VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHBA: E ardhmja e gazetave në krizën ekonomike dhe në periudhën dixhitale
E Mërkurë, 04.15.2009, 04:41pm (GMT1)

Zëri i Amerikës - Dhjetorin e kaluar, qyteti i Çikagos përjetoi dy nga ngjarjet më të mëdha në historinë e tij. Senatori nga Ilinoi, Barak Obama po bëhej president i Shteteve të Bashkuara pas zgjedhjeve historike.

Nga ana tjetër, guvernatori i Ilinoit, Rod Blagojeviç, po hetohej për pretendimet se ishte përpjekur të shiste vendin e lënë bosh në Senat nga zoti Obama. Redaktori i gazetës "Chicago Tribune", Geri Kern tha se kjo ishte një periudhë shumë interesante për gazetën e tij.

"Ne ishim ata që e shpallëm ngjarjen pas shumë vitesh gazetarie investigative".

Por arrestimi i Guvernatorit gati u la në hije kur një ditë më vonë, më 8 dhjetor, gazeta "Chicago Tribune" shpalli falimentimin.

"Në numrin e asaj dite, u publikua lajmi që gazeta "Chicago Tribune" po shpallte falimentimin. Mbyllja e gazetës do të thoshte që së pari ky model biznesi po dështonte dhe së dyti duhej gjetur një zgjidhje në mënyrë që gazetaria investigative të mos përfundonte këtu".

Disa muaj pas këtij falimentimi, gazeta të tjera në Siatll dhe Denver dolën nga tregu ose filluan të publikoheshin vetëm në internet.

Në muajin mars, gazeta të tjera të mëdha në qytetin e Çikagos si "Sun-Times", e cila ka një tirazh prej 1 milion kopjesh, po kështu deklaroi se kishte ndërmend të kërkonte ndihmë financiare si pasojë e falimentimit.

Tirazhi i gazetave të përditshme në Shtetet e Bashkuara ka rënë më shumë se 8 për qind ndërsa është rritur me 9 për qind leximi i gazetave në internet.

Majk Smith, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Menaxhimin e Mediave në Fakultetin e Gazetarisë të universitetit "Northwestern" afër Çikagos thotë se kjo prirje e leximit të gazetave në internet do të vazhdojë dhe problemet e industrisë së gazetave do të shtohen duke marrë parasysh edhe recesionin që po kalon Amerika.

"Disa vite më parë të gjithë donin të blenin kompanitë e gazetave dhe disa kompani paguan më shumë seç duhej, pa menduar se kriza ekonomike do t'i prekte ato. Ndaj, dhe kompani si ajo "Tribune" në Çikago janë zhytur në borxhe".

Por gazeta "Chicago Tribune" vazhdon të punojë dhe sipas zotit Smith, ajo vazhdon të jetë me fitim.

"Gazeta po del me fitim, por jo aq sa duhet për të nxjerrë kompaninë "Tribune" nga borxhi".

Fitimet e gazetave nga reklamat ranë 17 për qind vitin e kaluar pasi gjithnjë e më shumë gazeta po kalojnë në internet.

Ouen Jangmen, profesor i gazetarisë në universitetin "Northwestern" u mor me kalimin e gazetës "Chicago Tribune" në internet.

"Sfida e industrisë së lajmeve do të jetë gjetja e një modeli fitimprurës megjithë teknologjinë e re".

Redaktori i gazetës "Chicago Tribune" thotë se gazeta e tij së bashku me televizionin, radion dhe operacionet mediatike në internet të kompanisë së tij po nxjerrin lajmet më të fundit në një faqe të re interneti që prej muajit shtator. Kjo faqje vizitohet nga 35 milionë vetë çdo vit dhe numri i vizitorëve ishte i jashtzakonshëm gjatë ditëve të skandalit Bllagojeviç.

Zoti Kern mendon se gazeta "Chicago Tribune" ka shanse t'ja dalë mbanë megjithë falimentimin dhe recesionin. Por kjo nuk është shumë e sigurt për gazetat e tjera. Voal-online.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.