E Enjte, 04.09.2020, 04:48am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
INTERESI I SERBISË NUK ËSHTË INTERES I OSBE-së
Nga PETRIT HALITI

E Martë, 04.07.2015, 03:35pm (GMT+1)



Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, e reklamoi si një sukses të madh pjesëmarrjen e tij si kryetar i radhës i OSBE  në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të organizatës ushtarake CSTO, Organizata e Traktatit të Sigurimit Kolektiv, në Taxhikistan në 2 prill. Me tone triumfante, tipikisht ballkanike, duke folur në emër të OSBE, ai deklaroi: “OSBE ka privilegjin që për herë të parë të marrë pjesë në sesionin e CSTO dhe jam i lumtur që kjo ndodh në kohën e kryesimit të OSBE nga Serbia”.

Para se të analizojmë se përse OSBE duhet ta konsiderojë privilegj që merr pjesë në sesionin e një mbledhjeje të një organizate ushtarake ruse, ku marrin pjesë pesë ish-republika sovjetike, mund të shtrojmë pyetjen se përse asnjë shtet që ka kryesuar OSBE që nga viti 1992, kur është themeluar organizata ushtarake ruse e deri tani, nuk e ka gjykuar të përshtatshme të marrë pjesë në një mbledhje të asaj organizate ushtarake. Kjo do të thotë se ata e kanë parë këtë organizatë si një instrument presioni dhe ndikimi të politikës së jashtme të Rusisë në vendet dhe në rajonet e tjera. Madje, edhe kur kryesimin e OSBE e kanë pasur shtete, të cilat kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik, prapë edhe ata nuk kanë shkuar deri atje sa të dërgojnë dhe të nderojnë organizatën ushtarake ruse me tabelën e presidencës së OSBE.

CSTO është krijuar nga Rusia në kuadrin e përpjekjeve për të rikrijuar ish-Bashkimin Sovjetik, për të lidhur ushtarakisht shtetet ish-republika sovjetike dhe për t’i mbajtur nën influencën e Moskës. Kremlini e krijoi CSTO si një pakt të ri ushtarak rus, që të kompensonte humbjen gjeopolitike dhe gjeostrategjike që pësoi Rusia me shkrirjen e Traktatit ushtarak të Varshavës, të cilin Moska e drejtonte në kohën e komunizmit. Si qëllimi i krijimit, ashtu edhe mënyrat dhe statutet e funksionimit të CSTO janë ato të një organizate ushtarake ruse në Azinë Qendrore, që ka si bosht strategjik sigurimin dhe konsolidimin e influencës ruse në atë rajon. CSTO ka krijuar edhe një forcë ushtarake të ndërhyrjes së shpejtë me komandë ruse dhe ka kufizuar sovranitetin e shteteve anëtare, duke i dhënë të drejtën CSTO, (pra Rusisë), të ndërhyjë ushtarakisht në vendet anëtare. Gjithashtu, Rusia ka vendosur normën statutore që vendet anëtare nuk kanë të drejtë dhe duhet të kërkojnë lejen e Rusisë për çdo marrëveshje të pranimit të ndonjë instalimi ushtarak të huaj në territorin e tyre, përveç pranisë ushtarake ruse. Në këtë kuadër bëhet më e qartë përse asnjë shtet që ka kryesuar deri tani OSBE-në nuk ka ndërmarrë hapin dhe të përfitojë nga kryesimi dhe nën maskën e OSBE të promovojë thjesht dhe vetëm interesat e tij, siç vepron aktualisht ministri i Jashtëm serb.

Aq komprometues dhe i rrezikshëm është karakteri i asaj organizate ushtarake ruse dhe aq të dyshimta qëllimet e saj, saqë nga 15 shtete ish-republika sovjetike vetëm pesë i janë nënshtruar presionit rus dhe janë bërë anëtare të saj. Ministri i Jashtëm serb shkoi në CSTO për interesat e Serbisë, të cilat nuk janë dhe nuk mund të jenë interesa të shteteve anëtare të OSBE dhe as të organizatës europiane në përgjithësi. Kryetari i radhës i OSBE shkoi në Dushanbe gjithashtu për interesat e Rusisë.


