E Mërkurë, 04.24.2024, 08:07pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
VATRANI LEGJENDË MUSTAFË ELEZI - I PUSHKËS, I PENËS, I SAKRIFICAVE, I BESIMIT DHE LUMTURIMIT
Deklaratë më 1989: “Gjithmonë do të punoj e mendoj për “Vatrën”, se është shpirti im”.
Nga RAMIZ LUSHAJ&a

E Hënë, 03.02.2015, 11:08am (GMT+1)


1.Njëri nga lisnaja e Jahelezëve të historisë, Mustafë Elezi, i gjashti ndër dhjetë fëmijët e Sali Jahës, u lind më 26 shkurt 1926 në prehër të Alpeve Shqiptare, që albanologu i shquar, Milan Shuflaj, i quan "zinxhiri i botës". U lind në një nga luginat më të bukura për syrin e zemrën, në atë të Valbonës, bash në brigjet e lumit ujëkaltër, ku jetnonte e gurron Eposi i Kreshnikëve, ku Fishta i madh teksa ua dinte historitë dhe i pa me sytë e tij, hyjnoi sikur "Ora e Shqipërisë" "rri atje mbi Valbonë". U lind në një nga vendet e bekuara të Perëndisë, në Dragobi, fshat si amfiteatër-kështjellë, që legjendat e thirrnojnë "vend i dragojve", ku albanologu Baron Nopça u mrekullua gjatë vizitës së tij para njëqind vjetësh.U lind në kullën trekatëshe si një ansambël arkitekturor alpin në gjysëm hektari tokë të rrethatueme me avlli dy metra të lartë që dukej si kështjellë, të cilën e dogjën partizanët më 21 nëntor 1945 dhe, pasi Jahelezët e ringritën edhe më të bukur, ua shtetëzoi komunizmi dhe i vrau, burgosi e internoi të gjithë jetarët e saj epope e epokal.

Nga kjo kështjellë që ka pritë e përcjellë si Jakup e Shemsi Ferrin, Bajram Currin, Kerrin e Sadri Bardhit, Hoxhën e Ismail Qemalit, bajraktarë të Rrafshit të Dukagjinit e të Malësisë së Madhe është nistue Jahë Elezi (gjyshi i Mustafës) me të vetët e gjakut e të pragut për të luftuar për Flamurin e Pavarësisë në prill 1912, pasi "përleshjet e armatosura me sunduesit osmanë filluan në Malësi të Gjakovës dhe u përhapën dora-dorës në krahina të tjera të vendit..." (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vol. II, v. 2008, f. 1371).

Më 18 gusht 1912 kryengritësit e vilajetit të Kosovës, të udhëhequr nga ideologu e strategu Hasan Prishtina, së bashku me Bajram Currin, Isa Boletinin, Nexhip Dragën, Jahja Agën (gjyshin e Presidentes së sotme të Kosovës, Atifete Jahjaga), gjunjëzuan Perandorinë Otomane e dallga-çuan te Shpallja e Pavarësisë në Vlorë. Në një foto të rrallë duken kryengritësit në tren duke u futur triumfalisht në kryeqendrën e vilajetit, në Shkup, ku mes tyre gjenden edhe Jahelezët e Dragobisë.

Flamuri u ngrit në Vlorë po duhej mbajtur e mbrojtur në çdo krahinë e kullë shqiptare, ndaj kah fillimi i 1913-tës malazezët iu rivërsulën edhe Dragobisë. Aty te Ura e Memës ka zgjat lufta disa ditë e kronikat thonë se organizator, prijës e ndihmëtar materialisht i luftëtarëve malësorë ishte Jahë Elezi, çka kjo epope u përjetësua edhe në këngë:
Jahë Elezi n'goxhup t'dhisë,
Komandar i Dragobisë,
Për vatan e troje t'veta,
Nuk i dhimset malli as jeta...

(Ndue Ukcama. "Jahelezët e Dragobisë". Monografi. Ora. Tiranë, 2009, f. 42).

Jahë Elezi mori pjesë në krah të Bajram Currit në mbrojtjen e Prizrenit, të Plavë-Gucisë dhe kudo ku krisi pushka e shqiptarit për liri (Dalip Greca, "Illyria", 15-18 maj 2009).
Në se në historinë moderne të Shqipërisë, Jahë Elezi udhëtoi me tren për në Shkup, tani, në vitin 1914, bashkë me të birin, Zeqirin, në përgjigje të kushtrimit bestar të Bajram Currit, lundronte me anije nga Shëngjini deri në Durrës, duke iu gjendur ballas në mbrotje Princ Vidit, duke luftuar për të ardhmen euro-atlantike të shqiptarëve në trojet tona etnike.

