VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHQIPTARËT E BASHKUAR NGRITËN FLAMURIN KOMBËTAR NË 'KËMBANËN E PAQES' NË ROVERETO
Fotoreportazh nga FLORIM ZEQA

E Enjte, 05.14.2015, 07:43am (GMT1)


Ditë më parë në Rovereto (Itali) u mbajt një manifestim briliant, i ideuar nga themeluesi i shoqatës së parë shqiptare në këtë zonë, zoti Alfred Isufi i cili e dhe pse tashmë me banim të përkohshëm në Gjermani, është i pranishëm për 5 vite radhazi në Vall di Colle në ceremoninë e ngritjes së flamurit tonë kombëtar,...në një vend piktoresk që ndodhet ndërmjet liqenit të Gardës e lartësisë me emrin "Këmbana e Paqës" në qytetin Rovereto (Itali), ku bukuria e pejsazhit natyror shpalos edhe madhështinë e një sheshi të bukur me një amfiteatër, ku përgjatë perimetrit të tij valëviten 92 flamuj të shteteve të ndryshme të botës, që simbolizojnë lirinë dhe paqen ndërmjet kombeve.

Të ftuar nga drejtuesit e shoqatave Shqiptare “Besëlidhja” (Rovereto) me kryetar Miltjadh Ziu, shoqata “Vatra”(Ala) me kryetar Sokol Abazaj, shoqata ”Shqiponja” (Arco) me kryetar Shkëlqim Danaj, shoqata “Rinia” (Riva del Garda ) me kryetar Erio Korani dhe shoqata “Artisti” (Rovereto) me kryetar dhe njëkohësisht drejtues artistik i manifestimit Aleksandër Kolshi të cilët organizuan një ceremoni të mrekullueshme në frymën kombëtare.

Madhështia e këtij sfondi të bukur mes malesh, me flamujt valëvites karshi këmbanës madhështore, me diametër 3.21 m dhe lartësi 3.36 m, e tëra e derdhur në bronx, me mbetjet e topave të 19 shteteve pjesmarrëse në luftë, e realizuar në Trento “Fonderia Colbaccini” në vitin 1924 me peshë 22,6 tonë, shton kuriozitetin e shumë vizitorëve për të shijuar dekoracionin e saj mahnitës.

Timpanet e këmbanës me 100 goditjet e saja ç’do mbrëmje përcjellin notën "Si bemol maxhor", në përkujtim të dëshmorëve të rënë në luftërat për liri. Përmirësimi në punim i kësaj këmbane ka përfunduar në vitin 1964.

Sheshi ndërkohë mbushet me zërat e fëmijëve të shumtë në numur e të shoqëruar nga prindërit e tyre të ardhur nga dhjetëra kilometra larg për të festuar këtë ditë të shënuar.
Ndjenjë dhe kënaqësi e veçantë është të shikosh aq shumë fëmijë shqiptar, edhe pse të lindur në vend të huaj (Itali),...prindërit e tyre i rrisin dhe edukojnë me dashurinë për Shqipërinë dhe trojet etnike, duke i shoqëruar në shkollat dhe kurset e gjuhës shqipe, të cilat funksionojnë në saje të vullnetit dhe atdhedashurisë, përkushtimit të pandalshëm të prindërve dhe aktivistëve të shoqatave të kësaj zone.

E veçanta e këtij manifestimi ishte pjesmarrja e dhjetë shoqatave të tjera shqiptare të ardhura nga provinca dhe regjione më të largëta; nga Fermo kryetari shoqatès “Skënderbeg” z. Hamit Korogjafi, nga Treviso nënkryetari i“UNIKOMB” për Diasporë me seli në Zvicër, z. Agim Mulosmani me veprimtarin e devotshëm të çështjes kombëtare z. Selim Musaj (kryetar nderi i "UNIKOMB") dhe veprimtarin z. Ilir z.Hoxhaj, e të tjerë, nga shoqata “Shqiponja” Reggio Emilia, kryetari Klodian Cami dhe nënkryatari Haki Maze, kryetarja e shoqatës “Dona Altrove “në Brescia, poetesha Valbona Jakova, përfaqësues të shoqatës “Interaction “(Brescia) Petrit Aliaj , Xhevit Tanushi, nga fakulteti i gjuhëve të huaja nga Brescia studentja Lori Duka, shoqata e "Shkrimtarëve dhe Artistève për Diasporën “dega Itali e përfaqësuar nga Tonin Nilkiolli.

Në këtë takim pjesëmarrës ishte edhe presidenti i "Federatës së Shoqatave të Bashkuara Shqiptare në Itali" (F.N.A.I) z, Ndue Lazri.

Manifestimin me praninë e tij e nderoi kryetari Bashkisë Rovereto z. Alessandro Miorandi së bashku me presidentin e "Këmbanës së Paqes" z. Alberto Robol etj.