Diplomacia serbe mund ta pompojë këtë vizitë tek organizata ushtarake ruse si një sukses, i cili në realitet as është dhe as mund të jetë sukses i OSBE-së, pavarësisht kostumit diplomatik si kryesues i OSBE-së, me të cilin ai u paraqit në Dushanbe. Për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk ishte ndonjë privilegj i madh, jo e jo për OSBE-në, por nuk ishte as për Serbinë. As Ministria e Jashtme e Serbisë në komunikatën e saj për këtë vizitë, as mediat serbe që e glorifikuan me shpejtësi, nuk e përmendën aspak faktin që Serbia është shtet vëzhgues në organizatën ushtarake ruse CSTO. Serbia pra është e tyrja, është e shtëpisë tek organizata ushtarake ruse dhe ato shtete kanë votuar për të pranuar Serbinë si shtet vëzhgues. Ajo ka hyrë atje në vitin 2013 dhe ka statusin permanent të shtetit vëzhgues, status i cili, sipas praktikës së të gjitha organizatave ndërkombëtare, politike apo ushtarake apo ekonomike qofshin, është vetëm një hap drejt anëtarësimit të plotë. Gazeta kroate “Jutarnij List” shkruante me atë rast se: “Serbia u bë pjesë e Traktatit të Varshavës”.

Ministri i Jashtëm serb shkoi me emblemën e OSBE-së për të promovuar interesat e Serbisë, sepse Serbia ka orientim strategjik të intensifikojë marrëdhëniet me Rusinë dhe me organizatat e drejtuara nga ajo. Lidhjet e Serbisë me Rusinë dhe me CSTO janë të karakterit ushtarak dhe Serbia e ka shkelur me kohë të ashtuquajturën doktrinë të neutralitetit, që e përmend sa herë shtrohet tema e ndonjë alternative për lidhje të mundshme të saj me NATO-n. Në fakt, Serbia po i plotëson qetë dhe pa u ndjerë detyrat e saj ushtarake si shtet vëzhgues i CSTO ruse, duke ndihmuar penetrimin dhe përgatitjen ushtarake ruse në Ballkan. Serbia organizoi në territorin e vet manovrat e përbashkëta ushtarake me forcat speciale zbarkuese ruse në nëntor të vitit të kaluar dhe gjatë këtij viti që ajo kryeson OSBE-në do të organizojë një seri manovrash ushtarake me forcat ruse në territorin e saj. Kartat themeluese të OSBE përmbajnë detyrimin për çdo shtet anëtar dhe aq më tepër për një shtet që ka kryesinë e radhës, që të njoftojë shtetet fqinje dhe shtetet e rajonit sa herë zhvillon manovra ushtarake. Serbia as e ka bërë dhe as po e plotëson këtë detyrim për stërvitjet e saj të pakuptueshme dhe të papranueshme me forcat ruse në Ballkan.

Në këtë kuadër duket jashtë çdo logjike dhe jashtë interesit të OSBE deklarata e ministrit të Jashtëm serb se, CSTO është një partner i rëndësishëm i OSBE. CSTO nuk mund të jetë një partner i rëndësishëm i OSBE, sepse është një organizatë ushtarake ruse, e drejtuar nga një shtet që ka kryer dhe po vazhdon pushtimin ushtarak të një shteti europian fqinj, duke i aneksuar territoret si Krimea, gjë që ndodh për herë të parë në historinë europiane, që nga Lufta e Dytë Botërore. CSTO nuk mund të jetë partner i rëndësishëm, sepse ajo ndjek një politikë të interesave ruse dhe në fakt përbën një burim kërcënimi për shtetet e tjera dhe për rajonin e Azisë Qendrore.

