E Enjte, 03.28.2024, 08:28pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
ROLI I FRANCËS NË FORMIMIN E ELITËS SHQIPTARE
Nga LUAN RAMA

E Premte, 04.10.2015, 08:57am (GMT+1)


Sapo ka mbaruar festa e Frankofonisë, por një gjë mbetet spikatëse: Roli i Francës në formimin historikisht të elitës shqiptare. Margarite Jursenar duke shkruar për legjendën e kështjellës së Rozafës në tregimin e saj Qumështi i vdekjes, kërkon t'i tregojë botës ritin e sakrificës tek popujt ballkanike për hir të ndërtimit të diçkaje të re e të fortë. Këtë rit e përshkruan edhe legjenda e vjetër e Urës së Artës, një simotër e kësaj legjende, gjithnjë me simbolikën e sakrificës që ura të ngrihet, të qëndrojë e fortë ku mbi të, të ecë vetë jeta. Libri që kam shkruar para disa vitesh, "Ura mbi dy brigje" (Pont entre deux rives), i kushtohet pikëtakimeve franko-shqiptare dhe ka pak a shumë këtë frymë. Shpesh është dashur sakrifica në ndërtimin dhe vazhdimësinë e kësaj marrëdhënie reciproke, e kësaj lidhjeje, miqësie, dashurie. Shembujt në këtë drejtim janë të shumtë: mjafton të përmend tri prej tyre në kohë të ndryshme: Kur Jusuf Vrioni ishte mbyllur në qelinë e izolimit gjatë arrestit të tij në vitet "˜50, që të mund të qëndronte moralisht, ai recitonte poezi frënge, ndoshta për të përjetuar një realitet tjetër. Abdulla Rami, një ish-student i Drejtësisë në Montpellier, në të njëjtin vit me Enver Hoxhën po student, (një foto e tij me Hoxhën ka shpëtuar çuditërisht nga djegia) fill pas çlirimit u dënua me burgim të përjetshëm e më vonë, kur doli nga burgu, në internim me familjen e tij, ai vazhdonte të përkthente autorë francezë. Kam lexuar në fletoret e vjetra të tij dhe një ese të Victor Hugo, "Masat", të përkthyer nga ai, një ese, ku fshehurazi, ai gjente nevojën e një lëvizjeje popullore për ndryshimin. Më vonë, në kohën e kulmit të diktaturës, poeti Vilson Blloshmi përkthente poezi të Baudelaire, të "poetit të mallkuar" siç e quante Paul Verlaine, apo "poet i ndaluar" siç ishte në indeksin e Shqipërisë totalitare, për të shprehur një protestë të tij ndaj realitetit ku jetonte, për çka poetin shqiptar dhe do e ekzekutonin. Pra, në këtë "urë midis dy brigjeve", midis Francës e Shqipërisë, ujërat nuk kanë rrjedhur si në urën "Mirabeau", të shtrenjtë për Apollinaire, në një nostalgji kohrash e dashurish. Ky lumë ka qenë shpesh i rrëmbyer, i tërbuar e me llum, romantik, i trishtë, i dhimbur apo dhe i gëzuar... E megjithatë, në kohrat më të errta totalitare, ne kemi parë në atë rrjedhje lumi një botë tjetër, një imazh të atij Perëndimi të cilit donim t'i përkisnim dhe që në fakt i përkisnim prej mijra vjetësh.