Kësokohe, më 28 prill 1912, në BostonSHBA themelohet edhe Federata Panshqiptare "Vatra", me të parin drejtues, në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të saj, Fan Nolin e tevona u zgjodh kryevatran edhe Faik Konica, dhe në bashkari me gazetën e saj "Dielli", me ndikimin në politikën amerikane e shqiptare, iu bë krah fitores e konsolidimit të Pavarësisë e të Shtetësisë dhe të Demokracisë në vitet '90 të Shqipërisë si dhe Pavarësisë së Kosovës në kapërcyell të shekujve.

Nga viti 1912 i Shpalljes së Pavarësisë përkitazi gjejmë mirëfilltas një lidhje idealesh të Mustafë Salih Elezit të lisnajës të Jah-Elezëve të Dragobisë me"Vatrën" qyshce në të shenjtën themeli të saj.

Pikërisht pas 28 shkurtit 1968 kur "e pa Zoti me sy" e "shkeli me këmbë" në Amerikë, do të fillaniste një lidhje më e afërt dhe e pandashme shpirtërore, organizative e historike në mes tyre.

Mustafë Elezi, i pushkës e i penës, i sakrificave, i besimit e i lumturimit do të kishte nderin e kohës të fitonte titullin e fisnikërisë kombëtare "vatran", duke kontribuar ndër vite në detyra të vlerësueshme e të besueshme si sekretar (punët e dokumentacionit, protokollit, bankat etj.) dhe antar i kryesisë së saj.

Në vitin 1989 në një letër të tij deklaronte se "gjithmonë do të punoj e mendoj për "Vatrën", se është shpirti im" (Mustafë Elezi. "Nuk e harrova Malësinë e Gjakovës". Botim triptik. Tiranë, 2010, f. 333).

Në këto dekada të ndrrimit të shekujve "Vatrës" e vatranëve iu ka zdritë fati të ketë në krye të saj burra dinjitar e mendëtar si Sami Repishti, Agim Karagjozi, Gjon Buçaj.
Ashtu si të parët e vetë, të betuar e të sakrifikuar për Flamurin Kombëtar Shqiptar, që siç ligjëron kryevatrani i madh, Faik Konica, është flamuri shtetëror më i vjetër në Europë, flamur që kurrë nuk prini në luftëra pushtuese, vatrani ikonik Mustafë Elezi në moshën 17 vjeçare e kapi pushkën partizane kundër hitlerianëve, dhe nga vrella e tij poetike valboniane ujëvaron disa vjersha edhe për Flamurin si ajo fjala-shpirt, shkruar më 28 nëntor 2009:
"Kurr' ma parë dielli nuk shndriti.
Ma me shpres' për Kombin tone.
Se at' ditë, që nalt valviti.
Kuq e Zi, Flamuri n'Vlonë...

2.Njeriut legjendë e gjallë, Mustafë Elezit, Koha Shqiptare ia gdhend përditë emrin e nderuar e ia rendon vendin e merituar: si luftëtarë i Luftës së Dytë Botërore (1944-'45); si i përsekutuar politik i regjimit komunist (1944-1990); si një ndër vatranët emblematik (prej 1968-tës); si njeri i penës me shkrimet publicistike, poezitë e poemat te "Dielli", "Përpjekja Jonë", "Illyria" etj. dhe me librin triptik "Nuk e harrova Malësinë e Gjakovës" (466 faqe: me shënime, kujtime, krijime); si një ndër skllevërit ndërtimtarë të punës së detyruar e të papaguar në kampet e përqëndrimit (1952-"˜56) në vepra të tilla si Aeroporti Civil i Rinasit, aerodromi ushtarak i Kuçovës, hapjen e kanaleve ujitëse në fushën e Maliqit, Peqin-Kavajë, Levan-Fier etj.; si ish i dënuar politik në burgjet e kampet shfarosëse të komunizmit (25 korrik 1949-11 janar 1956) në Tiranë, Durrës, Maliq, Rrogozhinë, Shtyllas, Rinas; si njeri i besimit e më shumë se një dekadë veprimtar fetar i Qendrës Islamike në Bryklin në SHBA; si një familjar i rrallë e prind i lartë që i mirërriti Amerikës e Shqiptarisë me arsim, edukim e punë, fëmijët, nipërit e mbesat e vet.

