VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Mimoza Kusari Lila: Anëtarësimi në FMN - moment i rëndësishëm
E Enjte, 05.07.2009, 08:35pm (GMT1)

RADIO EVROPA E LIRË: Zonja Kusari Lila, Kosova tashmë ka fituar shumicën e votave të mjaftueshme për t'u anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Çka do të përfitojë Kosova nga ky vendim?

MIMOZA KUSARI LILA: Mendoj se momenti i vetë anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar është moment shumë i rëndësishëm. Të themi kemi qenë me fat, pasi që Kosova fiton anëtarësimin në FMN kur roli i këtij institucioni në botë dhe në qeveritë e zhvilluara dhe vendet në zhvillim, është rritur shumë, sidomos gjashtë muajt e fundit.

Kosova si shtet së pari do të ketë vizibilitet më të madh te 184 shtete anëtare të FMN-së, do të ketë qasje të drejtpërdrejtë te këto shtete, si dhe do të fitojë një qasje të drejtpërdrejtë në institucionin, i cili, përveç politikave, të cilat Kosova do të duhej t'i adaptojë për të qenë komfort këtij institucioni, do të fitojë edhe siguri dhe garanci për situata, me të cilat mund të ballafaqohet në të ardhmen, ashtu siç janë ballafaquar shtetet edhe shumë më të zhvilluara se Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË: Në cilat fusha mendoni se duhet të përqendrohen kreditë nga kjo organizatë?

MIMOZA KUSARI LILA: Kur të flasim për kreditë, duhet shikuar se çka do të fitojmë drejtpërdrejt, domethënë përveç anëtarësimit dhe se çfarë kemi bërë me projektet e deritanishme. Mendoj se përgatitja për kreditë duhet të jetë një përgatitje shumë serioze.

Një problem që ndoshta e ka përcjellë Kosovën, vitet e fundit, është suficiti buxhetor, që tregon se nuk ka pasur kapacitete shpenzuese. Andaj, edhe marrja e kredive duhet shikuar shumë seriozisht, pasi që duhet shikuar se sa kemi kapacitete menaxhuese dhe shpenzuese të kredive që kapin shuma të mëdha.

Nëse konsiderojmë se të gjitha këto janë të kryera dhe kemi kapacitete menaxhuese, atëherë kreditë që Kosova duhet t'i kërkojë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, unë mendoj se do të duhej të ishin në sferën e investimeve kapitale dhe ato që prekin partneritetin publiko-privat, por që i japin rëndësi dhe peshë edhe qytetarit të Kosovës.

Kosova ka shumë nevojë për këto investime kapitale, duke filluar nga sektorët kritikë, siç është sektori i energjisë, tek sektorët e transportit... Ka filluar një progres në procesin e ndërtimit të rrugëve, por mendoj se hekurudhat janë lënë anash është edhe ky një investim që duhet shikuar prej së afërmi.

RADIO EVROPA E LIRË: Në anën tjetër, kreditë e huazuara nga FMN-ja konsiderohen se janë kredi të buta dhe duhet të shfrytëzohen në lëmin e ngritjes së mirëqenies, të zvogëlimit të varfërisë dhe papunësisë. A mendoni se Qeveria ka projekte të kësaj natyre?

MIMOZA KUSARI LILA: Nuk besoj se ka, ose të paktën nuk besoj se i janë prezantuar publikut ato projekte edhe nëse ekzistojnë diku. Projektet në sferën e zvogëlimit të varfërisë dhe papunësisë duhet të jenë projekte ndërqeveritare, nuk mund të jenë projekte të një dikasteri apo vetëm të një ministrie të themi në këtë rast të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies.

Ato duhet të jenë projekte me rëndësi kombëtare dhe duhet të bëhen në koordinim të plotë me të gjithë sektorët qeveritarë, qofshin ata të nivelit qendror dhe atij lokal. Duke pasur parasysh faktin se ne nuk kemi një strategji të përgjithshme të zhvillimit kombëtar, mendoj se një projekt i tillë mungon, por si projekt duhet pasur, është e domosdoshme që ta kemi.

Kur merret parasysh shkalla e papunësisë 45 %, që prin në nivel jo vetëm të rajonit, por edhe të Evropës, atëherë atë e konsideroj se duhet të jetë një punë që veç është dashur të jetë në proces, por nëse nuk është, që duhet të fillohet menjëherë dhe duhet shikuar se cilët mekanizma do të zhvillohen që të përfitojmë sa më shumë nga anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË: A do të ndikojë anëtarësimi i Kosovës në FMN në përmirësimin e imazhit të vendit tek investitorët e huaj?

MIMOZA KUSARI LILA: Anëtarësimi në këtë mekanizëm ndërkombëtar jep garanci për investitorët që janë në Kosovë ose synojnë Kosovën dhe që mendojnë se sa ka qëndrueshmëri shteti i Kosovës apo sa kanë qëndrueshmëri institucionet e Kosovës.

Duke vërejtur intervenimin e FMN-së dhe asistencën që kanë kërkuar shtetet shumë më të zhvilluara se Kosova, mendoj se një brengë se Kosova nuk mund të qëndrojë mirë ekonomikisht ose shteti i Kosovës mund të ketë probleme ekonomike në të ardhmen, është se jemi anëtarë të FMN-së, domethënë kjo automatikisht, në njëfarë forme, e ofron këtë garanci.

Por, nuk mund të ofrojë shumë komforte se ne do t'i tërheqim investitorët vetëm me faktin se jemi anëtarë të FMN-së, për arsye se anëtare të këtij fondi janë shumë shtete, të cilat sot nuk qëndrojnë mirë ekonomikisht dhe të cilat nuk kanë ndoshta vëmendje të madhe të investitorëve. Ajo që dua të them me këtë është se kjo është një garanci për investitorët, por nuk do ta kryejë punën për t'i tërhequr investimet.

RADIO EVROPA E LIRË: Pas anëtarësimit të Kosovës në FMN, Kosova pret edhe anëtarësimin në Bankën Botërore. Sa janë të gatshme institucionet e Kosovës për një hap të tillë?

MIMOZA KUSARI LILA: Mendoj se është hap i natyrshëm dhe mendoj se pasi që kemi kaluar pragun apo sfidën e parë anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar, besoj se edhe në Bankën Botërore do të ketë gatishmëri.

Një gjë duhet cekur dhe të jemi të qartë se Kosova, institucionet kosovare nuk janë të vetmit përgjegjës për anëtarësim në FMN. Ky anëtarësim është arritur me një ndihmë shumë të madhe të shteteve të fuqishme, siç janë SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania.

Andaj, edhe në Bankën Botërore besoj se do ta kemi përkrahjen e këtyre shteteve. Ne, si kosovarë, duhet të fillojmë sa më shpejt planifikimin për shfrytëzimin, e them edhe një herë, të benefiteve qoftë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, qoftë Banka Botërore dhe anëtarësimi në këto institucione.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.