VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DEKOSOVARIZIMI I PRIZRENASVE
E Hënë, 05.30.2011, 02:52pm (GMT1)

Publikuar: Sot, më 30 maj 2011

Prizren, 30 maj - Pas miratimit të ligjit përkatës, në komunën e Prizrenit janë shtuar dukshëm kërkesat e qytetarëve për ndryshimin e statusit të tyre për sa i përket shtetësisë së Kosovës. Mirëpo, sipas Fahredin Gashit, zyrtar për shtetësi në këtë komunë, gjatë vitit të kaluar kanë dominuar kërkesat për humbje të shtetësisë, kurse ato për marrje të shtetësisë së Kosovës kanë qenë dukshëm në numër më të vogël, trend ky që po vazhdon edhe në këtë vit, raporton gazeta "Zëri".
"Nga 500 kërkesat sa janë bërë gjatë vitit paraprak, 397 prej tyre kishin për qëllim heqjen dorë nga shtetësia e Kosovës, kurse vetëm 103 ishin kërkesa për ta përfituar këtë shtetësi", ka thënë Gashi, duke shtuar se situatë e ngjashme është edhe sivjet.
"Deri më 15 maj kishim, nga 126 kërkesa, vetëm 45 ishin për marrje të shtetësisë dhe 81 për heqje dorë nga shtetësia", ka thënë ai. Në numrin më të madh të kërkesave për heqje dorë nga shtetësia e Kosovës dominojnë ato që lidhen me martesat dhe bashkimin familjar, kurse ato që kanë të bëjnë me dëshirën për ta marrë shtetësinë janë të natyrave të ndryshme, por mbi të gjitha dominojnë kërkesat për rikthimin e kësaj shtetësie.
"Këso kërkesa kemi nga qytetarë të viseve të ndryshme të ish-Jugosllavisë, por edhe nga Shqipëria dhe sidomos nga Republika e Turqisë. Në këtë grup bëjnë pjesë njerëz të moshuar, të cilët në rrethana historike janë shpërngulur nga Kosova dhe tani e duan shtetësinë e vendit tonë, edhe pse disa syresh këtë e bëjnë edhe për përfitime të ndryshme që iu takojnë në bazë të ligjeve të aplikueshme", ka thënë Gashi.
Kërkesat për heqje dorë nga shtetësia kosovare kanë të bëjnë kryesisht me kushtet që qytetarëve tanë ua parashtrojnë disa shtete të BE-së.
"Për dallim nga Kosova dhe Shqipëria, të cilat lejojnë dyshtetësi, disa shtete të BE-së, si Austria, Gjermania etj., për t' iu dhënë kosovarëve shtetësinë e tyre paraprakisht kërkojnë nga ata që të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës dhe, sipas mendimit tonë, kjo edhe është arsyeja kryesore e numrit kaq të madh të personave që duan të heqin dorë nga shtetësia e vendlindjes së tyre", ka thënë Fahredin Gashi.

(http://www.koha.net)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.