3.Ndër lisnajën nacionaliste të Jahelezëve, Mustafa me të dy vëllezërit, Jahën e Abazin, u inkuadruan në formacione luftarake të Luftës së Dytë Botërore kundër fashizmit.
Jahën e gishtit e të penës, kryekomunar në Junik, teksa ishte partizan në Brig. VII të Diviz. V në Gostivar, në korrik 1945, me kërkesën e Jugosllavëve e miratimin e Enver Hoxhës, arrestohet në kohën që po u mësonte luftëtarëve shkrim e këndim shqip dhe OZNA e fillikat në burgun famëkeq të Sheremetit në Pejë, gjersa e vrasin në gusht të vitit 1946 si luftëtar i Shqipërisë Etnike.

Mixhën e tij, Asim Jahë Elezi, luftëtar për mbrotjen e Plavë-Gucisë nga serbo-malazezët (1943-'44) e pushkatojnë komunistët në pranverën e vitit 1945.

Akademik Abdulla Hoxha, i internuar si antifashist në ishullin e Sardenjës (Itali) gjatë kthimit për të luftuar në Shqipëri, çeta e tij me 12 veta bie në përpjekje me gjermanët në Metkoviç (Mali i Zi), dhe pasi i mbarojnë fishekët kapet prej tyre, i japin veglat të hapin varrin e vet, por nuk pranon, e godet me lopatë oficerin gjerman duke mbetur edhe vetë i vrarë me trupin shoshë nga plumbat.

Idriz Bashë Metaliaj, ndonëse i verbër, iku partizan në vitin 1943. E arrestojnë gjermanët dhe e çojnë në Kampin e Përqendrimit në Prishtinë e në Mathauzen në Austri, ku prej andej i shkruante letër motrës me një thënie të spikatun: "Ka me ague edhe për ne Dielli". Në vitin 1948, me mbylljen e kufirit me Shqipërinë mbeti në Gjakovë, merr një fëmijë të vogël për dore, i hip trenit e shkon në Beograd. Aty del në rrugë me letër në gjoks me mbishkrimet: "PoshtëJugosllavia! Rroftë Shqipëria!". Arrestohet nga serbët e pas disa ndërhyrjeve lirohet e kthehet me avion në Tiranë.

Më 17 tetor 1960, kur Mustafa ndodhej në komunistët ia pushkatojnë nipin (djalin e vllaut) Rizë Xhemajl Elezi.

Jahelezët kanë mbi një gjysëm shekulli (1945-1997) që përballën me komunizmin sllavo-ortodoks me flakë e gjak, nga djegja e kullës (1944), pushkatimi pa gjyq i Asim Jahës (1945) e deri te plagosja e gardistit Fahri Adem Metaliaj nga bandat e rebelimit neokomunist në Cerrik (1997). "Shpallja kulakë, diferencimi e rrënimi ekonomik, burgosja e Azemit, Ademit, Mustafës, Abazit, Jakupit, Ymerit e Malës, pastaj 100 vjet burgim. Pastaj përshkallëzimi i shtypjes. Dëbimi e internimi në një natë i 13 familjeve të Jahelezëve drejt kënetave të Myzeqesë për rreth tre dekada me 2.000 vjet internim" (Mujë Buçpapaj, Gazeta "Nacional", Tiranë, 16 gusht 2009).

4.Jahelezët e Dragobisë, në historinë moderne të Shqipërisë, qysh në fillimet e shek. XX i çuan fëmijët në medresetë e Gjakovës e të Tiranës, në gjimnazet e Shkodrës e të Tiranës. Një rast të rrallë përbën fakti se qysh në vitet '30 '40 i shkolluan edhe vajzat si Elez Hoxha të tria: Dritën, Durijen e Kijen në gjimnazin e Tiranës. Hysni Hoxha (Mushaku) diplomohet për teologji e pedagogji në Universitetin e Al-Ahzarit në Egjipt punon në tri kontinente, në Afrikë, Azi e së fundit në Amerikë. Abdullah Hoxha ndjek studimet në Akademinë Ushtarake në Itali për aviator etj. Në mesin e shek. XX dy vëllezërit e Mustafës, Jahë Salihi, kryekomunar në Junik (Kosovë) e Adem Salihi në Medresenë e Tiranës (e pastaj kryemyfti i Kukësit) shkruajnë artikuj në shtypin e kohës.

