VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

UDHËHEQËSIT FETARË NË SHBA BËJNË THIRRJE PËR QETËSI PAS DJEGIES SË KURANIT
E Hënë, 04.11.2011, 05:30pm (GMT1)

Xherom Sokolovski | Uashington E hënë, 11 Prill 2011

Udhëheqësit e të krishterëve dhe myslimanëve në Amerikë kanë dënuar djegien e një kurani nga një pastor në Florida dhe dhunën vdekjeprurëse që një akti i tillë nxiti në Pakistan dhe Afganistan. Ata gjithashtu kanë bërë thirrje për moderim ndërsa pastori ka në plan të shkallëzojë veprimtarinë e tij anti-myslimane.

Vjeshtën e kaluar, kur pastori nga Florida, Teri Xhons, kërcënoi për të parën herë se do ta digjte një kopje të librit të shenjtë të fesë islame, disa priftërinj të krishterë u takuan me të dhe i kërkuan të ndërronte mendje. Xhef Tuniklif ishte njëri prej tyre. Ai është drejtor i Aleancës Evangjelike Botërore me seli në Nju Jork, e cila e përfaqëson 600 milion të krishterë evangjelikë në mbarë botën. Ja si kujton ai se çfarë i ka thënë pastorit Xhons në atë kohë:

"Nëse vazhdoni me veprimin tuaj dhe shpërthen dhuna, vriten pastorë, digjen kisha, a do të vinit me mua e të takoheshit me të veja për t'ua shpjeguar se përse iu desh të vepronit ashtu?"

Kjo deklaratë mendohet se ndihmoi për ta bindur pastorin Xhons që të hiqte dorë nga planet e tij vitin e kaluar. Por kur pastori Xhons njoftoi sivjet se megjithatë do të vepronte, zoti Tuniklif u përpoq ta ndalte sërish, por dështoi. Pastori Xhons e dogji një kopje të Kuranit më 20 mars. Dhe përkundër dënimeve nga Presidenti amerikan Barak Obama dhe gjenerali Dejvid Petreas, komandant i forcave të koalicionit në Afganistan, turmat e zemëruara kanë zhvilluar protesta vdekjeprurëse, përfshirë një sulm ndaj një kompleksi të Kombeve të Bashkuara, me ç'rast u vranë shtatë punëtorë të organizatës. Zoti Tuniklif thotë kisha e vogël e pastorit Xhons "nuk është madje as anëtare e Aleancës Evangjelike Botërore".

"Mesazhi që po përpiqemi të dërgojmë është se Teri Xhons drejton një kongregacion të vogël dhe që nuk përfaqëson besimet e zakonta të Kishës Evangjelike apo të të krishterëve në përgjithësi".

Ndërsa udhëheqësit e krishterë dënojnë përdhosjen e shkrimeve të shenjta myslimane, një numër udhëheqësish myslimanë në Amerikë kanë dënuar reagimin e dhunshëm. Dejzi Khan është drejtore ekzekutive e Shoqërisë Amerikane për Përparimin e Myslimanëve. Ajo është edhe gruaja e Imam Abdul Rauf Feisalit, propozimi i të cilit për ngritjen e një xhamie pranë vendngjarjes së sulmeve të 11 shtatorit ngjalli polemika vitin e kaluar. Zonja Khan thotë se pastori Xhons nuk mund të akuzohet për kryerjen e një krimi.

"Djegia e Kuranit nuk është krim sepse Zoti nuk ka nevojë për mbrojtje. Kurani është fjala e Perëndisë. Kjo është si të thuash se kur pastori Teri vë Kuranin në gjyq, a e ka ftuar ai Perëndinë të zbresë në tokë e të mbrojë veten?"

Zonja Khan thotë se myslimanët kudo duhet të mbajnë në mend se besimi i tyre ka të bëjë me moderimin. Robert Xhons i Institutit Kërkimor Publik për Fenë në Uashington thotë se shumica e amerikanëve janë të moderuar në pikëpamjet e tyre rreth islamit. Në një anketë të zhvilluar në muajin shkurt nga instituti i tij, 62 përqind e të intervistuarve thanë se myslimanët amerikanë janë pjesë e rëndësishme e komunitetit fetar të Shteteve të Bashkuara. Ai thotë se amerikanët kanë gjithashtu respekt të thellë për shkrimet e shenjta.

"Pra, ka respekt të thellë për fenë në publikun e gjerë që domethënë se këto veprime nuk janë të pranueshme nga shumica e qytetarëve".

Vizitorët në kryeqytetin e vendit, të ardhur nga mbarë Shtetet e Bashkuara, thonë se veprimi i pastorit nga Florida ishte i pafalshëm. Merilin Pol është nga Virxhinia.

"Unë nuk e kuptoj cila është arësyeja për të djegur një një libër të shenjtë".

Xhejms Gibson nga Xhorxhia pajtohet, por me disa vërejtje shtesë.

"Më duket disi ironike që ata të mund të bërtasin "˜vdekje të pafeve', por nëse ne bëjmë diçka, jemi sërish djalli".

Sa i përket pastorit nga Florida, Teri Xhons, faqja e tij elektronike thotë se ai po planifikon një protestë përpara një xhamie në Diërborn të Miçigenit, ndër më të mëdhatë në Amerikë. Ai po ashtu citohet të ketë thënë se dëshiron ta sjellë para gjyqit profetin e islamit, Muhamed.

(http://www.voanews.com/albanian)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.