VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kalendar 12 maj ATSH
E Martë, 05.12.2009, 06:32am (GMT1)

1226 - U doreshkrua në manastirin e Shën Andreas afër Krujës, në atë kohë qendër e Principatës së Arbërit Kodiku "Vatikeanus Greaus" me numrin 103, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, një monument i rëndësishëm i kulturës sonë kombëtare.. Në këtë Kodik është përfshirë një epitaf metrik, kushtuar arkedhiakut të Arbanonit, Kostandin Meles. Po në të gjenden edhe disa epigrame të Dhimitrit të Arbërit, që dëshmojnë për historinë e kësaj principate dhe autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre.

     1913- Kryetari i Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës Ismail Qemali, me anë të një telegrami i kërkon Mbretit të Greqisë të ndërpritet sulmi i mëtejshëm i ushtrisë greke brenda tokës shqiptare.

     1922- Komisioni i Lidhjes së Kombeve bëri publik Informacionin Përfundimtar mbi Shqipërinë. Në të kundërshtohet ideja se shqiptarët për arsye të ndarjeve fetare nuk janë të aftë të udhëheqin një shtet modern. Ata, sipas informacionit, "bashkohen nga zakonet e përbashkëta, traditat shekullore, si dhe nga gjuha". Në informacion bëhet e qartë se "megjithëse ndryshimet në besimet fetare nganjëherë kanë ndikime në politikën e brendshme", manifestimet fanatike, aq të shpeshta në vendet e tjera, në Shqipëri janë shumë të rralla. Përkundrazi pjesëtarët e besimeve të ndryshme fetare shpesh të lidhur me lidhje gjaku, tradite, i festojnë së bashku festat fetare.

     1934 - Hyri në fuqi "Konventa tregtare e lidhur ndërmjet Shqipërisë dhe Republikës Çekosllovake".

     1938 - Shoqëria Jashtëshkollore e Durrësit dha për publikun dramën patriotike "Detyra e mëmës" e dramaturgut Foqion Postoli dhe "Gruaja shqiptare", një dramatizim sipas vargjeve të At Vinçens Prenushit. U vlerësua si sukses i veçantë i shfaqes loja e 10 vajzave durrësake që për atë kohë ishte një dukuri e jashtëzakonshme. Shtypi dhe kritika artistike vlerësuan gjithashtu kostumet dhe skenografinë e përgatitur nga Sokrat Mio.

     1940 - Në Pobërgje të Deçanit, u lind ekonomisti dhe gazetari kosovar Sari Hadërgjonaj. Profesionin e ekonomistit dhe të gazetarit e ka ushtruar në Sarajevë si korrespondent i gazetës "Rilindja" e Prishtinës, si redakor i emisioneve shqipe në Radiotelevizionin e Sarajevës dhe korrespondent i këtyre organeve në kryeqytetin e Kosovës. Qindra e mijëra shkrime që mbajnë autorësinë e tij janë botuar në faqet e shtypit shqiptar dhe të huaj, janë transmetuar nëpërmejt mikrofonit dhe ekranit të vogël. Sari Hadërgjonaj është shquar edhe në fushën e përkthimit. Shumë vepra letrare të autorëve shqiptarë i ka përkthyer e botuar në Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni, Kroaci dhe Slloveni, duke ndihmuar kështu dialogun artistik dhe shpirtëror midis popujve të Ballkanit.

     1955 - Vendi ynë aderoi në Konventën Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Genocidit, miratuar nga Ansambleja e Përgjithshme e OKB-së në dhjetor 1948.

     1997 - Në Pallatin e Kulturës në Tiranë, u përurua ekspozita me vepra arti të fëmijëve me aftësi të kufizuar. Ekspozita ishte një ndër veprimtaritë e organizuara me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes.

     1997 - Në San Peterburg të Rusisë u mbajt Konferenca Ndërkombëtare e Albanologes së shquar ruse Agnia Vasiljevskaja Desnickaja. Desnickaja ka qenë studiuese e thellë dhe e apasionuar e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Anëtare e Akademisë së Shkencave që në vitin 1964, ajo ka lënë studime me vlera të mëdha për gjuhën indoevropiane dhe veçanërisht për gjuhën tonë. Në vitin 1957 ajo themeloi degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Petërburgut. Nga 187 studime që kanë dalë nga pena e saj, 73 ia kushtoi gjuhës, letërsisë dhe folklorit shqiptar.

     1999 - Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi "Marrëveshjen e kredisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) për mbështetjen e shpenzimeve publike."

NGA BOTA:

         1809 - Sir Arthur Wellesley (i njohur më vonë si Duka i Wellingtonit) mundi Francën në Oporto, duke e detyruar  atë të heqë dorë nga Portugalia. 

     
1812 - Lindi poeti i 'gjepurave' dhe piktori i njohur anglez, Edward Lear. 

     1820 - Lindi në Itali, themeluesja e infermierisë moderne angleze Florense Naitingal. Ajo ushtroi profesionin e saj në Turqi dhe në Krime, gjatë Luftës së Krimesë. 

     1888 - Britania vendosi protektoratet mbi Borneun e Veriut dhe Brunein. 

     
1918 - Lindi Julius Rosenberg. Në vitin 1953 ai së bashku me bashkëshorten e tij, Ethel, ishin të parët civilë  amerikanë që u ekzekutuan për spiunazh në favor të Rusisë sovjetike duke i dhënë asaj sekretet e bombës atomike. 

     1926 - Arritën me aeroplan në Polin e Veriut  norvegjezi Roald Amudsen, italiani Umberto Nobile dhe amerikani Linkoln Elsuerth. 

     1937 - George VI u kurorëzua mbreti i Anglisë, në Westminster Abbey në Londër. Ceremonia e kurorëzimit të tij  u transmetua nga BBC në transmetimin e saj të parë të jashtëm. 

     1938 - Lindi Andrei Amalrik, historian, shkrimtar dhe disidenti politik sovjetik. Në vitin 1970, fitoi famë botërore me shkrimin e tij provokues, "A do të mbijetojë Bashkimi Sovjetik deri në vitin 1984?". 

     1943 - Të gjitha akset e organizuara të rezistencës në Tunizi përfunduan, dhe komandanti gjerman në Afrikën e  Veriut, gjenerali von Arnim, u dorëzua. 

     1949 - Vdiq aktori i filmit dhe një nga drejtuesit me të mëdhenj të ekranit, Erich von Stroheim. Ndër filmat e tij më të suksesshëm ishin "Vejusha e gëzuar" dhe "Marsi i martesës". 

     1969 - Britania uli moshën e pjesëmarrësve në votim nga 21 vjeç në 18.  

     1994 - Senati amerikan i kërkoi presidentit Klinton realizimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare për të  përfunduar embargon e armëve të Shteteve të Bashkuara ndaj myslimanëve boshnjakë. 

     1999 - Presidenti Rus, Boris Yeltsin shkarkoi kryeministrin Yevgeny Primakov dhe në vend të tij emëroi Sergei Stepashin. 

     2001 - Polonia dhe Irlanda nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për luftën kundër krimit të organizuar, që parashikonte shkëmbime informacionesh për organizatat mafioze dhe funksionimin e tyre. 

     2002 - Vdiq në  moshën 97 vjeçare në Tucson,në Arizona,Joseph Bonanno - bosi legjendar i mafias njujorkeze. Ai ishte arrestuar disa herë rradhazi, por pa u dënuar kurrë për aktivitetet e tij mafioze.  
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.