Që Ivica Daçiç shkoi në sesionin e CSTO jo për OSBE-në, por për interesat e Serbisë, e tregon skandali diplomatik që ai krijoi atje duke folur keq për Kosovën dhe duke u kërkuar atyre shteteve proruse që të vazhdojnë të mos e njohin Kosovën. Kryetari i radhës i OSBE u lavdërua pas vizitës se “asnjeri nga gjashtë vendet e CSTO nuk e njohin Kosovën dhe ata janë shumë miqësorë me Serbinë”. Kjo vërtet merr përmasat e një skandali diplomatik. Kryetari i radhës i OSBE, kur vepron, kur lëviz dhe kur flet në emër të kryesisë së radhës të OSBE, duhet të përfaqësojë dhe të ketë konsensusin e të gjitha shteteve anëtare për qëndrimet e ndryshme të politikës së jashtme dhe të marrëdhënieve të OSBE-së me shtetet e tjera dhe me organizatat e tjera. Ministri i Jashtëm serb nuk ka asnjë të drejtë dhe asnjë tagër që, në cilësinë e kryetarit të radhës të OSBE të paraqesë qëndrime të Serbisë dhe të përdorë autoritetin e organizatës së OSBE për të shitur apo imponuar qëndrime individuale të Serbisë. Burime të OSBE bëjnë të ditur se kryesuesi aktual i radhës, Ivica Daçiç, nuk është konsultuar aspak për qëndrimet politike glorifikuese, që shprehu për organizatën ushtarake ruse të CSTO, ashtu dhe për çështjen e Kosovës. Ajo që bëri kryesuesi i radhës i OSBE, që shkoi në sesionin e CSTO me mandatin e kryesuesit dhe flet kundër Kosovës, është shkelje flagrante e statusit të kryesuesit dhe një kundërvënie ndaj parimeve dhe normave të funksionimit të OSBE. Ivica Daçiç nuk ka asnjë të drejtë në cilësinë e kryesuesit të radhës të OSBE të organizojë fushata kundër njohjes së Kosovës. Ai mund të shkonte në Dushanbe si ministër i Jashtëm i shtetit të vetëm europian, që është vëzhgues në organizatën ushtarake ruse dhe të fliste çfarë të donte dhe sa të donte. Por në cilësinë e kryesuesit të radhës nuk ka aspak të drejtë, sepse ai në këtë cilësi përfaqëson edhe një shumicë dërrmuese të shteteve anëtare të OSBE, përfshirë edhe Shqipërinë, që e kanë njohur Kosovën si shtet i pavarur dhe nuk mund të pajtohen me qëndrimin, që kryesuesi të flasë në emër të tyre dhe të bëjë fushatë kundër Kosovës. Burime diplomatike bëjnë të ditur se ministri i Jashtëm serb, në të gjitha vizitat që ka zhvilluar si kryetar i radhës i OSBE, ka vazhduar fushatën kundër Kosovës. Është një skandal diplomatik, i cili më e pakta meriton një përçapje ose një interpelancë të tij në selinë e OSBE në Vienë.

Me pjesëmarrjen në emër të OSBE në mbledhjen e organizatës ushtarake ruse, Serbia i vjen në ndihmë Rusisë. Është një ndihmë serbe për të ndrequr në një farë mënyre imazhin negativ ndërkombëtar të Rusisë në arenën ndërkombëtare pas agresionit të saj në Ukrainë. Glorifikimi i rëndësisë së CSTO nga kryetari i radhës i OSBE krijon përshtypjen e gabuar sikur OSBE mbështet qëndrimet e njëjta të Rusisë dhe të organizatës e saj ushtarake ndaj Ukrainës dhe në Azinë Qendrore. Në situatën e izolimit diplomatik dhe të sanksioneve perëndimore ndaj saj, Rusisë i duhet një mbështetje politike dhe propagandistike që Serbia ia sjell në emër të OSBE.

