E Premte, 12.06.2019, 11:29pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
Në 70 vjetorin e përmbysjes së Shqipnisë (Pjesa IX)
'NA DËRGONI SA MË PARË 100 KONVIKTORË NGA JUGU'...
Nga FRITZ RADOVANI

E Mërkurë, 04.01.2015, 03:13pm (GMT+1)



GJIMNAZI SHTETIT SHKODER

■HAPNI DOSJET ...

■“Në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100
(njëqint) konviktorë nga Jugu”. (Arkivi M.M.Tiranë).

Me këto fjalë i drejton kerkesen Ministrit të Mbrendshëm M. Shehut, në 1949, kryetari i
Degës së Mbrendshme të Shkodrës, i porsa ardhuni krimineli i njohun Hilmi Seiti.

■Nuk ishte i knaqun nga agjentët e sigurimit të Veriut...I duheshin 100 “konviktorë” nga
Jugu, sigurisht djelmët e atyne agjentëve të PKSh, që i kishin vue zjarrin e mbytë në gjak Shqipninë e Jugut... I duheshin në modelin e vet edhe 100 spijunë, 100 agjentë, edhe 100 kriminelë, edhe 100 komunistë, kuadro të ardhëshme të Sigurimit! Pra, i duheshin edhe 100 katilë të tjerë, përveç, atyne qindrave që ishin në çdo skutë e kand të qytetit.

■Ishte viti 1922, kur rreshtat e djelmënisë shkodrane mbushnin klasët e Gjimnazit të
Shkodrës. Pa kalue pak muej mbarë rinia shqiptare do të drejtonte sytë nga qendra e
përhapjes së dritës së arësimit dhe kulturës për mbarë Shqipninë që ishte Shkodra.

■Nga nuk erdhën për me studjue në këtë qytet të lashtë që për shumë shekuj ishte selia
dhe principati i të gjitha qytetëve tjera, thonte Barleci, e ashtu, Ajo do të vazhdonte me
kenë deri në pushtimin komunist të vendit në vitin 1944.

■Kush nuk njihte emnat e nderuem të drejtorëve të këtij Gjimnazi, Profesorët: Luigj
Shala, Xhevat Korça, Mirash Ivanaj, Anton Deda e Skënder Luarasi? Kush mund të
harronte breznitë e njëmbasnjëshme të luftës për liri e përparim të Atdheut që u rritën
dhe u edukuen në bankat e këtij Gjimnazi? Cili shqiptar mund të fliste për Shqipninë
Etnike pa vue në Elterin e Kombit studentët e Gjimnazëve të Shkodrës?

■Kush ishte ai tradhëtarë që mund të guxonte me thanë se Liria e Atdheut mund të
shkëputet nga gjaku i Dëshmorëve të Gjimnazëve të Shkodrës?

 – Vetëm Enver Hoxha me klyshët e tij, ministrat e mbrendshëm Haxhi Lleshi, Koçi
Xoxe, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu etj., apo me Zoi Themelët, Lilo Zenelët, Hilmi
Seitët, Feqorr Shehët e Rexhep Kollët, me lakejtë Çiril Pistoli, Dhori Samsuri, Nesti
Haviari, Fadil Hoxha e Skënder Villa me shokë. Këta janë “nderi” i formimit të “njeriut
të rinj” të brezit komunist dhe, llomi e turpi i indeksit të Amzës së Gjimnazit të Shkodrës
dhe mbarë arësimit e kulturës shqiptare, me të cilët krenohet sot “Rilindja Rama”!

■Dy vjet ndërpremje për arësye lufte...

Vjen viti 1945. Dukej se lufta mbaroi!..

■Pa fillue mirë viti më 5 mars 1945, pushkatohet oratori e publicisti Don Lazër Shantoja
e fillë mbas Tij, më 25 mars, Poeti i Ambëlsisë Don Ndre Zadeja. Më 15 gusht rinia
shkodrane fillon ngritjen e monumentëve të luftës kundër komunizmit me Herojtë Ndue
Pali e Caf Meta...

