E Premte, 12.13.2019, 03:35am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
ISA HALILAJ - VEPRIMTARI, MËSUESI E HISTORIANI, NJERIU DINJITAR I KOHËS
Nga RAMIZ LUSHAJ

E Martë, 03.31.2015, 03:05pm (GMT+1)


1.
Indianët aziatikë kanë nji urtni për të moshuarit: për nga përvoja e jetës i çmojnë si “bibliotekë me dije”. Kjo më fekti në kujtesë, kit’ ditë marsi 2015, teksa po shfletoja ma të fundit libër-mozaik (i 3-ti), të lumjanit 80-vjeçar, Isa Halilaj, “Në fletët e jetës”, me triptikë shkrimor: histori, refleksione, vlerësime. Fjalëpasfjale ose amanet pas amaneti, vjen si nji botim risor, shpirtbardhë, mendjemirë. Vjen nga një “Mësues i merituar”, Njeri i Merituar, Prind i Merituar. Qytetar i Nderuar.

Isa Halilaj, nga Dera e njoftun e Halilagajve të Lumës, ky studiues i historisë, gjuhës e letërsisë, folklorit, etnografisë, pas daljes në pension, në nji çerek shekulli jetë, i ka shkrue e botue dymbëdhjetë libra. Nuk janë pak. Ma i pari rendohet monografia shkencore “Në rrugën e diturisë” (Tiranë. 1998). Përveç kësaj, mendja e pena e tij ka në arkiv e publik me dhjetra studime, kumtime, katër skenarë për dokumentarë televizivë, recensa e shënime për laryshi librash, (për)kushtime shkrimore për njerëz me shenja për mirë në kohë, tufalakime nga visare popullore etj.

Isa Halilaj ka hyrë edhe në dhjetra botime antologjike, tematike, shkencore e letrare. Të kohës së djehit e të sodit. Në këto botime iu kanë përzgjedhë për publikim disa punime të tij me interes, që i kanë jetue kohës dhe kur kanë ndrrue rregjimet e derisotme. Diku është dhe bashkautor, ku emni e pena e tij i nderon të tjerët e njejtësisht dhe të tjerët ndihen të nderuem nga emni e pena e tij. Në disa prej këtyne botimeve është dhe redaktor ose recensent dinjitar. Shpesh herë ka shkrue parathënie të disa librave historikë, në monografi ose përmbledhje të ndryshme.

Disa shkrime të tij, të kohshme e të jehonshme, i kanë kapërcye kufijtë e Shqipërisë Londineze, deri në shtetin e ri të Kosovës, në Maqedoni, në Turqi (“Turkie-Arnavutluk Iliskileri”), në Zvicër (“Bota Sot”, “Zëri i Shqiptarëve”), në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut (“Fjala e Lirë”, “Zemra Shqiptare”), si dhe deri përtej Atlantikut: në Amerikë (“Illyria”, “The Voice of Truth”, “Bota Sot”) e në Kanada (“Tribuna Shqiptare”).

Kështu, kësisoj, Isa Halilaj, është nji “bibliotekë” më vete me librat e shkrimet e tij, ku kanë çka bletojnë brezat e sotëm dhe ka çka iu trashëgimon me testament shkrimor e dorëshkrimor breznive të visit e krahinës së vet, të Kombit të tij ende të ndamun në gjashtë shtete euro-ballkanike.

