VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LULËZIMI I QERSHIVE NË UASHINGTON - SIMBOLIKË E BUKUR

E Shtunë, 04.11.2015, 07:06am (GMT1)



Festivali Kombëtar i Lulëzimit të Qershive ka filluar këtu në Uashington dhe si çdo vit pritet të tërheqë mbi një milion vizitorë. Pemët që zbukurojnë qendrën e Uashingtonit në këtë periudhë iu bënë dhuratë qytetit një shekull më parë nga Japonia. Ato janë bërë tani sinonim me kryeqytetin amerikan.

Ann McClellan, autore e librit “Lulëzimi i Qershive, Botimi Zyrtar i Festivalit të Qershive” thotë se këto pemë janë burim frymëzimi:

“Çdokush, kudo që ndodhet, mund të frymëzohet nga bukuria e tyre dhe të kujtohet se ato rikthejnë shpresën: sado i rëndë qoftë dimri, apo sado e shkurtër qoftë jeta”.

Lulëzimi i qershive simbolizon edhe miqësinë mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë. Në 1912 Japonia i dhuroi Uashingtonit 3000 rrënjë qershish, të cilat u mbollën pranë qendrës së qytetit.

“Ato u dhuruan me qëllimin për ta falenderuar Amerikën për rolin e saj në arritjen e traktatit të paqes në Portsmuth, i cili i dha fund luftës ruso-japoneze”.

Por gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi Japonia sulmoi bazën e marinës amerikane në Gjirin e Perlave, disa nga pemët u prenë. Ann McClellan thotë se banorët lokalë u mobilizuan për të mbrojtur pemët.

“Ata organizuan në zonë patrulla gjatë natës për të mos lejuar prerjen e pemëve. Për sa kohë që vazhdoi lufta, pemët nuk quheshin më “qershitë japoneze” por qershitë orientale”.

Tradita e Festivalit të Lulëzimit të Qershive filloi në 1935.

Bob Vogel, Drejtor i Degës së Uashingtonit për Shërbimin Kombëtar të Parqeve thotë se gjatë viteve festivali është zgjeruar duke përfshirë shfaqje muzikore dhe artistike si dhe aktivitete për të vlerësuar miqësinë mes dy vendeve.

“Është një mënyrë e mrekullueshme për të forcuar miqësinë mes dy vendeve. Ky ishte synimi që në fillim dhe gjatë viteve kjo miqësi është rritur e forcuar”.

Festivali filloi këtë vit më 20 mars dhe do të vazhdojë deri më 12 prill. Lulëzimi arrin pikën kulmore këtë fundjavë. za


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.