VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Sqarimi i fatit të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë në interes të të gjithëve
E Shtunë, 04.11.2009, 11:08am (GMT1)

Reagime nga Kosova pas njoftimeve në BBC dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese BIRN

 

Deutsche Welle - Shërbimi boteror i BBC-së dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese "BIRN"  janë shprehur në disa shkrime për ekzistencën e burgjeve dhe kampeve të UCK-së,  ku  gjatë luftës janë keqtrajtuar burgosur, madje dhe vrarë civilë. Hulutimi i tyre kishte shkas pohimet në librin e  fundit të ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte, e cila shkruante se në Burrel të Shqipërisë, janë mbajtur civilë serbë të sjellë aty nga UÇK-ja, janë vrarë dhe më pas u janë hequr organet për trafikim. Njëri nga ish-udhëheqësit e ish-UÇK-së, Xhavit Haliti, e mohon ekzistencën e kampeve të kësaj ushtrie dhe thotë se do ishte mirë sikur institucionet e Kosovës të kishin mundësi për të ndihmuar për ndriçimin e fatit të të gjithë atyre që kanë pësuar gjatë luftës së fundit. "Jam i bindur se institucionet e Kosovës edhe ato të Shqipërisë duhet të bashkëpunojnë me gjykatat ndërkombëtare, duhet që maksimalisht të përpiqen me i zgjidhë këto probleme, sepse është në interesin e Kosovës, është në interesin e qytetarëve të Kosovës, dhe në këtë rast po them jo vetëm të shqiptarëve, por edhe në interesin e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë sepse ne bashkë me ta duhet të punojmë dhe duhet të jetojmë këtu," - thotë Haliti.

 

Aktivistë që angazhohen  për të drejtat e njeriut thonë se vrasja e civilëve gjatë luftës cilësohet  një ndër krimet më të rënda, të cilat duhen dënuar. Behxhet Shala, i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Prishtinë thotë: "Ndëshkimi i krimit dhe dënimi i kriminelëve mund të jetë si një udhëzues për një të ardhme normale. Pa ndëshkimin e krimit nuk ka mundësi të  normalizohet situata politike e as e sigurisë dhe nuk ka mundësi të ketë afrim ndërmjet dy popujve. Po ashtu  pa ndëshkimin e krimit nuk mund të ketë kthim të serbëve të zhvendosur në Kosovë e as kthim të shqiptarëve në veri të Kosovës. Pra dënimi i krimit është parakusht për ndërtimin e një shoqërie normale." 

 

Në fund të muajit të shkuar në faqen zyrtare të prokurorisë serbe shkruhej se një dosje e hartuar rreth rastit të Burrelit në Shqipëri nga prokurorë serbë në Beograd, u është dorëzuar zyrtarëve të Misionit EULEX. Përgjegjësi për çështje të drejtësisë në këtë mission, Alberto Perduca, nuk ka pranuar të flasë me hollësi, nëse një dosje e tillë është apo jo në duart e këtij misioni. Mirëpo ai thotë se krimet e luftës janë në përgjegjësi të misionit të tij. "Ajo që mund të konfirmoj është se prokurorët e EULEX-it e marrin seriozisht çdo çështje që lidhet me krime të rënda. Natyrisht ne e marrim me seriozitet nevojën e bashkëpunimit me çfarëdo autoriteti që mund t'i ndihmojë prokurorët tanë në përmbushjen e mandatit të tyre. Më shumë se kaq nuk mund të them," - thotë Alberto Preduca.

 

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë ka të dhëna për civilët e vrarë gjatë luftës në Kosovë nga periudha një janar 1998 deri në hyrjen e forcave të NATO-s më 12 qeshor 1999. Sipas kësaj organizate gjatë luftës janë vrarë 297 serbë dhe janë zhdukur diku afër 400 të tjerë. Ndërsa tek shqiptarët sipas kësaj organizate llogariten rreth 1500 të zhdukur,  ndërsa janë vrarë 8509 civilë.