Jusuf Vrioni dhe Fejzulla Sejdini në Sorbonë në Fakultetin e Drejtësisë

Jusuf Vrioni dhe Fejzulla Sejdini në Sorbonë në Fakultetin e Drejtësisë

Kjo është një parantezë, para se të theksoj rolin e Francës në formimin e elitës shqiptare për elitën e krijuar në vitet "˜20-"˜30 pra, nga krijimi i liceut francez dhe më pas në universitetet franceze, si në Paris, Toulouse, Montpellier, Tours, Lyon, Nancy, Grenoble, Maisons-Alfort, etj. Para dy javësh, në një konferencë në Paris, prezantova një ekspozitë me këtë temë si dhe një diaporamë fotografike për të vënë në dukje historinë e krijimit të kësaj elite, e cila nuk shfaqej në një terren të zbrazët, por në një vazhdimësi më të hershme, e cila si duket fillonte që me ngjarjet e Revolucionit Francez, kur kënga popullore shqiptare i këndonte këtij revolucioni dhe kur drita e iluminizmit francez filloi të binte në Ballkan. Për këtë dritë na flet së pari Sami Frashëri me esenë e famshme të tij "Shqipëria çka qenë, ç'është e çdo të bëhet", apo me hartimin nga ai të diksionerit të parë frëngjisht-turqisht; na flet Hoxha Tahsin rektori i parë i universitetit të Stambollit, i mbrujtur me shkencat e dijetarëve francezë, pikërisht në Observatorin e Parisit, kur studionte shkencat e kozmologjisë dhe sistemet diellore; kështu mund të përmendim për iluministin tjetër Said Toptani që përjetoi revolucionin e vitit 1848 kur ishte në bangat e Sorbonne-s, apo për Pashko Vasën që do të shkruante dhe do të botonte esetë e para në frëngjisht nga viti 1865 e deri në vitin 1887, duke shtuar këtu botimin e romanit të parë të letërsisë shqiptare Bardha e Temalit, që ai shkroi dhe e botoi në Paris më 1877.

Krijimi i liceut të Korçës

Krijimi i liceut të Korçës

Duke punuar mbi librin Shqipëria e Auguste Dozon, të botuar para një viti, u njoha më nga afër me studentët e parë shqiptarë të liceut "Zosimea" në Janinë, që atëherë i përkiste Shqipërisë dhe ku Naim Frashëri, Kristoforidhi, Apostol Meksi e të tjerë që njihnin mirë frëngjishten dhe iluminizmin francez, ishin bashkëpuntorët më të afërt të konsullit francez, i cili me ndihmën e tyre mblodhi përrallat dhe një lëndë të pasur folklorike, të cilën e botoi në Paris në vitin 1875. Ndërkohë që Sami Frashëri përkthente veprat e Hygoit, Abedin Dino nderohej me "Palmën Akademike" të Francës. Po në këtë lice u mbrujt dhe u kultivua Ismail Qemali, figura e lavdishme e pavarësisë shqiptare, i cili kujtonte me nostalgji lidhjen familjare me konsullin francez në Janinë, Grasset, dhe portretin e Napoleonit që mbante në kokën e krevatit "Llampa në kokën e krevatit tim ishte vendosur në një statuetë të Napoleonit të madh...". Që në vitin 1807, konsulli tjetër francez François Pouqueville, kur udhëtonte nëpër malet e Zagorisë ishte habitur të gjente një shqiptar që fliste një frëngjishte të kulluar dhe që i kujtonte me pasion ditët kur qëndronte në kafenenë e famshme "I Proccopi", atje ku mblidheshin revolucionarët e para Revolucionit.

Ndërsa në fundin e shekullit XIX, ishte konsulli tjetër Alexandre Degrand, që dëgjonte këngën e Marsejezës, në shtëpinë e një tiranasi, i cili fëmijët e tij i dërgonte për të studiuar në Paris... Kështu, "Marsejeza" e Mitkos, do të bënte udhë drejt Shqipërisë. Por atë që do të bënte Mitko në vitin 1888, duke e shpërndarë këtë lloj poezi "volante", më pas do ta bënte Faik Konica me adaptimin e "Marsejezës" franceze me poezinë "Kushtrimi i Shqipërisë ose Marsejeza shqiptare".

