VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kalendari 26 prill ATSH
E Djelë, 04.26.2009, 08:52am (GMT1)

NGA VENDI
 Nga një mbishkrim në kishën e Manastirit në Shën Gjon Vladimir në Elbasan të deshifruar nga studiuesi Theofan Popa del se ky monument i rëndësishëm kulturor që ka arritur deri në ditët tona është shkatërruar nga një tërmet i fuqishëm dhe rindërtuar në themelet e tij në vitin 1381 nga Karl Topia. Lashtësia dhe vlerat shpirtërore e artistike që përmban ky tempull i japin atij një rëndësi të madhe për historinë e besimit, artit dhe të shtetformimit. 1788 - Ali Pashë Tepelena filloi fushatën ushtarake për marrjen e Janinës. Beteja e parë e tij kundër bejlerëve të bashkuar u zhvillua në brigjet e liqenit. Ai theu kundërshtarët dhe rrethoi Janinën. Qytetin e mori pa luftë, me ndihmën e miqve të vet grekë dhe sidomos të banorëve të Zagorisë. Sikurse shkruan një kronist francez, Ali Pashë Tepelena hyri në qytet në mes të brohoritjeve të popullit.

     1910 - Fshatarët e Grykës së vogël në zonën e Dibrës u ngritën për të mbrojtur kaçakun Azis Xheka që ndiqej nga ushtria osmane. Nëntë malet e Dibrës u ngritën kundër osmanëve. Xheladin Manjani, një nga kryengritësit dhe luftëtarët e atyre ditëve në kujtimet e tij shkruan se kryengritja kishte motivin e madh për te mos lënë te hy në malet tona asqeri i Turqisë.

     1915- U nënshkrua traktati i fshehtë i Londrës, nga përfaqësues të Italisë, Anglisë, Francës dhe Rusisë. Ai e copëtonte edhe më shumë Shqipërinë e cunguar. Sipas tij Italia merrte Vlorën dhe Sazanin, Greqia prefekturën e Korçës, të Gjirokastrës dhe gjithë rrethet e tyre, Serbia dhe Mali i zi, Shkodrën, Kosovën etj. Me krahinat që mbeteshin formohej një principatë myslimane. Gjymtimi i parë i Shqipërisë më 1913 ishte me pasojë fatale për popullin dhe vendin tonë. Ai ndërpreu formimin e tregut kombëtar, ndërpreu marrëdheniet ekonomike dhe kulturore tradicionale me trevat e mbetura jashtë kufinjëve shtetërorë. I hapi udhë procesit të shkombëtarizimit, të shpërnguljes me dhunë, eleminimit fizik të shqiptarëve, sllavizmit dhe helenizimit të tyre.

     1919-  Konferenca e Paqes që zhvilloi punimet në Paris, miratoi statusin e Lidhjes së Kombeve. Vendi ynë u antarësua në këtë organizatë në vitin 1920.

     1919 - Në Shqipërinë e mesme u adoptua një ndërtesë e zakonshme si spital, nga vullnetarët e Kryqit të kuq amerikan që kishin ardhur në vendin tonë. Afërsisht në të njëjtën kohë një ndërtesë e zakonshme banimi u adoptua për spital dhe në Elbasan duke hapur edhe atje një qendër shëndetësore.

     1963- Në skenën e teatrit profesionist "Andon Zako Çajupi" të Korçës u dha premiera e pjesës "Demaskimi i Blanko Posnatit" të dramaturgut anglez Bernard Shou.

     1980- Korçës turistike iu shtua një objekt i rëndësishëm jo vetëm për ne shqiptarët por edhe për të huajt, "Muzeu i artit mesjetar". Aty pasqyroheshin verpimtari dhe krijimtari të mjeshtrave dhe artistëve shqiptarë në shumë fusha të jetës. Punimet në gur përfshijnë objekte të shekullit të 13-të, punimet në metal kryesisht objekte të përdorimit të përditshëm, zbukurime dhe objekte të kultit të punura kryesisht në ar dhe argjend. Interes të veçantë paraqet pavioni i pikturës mesjetare me ikona të punuara gjatë shekujve 12-të dhe 14-të. Muzeu është i pajisur me laboratorët e restaurimit dhe të fotografisë dhe në sallën e fondeve ku ruhen mbi 7 mijë objekte.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.