2.
Nji autograf timin, të 25 prillit 2011, shenjue në kryefaqe të antologjisë time- kolanë, “Tropoja, Malësia e Mirë” (vëll. I) e paska ba pjesë të librit të vet “Në fletët e jetës” (Botoi: Mirgeeralb. Tiranë, 2015. ISBN: 978-9928-07-303-7). Dorashkronjimin tim e ka faksimil’ në faqen 268. Iu rrit’të ndera, si dhe herët e tjera. Po çka i paskam thanë aty: “Zotni Isa, me kontributet e tua ia ke lanë emnin kohës. Portreti yt ka trinomin: njerëzor, atdhetar, shkenctar”. Fjalë krejt ajkë, prej të vërteti, e të provueme miradije në tanë jetën e Isa Halilajt. Fjalë pa lajka prej meje, që shumkush i jep me tepri në autografime të tilla. Sikur vetëm kaq të kisha thanë për zotni Isën e paskam krye misionin tim vlerësues ndaj tij. Po kësisoj, nji dedikim pothuaj të tillë, ia kam fjalalshkrue edhe në një rast tjetër, që gjendet i publikuem te libri i tij, “Në shtigjet e kohës”– mozaik II (Botoi: Mirgeeralb. Tiranë, 2010).

Sidoqoftë, sado që të flasë për Isa Halilaj-n e Lumës, të historisë, publicistikës e letërsisë, due të them se kam thanë pak. Edhe të tjerët duhet të flasin ma shumë.
Tashti, pa mëdyshje, ashtu si e them në autografin tim miqësor e publik, Isa Halilaj është një shkencëtar me kontribute në fushën e studimeve historike, sociale, etnografike, letrare etj. Kur ishte në krye të arsimit lokal e drejtoi për 18 vite Shoqatën e Historianëve të rrethit të Kukësit. Po, me kaq, nuk janë thanë të gjitha. Ai, Isa Halilaj, është një nga pjesmarrësit firmëtarë të Kongresit të Drejtshkrimit (1972), paçka se disa prej nesh, kohëve të fundit, iu kemi lakadredhë disi vendimeve e sugjerimeve të këtij Kongresi, ne që po shkruajmë në kahe të gegënishtes, si dhe të tjerë. Isa Halilaj ishte në tre Kuvendet e Studimeve Ilire, të mbajtuna në Tiranë. Ai ka marrë pjesë, referue e kumtue në dhjetra konferenca, sesione e simpoziume shkencore, prejce nga vitet ’60 e dekteri në kit’ vit, në mbi një gjysëm shekulli jetë, si në Kukës, Tiranë, Prishtinë etj. E prapë nuk ka të ndalun pena e hapi i tij. Kush e fletahapë veprën madhore “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, i vitit 1985, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, aty, përkrah qindra zërave, e gjen dhe emnin e Isa Halilajt, kontributor shkrues i saj, një ndër bashkautorët e shumtë.

Punimet shkencore të Isa Halilajt datojnë prej kaherit, të paktën, në bibliografinë e përgaditur prej tij, e cekë studimin: “Mbi sukseset e arritura në zhvillimin e arsimit e cultures, në rrethin e Kukësit”, botue te “Arsimi Popullor” (botim i Ministrisë së Arsimit e Shkencës, Tiranë, nr. 6, v. 1971, fq. 157-170). Edhe te vepra tjetër shkencore, “Konferencë Kombëtare e Studimore për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, 1878-1881”, Vëll. II, (botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 1979, fq. 4-19, 69-74) sython e n’drit’ puna e tij. Njikështu dhe te vepra “Me pushkë e penë për liri e pavarësi” (Tiranë, 1978, fq. 182-187). Në revistën “Gjurmime Albanologjike” (Seria e Shkencave Historike, Prishtinë, 2007, fq. 233-240) ka botue kumtimin shkencor “Luma në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878-1881”. Te revista “The Voice of Truth” – “Zëri i së Vërtetës” ka botue “Luma në Pavarësinë e 1912-tës” ( nr. 1-2, viti 2005, fq. 4-8) dhe “Topojani balli i përgjakur i Lumës, në luftë dhe qendresë kundër masakrimit serb, më 1913” (nr. 1-2, v. 2013). Te revista “Dy Drinat” ka botue “Dheu i Lumës në Lidhje” (nr. 1, v. 1998, fq. 23-27) dhe “Ndihmesa e mësuesve kukësianë në Kosovë” (nr. 3, v. 1999, fq. 65-68). Te “Turkie-Arnavutluk Hiskileri” ka botue “Selaudin Shkoza – kurorë lavdie në ushtrinë kombëtare shqiptare” (viti 2011). Në revistën “Gjurmë të shpirtit shqiptar”(botim institucional i Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë) botoi “Kamber Zelaj – hulumtues i vlerave të trashëgimisë kulturore” (nr. 10, v. 2011). Te revista “Mirdita” (Kosovë-Shqipëri) ka botue “Zef Gruda – “Artist i Popullit”, figurë e shquar e shkollës muzikore shqiptare” (nr. 4, v. 2004, fq. 72-75) etj.