--

Sonja Biserko: Manipulim i pastër i prokurorisë serbe

 

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi: Mënyra e paraqitjes së të dhënave nga prokuroria serbe s'ka si qëllim sqarimin e fatit të të zhdukurve dhe Carla del Ponte ka bërë një gabim të madh.

Supozimet për rrëmbimin, keqtrajtimin, nxjerrjen e organeve dhe vrasjen e serbëve dhe joshqiptarëve në kohën e luftës së Kosovës, kanë zgjuar interesim të madh tek opinioni serb. Të enjten (09.04) edhe BBC-ja britanike solli informacione për krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, ishte e para e cila në librin e saj "Gjuetia", bëri publike dyshime për krimet e mundshme kundër serbëve dhe joshqiptarëve, të kryera në veri të Shqipërisë nga pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prokuroria serbe për krime lufte ka kërkuar prej Shqipërisë vazhdimin e hetimeve. Ndërkohë që Tirana zyrtare ka refuzuar, me shpjegimin se hetimet janë kryer dhe se nuk ka dëshmi konkrete. Sipas BBC news disa dëshmitarë anonimë citohen të kenë thënë se UÇK-ja ka bërë krime. Sidoqoftë, në mungesë të dëshmive, Carla del Ponte nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.

 

Supozime të papërgjegjshme

 

"Mendoj se Carla del Ponte në mënyrë shumë të papërgjegjshme i ka bërë publike këto supozime, pa paraqitur kurrfarë dëshmish. Në një atmosferë të ndezur siç kemi ne në rajon, këto pohime vetëm sa mund t'i keqësojnë raportet. Prokuroria serbe ka nisur një fushatë ku çdo ditë informon opinionin për hetimet që po kryhen, gjë që është në kundërshtim me parimet e punës së prokurorisë. Kjo fushatë është e keqe, sepse nëse ekzistojnë dëshmi duhet të fillojë edhe procesi. Mënyra e prezantimit të këtyre të dhënave ka një qëllim tjetër dhe jo sqarimin e fatit të njerëzve të zhdukur, që për familjet e tyre është një tragjedi e madhe." - thotë Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Prokuroria serbe ka botuar kohët e fundit disa fotografi të ish-luftëtarëve të UÇK-së për të cilët pohon se janë të përzier në krimet e bëra në veri të Shqipërisë. Nëse supozimet për krime nuk janë shkaku kryesor, cili është qëllimi i Prokurorisë?

"Nxitja e atmosferës së padurimit ndaj shqiptarëve, sepse këto gjëra nuk sillen aspak në kontekstin e duhur. Në Serbi Kosova prezantohet vetëm si shkas për fillimin e ndërhyrjes ushtarake, por nuk shpjegohen shkaqet pse erdhi deri tek ndërhyrja. Për ndërhyrjen flitet sikur ajo të ishte e befasishme dhe pa asnjë shkak. Fjala është për një manipulim të pastër dhe mendoj se Carla del Ponte ka bërë një gabim të madh." - thotë Biserko.

 

S' është e pranueshme të bëhet fushatë vetëm në bazë të supozimeve

 

Shumë organizata joqeveritare në Serbi janë marrë më konkretisht edhe me krimet e bëra në hapsirat e ish-Jugosllavisë. A ka Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi të dhëna për krimet e UÇK-së?

"Jo, nuk e di që ndonjë organizatë joqeveritare të ketë të dhëna të këtilla. Këto të dhëna mund t'i kenë vetëm organet e shtetit: policia dhe prokuroria. Në qoftë se i kanë këto të dhëna, atëherë duhet të ngrihen aktakuzat, sepse është e papranueshme që të bëhet fushatë vetëm në bazë të supozimeve. Këto janë shumë çështje serioze dhe të ndjeshme për të gjitha palët. Prandaj edhe kërkohet një përgjegjësi shumë e madhe, në veçanti ndaj familjarëve të të zhdukurve." - sqaron kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko. Voal-online.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.