Jahelezët kanë edhe një dinasti fetare mbi 100-vjeçare me 6 klerikë të shquar, ndër të cilët veçojmë Prof. Hysni Hoxha, Adem Salihi, Elez Hoxha, Azem Jaha.

Nga lisnaja e Jahelezëve Idriz Bashë Metaliaj në vitin 1956 boton vëllimin poetik "Sytë e mij", po çensorët politik të kohës e rikthejnë në karton e hynë në listën "libra të ndaluar"!
Prof. Hysni Hoxha në Amerikë, poligiot, ka botuar disa libra si "Kur-an"-in e përkthyer në shqip nga arabishtja e frengjishtja, "Të drejtat e njeriut në fenë Islame" përkthyer nga arabishtja etj. dhe ka pasë publikime te "Dielli" i "Vatrës".

Mustafë Elezi mundi ta botojnë librin e tij të parë vetëm në dekadën e dytë të demokracisë shqiptare (2010, ndërsa vllau i tij, poliogloti e poeti Adem Sali Elezi (Metaliaj), mbi njëqind vjet pas lindjes, do të botohet libri i tij "Gurgullojnë Valbonat" me artikuj, përkthime (nga persishtja, arabishtja, etj), krijime poetike, me një pjesë të dorëshkrimeve që iu kanë shpëtuar përndjekjeve e inkuizicionit politik.
Një libër me artikuj e krijime e ka në planet e veta të pritshme edhe Sami Adem Metaliaj, ish kryetar i PDSH të Kurbinit, një ndër drejtuesit e Komitetit Mbarëkombëtar të Veriut gjatë rebelimit komunist të vitit 1997, veprimtar i Shoqërisë Civile.

Dy vajzat e Mustafës, Shpresa e Mereme Elezi, kanë shkruar e publikuar poezi të tyre.


5. I burgosuri politik, Mustafë Elezi, punonte me pranga e kazmë në duar për ndërtimin e aerodromit ushtarak të Kuçovës (1953-"˜54) dhe të Aeroportit të Rinasit (1954-"˜55) e ëndërronte një ditë në gjallje të jetës së vet të fluturonte larg nga ky vend i pushtuar, nënshtruar e poshtëruar nga regjimi komunist, pasi asaj kohe ndër shqiptarë në atdhe e në mërgim endej urimi i dëshirtë: "Të pafsha në Amerikë"! Në vitin 1981, te gazeta "Dielli", te ky flakadan i "Vatrës", do të publikonte një nga krijimet e tij "Liria":
Në kafaz i mbyllun nuk mund të jetoj,
Nëpër fusha e male due të fluturoj,
I kam humbur shokët, kam humbur krenarin',
Më liro prej burgut ta g'zoj prapë Lirinë,
Atëherë unë kuptova sa kushton Liria.
për të cilën jetën e flijon Njerëzia...

Noli, kryevatrani i veladonit të zi e penës së artë, në një elegji për Bajram Currin, hero emblematik e kushëri në tetë breza me Mustafë Elezin, i ka gdhendë vargjet hymn vendlindjes së tij":
Me zjarr të shenjt' u ndrit kjo shpellë,
Gjer në qiell u ngrit si kështjellë.
Për çlirimin e Shqipërisë.
Katakomb' e Dragobisë...

Në Rinas, pesë djemë të rinj e të fuqishëm, të burgosur të atyshëm, e hapën me sakrifica një tunel të nëndheshëm nga ëc-të katër metra nëntokë e në mes të kampit deri përtej telave me gjëmba. Një natë të ftohtë në mes të dhjetorit 1954 u arratisën nëpër tunel e nën breshëri të mitralozëve. Dikush u vra e disa ikën në Botën e Lirë, në Amerikë, si Abaz Korçari (Detroit), Nexhip Dauti e Ago Çela-Hito (Hackensack). Këta iu bënë ftesë edhe Mustafë Elezit e Sami Repishtit, po u shemb tuneli e mbetën pa dalë prej andej.

Koinçidencë: tevona, më 19 shkurt 1957, në 31 vjetorin e ditëlindjes, Mustafë Elezi arratiset nga Qafa e Morinës (Tropojë) ku sot ngrihet një pikë doganore e trupon autostrada Shqipëri-Kosovë dhe jetnon një dekadë në Kosovën Dardane. Aty martohet më 1962 me Mehanen, vajzën e atdhetarit fisnik Ukë Qerim Neza (Shipshan) e tre fëmijët e parë i pagëzuan me emra simbolik: Mërgim, Bashkim, Shpresë.
Në vjeshtën e vitit 1967 gjatë qëndrimit familjar transit disamuajsh në Itali, i rastisë me u njoft me kryevatranin e sotëm, Dr. Gjon Buçaj, një nga miqtë e tij të idealeve të mëdha kombëtare e të miqësisë së përhershme.