Hapja e manifestimit filloj me ngritjen e flamurit tonë kombëtar nga Alfred Isufi, në sfondin e qiellit që kaplon malet për rrethë duket sikur shqiponja me flatra gjatë shpalosjes së flamurit kombëtar me shkabën dykrenare, duke i treguar botës se bijtë e saj edhe pse në dhe të huaj, i kanë rezervuar asaj një vend në altarin e nderit pranë "Këmbanës së paqes".

Gjatë ngritjes së flamurit kombëtar, bashkarisht të gjithë pjesmarrësit me emocione e kënduan hymnin tonë kombëtar; "Rreth flamurit të bashkuar...."

Pas ngritjes së flamujve fillon pjesa e programit artistik. Moderatorët e programit fillimisht e ftojnë poetën Lumturi Plaku e cila reciton poezinë e legjendës së flamurit.
Laramania e kësaj feste të bukur, e drejtuar nga mësuesja e gjuhës shqipe Cristina Xhakolli i lë radhënn grupit të fëmijëve që këndojnë këngën patriotike: "Dua më shumë Shqipërinë", për të vazhduar me një valle çame e vajzave me kostumet e përgaditura nga vet ato dhe nën koreografinë e të palodhshmës, mësuesës Cristina Xhakolli.

Magjepse dhe dhe me një harmonizim të shkëlqyer u vazhdua me polifoninë labe të kënduar nga grupi i burrave, ku iso e tyre mer rrugën luginave si një dallgë e lehtë vallëzuese tejë e tejë hapësirave të luginës në Colle.

Grupi i valleve të përziera shqipe, nën interpretimin e artistit Edvin Picalli me të shoqen elektrizoi atmosferën ku shumë të pranishëm vallëzuan së bashku vallet bogonishte, napolon..etj.

Në këto momente dallojmë kryetarin e bashkisë z. Miorandi i cili fotografohet nga mjeshtri i fotografsë Llesh Pjetri duke pozuar me miqte tij shqiptar me duart e kryqëzuara..

Të gjitha këto janë shprehje e konsideratave për ta dhe familjet e tyre, ku z. Miorandi i citoi në fjalën e tij përshendetëse me respektin dhe konsideratat më të larta ndaj emigrantëve Shqiptar, në mardhëniet e e shkëlqyera dhe bashkëjetesën multietnike në këtë mjedis.

Në përfundim të manifestimit, disa anëtar të këshillit drejtues të "Federatës së Shoqatave Shqiptare në Itali", nën drejtimin e presidentiti të saj z. Ndue Lazri arritën të realizojnë një takim të frytshëm me përfaqësues të shoqatave “Besëlidhja”, “Vatra “, ”Shqiponja” , “Rinia", “Unikomb”, “Shkrimtarët dhe artistët “ si dhe me kandidatin për në këshillin e komunës Rovereto z. Ilirjan Xhakolli..

Nga përfaqësuesit e shoqatave të sipërpërmenura, zotërinjtë Miltjadh Ziu, Shkëlqim Danaj, Sokol Abazaj, Erio Korani, Petrit Aliaj, Selim Musaj etj. u fol për objektivat e bashkëpunimit me Federatën e sapo formuar të shoqatave për një angazhim të përbashkët në mbrojtje të interesave të emigrantëve shqiptar si edhe zgjerimit të mëtejshëm të Federatës.

Pas programit artistik, përfaqëesuesit e shoqatave ftohen në ambientet e shoqatës “Besëlidhja” nga zonja Cristina Xhakolli dhe bashkëshorti i saj Italian Renzo Bonafini .
Hyrja në këto ambiente, befasoi me odën burrave, të shtruar si një herë moti me sofër e postiqe, oxhak tradicional e vegla muzikore popullore si çifteli, lodër, dajre e orendi të ndryshme shtëpiake si komplete kafeje, xhevze, ibrikë etj..

E gjithë kjo është rezultat i një pune pasionuese, vullnetare dhe shprehje e dashurisë për vendlindjen. Ishte kjo një copëz e Shqipërisë me vlera të pa llogaritshme të traditës dhe artit të bukur shqiptar.

Cakërrimi i gotave të rakisë ishte një tjetër suprizë që ofroi Renzo Bonafini, i cili gjithëçka të tijën e kishte vënë në përdorim të shoqatës "Besëlidhja".

Vizita në lokalet e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, në klasën e fëmijëve, aty ku mësohet dhe kultivohet gjuha e bukur shqipe... nuk mund të mos admirosh përpjekjet e emigrantëve tanë që me përkushtim të jashtzakonshëm krijojnë kushtet për mësimdhënie dhe mësimxënie në përpjekje të vazhdueshme për të dalë fitimtar në luftën kundër asimilimit të gjeneratave të reja.

Darka e përbashkët me të ftuarit dhe me familje të komunitetit shqiptar përmbyll ditën e bukur festive në Rovereto Itali).



FLORIM ZEQA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.