VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AGPK dënon sulmin fizik ndaj Baton Haxhiut
E Martë, 04.21.2009, 04:53pm (GMT1)

Voal-online Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) në një lajm të marrë nga gazeta Express e Prishtinës, thotë se Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) me shqetësim të thellë ka marrë lajmin për sulmin fizik që i është bërë gazetarit, Baton Haxhiu nga Gafurr Dugolli vëllai i ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugollit.

"Ky sulm dëshmon edhe njëherë për gjendjen dhe ambientin e vështirë në të cilin punojnë gazetarët kosovarë. Ky sulm, dëshmon se gazetarët kosovarë nuk janë të lirë ta ushtrojnë profesionin e tyre. Ky sulm dëshmon nevojën urgjente që organet e drejtësisë të merren seriozisht me mbrojtjen e gazetarëve kosovarë", thuhet në një reagim të AGPK-së, të transmetuar nga Radiotelevizioni i Kosovës, referuar gazetës në fjalë.
AGPK-ja kërkon urgjentisht nga organet e drejtësisë të nisin procedurat e nevojshme për rastin në fjalë.
"Sulmi ndaj gazetarit Haxhiu ka ndodhur në një ambient publik dhe mjaft të frekuentuar, prandaj prokurorët nuk do ta kenë të vështirë që të gjejnë dëshmitarët e duhur".
Sipas AGPK-së, nëse organet e drejtësisë nuk do të nisin procedurat e nevojshme të ndjekjes së Gafurr Dugollit, AGPK-ja është e shtrënguar që ditëve të ardhshme të nisë një fushatë presioni ndaj institucioneve të Kosovës.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.