Faik Konica ishte padyshim një personalitet që u arsimua dhe përfitoi një kulturë të shumanshme pikërisht në Francë, që me kolezhin e tij në Lisieux të Normandisë dhe liceun në jugun francez Carcassone, e më pas me studimet në Dijon si "bachelor" duke vazhduar më vonë në Paris pranë "Collège de France", kohë kur botonte studimin e tij të njohur në rrethet shkencore pariziane "Mbi gjuhët artificiale". Një itinerar entuziast dhe tepër pasionant pas letërsisë, historisë dhe gjuhëve, ku në kryeqytetin francez pikëtakohet me poetin e famshëm Guillaume Apollinaire, duke krijuar atë që më pas e quajtëm "një miqësi europiane", pasi që të dy këta gjeni të ardhur nga anë të ndryshme të Europës dhe të pikëtakuar në Paris, u krijuan në këtë "magje kulture" të metropolit europian... Pikërisht kjo frankofoni e shtyu Konicën, autorin e shumë artikujve në "L'Européen", të themelonte në Bruksel revistën "Albania", një nga pararendëset e shtypit shqiptar frankofon të diasporës shqiptare bashkë me një mori gazetash e revistash të tjera si "Le Reveil d'Albanie (Zgjimi i Shqipërisë), Bulletin Albanais, L'Independence d'Albanie, L'Epoque nouvelle, Le Peuple, La Ligue Nationale, etj.

Doktor Papavrami, Strasburg,1927

Doktor Papavrami, Strasburg,1927

Padyshim që periudha më e bukur por dhe tragjike e formimit të elitës shqiptare është ajo e viteve "˜20-"˜30 të shekullit XX. Ishte pikërisht Franca e kohës së "Luftës së Madhe" dhe e "Ushtrisë së Orientit" në frontin shqiptar, Franca që mbështeti krijimin e Republikës autonome të Korçës për të mbrojtur integritetin e saj shqiptar, ajo hodhi themelet e formimit të kësaj elite të re. Pikërisht kjo kohë solli dhe ndryshimin e optikës së shoqërisë shqiptare, e cila deri në atë kohë mbante mbi vete peshën e rëndë të një trashëgimie orientale të trashëguar nga pushtimi i gjatë i perandorisë osmane. Dhe kjo optikë, me hapjen e Liceut francez të Korçës dhe të kolezhit francez të Gjirokastrës, si dhe krijimin e gjeneratave të reja që do të shkonin më pas në universitetet franceze dhe të Perëndimit në përgjithësi, nisi të devijojë, të ndryshojë, të kalojë nga Lindja drejt Perëndimit, kohë kur filloi të flitet për "neo-shqiptarizmën", aq të dashur të Branko Merxhanit dhe të revistës progresiste Përpjekja, e më pas Iliria, Fryma, Minerva, Diana, etj, të cilat nisën tê botonin të përkthyera veprat e iluministëve francezë apo të Bodelerit, Rembose, Malarmesë, etj. Në fjalimin e tij gjatë inagurimit të kolezhit francez të Gjirokastrës, koloneli Ordioni ndër të tjera thoshte: "... Ndërkohë që e gjithë Shqipëria feston pavarësinë, kolezhi i Gjirokastrës i hapi të gjitha portat një rinie të etur për tu kultivuar. Dhe kjo do të bëhet përmes edukimit të përparuar mbi principe ku do të farkëtohet karakteri i tyre e që më vonë do të vihen në shërbim të atdheut... Uroj që këndej, nga ky kolezh i Gjirokastrës, të lindin dhe të ecin gjenerata të fuqishme, tashmë të lira e të ndriçuara që të punojnë për t'i dhënë Shqipërisë vendin e saj në ansamblin europian. Le ta përshëndesim agimin që do të na lejojë të shohim shpresat më të bukura...".