■Pra, pa mbarue mirë Lufta e Dytë Botnore, fillon një luftë tjetër edhe ma e rrebtë e ma
e përgjakëshme dhe e pafund ... Lufta për pushtimin komunist të mbarë Atdheut...me
vrasje për murin përballë Bashkisë së qytetit. “Çlirimtarët” Qamil Gavoçi, Rexhep Haka,
Sadik Bekteshi, Zija Dibra, Beqir Gjylbegu, Çiril Pistoli, Xhemal Selimi, Dulaq Lekiçi
e Asllan Lici me shokë lajnë me gjak rrugët e Shkodrës e marrin malët me zhburrnue
malësorët e Alpëve deri larg në trojet kosovare, të cilët tradhëtisht e të preme në besë prej “vëllaut” i pushkatojnë e therin në bajonetë ndër brigje të Adriatikut, të Ilirisë së vjetër, aty ku malazezët e serbët tash një shekull vetëm e njomin me gjakun tonë. Këtë herë me dorën e të pabesëve komunistë anadollakë shqiptarë Ramiz Alia, Rrahman Perdhaku, Haxhi Lleshi, Sheuqet Peçi, Zija Dibra, Omer Nishani etj... Atëherë, shka do të vlojnë në damarët e gjakut të rinisë që asht ulë në bankat e Gjimnazit të Shkodrës?

■Cila propagandë veç asaj antishovinistës sllave e antikomunistës tradhëtare për të cilat kishte derdhë gjakun kjo rini, kundër okupacionëve të njëmbasnjëshme?

■Shkodra e katër gjimnazëve në 1945 për pak muej në 1946, asht Shkodra e një Gjimnazi dhe 26 burgjëve ku, burgoset, torturohet, masakrohet, vritet e kalbet rinia e sajë heroike!

Me datën 26 maji 1946 rinia shkodrane asht përballë Sigurimit të Shtetit totalitar e vrastar komunist të Enver Hoxhës, dhe do t’i tregojnë atij se nuk i trembet syni. Shumë
studentë të Gjimnazit hudhen nga dritarët me marrë pjesë në funeralin e Argjipeshkvit
të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit. Vlojnë rrugët e Shkodrës, mbushet Katedralia me qytetarët e të gjitha besimëve që kanë ardhë me i dhanë lamtumirën e fundit një antikomunisti Imzot Thaçi. Ma shumë se funeral ajo ishte protesta e parë e hapun e
rinisë shkodrane kundër zgjedhës komuniste. Hakmarrja e komunistëve nuk do të
vonojnë. Arrëstimet kishin fillue me kohë me intelektualët dhe me Klerin.

■Udhëzimet i sjellë nga Tirana agjenti jugosllav Marian Zhagari, që drejtohej nga
këshilltarët jugosllavë të qeverisë sonë kukull. Programet shkollore përjashtojnë At
Fishtën e Zadejën me shokë. Fillojnë arrëstimet e studentëve: Viktor Kujxhia, Gjon
Kovaçi, Injac Serreqi dhe Çesk Hilgega. Vazhdohet me Tomë Sheldinë, Gjon Ljarën,
Sulejman Qehanë, vëllaznit Xhevat e Remzi Quku, Ahmet Bushatin, Ernest Përdodën,
Thabit Rusin, Matish Fishta dhe vajzat Terezina e Liza Pali, Agime Pipa, Ana Daja etj.

■Pak kohë mbas vrasjës së Ndoc Jakovës, vritet edhe Asim Rusi, edhe ky ndër male
kundër komunistëve. Arrëstohen mësuesit: Lec Bruçaj, Mehmet Daiu, Viktore Kuka,
Abdyl Rusi, Qemal Draçini, Ruzhdi Çoba, Pjetër P. Pali, Zef Zorba etj. Ndërsa, në
burgjet e qytetëve të tjera martirizohën profesorët: Mirash Ivanaj, Gjergj Kokoshi, Sali
Butka, Kol Prela, Simon Deda, Prenkë Kaçinari, Arshi Pipa, etj. Ndersa, në Kosovë
arrëstohen e pushkatohen në Prizren me grupin “Katoliçeskaja Banda” profesorët: Kol
Margjini, Kol Parubi, Ymer Berisha e Gjergj Martini bashkë me heroinën Maria Shllaku.

■Në vitin 1946 nuk ka ma asnjë shkollë fetare në Shkodër.

Edhe Instituti i njohun femnorë “Donika Kastrioti”, bashkohet me Gjimnazin e Shtetit.

Pjesa ma e madhe e studentëve të këtyne shkollave vazhdoi mësimet në Liceun e Shtetit.

Drejtorët e Gjimnazit “silleshin” nga Korça, Nesti Haviari zevendsoi Dhori Samsurin.

Bashkimi i të gjithë këtyne studentëve solli me vete atë që pritej. Të gjithë pothuej ishin
te pakënaqun nga pushteti komunist. Një pjesë ishin të lidhun me ata që u pushkatuen e u arrestuen që në ditët e para. Një pjesë lidhej me të arratisun mbrendë e jashta Atdheut.

Një pjesë tjetër ishte shpartallue nga reformat e tatimet që iu vihëshin tregtarëve.

