VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GDANSK - EVROPA KUJTOI DITËN E FITORES MBI NAZIZMIN

E Shtunë, 05.09.2015, 09:17am (GMT1)


Dita e fitores mbi nazizmin në Europë është kremtuar me evente të ndryshme në mbarë kontinentin e vjetër.

Porti polak i Gdanskut, vendi ku u shkrepën armët e para të luftës, mblodhi udhëheqësit europianë në një ceremoni në mesnatë, e parë nga disa si dorashkë e hedhur ndaj paradës ruse të fitores, të bojkotuar prej udhëheqësve perëndimorë për shkak të Ukrainës.

Sapo akrepat e orës shënuan 12 e mesnatës, një përshëndetje prej 21 të shtënash në ajër çeli zyrtarisht festimet. Fasha drite ndriçuan monumentin e mbrojtësve polakë në Westerplatte, ndërsa sfondin e mbushën tingujt e himnit kombëtar.

Në fjalimin e mbajtur me këtë rast, Presidenti polak Bronislaë Komorowski kujtoi se, lufta nisi me bashkëpunimin e dy regjimeve totalitare të udhëhequr prej Hitlerit dhe Stalinit. Por fitorja mbi Gjermaninë naziste në 1945-n, shtoi ai, nuk solli liri.

“Solli komunizmin dhe perden e hekurt, ndasi që më në fund u kapërcyen me integrimin e rajonit në Bashkimin Europian”, tha Komorowski.

Në event ishte i pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, si dhe krerët e disa shteteve, ndër të cilët Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Lituania, Rumania dhe Ukraina. Shumë udhëheqës perëndimorë, që kanë zgjedhur të bojkotojnë paradën e Moskës, e për të cilët ishte organizuar pjesërisht edhe ceremonia e Gdanskut, nuk morën pjesë.

70-vjetori i triumfit të aleatëve përkujtohet me ceremoni të mirëorganizuara edhe në Paris, Londër, Berlin e Uashington.

Më 8 Majin e vitit 1945, forcat aleate pranuan kapitullimin pa kushte të Gjermanisë naziste, çka shënoi fundin e konfliktit në Europë.

Por, Lufta e Dytë Botërore do të konsiderohej plotësisht e mbyllur vetëm 3 muaj më vonë, kur u dorëzua edhe Japonia.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.