VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
KALENDAR 25 PRILL - ATSH E Premte, 04.24.2009, 10:24am (GMT1) NGA VENDI 1911 - U mbajt në kishën e Fandit në Bukuresht Kuvendi i Mërgimtarëve, i cili mori vendimin për shpalljen e Shqipërisë së pavarur. Vendimet e Kuvendit u botuan në gazetën shqiptare që dilte jashtë vendit. 1911 - U vra pabesisht atdhetari Rushit Dine Halili. U lind në Konispol më 1850 në një familje patriotike çame. Ai ishte bashkëpunëtori i afërt i rilindasit të ndritur Hasan Tasini dhe zhvilloi një veprimtari të dendur për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare tek shqiptarët. Në 1895 shtëpia e tij në Konispol u kthye në një klub të fshehtë, në një mësonjtore ku të vegjël e të rritur mësonin fshehurazi të shkruanin e të lexonin gjuhën e tyre amëtare. 1920 - Kryetari i delegacionit shqiptar në Paris, Mehmet Konica, nëpërmjet një telegrami adresuar Konferencës së fuqive aleate në San Remo, i kërkon respektimin e pavarësisë dhe tërësisë tokësore të shtetit shqiptar. Populli shqiptar, thekson ai, nuk do të pranojë më cungime të reja të tokës së tij dhe është i vendosur të mbrojë me të gjitha mënyrat pavarësinë e vendit të vet. 1921 - U themelua në Vlorë federata "Atdheu". Në të u përfshinë shumë organizata përparimtare të vendit. Shoqërinë "Inteligjenca e Kosovës" e përfaqësonte gazetari i shquar Bedri Pejani. Me këtë rast ai mbajti një varg konferencash politike ku shprehu pikëmpamjet dhe idetë e tij për një Shqipëri etnike. 1925 - Organizohen në Vlorë manifestime të fuqishme kundër vrasjes kriminale të Avni Rustemit. Demonstruesit kërkojnë dënimin e atentatorit dhe nxitësit të tij. Këto ishin shkënditë e para të Revolucionit Demokratik të Qershorit. 1933 - U nda nga jeta albanologu i shquar hungarez Baron Franc Nopçe, i cili punoi disa vjet në Shqipëri. Ai ishte specialist në fushën e gjeologjise dhe panteologjisë. Përgjatë udhëtimeve në Shqipërinë e veriut e tërhoqën edhe studimet etnografike aq karakteristike dhe origjinale për një të huaj që shkelte tokat arbërore. 1993 - Trupa e teatrit "Migjeni" të Shkodrës vuri në skenë dramën "Vëllai i Zotit tonë" ( "Fratello del nostro Dio"), shkruar nga Papa Gjon Pali II. Drama u shfaq me rastin e vizitës së shenjtërisë së tij në qytetin e Shkodrës. 1997 - Shtypi shqiptar botoi mesazhin e Nënë Terezës që i dërgonte popullit shqiptar. Në të ajo shprehte shqetësimin e thellë për gjendjen e krijuar në Shqipëri dhe ngjarjet tronditëse që po ndodhnin. 2003 - Vdiq në Tiranë Robert Shvarc, personalitet i shquar i kulturës sonë kombëtare. Shvarci, si përkthyes i rrallë, përtëriti traditën e përkthimit të Nolit, Konicës, Kutelit e shumë të tjerëve, duke i dhënë lexuesit veprat e autorëve më të njohur evropianë dhe latino amerikanë. Robert Shvarc ka qenë mbrojtës i flaktë dhe kërkues i shquar i gjuhës shqipe. Ai ka lindur në Sarajevë më 10 dhjetor 1932. Për vlerat e tij artistike u nderua me titullin e lartë "Mjeshter i Madh". NGA BOTA 1599 - Lindi Oliver Kromuell, i cili udhëhoqi ushtritë parlamentare në luftën civile dhe pas përmbysjes së Karlit I, u bë Lord Protektor i Anglisë (1653). 1744 - Vdiq astronomi suedez, Anders Celsius, i cili shpiku termometrin Celsius. 