Kështu u tubuan bashkarisht në Amerikë vatranët, të cilët vinin nga istikamët e nacionalizmit, nga tragjeditë e burgjeve e të internimeve, nga sakrificat e mërgimit, dhe i jepnin frymën e kohës e të shpirtit të vet, fuqinë e tokës iliro-dardane dhe magjen e magjinë e "Demokracisë Amerikane" Federatës Panshqiptare "Vatra", që me siglën e figurat e saj, me atributet e kontributet e saj arriti të jetë e njohur historikisht e shpirtërisht në vatrat shqiptare.

Në këtë Prill të Njëqind e tretë, tuj-e perifrazuar kryevatranin poet, Nolin e madh, te elegjia e sipërthanun, dritënojnë vargjet epike: "Me zjarr të shenjt' u ndrit "Vatra"/ Gjer në qiell u ngrit si kështjellë" apo vargjet hymn si një nga leitmotivet e Luftës epokale të Kosovës (1999): "Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë në Amerikë/.
Mustafë Elezi, vatrani i sakrificave në botën e metastazës komuniste dhe i lumturimit në botën ringjallëse demokratike, kur i detyruar i mori udhët e mërgimit pati ligjërue:
"Atdhe i dashtun besën po ta jap,
Kur të vijë Liria, do të kthehem prap...

Deshti Zoti që të ketë jetë e të mbajë besë me e sypa e me u shpritlumnue me kujtimet e vendet e veta. I vizitoi për herë të parë Shqipërinë Demokrative (në vitin 1991) dhe në Kosovën e Pavarur (18 korrik 1999). Mesa di ka ardhë më shumë se 20 herë, po kushedi se si e përjeton zemra e mendja e tij zbritjen në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza" në Rinas?!

Krenaria e lumturia e Mustafë Elezit të Metaliajve të Dragobisë është e shumëfishtë se në këto mbi njëqind vjet, në këto dy arritje kombëtare historike, në themeli e lartësi të tyre kanë kontributet e veta edhe "Vatra" (se është vatran veteran), edhe Amerika (se është shqiptaro-amerikan), edhe lisnaja e Jahelezëve (se është lis genetik fisnik i tyre).
RAMIZ LUSHAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MOMENT HISTORIK NE WASHINGTON PER VAJZEN NGA KAVAJAERMIRA BABAMUSTA: Vlerësimet nga Kongresi Amerikan dhe Presidenti Obama, momente historike të jetës sime./Iintervistoi FADIL SHEHU, FLORIDA (03.02.2015)
BEBE REXHA VË NË QARKULLIM VIDEOKLIPIN E KËNGËS I'M GONNA SHOW YOU CRAZY (03.02.2015)
NEUTRALITETI I KINËS VDIQ NË UKRAINËNga PETRIT HALITI (03.02.2015)
MYSLIM PASHA - PAKTI DETAR U RRËZUA, POR JO KALIFI QË E MBROJTI (Intervistë) (03.02.2015)
KISHA E BUTKËS, NDOSHTA FALTORJA MË E ÇUDITSHME NË PLANET- NË TË NJËJTIN ALTAR KRISHTI DHE MUHAMETINga VEPROR HASANI (03.02.2015)
Delegacioni i Kosovës në regjionin Fermo (Itali)DËSHIROJMË BASHKËPUNIM ME FIRMAT FERMANO PËRMES DHOMAVE TË TREGTISËNga FLORIM ZEQA (03.01.2015)
ZOTËRI MINISTRA DHE z STAVILECI, ÇFARË DËNIMI E KISH PRITUR MIXHËN RAMË ME 25 FËMIJË?Nga ASLLAN DIBRANI (03.01.2015)
LUMI VJOSA DHE ADHURUESIT SHQIPTARË TË TSIPRASITNga ARTUR ZHEJI (03.01.2015)
SYRGJYN VDEKURElegji për LUIGJ GURAKUQINNga FAN S. NOLI (03.01.2015)
2 MARS 1925 - AHMET ZOGU VRET LUIGJ GURAKUQINNë 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...Nga FRITZ RADOVANI (03.01.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]