VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

The New York Times: Fundi i përplasjes së qytetërimeve
E Shtunë, 04.18.2009, 03:56pm (GMT1)

Në vizitën e tij javën e fundit në Turqi, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, bëri progres të rëndësishëm drejt përmirësimit të marrëdhënieve me botën islame. Presidenti Obama iu shmang mitologjisë helmuese të pas 11 shtatorit të përplasjes së qytetërimeve, e cila udhëhoqi aq shumë politikat retorike dhe shkatërrimtare të Bushit.

Ai iu drejtua parlamentit turk se SHBA "nuk do të jenë kurrë në luftë me Islamin" dhe premtoi se bashkëpunimi ndërmjet tyre nuk do të jetë vetëm lufta kundrejt terrorizmit. Një sondazh i vitit të kaluar zbuloi se vetëm 12 për qind e turqve kanë opinion pozitiv për SHBA. Pavarësisht disa protestave, pritja e Obamës në Turqi ishte përgjithësisht entuziaste. Edhe myslimanët në vendet e tjera treguan interes të dëgjonin.

Bushi shpesh deklaronte respekt ndaj Islamit dhe insistonte me të drejtë se "armik i Amerikës nuk janë shumë miq tanët myslimanë", por "rrjeti radikal terrorist" dhe qeveritë që i mbështesin ata. Por ai dhe aleatët e tij republikanë përdorën gjithashtu terma si "kryqëzatë" dhe "fashizëm islamik", duke ushqyer frikën se e ashtuquajtura luftë ndaj terrorizmit ishte në fakt luftë ndaj Islamit. Tmerri në Abu Graib dhe Guantanamo, si dhe lufta e panevojshme e Bushit në Irak, e rritën më shumë problemin.

Jo vetëm fjalët dhe toni i Obamës është më i mirë; më të mira janë edhe politikat e tij. Ai e kundërshtoi luftën në Irak dhe ka nisur të planifikojë një tërheqje të herëpashershme të trupave amerikane. Ai po mundohet të hyjë në bisedime me Iranin pas një izolimi të ndërsjellë 30-vjeçar. Gjithashtu, ai ka premtuar një përpjekje aktive në zgjidhjen e konfliktit izraelit-palestinez dhe ka riafirmuar mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete - një ide kjo e papranuar nga kryeministri i sapozgjedhur i Izraelit.

Besueshmëria e Obamës është rritur nga eksperienca e tij personale. Ai është i krishterë, por i ati ishte mysliman; president Obama një pjesë të fëmijërisë së tij e ka kaluar në Indonezi, shteti me popullsi më të madhe myslimane në botë.

Ndërkohë, gjatë fushatës elektorale të vitit 2008, Obama u përpoq ta minimizonte formimin e tij, i cili ishte në një linjë imponuese në fjalimin e javës së kaluar. "Shtetet e Bashkuara janë pasuruar nga amerikanët myslimanë", - deklaroi ai. "Shumë amerikanë të tjerë kanë myslimanë në familjet e tyre, ose kanë jetuar në shtete me mazhorancë myslimane. Unë e di, sepse unë jam një prej tyre", - theksoi Obama

Ndihmësit e tij thonë se Obama është duke planifikuar një fjalim më të gjerë drejtuar botës islame. Në fjalimin e ardhshëm nuk do të pohohen vetëm të përbashkëtat, por edhe dallimet e rëndësishme me shumë shtete myslimane - përfshirë çështje si e drejta e grave dhe liria e besimit - të cilat nuk janë lehtësisht të arritshme.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.