VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

QEVERIA DO TA PËRDORË FSK-në SI POLICI
E Enjte, 06.02.2011, 04:52pm (GMT1)

Publikuar: Sot, më 02 qershor 2011

Prishtinë, 2 qershor Kur Albin Kurti të protestojë në të ardhmen, do të mund të përfundojë i arrestuar dhe i burgosur në kazermën "Adem Jashari" të Forcës së Sigurisë të Kosovës. Kjo do të jetë krejt e mundshme nëse hyn në fuqi një memorandum mirëkuptimi që e kanë përgatitur Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e FSK-së, e që pritet të nënshkruhet nga ministrat përkatës, Bajram Rexhepi e Agim Çeku.
Memorandumi i çuditshëm, një draftkopje të të cilit e ka siguruar "Koha Ditore", synon që të obligojë Forcën e Sigurisë të Kosovës që të ndihmojë Qeverinë, gjegjësisht Ministrinë e Punëve të Brendshme në "aktivitetet për realizimin e misionit të saj".
Sipas memorandumit, Forca e Sigurisë e Kosovës do të angazhohet edhe në "arrestimin e delikuentëve dhe mbajtjen e tyre derisa t'i dorëzohen policisë", por edhe për "menaxhimin e situatave që dalin jashtë kontrollit", dhe "kontrollimin e turmave në rrugë dhe në tubime".
Kështu, ende pa e shpallur ushtri, marrëveshja pretendon t'i japë FSK-së kompetenca që si forcë aktuale, por edhe si ushtri e ardhshme, të vërë kontrollin në rast të protestave. Nëse ushtria e ardhshme e Kosovës do të vlerësonte dikë si delikuent, do të ketë të drejtën, sipas kësaj marrëveshjeje, që ta arrestojë të dyshuarin dhe ta mbajë atë derisa t'ia dorëzojë policisë. Memorandumi do t`i japë FSK-së kompetenca policore, përderisa forca ende nuk e ka kryer as procesin e arritjes së kapaciteteve të plota dhe pavarësimit nga KFOR-i, në mënyrë që të zyrtarizohet si ushtri e Republikës.
E ushtria, në kontrollimin e turmave që protestojnë, apo edhe në disa kompetenca të tjera që memorandumi e obligon FSK-në, nuk përdoret në vendet demokratike.
Turqia njihet si vend ku ushtria e ka këtë kompetencë. Por vendi që kryeministri Thaçi e ka vizituar shpesh së fundi, e ka të ndryshëm rregullimin kushtetues. Atje ushtria është më e fuqishme se çdo institucion, dhe kryeministri turk, Erdogan, nuk mund ta kontrollojë atë. Rastet ekstreme të përdorimit të ushtrisë për të shtypur protestuesit mund të gjenden në Egjipt, Siri apo Libi, por jo edhe në vendet demokratike. Në çdo vend demokratik, çfarë Kosova pretendon të jetë, përdorimi i ushtrisë bëhet vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur vlerësohet se është sulmuar shteti nga jashtë. Por angazhimi i ushtrisë në SHBA, apo në vendet tjera demokratike, nuk bëhet nëpërmjet një memorandumi të ministrive përkatëse. Angazhimi i ushtrisë bëhet vetëm me urdhër të njësisë më të lartë vendimmarrëse për sigurinë, e që në rastin e Kosovës është Këshilli Kombëtar i Sigurisë, ose Kuvendi i Kosovës.
Këshilli i Sigurisë, sipas Kushtetutës, në gjendje paqeje udhëhiqet nga kryeministri, por në gjendje luftë apo gjendje të jashtëzakonshme udhëhiqet nga presidenti i vendit. Neni 7.1 i Ligjit për FSK-në, i jep të drejtën e përdorimit të FSK-së, pikërisht këtij këshilli.
"Këshilli i Sigurisë i Kosovës, në zbatim të Ligjit për Këshillin e Sigurisë së Kosovës, merr në shqyrtim dhe këshillon në lidhje me të gjitha çështjet e ndërlidhura me sigurinë e Republikës së Kosovës, përfshirë përdorimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës," thuhet në këtë nen të ligjit të FSK-së.
Çështja e angazhimit apa jo të ushtrisë në raste protestash dhe në punë tjera policore, ka qenë debat i gjerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2006. Presidenti i atëhershëm amerikan, George W. Bush, kishe kërkuar zgjerimin e bazës ligjore që mundësonte që armata të angazhohej më lehtë në vendosjen e rendit publik.
Presidenti kërkesën e kishte bërë pas katastrofës që kishte sjellë uragani "Katrina".
Një ligj amerikan i vitit 1878 limiton në maksimum përdorimin që Qeveria federale mund t'i bëjë armatës amerikane në "vendosjen e sundimit të ligjit". Ai ndalon pjesëtarët e armatës që të ushtrojnë autoritet dhe të bëjnë punë policore në pronat jofederale, pra joshtetërore. "Posse Comitatus Act", siç quhet ligji që rregullon këtë çështje, u ndalon pjesëtarëve të armatës dhe marinës që të angazhohen në vendosje të ligjit brenda territorit të SHBA-së, përveç në rastet kur autorizohen shprehimisht në Kushtetutën e SHBA-së, ose kur një autorizim të tillë ua jep Kongresi.
Me Kushtetutën e Kosovës, Forca e Sigurisë nuk angazhohet në kurrfarë vendosjeje të ligjit.
Dy ministrat, sipas draftit që e ka gazeta, memorandumin e bazojnë në nenin 145 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ky nen flet për vazhdimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që ka pasur Kosova deri në ditën e hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Si bazë për memorandumin janë shkruar edhe disa rregullore të UNMIK-ut.
Memorandumi parasheh edhe që Policia e Kosovës të ndihmojë FSK-në në ndërhyrjet në rastet e katastrofave humanitare.

(http://www.koha.net)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.