Studentë shqiptarë të St.Etienne, 1939

Studentë shqiptarë të St.Etienne, 1939

Dhe ndryshimi i kësaj optike erdhi nga ajo elite e formuar në universitetet e Francës, etj. Një frymë republikane u ngjiz në shpirtrat e rinisë shqiptare dhe kjo frymë ishte ajo e shtetit të së Drejtës, të Demokracisë, të Pluralizmit politik, të progresit dhe iluminizmit në përgjithësi, e Paqes sociale e botërore, e mirëkuptimit dhe e humanizmit. Kjo elitë u formua në fusha të ndryshme të shkencave dhe të filozofisë, të arteve, të letërsisë, të ekonomisë... shumë prej tyre studiuan mjekësi, stomatologji, veterinari, farmaci, shkencat e natyrës, drejtësisë, në shkencat inxhinierike, minierat, apo agronomi, fusha aq të nevojshme për të ngritur ekonominë shqiptare, shtetin shqiptar, për të ndërtuar laboratoret e para, siç bëri Bilal Golemi, i cili pas studimeve në Francë dhe punës shkencore në "Institutin Pasteur", ngriti në Shqipëri laboratorin e parë të bakterologjisë. Shqipëria ishte e etur për një elitë të tillë e cila kishte si mision që ta shkëpuste vendin nga orientalizmi për ta çuar drejt Perëndimit, edhe pse gjeografikisht dhe historikisht ajo i kishte përkitur Evropës së vjetër. Tefta Tashko që studioi kanto në Montpellier dhe në Paris, ku regjistroi në shoqërinë "Pathé" disqet e para me muzikë popullore shqiptare, në kthimin e saj në atdhe, këndoi në skenat shqiptare muzikën e kompozitorëve të mëdhenj Ravel apo Gounod dhe i dha tone të reja jetës muzikore; miku i saj i shkollës, Sokrat Mio, i cili studioi dramaturgji teatrale, vuri në skenë dramat e komeditë franceze, në vazhdën e teatrit francez që interpretohej në atë kohë në Shqipëri ; Sadik Kaceli i Akademisë së Arteve të Parisit erdhi me shijet e një arti figurativ të standardeve perëndimore e moderne. Por kjo elitë e re, ishte jo vetëm e përgatitur në standardet më të larta europiane, (dhe kjo kuptohet kur psh. doktoratura e studentit Fejzulla Sejdini në Drejtësi, në Sorbonne, botohej në shtëpitë botuese pariziane, etj.) por ajo ishte dhe mjaft atdhetare, me një entuziazëm të jashtëzakonshëm për të ngritur një botë të re në skajin perëndimor të Evropës: kështu u ngritën klinikat e para të mjekëve si Enver Sazani, Theodor Papavrami, Hasan Jero, të farmacistëve si Bilal Turdiu, zyrat e avokatëve si Abdulla Rami, etj. Petrit Hoxha, në gjurmët e Medar Shtyllës, që studioi po në "Maisons-Alfort", i kushtoi gjithë energjitë e tij veterinarisë shqiptare. Kolë Paparisto do të hapte shtigjet e shkencave natyrore, profesor Karajani do të krijonte katedrën e shkencës së kimisë në universitetin shqiptar, Kahreman Ylli, student i Lyon-it do të ishte rektori i parë i universitetit shqiptar, Mahir Domi, bashkëpunëtori i Henri Boissin, u bë një nga linguistët më të shquar shqiptarë; Dhimitër Shuteriqi lëvroi fushën e letërsisë dhe të historisë dhe u bë kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve; Jusuf Vrioni ishte përkthyesi më i mirë i letërsisë shqipe dhe ambasador; për dekada me rradhë, Vedat Kokona punoi në fushën e letërsisë dhe të gjuhësisë duke hartuar fjalorët themelorë frëngjisht-shqip dhe shqip-frëngjisht... Lista është e gjatë!

Gjergj Canco mes kolegesh franceze, 1945

Gjergj Canco mes kolegesh franceze, 1945

Nëse në fillim të këtij shkrimi kam theksuar tragjizmin e kësaj elite (pa harruar dhe ata që studiuan në universitetet italiane apo austriake, etj.) kjo për arsye se në ditët e para të pas Luftës së Dytë Botërore, kjo elitë e re, papritur ra ndesh me një optikë tjetër ideologjike që po kërkonte t'i imponohej Shqipërisë së pas luftës: një ideologji që vinte nga sovjetët e Stalinit, të përçuar nga Enver Hoxha, i cili edhe pse kaloi përmes Francës pa e kryer arsimin superior, u mbars mesa duket veç me nostalgjinë e një Robespieri të Revolucionit Francez dhe të terrorit që çoi në gijotinë edhe vetë bijtë e këtij Revolucioni, duke filluar me Danton, Saint-Juste, etj.

