VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kalendar 8 maj ATSH
E Premte, 05.08.2009, 06:53am (GMT1)

1786 - Në skenën e Teatrit Francez në Paris, u dha premiera e tragjedisë "Skënderbeu" e autorit francez Ulrik Debuson. Heroi ynë kombëtar, Skenderbeu, eshte bere personazh kryesor në shumë vepra të letërsisë, muzikës, arteve të bukura, që sintetizojnë vetitë dhe virtytet e shqiptarit. Lartësimi i figurës së tij, është vlerësim edhe per Shqiperine, në mbrojtje të vlerave njerëzore dhe civilizimit evropian.

1910 - U zhvillua beteja e Carralevës ndërmjet kryengritësve shqiptarë të udhëhequr nga Isa Boletini dhe ushtrive osmane, të komanduara nga gjenerali Shefqet Turgut Pasha. 20 mijë ushtarë osmanë u ndeshën me 8 mijë luftëtarë shqiptarë të lirisë. Pas 3 ditë luftimesh osmanët mundën të rrethonin kryengritësit, qe çanë rrethimin dhe u tërhoqën në Drenicë. Nga të dy palët pati shumë të vrarë dhe të plagosur.

     1926 - U përfundua marrëveshja ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe bankës Serbo-Shqiptare për dhënien në koncesion të minierave të bakrit në Pukë. Koncesioni ishte me afat 50 vjeçar dhe të drejtën për zgjatjen e afatit edhe për 30 vjet të tjera.

     1925 - U lind ne Elbasan, Faton Ahmet Gashi, doktor i shkencave mjekësore. Arsimin e mesëm e mbaroi në Tiranë. Gjatë kohës së luftës u përjashtua nga shkolla dhe u përndoq nga pushtuesit fashist. Shkoi në Kosovë, ku drejtoi gazetën "Lidhja e dytë e Prizrenit". Pas luftës emigroi në Perëndim dhe më 1956 u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje diplomohet për mjekësi dhe specializohet për terapi moderne të Rehabilitimit fizik dhe Neuro-muskular. Bëhet anëtar i disa shoqatave të njohura mjekësore në SHBA dhe në botë, merr pjesë aktive në mjaft konferenca e kongrese ndërkombëtare, jep leksione në disa universitete.

     1937 - Mbreti Zogu i Parë dekretoi Ligjin për ndryshimin e emrave të disa qyteteve, fshatrave, lagjeve, lumejve, etj. me prejardhje nga gjuhët e popujve që ndër shekuj kishin pushtuar trojet shqiptare.

     1937- Vdiq në Tiranë kapiten Ethem Vlora, djali i madh i Ismail Qemalit. Në shenjë nderimi të familjes së shquar vlonjate, funerali i varrimit u bë me shpenzimet e Bashkisë.

     1942 - U nda nga jeta albanologu austriak Norbert Jokli, një nga viktimat shumëmilionëshe të kampeve naziste të shfarosjes. Jokli tërë jetën e tij ia kushtoi studimit të gjuhës shqipe dhe mësimit të saj në Universitetin e Vjenës. U thellua në etimologjinë dhe fjalëformimin në gjuhën tonë, në marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjera, në fonetikën dhe morfologjinë historike të saj. Më 1911 botoi "Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes" dhe më 1923 "Gjurmime gjuhësore e historike-kulturore nga lëmi i shqipes". Shumë studime të tij të rëndësishme janë botuar në faqet e shtypit, disa edhe pas vdekjes tragjike të autorit. Si punonjës i bibliotekës universitare, ai për 25 vjet mbajti rubrikën e bibliogarfisë për gjuhën shqipe në organin vjetor ndërkombëtar "Indogermanishes Jahrbuk".

     1947 - U lind ne Vlore Kujtim Laro, kompozitor i talentuar, Artist i Merituar. Pas diplomimit në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1970 dha ndihmesën e tij të vyer për pasurimin dhe përhapjen e muzikës sonë nëpërmjet mikrofonit të Radio Tiranës. Pjesëmarrës i suksesshëm i festivaleve të këngës në Radio-Televizion dhe i veprimtarive të tjera muzikore të institucionit. Disa nga veprat e tij janë luajtur nga Orkestra Sinfonike e Radios dhe janë regjistruar për të mbetur në thesarin e kulturës sonë muzikore. Ai mbetet një nga kompozitorët që ka kontribuar më shumë në zhvillimin e kinematografisë shqiptare, duke kompozuar muzikën e rreth 25 filmave artistik.

     1990 - Kuvendi Popullor miratoi Ligjin për krijimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ligjin "Për avokatinë", institucione të hequra në vitet e diktaturës.

     1992- U përfundua në Romë "Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, mbi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të ndërprera pas pushtimit fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939.

     1993- U ngrit në Bejrut të Libanit, Konsullata Shqiptare e Nderit me konsull nderi dr. Andre Amin Aour.

     1997-Në Qendrën Spitalore në Hajdelberg të Gjermanisë, u nda nga jeta Abdyl Lahni, luftëtar i vendosur i çështjes kombëtare. U lind në Gllamnik të Podujevës më 1941. Në bangat e shkollës u njoh dhe u bë shok lufte me Adem Demaçin. Në vitin 1964 arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg që i vuajti në burgun e tmerrshëm të Goli Otokut. Edhe pas lirimit ai vazhdoi veprimtarinë patriotike dhe përsëri arrestohet dhe dënohet nga shovinistët serbë. Në periudhat e lirisë ai ushtroi profesionin e nderuar të mësuesit dhe edukoi breza të tërë patriotësh.

     2000 - Në Elbasan, u përurua Poliklinika e re, me një vlerë prej 433 mijë euro. Ndërtimi i saj u financua nga Komuniteti Evropian.

     2000- Në Spitalin Obstetrik Gjinekologjik në Tiranë, u përurua reparti i fëmijëve të braktisur. Për rehabilitimin e tij qeveria amerikane akordoi 105 mijë dollarë.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.