Lista është e gjatë, po ideja për lexuesit është e qartë: Isa Halilaj është një shkenctar, që ecën ngadalë, maturon mirë, hulumton saktë, nuk ndalon kurrë dhe, pavarësisht se nuk arrin majat, ai lenë gjurmë në kohë, në histori, në memorien fisnore, krahinore e kombëtare.

Isa Halilaj, historian i arsimit, i ka shkrue dy monografi mirëfilli shkencore: “Në rrugën e diturisë” (Tiranë, 1998) dhe “Kukësi në sofrën e arsimit kombëtar” (Tiranë, 2002). Në to, i ka mbi tridhjetë vite punë. Gjurmoi e germëtoi, nga koha antike e shkrimit të ilirishtes në rrasa guri, nga Mesjeta e vonë e dokumentave e librit shqip, nga shkollat e para shqipe.. dhe i përmbyll ato me vitin shkollor 1990-’91, kur autori-mësues i karrierës, studiues i përkushtuar, doli në pension. Këto dy libra janë si dy medalione në gjoksin e autorit, në analet e historisë së Qarkut të Kukësit e të Shqipërisë Veriore, në dy anët e brigjeve të Drinit (të Bardhë, të Zi, të Bashkuar) etj.

Vepra tjetër e Isa Halilaj, me titull “Pesha e përfaqësimit” (Tiranë, 2004) është një enciklopedi historike e ma shumë se 150 burrave të shquar të Tropojës, Kukësit (Lumës) e Hasit, pjesmarrës elitarë në 23 beslidhjet, kuvendet, marrëveshjet e kongreset, në harkun kohor prej nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri te vitet e Demokracisë, fund shek. XX e kapërcyell të Mijëvjeçarit të Tretë. Aty gjen jetëshkrimet e këtyre personaliteteve, ku shumë prej tyne dhe të përmasave kombëtare shqiptare dhe, nepërmjet tyne, del dhe historia e Qarkut të Kukësit (e thirrun ndryshe, në kohën e Zogut, dhe “Prefektura e Kosovës” etj.).

Isa Halilaj i ka dhe dy monografi shkencore të tjera. Njana për fisin (vllazninë) e tij: “Halilagët e Lumës” (Tiranë, 2005) dhe, tjetra, për krahinën e tij kuksiane, për fisin e Çajës: “Sheh Çoban Baba Aliu i Çajës, Kukës” (Tiranë, 2008).

Në odën e sofrën e historisë, në udhët e saj të gjata, hyjnë dhe këto dy vepra të tij: “Në kujtesën e historisë” (Tiranë, 2006) dhe “Historia në historiografi” (Tiranë, 2008). Triania mozaikore e tij, si nji CV e tij: “Mozaik shkrimesh” (Tiranë, 2007), “Në shtigjet e kohës” (Tiranë, 2010) dhe “Në fletët e jetës” (Tiranë, 2015) kanë gjithato shkrime me interes shkencor, janë gurë të kalasë së tij të historisë.