Një pjesë ishin që nuk kishin simpatizue lëvizjen komuniste, e dëshronin fitorën e
“Ballit Kombëtar” e “Legalitetit”. Dikush pranonte ma mirë fashizmin se komunizmin.

Kishte ma shumë se të gjithë këta që shihnin me sy çdo ditë tue u pushkatue atdhetarë e klerikë, që deri dje ishin mësuesit e tyne dhe sot vriteshin si “tradhëtarë” të Atdheut.

Komunistët me Sigurimi i Shtetit kishin krijue bazat e veta që në ditët e para të hapjes së Gjimnazit. Agjentët Ferit Mandia, Vehbi Çanga, Bardhyl Dushi, Feço Mandia, Vladimir Misja, Hajredin Çeliku, Iljaz Fishta, Agim Bejleri, Haxhi Pela, Jonuz Tuli, Sadush Kumbaro, Satber Jubani, Ilir Gjylbegu, Adem Fishta, Qemal Jashari, Emil Mborja, Jani Çomo e deri tek Bep Jubani në vitin 1956, të gjithë ishin në shërbim të diktaturës shoviniste sllave titste-staliniste dhe enveriane, me shkatrrue Rininë Shkodrane për me përfitue një bursë jashtë shtetit dhe me kenë gjithë jetën zagarë e spijunë të Sigurimit të Shtetit komunist. Shoqnitë sportive të këtyne shkollave vazhduen me ruejtë lidhjet e tyne ndër fushat e vogla të lagjëve të qytetit si tek ajo e oborrit të Kishës së Madhe, Arës së Pashës në Ballabanë, fusha e Tigrit në Parrucë, etj., lamije që nuk mungonin ndër të gjitha anët. Ndër lagjet e vjetra të qytetit janë ndër ma të njohunat ato të Ndocajve dhe Dudasit që lidhën me Zdralej. Tue marrë për bazë shënimet e botueme të z. Xhevat Gjyrezit, i cili ishte kryetar i njenës prej këtyne shoqatave sportive, gjej vend me nxjerrë në pah cilësitë e mira dhe atdhetare të këtyne djelmëve që edhe vetësakrifikohen për një ideal të naltë, që asht lufta për Liri. Pikërisht njena prej këtyne shoqnive asht bërthama e një organizate antikomuniste e quejtun Organizata “PËRPJEKJA SHQIPTARE”.

■Kjo organizatë formohet me studentët e Gjimnazit të Shtetit nga fillimi i vitit 1947, dhe
Kryetar i saj zgjidhet Bardhosh Dani. Bardhoshi vinte nga një familje e vjetër shkodrane
me tradita Atdhetare dhe kulturore. Një student i shkëlqyeshëm ndër mësime, aktivitete
sportive dhe shoqnore. Nderohej për qëndrimin moral e qytetar. Ishte i rij ndër të 17-
tat vjetë, por i pjekun para kohe. Fjalë pak dhe i vendosun, gja që e mbulonte guximin e
madh që kishte për vepra burrnore. Ai rëspektohej edhe nga armiqtë që e rrethonin dhe e survejonin e që dita ditës po shtoheshin ndër bankat e shkollës. Dy spijunë ishin të parët që filluen ndjekjen e këtij grupi, Isa Miloti dhe Faik Zeneli. Mbas tyne Sigurimi vuni një rrjetë shumë të gjanë dhe të specializuem për këtë qëllim. Edhe grupi filloi me shmangë rrezikun me grumbullime ma të rralla ndër sheshët sportive mbasi tashti veprimi i tyne antikomunist kishte marrë një rrugë ma aktive me mbledhje sekrete, trakte, parulla ndër mure dhe aktivizim të shumë studentave që u sakrifikonin për këtë organizatë padallim feje, qëllimi i së cilës shfaqej në emnin e saj: “Përpjekja Shqiptare”.

Mbrenda vitit numri i anëtarëve arrinë mbi 70 vetë. Lidhjet mes anëtarëve ishin shumë
sekrete dhe korrekte, gja që e tregon jetëgjatësia e saj dhe aktiviteti kundër komunizmit.

■Në korrik të vitit 1948, gjurmimet e Sigurimit shtohen kryesisht në drejtim të Kryetarit
të organizatës Bardhosh Dani. Nga gjysma e korrikut një person njofton Bardhoshin se
shpejtë mund të arrëstohej, mbasi Sigurimi ka ra në dijeni për aktivitetin e tij. Ai vëndosë
me u arratisë por, jo vetëm, mbasi rreziku i arrëstimit kërcnonte edhe Mark Cacajn
dhe Brahim Dërgutin, të dy shokë të tij të ngushtë dhe antarë të organizatës ndër ma
besnikët e trimat. Kalimin e kufinit e zgjedhin nga Ana e Malit, në një kand ku lumi
Buna ban një këthesë, vend i cekët e ma i ngushti për me kalue në tokën jugosllave.

