VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Profesor Kristian Tomushat: Rrota e historisë nuk mund të kthehet mbrapa
E Premte, 04.17.2009, 09:54am (GMT1)

OKB-ja ka kërkuar nga Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë, të bëjë ekspertizën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Procesi fillon nesër (17 prill 2009) në Hagë. Profesori Christian Tomuschat shpjegon gjykimet e rastit.

Deutsche Welle: Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kërkoi tetorin e kaluar nga Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë, që të bëjë ekspertizën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kërkesa është bërë pas sugjerimeve të Serbisë, se me shpalljen e pavarësisë me 17 shkurt të vitit të kaluar, institucionet e Kosovës kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Lidhur me këtë çështje, flet Profesori i të drejtës ndërkombëtare dhe evropiane, Christian Tomuschat. Pala serbe e quan historik, procesin për ekspertizën e pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Minsitri i jashtëm Vuk Jeremiq thotë, se kjo është hera e parë që Gjykata prononcohet për legalitetin e një akti secesioni.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë duhet të përgjigjet për pyetjen nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte apo jo në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Profesori gjerman Christian Tomuschat është i mendimit se pyetja nuk është shtruar si duhet, sepse secili grup etnik mund të shpallë pavarësinë. Pyetja e vërtetë do të ishte: A kanë vepruar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare vendet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës?

Pr. Christian Tomuschat : Mendoj se njohja e pavarësisë së Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ndonëse për këtë çështje do të ketë debate të hidhura. Do të ketë vende të cilat mendojnë se janë shkelur të drejtat e Republikës së Serbisë, si shtet i pavarur dhe sovran.

 

Deutsche Welle: Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur deri tani 57 vende, ndër të cilat edhe SHBA-ja, Japonia, Australia si dhe 22 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Kosova pret mbështetjen e këtyre vendeve edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ndërkohë që kundër do të jenë Rusia, Kina, Spanja, Rumania, Qiproja dhe disa vende të tjera. Ministri i jashtëm serb Jeremiq, pohon se ekspertiza e Gjykatës do të thellojë edhe më shumë përçarjet mes vendeve të BE-së dhe, se ato vende që paraqesin argumente kundër në institucionin më të lartë juridik të OKB-së, nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës. Profesori Tomuschat mendon se ekspertiza e Gjykatës nuk do të jetë kundër pavarësisë së Kosovës.

Pr. Christian Tomuschat: Nuk e besoj se rrota e historisë mund të kthehet mbrapa. Shqiptarët e Kosovës e kanë pasur të drejtën e shpalljes së pavarësisë dhe shkëputjes nga Serbia, për shkak se Serbia i ka trajtuar ata në mënyrë jashtëzakonisht të keqe.

Deutsche Welle: Një prej argumentimeve të palës serbe në tetor të vitit të kaluar, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila edhe ka kërkuar ekspertizën e Gjykatës, ishte që rasti i Kosovës mund të përdoret si shembull për secesione të tjera. Ekpserti gjerman i të drejtës ndërkombëtare dhe evropiane, është i bindur se rasti i Kosovës nuk mund të shërbejë si shembull për pavarësinë apo secesionin e grupeve të tjera etnike.

Pr. Christian Tomuschat: Nuk besoj aspak në këtë. Serbia për fat të keq ka bërë në të kaluarën  gabime shumë, shumë të rënda. Baskët në Spanjë, për shembull, kërkojnë pavarësi, por Spanja kurrë nuk i ka përndjekur ata në mënyrë masive, siç ka bërë Serbia kundër shqitparëve. Brenda një kohe të shumë të shkurtër, serbët dëbuan nga shtëpitë e tyre qindra mijëra shqiptarë. Është ky një rast i veçantë në historinë më të re, prandaj nuk mund të përdoret si shembull për rastet tjera.

Deutsche Welle: Beogradi shpreson të fitojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por profesori Tomuschat beson se Serbia mund të përfitojë edhe në rast humbje.

 

Pr. Christian Tomuschat: Një vendim i tillë do të paraqiste një relaksim të madh për skenën e brendshme politike të Serbisë, sepse askush nuk do të mund të kritikonte më qeverinë e atjeshme për shkak të njohjes së Kosovës. Autoritetet në Serbi do të mund të argumentonin: Ky ëshë qëndrimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilin duhet ta respektojmë edhe ne. Ekspertiza pro pavarësisë së Kosovës, do të hapte rrugën për një fillim të ri në raportet mes Serbisë dhe Kosovës.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.