Pikërisht në vitet 1945-1947 ndodhi ajo përplasje e madhe idesh: nga njëra anë ajo elitë e krijuar në Perëndim, një elitë nacionaliste dhe revolucionare njëkohësisht, çka dominonte në Evropën e pasluftës, në kundërvënie me frymën e re që vinte nga stepat e Lindjes dhe ideologjia bolshevike staliniane. Dhe kjo përplasje ishte e madhe, madje tragjike, pasi një pjesë e re e kësaj elite ra viktimë, u viktimizua, siç ndodhi me Enver Sazanin, Gjergj Kokoshin, Niko Lezhon, me Sejfulla Malëshovën që shumë vite i kaloi në Francë. Pas luftës ai ishte ministri i parë i Kulturës, por shumë shpejt, ai do të goditej, do të burgosej e internohej, për tu larguar përfundimisht nga skena e jetës shqiptare. Tentativa e parë e mbijetesës së kësaj elite ishte në zgjedhjet e para legjislative ku shumë intelektualë të rinj kandiduan si deputetë të pavarur, të tjerë u munduan të krijojnë partitë e para opozitare, por gjithçka do të ndëshkohej dhe mbi elitën e re ra shpata e Damokleut. Ajo pjesë tjetër e elitës, shpejt u margjinalizua nga pushteti i ri. Kujtimet e një numri personalitetesh që mbijetuan në vitet totalitare na tregojnë qartë jetën e tyre të heshtur nën diktaturë, edhe pse kontributi i tyre do të ishte tepër i nevojshëm dhe shumë i madh. Nuk është fjala për ata që kishin studjuar në Francë filozofi, letërsi, etj siç ishin opozitarë si Safet Luzi, Abaz Gërmenji, etj, por për njerëz të shkencës si Andrea Xega, që pas një burgimi të gjatë i dha aq shumë gjeologjisë shqiptare, etj. Disa dekada me rradhë, kjo pjesë e elitës do të jetonte si në "tunelin e Platonit", me shpresën e një drite dhe dite të re.

Çuditërisht, dekada më vonë, në kohën e dhunës dhe të censurës, për vendin e "bunkerëve dhe telave me gjemba" që "çante bllokadat", një dritare e vetme u hap disi me ndrojtje në horizontin shqiptar: mundësia për të studiuar në Francë. Vallë një nostalgji e diktatorit? Ndoshta! Vallë një nevojë për zhvillim kur humnera e krizës ishte jashtëzakonshme? Padyshim! Kështu, në vitet "˜70-"˜80 të rinj shqiptarë iu drejtuan universiteteve franceze nën një kontroll të plotë. Një hapje e brishtë dhe unike drejt një vendi europian por që sidoqoftë do të sillte përgatitjen e një elite të re në fushën e shkencave inxhinierike, të fizikës, matematikës, minierave, gjeologjisë, por dhe të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etj, por jo filozofi, pasi ajo ishte monopol i Partisë. Dhe nuk ishte e habitshme që gjatë viteve 90', kohë e ndryshimet politike, presidentë, kryeministra, ministra të shumtë, kryeparlamentarë, etj, ishin ish studentë të auditoreve franceze, e po kështu dhe profesorët e departamentit të frëngjishtes, me të cilët krenohemi dhe që janë të shumtë, një elitë që mban gjallë shpirtin frankofon. Me ndryshimet politike dhe vendosjen e një sistemi demokratik, një elitë e re filloi të përgatitej në Francë. Vedat Kokona që vinte në vitin 1998 në Paris, i ftuar në emisionin televiziv "Apostrof" me erudicionin e tij dhe dashurinë e gjuhës dhe kulturës franceze e habiti publicistin dhe kritikun e njohur Bernard Pivot. Por dhe Vedat Kokona, ato ditë në Paris, pa me sytë e tij një tjetër elitë të re që po formohej atje ku më shumë se gjysmë shekulli më parë kishte qenë gjenerata e tij. Dhe kjo shihej në portretin e lumtur të tij. Si ai u formuan në Francë Fejzo Sejdini, profesor Kuneshka, Qazim Turdiu, Ymer Dishnica, Shefqet Ndroqi, Sotir Velo, Fiqiri Llagami, Dhori Samsuri, Dhori Pano, Andrea Zega, Petrit Dishnica, Petraq Qafoku, Ferdinand Pici, Nedim Kokona, Skënder Harxhi, Xhavit Gjata, Shemsi Totozani, Xhavit Arifi, Sinan Imami e shumë e shumë të tjerë që aq shumë i dhanë Shqipërisë. Edhe sot, gjithnjë e më shumë, me ekonomitë familjare por të ndihmuar dhe nga Franca, shumë të rinj përgatiten dhe vazhdojnë studimet në auditoret franceze dhe kjo në të gjitha fushat, veçanërisht në drejtësi, ekonomi, në financë, në teknologjitë e reja, etj. Gjithashtu një elitë artistësh ka lënë gjurmët e saj në jetën dhe kulturën franceze: këngëtarë operash, violinistë, pianistë, instrumentistë të shumtë, aktorë të teatrit dhe të kinematografisë. Me modesti mund të them se studimet në Francë më dhanë dhe mua shumëçka në punën time publicistike e letrare.