Pika ku do të kalonin asht nga fundi i fshatit Samrish dhe quhet Samrishi i Poshtëm.

Buna aty asht mjaft e maskueme me shelqe të nalta dhe të rrëzueme me degët e tyne
në lum. Asht një vend me të vërtetë piktoresk, por shumë i kontrolluem nga forcat e
Sigurimit, që per fat të keq ishin të shumta atë kohë, mbasi pak muej ma parë ishin
prishë mardhanjet shtetnore me Jugosllavinë e druzhe Titos. Atëherë jam kenë në Dajç
të Bregut të Bunës, kur u bisedue se tre djelmë të rinjë prej Shkodrët i kanë vra në ujnat
e bregut të Bunës, në përpjekje me u arratisë. U kanë kërkue me u dorëzue por ata nuk
kanë pranue. Pak muej ma vonë, nga fundi i vitit 1948 aktiviteti i kësaj organizate do të
rifillohet me disa mbledhje që bahën në shtëpi të studentave Alfons Radovani dhe Viktor
Luka. Asht ajo kohë kur arratiset Lec Vasia, Fetah Myrtja, Zef Shllaku dhe Donat Rexha,
të gjithë anëtarë grupi. Grupit të studentëve të arrëstuem maparë i shtohet edhe Xhevat
Gjyrezi, Hilmi Hoxha dhe Mikel Muzhani, të cilët, tue mos pasë lidhje me ta dhe tue u
ndodhë në kohën e “ndryshimëve” nga politika e Koçi Xoxës, përfitojnë dhe lirohën por,
pa të drejtë me vazhdue shkollën. Grupi vazhdon aktivitetin e tij si dhe rritjen e numurit
të anëtarëve që arrinë në 120 vetë.

■Pra, kishin mërrijtë edhe “100 spijunët nga Jugu”, të cilët, përveç librave të Historisë
Partisë Komuniste (bolshevike) të Bashkimit Sovjetik, kishin dhe një dhomë nalt në
katin e tretë të shkollës me arsenal armësh, përveç armëve përsonale që mbanin në brez për me i përdorë kundër “armiqve të popullit” 15-16 vjeçarë, që shumica ishin edhe të uritun dhe të paforcë për me përballue rrahjet, masakrat e goditjet shtazarake të atyne hamajve katilë e vagabondë nga Skrapari, Devolli e Mallakastra, që kishte sjellë Hilmi Seiti në shembelltyren e vet kriminale në Gjimnazin e Shkodrës...

■Me 10 maji 1950 arrëstohen studentët maturantë: Alfons Radovani, Viktor Luka, Et-hem Bakalli, Njazi Uruçi, Mërgim Dani, Nexhip Osmani, Ferit Myftia, Pjerin Vata dhe Gjon Mark Ndoji. Me 11 maji përjashtohen nga shkolla (mbas arrëstimit) në mbledhje të të gjithë studënteve në palestrën e Gjimnazit. Me 12 maji vazhdon lista e përjashtimëve me 78 studentë të tjerë të klasave të ndryshme të Gjimnazit, me motivacionin: “Nxënësi... me nr. Amëze... Është përjashtuar përgjithmonë nga të gjitha shkollat e Shqipërisë, se nuk pajtohet me frymën revolucionare të shkollës sonë të re...”Drejtori: (Skënder Villa) Një pusull e vogël ku shkruhej emni i A.R. nder sofratasat e ushqimeve të tij, aty nga fundi i majit në një sipërfaqe 2X1 cm. katrorë, shkruhej: “Thoni Bepit IK”, kjo, shpëton përjetësisht Bep Vilën, nga arrëstimi i sigurt. Bepi arratiset jashtë shtetit...

Grupi i studentëve fillon hetimet me datën 12 maji 1950, me kryetarin e Degës kriminelin Hilmi Seiti. Mbasi i merr në pyetje të gjithë një nga një i shpërndanë me hetuesit tjerë, Ali Xhunga, Kasëm Troshani, Xheudet Miloti, Hamdi Ulqinaku, Lilo Zeneli, etj. kasapë që rjepin lëkura studentësh për tre muej me radhë derisa, nga fillimi i shtatorit në një shtëpi në rrugën Sumej, gjyqtarët dhe prokurorët e Ministrisë së Mbrendshme, shoqnue nga një grup oficerësh “avoketën” terroristë, japin dënimet e “merituara” ... tue lagë gojën me vilë rrushi të freskëta të tandës që ishte mbi hajatin e shkallave të asaj shtëpije.

