NË JAVËN E TETORIT GJERMAN PIANISTI SHQIPTAR ENDRI NINI QË SHKËLQEN NË GJERMANI DHE SKENAT E EUROPËS (10.23.2014)
TREGON KOSTANDIN GRILLO, KOMENTATORI I NDESHJES SHQIPËRI-SERBI: „SERBËT I KANË VENË EMRIN E PLATINISË NJË KOMPLEKSI TË MADH SPORTIV NË BEOGRAD“ – INTERVISTOI ELIDA BUÇPAPAJ (10.23.2014)
KADRI MORINA - SHQIPTARI QË SHTROI DREKËN PËR PAPA FRANÇESKUN NË TIRANË (10.23.2014)
DIKTATURA, DEMOKRACIA APONga SALI BOLLATI (10.23.2014)
GRIDA DHE JOZEFINA MOLLË SHERRI - PD NUK I ZGJEDH DOT FORUMETNga viti 2004 kjo parti nuk zgjedh dot forume të reja (10.23.2014)
FAHRI MUSLIU - E VËRTETA PËR ATËSINË E VUÇIÇIT (Intervistë) (10.23.2014)
USHTRIA KANADEZE - PRÉ E AKTEVE TERRORISTENga AJET NURO, Montreal, Kanada (10.22.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Korrik 2019  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31      
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]