VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SERBIA IU SHPREH MIRËNJOHJEN PËR MOSNJOHJEN E KOSOVËS, POR I QUAN AFRIKANËT KANIBALË
E Mërkurë, 04.20.2011, 09:20am (GMT1)

Një shkarje në fjalorin politik nga një politikan në parlamentin e Serbisë sjell tensione me disa shtete afrikane. Kërkimi i faljes u bë me vështirësi. Vështrim nga shtypi.

Gazeta "Neue Zürcher Zeitung" analizon korrektesën në marrëdhëniet e Serbisë me vendet afrikane, nisur nga një shkarje në fjalorin politik:

"Në Ballkan...kërkimi personal i faljes është inekzistent në fjalorin politik. Por kjo mund të ndryshojë.

Kur para pak kohësh politikani opozitar liberal, Cedomir Jovanoviç, sulmoi në parlament ministrin e Jashtëm të Serbisë, Jeremic, ai u shpreh: në vend që të interesohej për fatin e tmerrshëm të civilëve në Libi, ministri i Jashtëm viziton i patrazuar "kanibalët në Afrikë". Askush nuk reagoi. Koloriti gjuhësor është diçka e zakonshme për "Cedon" vazhdimisht të zemëruar. Por ata, që reaguan, ishin një grup ambasadorësh afrikanë, të drejtuar nga algjeriani Abdelkadr Mesoua: me indinjatë u regjistrua kjo deklaratë raciste dhe me zhgënjim u konstatua që deklarata nuk u pasua nga një dënim zyrtar. Atëherë Ministria e Jashtme e Serbisë nisi të punojë.

Ministri dha siguri se Jovanoviçi nuk përfaqëson pikëpamjen e Serbisë. Përkundrazi, Serbia u është mirënjohëse miqve afrikanë, që nuk e kanë njohur Kosovën.

Tani të gjithë i hodhën sytë nga Jovanoviçi. A do të kërkonte falje ai? Natyrisht që jo. Në vend të kësaj pasuan deklarata: me "kanibalë" ai nuk ka pasur parasysh popujt e Afrikës, por diktatorë si kongolezin Kabila, të cilin e kishte vizituar ministri i Jashtëm.

Por afrikanëve kjo nuk u mjaftoi. Edhe pasi Jovanoviçi shprehu keqardhjen në biseda kokë më kokë, Mesoua insistoi për një falje publike. Kjo më në fund ndodhi dhjetë ditë pas shkarjes verbale. Pse e pati kaq të vështirë Jovavoniçi të kërkojë falje? Sociologu Jovo Bakiç e shpjegoi: në kulturën politike vendase, një kërkim faljeje shihet gjithmonë si shenjë dobësie."

Autor: Auron Dodi (nzz)

Redaktoi: Ina Verbica

(http://www.dwelle.de)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.