Me këtë grup edhe pse ata kapen tue u arratisë, dënohen edhe studentët Ismail e Olimpi Baruti ... vëlla e motër, të cilët mbajnë qëndrim burrnor. Ismaili dënohet me vdekje por i falët jeta. (Dosja 2452, Arkivi Ministrisë Mbrendshme, Tiranë. 1998)

Në bazë të hetimëve të bame me datën 12 maji me Hilmi Seitin, grupi duket i paditun,
prandej, edhe hetimet janë krejt formale mbasi, me datën 7 maji janë thirrë nga Kasëm
Troshani, dy anëtarët e këtij grupi Njazi Uruçi dhe Pjerin Vata, të cilët kanë denoncue
gjithshka. Ata mbas 24 orësh janë lirue për me u arrëstue prap me datën 10 maji.

■Kjo ishte vetëm një lojë për të mbulue spijunët e vet, gja e cila del gjatë hetimit. Pjerini
vazhdon me kenë spijun i ndytë deri në vdekje, mbasi në vitin 1968 kur shkon në Tiranë, me u ballafaque me Don Mark Hasin, kërkon nga hetuesit e Ministrisë së Mbrendshme të asaj kohë, me të cilët njihej që në vitin 1950, nga Ali Xhunga dhe Elham Xhika: “...pushkatimin e këtij kleriku reaksionar...” dhe, ata i paguejnë shpënzimet e udhëtimit 113 lekë (të vjetra), bashkë me biletat e udhtimit që ruhën sot në dosjën nr. 2291.

■Në fjalën e fundit të gjyqit të gjithë studentët kërkojnë “mëshirë”, gja që, tregon se ka
luejtë dajaku, ndërsa studenti Et-hem Bakalli, thotë: “Kërkoj drejtësi komuniste dhe
dashni atnore” (Dosja 2452).

●Kjo shprehje më dha me kuptue kjartë se mbas vrasjes së Heroit Bardhosh Dani, në
Gjimnazin e Shkodrës, ka vdekë edhe lufta kundër komunizmit... PËRGJITHMONË...

***

■Sot a duhet me dijtë Shkodra emnat e krimet e atyne 100 katilave komunistë që kanë
shkatrrue edhe jeten e trashigimtarëve të Atyne që u janë shpifë e akuzue pafaj?!

HAPJA E DOSJEVE asht domosdoshmeni...

■HAPNI DOSJET !.. E po deshët, filloni me DOSJEN time, shihni shpifsit dhe “akuzat
fallco” të tyne... E keni per të pa sesa të poshter e vrasës, ishin agjentët tuej per 70 vjetë!

Melbourne, Prill 2015.
FRITZ RADOVANI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DOKUMENT - HISTORIA E LASHTË E QYTETIT TË PRIZRENIT NË 20 FOTOGRAFI (04.01.2015)
KUSH E VRAU BAJRAM CURRIN - DHE PSE NUK FLITET SOT PËR TË? (04.01.2015)
LETËR E HAPUR ZONJËS ATIFETE JAHJAGA, KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA, QEVERITARËVE DHE INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS!Nga ASLLAN DIBRANI (04.01.2015)
ISA HALILAJ - VEPRIMTARI, MËSUESI E HISTORIANI, NJERIU DINJITAR I KOHËSNga RAMIZ LUSHAJ (03.31.2015)
NË BORÅS TË SUEDISË U MBAJT FESTIVALI I POEZISË ”SOFRA POETIKE BORÅS 2015”Nga SOKOL DEMAKU (03.31.2015)
HUMANISTI GJERMAN RUPERT NEUDECK - POLITIKANËT E KOSOVËS JANË KRIMINELË (03.31.2015)
QOSJA - RRENC MONSTRUOZ “NË KOHË HISTORIKE”!Nga HIVZI ISLAMI, Kosova Sot (03.30.2015)
ME ÇFARË STATUSI DO TË BISEDOJË ISA MUSTAFA ME VUÇIÇIN?Nga PETRIT HALITI (03.30.2015)
NJË FYTYRË ENGJËLLORE, RREZATUESE, ME BUZËQESHJE PERFEKTE - E KUJT ËSHTË KJO FOTO? (03.30.2015)
AUTONOMISTËT DHE SHIK-ISTËT, KUNDËR FARKUT DHE REPUBLIKËS SË KOSOVËS!Nga FLORIM ZEQA (03.30.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]