Serbia po sillet si shtet sovjetik. Veprimtaria e saj si kryesuese e radhës po konfirmon dyshimet e shprehura që në fillim të presidencës serbe të OSBE se, ajo do ta ketë të vështirë të jetë një kryesuese e denjë për nivelin e këtij mandati, se ajo nuk do të jetë e paanshme as mbi palët dhe se ajo do të përfundojë duke vepruar më shumë në favor të interesave të Rusisë në Europë dhe në Azi. Nuk duket e rastësishme që të nesërmen e kthimit nga mbledhja e organizatës ushtarake ruse, ministri i Jashtëm serb sulmoi në konferencë shtypi dy shtete anëtare të NATO-s në Ballkan, Kroacinë dhe Shqipërinë, në një tendencë të qëllimshme acarimi të marrëdhënieve me to. Sepse nuk shpjegohet ndryshe që kryesuesi i radhës i OSBE u lavdërua që Ministria e Jashtme serbe i ka dërguar notë proteste Tiranës, sepse një nga tifozët shqiptarë në ndeshjen me Armeninë paska pasur një parullë antiserbe. Një mjerim i vërtetë i nivelit të drejtimit të diplomacisë, përveç dëshmisë së një meskiniteti tipik ballkanik dhe provincial, që kërkon sherre dhe shpik sherre.

Keqpërdorimet e mandatit të kryesuesit të OSBE janë provë se sa i dëmshëm dhe i gabuar ka qenë qëndrimi i qeverisë shqiptare në vitin 2012, kur i dha konsensusin zgjedhjes së Serbisë si kryetare e radhës, pa i kërkuar asgjë dhe pa i vendosur disa vija të kuqe, që Serbia nuk duhej t’i kalonte kur të vishte kostumin e kryetarit të radhës të OSBE. Ajo qeveri që dha votën për Serbinë iku, bashkë me ministrin e Jashtëm pangjyrë që kishte, por pasojat dalin njëra pas tjetrës, duke i hapur probleme Shqipërisë dhe çështjes kombëtare.
PETRIT HALITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
“NË NJË DORË KAZMEN... NË TJETRËN PUSHKEN !”Nga FRITZ RADOVANI (04.07.2015)
DOKUMENT - OHRI SHQIPTAR (04.07.2015)
PRESIDENTI RUGOVA MË 2001 THA - NUK KEMI KURRFARË KULTURE ISLAMIKE, ORIENTOHEMI KAH EVROPA (Intervistë) (04.07.2015)
POLITIKANËT TANË ME DECENIE NUK QENË NË GJENDJE QË POPULLIT T'I SIGUROJNË NJË JETË NORMALEVështrim nga SKËNDER MULLIQI (04.06.2015)
Nëntëdhjetë vjet nga vrasja e luftëtaritBAJRAM CURRI - HEROI QË U VRA NGA FORCAT E SHTETIT PËR TË CILIN LUFTOIAi ishte krahu i djathtë i Hasan Prishtinës (04.06.2015)
MJEGULLA E DENDUR FSHEH DRITËNNga AUREL DASARETI, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au) (04.06.2015)
SI TË LIROHEMI NGA UZURPATORËT E SHTETITNga FLORIM ZEQA (04.06.2015)
MASAKRA E 5 PRILLIT - FLET I MBIJETUARI DHE BANORËT E RREZALLËS (04.06.2015)
VUK DRASHKOVIÇ - SERBIA JETON ME HISTORI TË FALSIFIKUARDrashkoviç: Po të kishte mençuri këtu, posaçërisht në Beograd, sepse fjala e Beogradit ishte kryesore dhe vendimtare, ne do të kishim hyrë në BE dhe NATO (04.06.2015)
MATURANTI FRANÇESKO SHEHU NGA GJIMNAZI 'ISMAIL QEMALI' I TIRANËS TRIUMFON NË OLIMPIADËN BOTËRORE PËR PAQE (04.06.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2020  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30    
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]