Vepra tejet e veçantë e Isa Halilajt, “Besa është Kushtrim” – me nëntitull: Besë, Burra. Besa-Besë, Vëllezër e Motra” (botoi “GEER”. Tiranë, 2011) është një trajtesë etno-historike, një punim sociologjik, si sprovë e mirë e autorit, një mesazh dhe apel për politikën e historinë shqiptare. Në kit’ botë dixhitale, në kohën e internetit, në këto vite të demokracisë, me liri deri në tepri, kur Modernja ngrihet kundër Traditës, kur Shkresa don me e largue Besën, ky libër i tij “Besa është Kushtrim” është më se i domosdoshëm, pasi Besa e Beslidhja fillojnë me vetëveten, te shpirti e ideali i secilit. Besën nuk mund ta mplakin Koha, nuk mund ta vjetërojnë Njerëzit. Besa është kod i shqiptarit në jetë, fytyra e tij në kohë...

3.
Sivjet, 6 korriku e ka emnin e atdhetarit e historianit, mësuesit e shkrimtarit Isa Halilaj, është Dita e tij, pasi i mbushë, cik e majë, 80 vite jetë. Është Jubilare kjo Ditë për Halilagajt e Lumës, për Lumën e Dy Drinave, për Kukësin e “Rrugës së Kombit”, për Prizrenin dardan, për Shkodërlocen ardiane, për Metropolin Shqiptar–Tiranën. Jubilare kjo Ditë dhe për Arsimin Shqiptar, për Historinë, për Kulturën... Jubilare kjo Ditë dhe për të gjitha Personazhet e 12 Veprave të tij, të rreth 500 shkrimeve të tij.

Zotni Isa, “Mësuesi i merituar” Isa, e ka thirrë prej kohësh 80-vjetorin e tij, pasi veprën “Në fletët e jetës” (2015) ia kushtimon këtij Jubileu. Edhe 80-vjetori i Lindjes e pret mësuesin qytetar, lumjanin historian, Isa Halilajn e disa epokave, nga Koha e Zogut (1935-’39) deri në kit’ të sotmen të Demokracisë, 2015. E duket sikur vargjet e një poezie, me 12 strofa (fq. 287-289), që mësuesi veteran e folkloristi i përjetshëm, Nuredin Lushaj, nga Gria e Malësisë së Gjakovës, ia kushtoi e recitoi në 75-vjetorin e lindjes, në Muzeun Historik Kombëtar, i shkojnë Isa Halilajt për shtat e hap, për frymë e imazh, për hymn e hyjni dhe në kit’ 80 vjetor: “Ta uroj këtë përvjetor,/ o faqendritur i kësaj jete, / Burrë i shquar malësor, / je fisnik, besnik mbete! /”.

Si rrallëkush, Isa Halilaj ka qendrue pothuaj gjysmën e jetës së tij, plot 15 vjet, në Seksionin e Arsimit të Kukësit, si kryeinspektor. Në 12 vite, ndejti drejtor shkolle 7 e 8- vjeçare. Në 5 vite, ishte drejtor i shkollës së mesme. Vetëm dy vjet qendroi mësues. Ai ka ecë në karrierën e mësuesisë në rreth 35 vite (1953-1991), me sy e jetë të pastër, me hap e fjalë të matun, me zotnillek e zotësi. I mori tre Urdhërat meritor “Naim Frashëri” (Klasi III, II, I) dhe, në vitin 1995, e meritoi titulllin “Mësues i merituar”, dhanë me Dekret të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha.

Shoqata e Arsimtarëve të Shqipërisë, në 75-vjetorin e Isa Halilajt, ku isha i pranishëm, e kumti fjalën se do i propozohej Presidentit të Republikës ta dekoronte me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Po, fatkeqësisht, Shqipëria ime/jonë shpesh herë kthehet në vendin e paradokseve të jashtëzakonshme. Të dy presidentët e Shqipërisë, si Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, i dekoruan me kit’ Udhër dy nga persekutorët firmëtarë të dënimit me vdekje të poetit kuksian, Havzi Nela, që ishte i fundit disident i varur në litar në krejt Europën Lindore. Dhe kjo tragjedi politike e njerëzore, që ngjau në Kukës me Havzi Nelën, nuk ndodhi as në Kinë dhe as në Kubë!?