Tefta Tashko me miqtë shqiptarë në Paris

Tefta Tashko me miqtë shqiptarë në Paris

Padyshim që sot Shqipëria ka një elitë të aftë dhe europiane. Kjo elite në kthimin e saj në Shqipëri nuk duhet t'i gjejë dyert e mbyllura siç ka ndodhur jo shumë vite më parë. Por gjithashtu, problem shqiptar është sot problem i elitës politike, i rotacionit, i hyrjes në politikë të gjeneratave të reja, i rinovimit. Republika e Platonit është padyshim filozofia e parë politike e elitave, e atyre që janë roje dhe ndriçuese të drejtësisë sociale në "cite"-në e demokracisë dhe mbrojtëse e ligjeve të saj. Nëse filozofi modern Vilfredo Pareto flet sot për qarkullimin e elitave në veprën e tij Traktat i sociologjisë së përgjithshme, ai ka të drejtë. Eshtë koha e një lëvizje të re për të qeverisur mirë ("la bonne gouvernance") në shërbim të progresit social, të paqes ndërkombëtare dhe të integrimeve humaniste.

LUAN RAMA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
GJAK NË DËBORË Nga AUREL DASARETI, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike ([email protected]) (04.10.2015)
ALEKS BUZO - DRAMATURGU I FAMSHEM AUTRALIAN ME ORIGJINE NGA BERATI…Nga ILIR SECI (04.09.2015)
ZBARDHJA E ATENTATIT NDAJ PRESIDENTIT RUGOVA DO TË SHËNONTE FUNDIN E KOALICIONIT PDK-LDKA është vërtetë e vështirë të zbardhet atentati ndaj Presidentit Rugova? (04.09.2015)
KOMANDANTI TAHIR ZEMAJ NUK ËSHTË NË LISTAT E VETERANËVE TË DUKAGJINIT (04.09.2015)
9 PRILL - SOT BËHEN 16 VJET NGA THYERJA E KUFIRIT SHQIPTARO-SHQIPTAR (04.09.2015)
DEFORMIMI POLITIK I KOSOVËS POSTRUGOVIANE!Nga FLORIM ZEQA (04.08.2015)
DERA E SADIK GJERGJIT TË PALÇITStudim historik nga YLLI PREBIBAJ (04.08.2015)
TMERR NË SELANIK - PEDOFILËT GREKË ABUZOJNË SEKSUALISHT ME DJEM TË VEGJËL SHQIPTARË (04.08.2015)
SHËNIMET E MUSINE KOKALARIT - DOKUMENTE (04.08.2015)
Kur del armike vete pjella çame! Fatkeqesia me e madhe SHPËTIM IDRIZI TRADHTOI ÇAMËTNga RASIM BEBO (04.08.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart�]