VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NATO HEDH POSHTË VERSIONIN MAQEDONAS - ATA NUK JANË TERRORISTË

E Hënë, 05.11.2015, 10:57am (GMT1)


​Bën thirrje për qetësi dhe bashkëpunim mes të gjitha palëve në Maqedoni Një deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për situatën në Maqedoni nuk përsërit narrativën zyrtare të qeverisë për ngjarjet në Kumanovë


Mbi të gjitha bie në sy kujdesi për të mos përdorur fjalën “terroristë” për të përshkruar të vrarët dhe arrestuarit.
Por, NATO u kërkon të gjithë të ulin tonet dhe të tregohen gjakftohtë, duke hetuar me qetësi çfarë ka ndodhur e duke bashkëpunuar gjerësisht.

“Po i ndjek zhvillimet në Kumanovë me shqetësim të madh”, thuhët në deklaratën e Sekretarit të Përgjithëshëm, Jens Stoltenberg (Xhens Shtoltenberg). “Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e atyre që u vranë apo plagosën”.
“Është e rëndësishme që të gjithë udhëheqësit politikë e të komuniteteve të bashkëpunojnë për të rivendosur qetësinë dhe për të kryer një hetim transparent për të qartësuar atë që ndodhi”.

Kryeministri Nikola Gruevski në një konferencë për shtyp sot, që u ndërpre nga transmetimi i drejtpërdrejtë kur filluan pyetjet e gazetarëve, mbështeti shpjegimin e ministres së tij të Brendshme se në Kumanovë ndodhi një përplasje me një grup të armatosur terrorist.

“Nuk jemi në luftë me shqiptarët”, tha Gruevski, duke shtuar se policë shqiptarë morën pjesë në operacion.
Mirëpo, duket se NATO nuk e ka marrë të mirëqënë këtë shpjegim përderisa kërkon një “hetim transparent”.

NATO gjithashtu nuk e ka hedhur poshtë versionin e qeverisë maqedonase por kërkon hetim të drejtë për çfarë ndodhi.
“U kërkoj të gjithëve në rajon, të vetëpërmbahen dhe të shmangin çfarëdo përshkallëzimi të mëtejshëm, në interesin e vendit të tyre dhe të gjithë rajonit”, përfundon deklarata e Stoltenberg, që më parë ka qenë kryeministër i Norvegjisë, derisa u emërua në krye të NATO-s në 1 tetor 2014.

Shqipëria është tashmë anëtare e NATO, ndërsa Maqedonia nuk mundi të anëtarësohej për shkak të vetos së Greqisë që kundërshton emrin zyrtar të republikës me kryeqytet Shkupin. Trupa të NATO-s drejtojnë një mission paqeruajtës në Kosovë dhe do të donin që rajoni të mbetej në paqe dhe i qendrueshëm.

Përveç Serbisë, të gjitha vendet e tjera të rajonit vazhdojnë të kërkojnë anëtarësim në NATO.

14 anëtarë të një grupi të armatosur si dhe 8 policë u vranë dje në Kumanovë, sipas burimeve qeveritare maqedonase. Situata mbetet ende e paqartë. Të arrestuar me stemat e Ushtrisë Çlirimitare Kombëtare u shfaqën të filmuar nga policia në televizionin maqedonas. Express
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.