Kukësi, me kryebashkiak Hasan Halilaj, e dekoron me titullin “Qytetar Nderi” kryetarin e partisë së tij të re, ish-kryeministrin dy mandator e kryeparlamentarin aktual, Ilir Meta, bash para njeriut të vet të afërt, Isa Halilaj, ndërkohë që ky kushëri i tij i parë është, zonti Isa, është veprimtar kombëtar, “Mësues i merituar”, historian, etnograf, gjuhëtar, botues i 12 librave e rreth 500 shkrimeve, nji qytetar dinjitar i qytetit, rrethit e Qarkut të Kukësit, i cili që prej vitit 2000 është, njëherash, dhe qytetar dinjitar i Tiranës. Sigurisht, patjetër, do ta nderonte Kukësin edhe dhania e titullit “Qytetar Nderi” prof. asoc. dr. Shefqet Hoxhës, “Mësues i Popullit”, Akademi e Lumës, 82-vjecar, kohanik me mikun e tij - Isa Halilaj.

Sidoqoftë, për të gjitha çka thashë unë, si dhe ato çka kanë thanë e do të thonë të tjerët për Isa Halilajn, dëshmojnë se ky është njeriu model i kohës.

Mbi të gjitha, Isa Halilaj është nga ata lumjanë, që “e ka kalue Drinin matanë”, me sakrifica e sfida, me urtnitë e lavditë e veta. Emni, veprimtaria e veprat e Isa Halilajt i kanë kapërcye dhe Shkumbinin e Vjosën, dhe Moraçën, Ibrin e Vardarin. Poeti Mynyr Manaj, në një poezi të tij me 11 strofa (fq. 290-292), prej nga Vlora ë Flamurit, më 31 maj 2010, hymnon për Isa Halilajn, me vargjet: “Dijetari ka kapë kulme, / që nga Jugu në Veri. / Kur takon Isa Halilaj, / me gjithë Kukësin ke miqësi…”.

Tiranë, mars 2015


RAMIZ LUSHAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NË BORÅS TË SUEDISË U MBAJT FESTIVALI I POEZISË ”SOFRA POETIKE BORÅS 2015”Nga SOKOL DEMAKU (03.31.2015)
HUMANISTI GJERMAN RUPERT NEUDECK - POLITIKANËT E KOSOVËS JANË KRIMINELË (03.31.2015)
QOSJA - RRENC MONSTRUOZ “NË KOHË HISTORIKE”!Nga HIVZI ISLAMI, Kosova Sot (03.30.2015)
ME ÇFARË STATUSI DO TË BISEDOJË ISA MUSTAFA ME VUÇIÇIN?Nga PETRIT HALITI (03.30.2015)
NJË FYTYRË ENGJËLLORE, RREZATUESE, ME BUZËQESHJE PERFEKTE - E KUJT ËSHTË KJO FOTO? (03.30.2015)
AUTONOMISTËT DHE SHIK-ISTËT, KUNDËR FARKUT DHE REPUBLIKËS SË KOSOVËS!Nga FLORIM ZEQA (03.30.2015)
MOZAIK I VOGËL PËRJETIMESH DHE MEDITIMESHNga ATJON ZHITI (03.29.2015)
PO VETON SURROI PSE MERR TITULL NË KUKËSNga REXHEP SHAHU (03.29.2015)
KOSOVË - PUTHJA E ARIUT ARI DHE ARUSHËS RINA PO MAHNIT BOTËN (03.29.2015)
KUSH ËSHTË XHAFER DEVA - TË CILIT PO IA DJEGIN SHTËPINË NË MITROVICË (03.29.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]