1769 - Lindi inxhinieri dhe shpikësi i madh britanik, Ser Mark Isambard Brunel. Ai ishte nismëtari i teknikës së tuneleve të nënujshme dhe ndërtoi tunelin në lumin Tamiz në Londër nga Uaping në Roterhit, i cili u përurua në vitin 1843. 1859 - Paul Xhulius Reuter, themelues i agjencisë së re që mban emrin e tij, përdori 40 pëllumba për të dërguar çmimet e bursës ndërmjet Brukselit dhe Acenit. 1859 - Filluan punimet për ndërtimin e Kanalit të Suezit nën drejtimin e Ferdinand de Seseps. Ai u përurua 10 vjet më vonë më 16 nëntor 1869. 1874 - Lindi fizikanti dhe shpikësi italian i radiotelegrafisë, Gulielmo Markoni. Ai fitoi në vitin 1909 çmimin Nobel për fizikën dhe zhvilloi gjithashtu radion me valë të shkurtra. 1915 - Trupat australiane dhe neozelandeze sulmuan brigjet e Galipolit, Turqi, në Luftën e Parë Botërore si pjesë e forcave aleate angleze. Rreth 7 mijë australianë dhe 2 mijë neozelandezë u vranë gjatë betejës tetëmujore kundër forcave turke. 1926 - Arturo Toskanini dirigjoi shfaqjen e parë të operës së Giuseppe Verdit "Turandot" në teatrin La Skala të Milanos. 1945 - U hap Konferenca e San Françiskos e organizuar nga Kina, Britania, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara për të krijuar një organ botëror për zëvendësimin e Lidhjes së Kombeve. 1980 - Një aeroplan Boing 727 i Dan Air, që po transportonte pushues britanikë nga Mancesteri në Tenerife, u rrëzua në malet rreth 16 milje në jug të aeroportit Los Rodeos. Të 146 pasagjerët dhe ekuipazhi gjetën vdekjen. 1982 - 15 vitet e pushtimit të Sinait nga Izraeli morën fund, me largimin e ushtarit të fundit izraelit nga gadishulli për të lejuar zyrtarët egjiptianë të rikthejnë territorin e tyre. 1995 - Në Poloni u rivarrosën eshtrat e 86 ushtarëve sovjetikë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilat u zbuluan në janar gjatë punimeve të ndërtimit në një fshat afër qytetit të Gdanskut, në Poloninë veriore. 1996 - U shpik roboti i parë në botë, i cili është në gjendje të kryejë operacione. 1996 - Më shumë se 200 parashutistë rusë u nisën për në Kroaci për të zëvendësuar një pjesë të kontigjentit paqeruajtës rus. 1997 - Një "marshim i bardhë" mblodhi në Varshavë më se 2 mijë mjekë, të cilët manifestuan kundër pagave të tyre të ulta dhe keqësimit të madh të shërbimeve publike të shëndetësisë. 1998 - Një djalë 14 vjeçar qëlloi një mësues me armë zjarri, duke shkaktuar vdekjen e tij dhe duke plagosur dy të rinj të tjerë gjatë një mbrëmje vallëzimi të nxënësve të klasave të teta, në një restorant fshati në veri të Pensilvanisë. 1998 - Një irakene 26 vjeç lindi një vajzë në një gomone, e cila transportonte në mënyrë klandestine në Itali edhe persona të tjerë. 1999 - Transmetimet satelitore të televizionit shtetëror në Beograd, u ndërprenë kur aeroplanët e NATO-s sulmuan transmetuesin më të madh jugosllav. 2000 - Militantë kundër armëve bërthamore paraqitën në rezidencën e kryeministrit francez në Paris, Hotel Matignon, një peticion kundër armëve bërthamore me 135 mijë nënshkrime të mbledhura në Francë dhe Gjermani. 2001 - U arrestua ish-presidenti i Filipineve, Jozef Estrada, në banesën e tij në Manila dhe u dërgua në burg. Gjykata urdhëroi arrestimin dhe burgosjen e ish-presidentit të dështuar 64 vjeçar, i akuzuar se ka përvetësuar 80 milionë dollarë nga burimet ekonomike të vendit. |
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |