E Shtunë, 04.20.2024, 07:14am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
Mark Grosman: Shqiperia, Kroacia e merituan anetaresimin ne NATO
E Premte, 04.03.2009, 12:56pm (GMT+1)

Mark Grosman: Shqipëria, Kroacia e merituan anëtarësimin në NATO

ZA - Që prej ditës së djeshme, Shqipëria dhe Kroacia u bënë vendet më të reja të NATOs. Ish Nënsekretari amerikan i Shtetit, Mark Grosman, një nga mbështetësit kryesorë të zgjerimit të NATOs, tha për Zërin e Amerikës se si Shqipëria edhe Kroacia e kanë fituar plotësisht vendin në Aleancë. Kolegu Erjon Kruja bisedoi me Ambasadorin Grosman mbi këtë çështje dhe të ardhmen e politikave amerikane në Ballkan.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, kjo është një ngjarje e madhe për Shqipërinë dhe Kroacinë, dje ato u bënë anëtare të NATOs, ndërsa nesër do të ulen si anëtare të plota me udhëheqësit e botës së lirë. Ju keni qenë një nga mbështetësit kryesorë të zgjerimit të NATOs, si ndjeheni sot?

Ambasador Mark Grosman: Jam shumë i gëzuar për ceremoninë e djeshme, ku Shqipëria dhe Kroacia dorëzuan instrumentat e anëtarësimit në NATO. Po kështu jam i gëzuar që nesër Kroacia dhe Shqipëria do të ulen në takimin e NATOs si anëtare të plota. Gjatë gjithë karrierës sime kam besuar fuqimisht se zgjerimi i NATOs përbën zgjerimin e lirisë, stabilitetit.

Zgjerimi i NATOs u jep këtyre dy popujve mundësinë të marrin vetë vendimet e tyre për jetën e tyre dhe të ardhmen. Dhe, duhet thënë që anëtarësimi nuk i është dhuruar Shqipërisë dhe Kroacisë, ato e kanë fituar atë duke luftuar në Afganistan dhe duke bërë ndryshime në shoqëritë e tyre dhe ka ende ndryshime për t'u bërë. Kjo është një ditë e jashtëzakonshme për popujt e këtyre dy vendeve, por edhe për vetë Aleancën.

Zëri i Amerikës: Ka nga ata që thonë se NATO është dobësuar me zgjerimin e saj. Ç'mendim keni për këtë?

Ambasador Mark Grosman: Nuk besoj, zgjerimi i NATOs e ka bërë organizatën edhe më të fortë. Zgjerimi i Aleancës tregon se vendet besojnë tek kjo organizatë dhe vlerat e saj, tek ajo që quhet mbrojtje kolektive. Duhet të shohim nga e ardhmja.

NATO ka ndryshuar shumë këto kohë. Udhëheqësit e NATOs do të flasin nesër për sigurinë e burimeve energjitike, sigurinë kompjuterike dhe situatën në Afganistan. NATO sot është një organizatë më e mirë, më e fortë se dhjetë vjet më parë. Ajo i është përshtatur ndryshimeve të shekullit të 21-të.

Zëri i Amerikës: Presidenti Obama do t'u kërkojë nesër udhëheqësve europianë më shumë trupa në Afganistan. A besoni se do ta arrijë këtë?

Ambasador Mark Grosman: Aleanca duhet të fitojë në Afganistan. Besoj se, vërtet nëse nuk ka sukses në Afganistan, NATO do të dobësohet si organizatë. Dhe besoj se nesër në takim, presidenti Obama nuk do të kërkojë ndihmë vetëm për shtimin e numrit të trupave, por dhe në fusha të tjera si stërvitja e ushtarëve afganë, apo programi kundër narkotikëve.

Mendoj se Presidenti po tregon se Shtetet e Bashkuara janë te vendosura në Afganistan, duke shtuar me 17 mijë numrin e trupave atje. Por ka ardhur koha që edhe shtetet e tjera të japin kontributin e tyre në Afganistan.

Zëri i Amerikës: Spanja deklaroi se do të tërheqë trupat e veta nga Kosova, ndërsa Gjermania njoftoi se kërkon një ulje graduale të numrit të trupave. Nga njëra anë, Kosova ka përparuar shumë në aspektin e sigurisë, por situata në disa zona mbetet e tensionuar. Besoni se populli i Kosovës duhet të shqetësohet nga këto lëvizje?

 

Ambasador Mark Grosman: Populli kosovar duhet të ketë besim tek situata në vend. Ata kanë punuar shumë për krijimin e një shoqërie të re në Kosovë. Por, duhet kuptuar që edhe shtetet e ndryshme kanë problemet e tyre me numrin e trupave dhe nuk mund t'i lënë përgjithmonë trupat e tyre atje. Vendimet e Gjermanisë dhe Spanjës i tregojnë popullit të Kosovës se duhet të bëjnë akoma më shumë për një shoqëri demokratike, tolerante dhe shumetnike.

Zëri i Amerikës: Dy presidentët e fundit amerikanë kanë qënë shumë aktivë në lidhje me politikat e Ballkanit. Por, energjia amerikane duket të jetë përqendruar tek kriza ekonomike. Nga ana tjetër, Ballkani nuk është stabilizuar ende plotësisht, situata në Bosnjë është e tensionuar, Greqia dhe Maqedonia kanë ende çështje për të zgjidhur, ndaj edhe Maqedonia sot nuk është pjesë e NATOs. Mendoni se këto çështje mjaftojnë për të siguruar vazhdimësinë e interesit amerikan në Ballkan?

Ambasador Mark Grosman: Kriza ekonomike nuk ka shumë lidhje me përfshirjen amerikane në Ballkan. Është shumë me rëndësi të thuhet se dyert e NATOs dhe të BE-së të mbeten të hapura, në mënyrë që popujt e Serbisë, Maqedonisë dhe të Ballkanit të kenë një ide për të ardhmen e tyre, ashtu si ndodhi dje me popujt e Shqipërisë dhe Kroacisë. Kjo nuk lidhet me ekonominë, por me dëshirën politike.

Unë besoj se administrata e zotit Obama beson në një Europë të bashkuar, në paqe, dhe të lirë dhe kjo arrihet me një Serbi, Bosnje dhe Maqedoni të suksesshme. Do të jetë shumë interesante, pasi tani Shqipëria dhe Kroacia do të marrin rolin e udhërrëfyesit për integrimin në NATO të Malit të Zi, Bosnjes e kështu me radhë.

Zëri i Amerikës: Këto kohë nuk është folur shumë për futjen e Gjeorgjisë dhe Ukrainës në NATO. Besoni se situata aktuale gjeopolitike do ta pengojë hyrjen e tyre në Aleancë në të ardhmen e afërt?

Ambasador Mark Grosman: Në takimin e fundit të NATOs, ne pamë se udhëheqësit e NATOs folën qartë mbi mundësinë që ka Gjeorgjia dhe Ukraina të futen në NATO. Por, kjo do të kërkojë kohë për arsye të pozitave të Rusisë, por edhe Europës. Duhet thënë se edhe dëshira e Ukrainës për t'u futur në NATO nuk është kaq e madhe krahasuar me vende si Shqipëria dhe Kroacia.

Zëri i Amerikës: Nëse do të këshillonit presidentin Obama, besoni se Presidenti duhet të diskutojë çështjen e zgjerimit të BE-së gjatë takimeve me udhëheqësit europianë dhe të bëjë thirrje për futjen e shteteve të tjera në këtë bashkësi?

Ambasador Mark Grosman:
Besoj se po. Shpresoj që ai do t'u kërkojë udhëheqësve europianë të mbyllin sytë për një moment dhe të mendojnë për sukseset e mëdha që janë bërë si për shembull zgjerimi i Bashkimit Europian dhe reformat e mëdha që janë bërë në këto shtete. Nuk ka pse ky proçes mos të vazhdojë. Dhe them se edhe Turqia duhet të jetë anëtare me të dreja të plota e BE-së Bashkimi Europian ka qënë i suksesshëm si pasojë e zgjerimit.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, dhjetë vjet më parë situata në rajon ishte e trazuar, Shqipëria pothuajse pushoi së funksionuari si shtet, në Kosovë zhvillohej luftë, në Serbi kishte protesta kundër regjimit. Menduat ndonjëherë në atë kohë se vetëm dhjetë vjet më vonë do të bëhej kaq shumë përparim?

Ambasador Mark Grosman: Është e jashtzakonshme. Ky sukses së pari u takon popujve të Shqipërisë dhe Kroacisë, pasi ata patën vizionin dhe e arritën këtë. Këtu duhet përmendur edhe roli pozitiv i Bashkimit Europian dhe NATOs. Dhe, mbi të gjitha është dëshira e njerëzve për të zgjedhur vetë të ardhmen e tyre. Këtë deshëm edhe ne nga Europa, të jetë e bashkuar, e lirë, në paqe.

Nuk duhet të harrojmë se njerëz të brezit tim apo edhe brezit tënd, dikur kanë qënë skllevër të regjimeve dhe tani janë të lirë. Kjo është diçka shumë pozitive që nuk duhet harruar.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, faleminderit. 

Ambasador Mark Grosman: Faleminderit juve, ishte kënaqësi. //voal-online

 



Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Janina Hrebickova: S'duam që Kosova të mbetet "vrimë e zezë" (04.02.2009)
Drejtues të Shoqatës Antikomuniste 2 Prilli kërkojnë ekstradimin e Gjekë Çelës (04.02.2009)
Të legalizosh demokracinë dhe lëvizjen e lirë (04.01.2009)
Carin O'Reilly: Veriu i Kosovës s'është "konflikt i ngrirë" (03.31.2009)
Komuna e Bujanocit dhe pozita e shqiptarëve (03.31.2009)
Margaret Rupli Uduard korespondentja e parë amerikane grua (03.30.2009)
The Washington Post: Një ristemim për Rusinë (03.28.2009)
Vasllav Havel: Radio Evropa e Lirë t'i edukojë politikanët (03.27.2009)
Verena Knaus: Kosova - rast për Rusinë ta zemërojë Perëndimin (03.25.2009)
BSPK përkujtoi Agim Hajrizin (03.25.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]