VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

HAPET DRITA JESHILE PËR SHEMBJEN E PIRAMIDËS
E Premte, 08.05.2011, 02:13pm (GMT1)

Tiranë, 5 gushti Kalimi i Piramidës në pronësi të Kuvendit të Shqipërisë i hap dritën jeshile shembjes së saj dhe ndërtimit në po të njëjtin vend të kompleksit të ri parlamentar.

Ligji që parashikon transferimin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës "Pjetër Arbnori" nga inventari i Ministrisë së Kulturës në pronësi të kuvendit pritet të hyjë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare, transmeton NOA.

Kjo pasi Presidenti i Republikës Bamir Topi nuk e ktheu mbrapsht ligjin, por e kaloi atë në heshtje duke i dhënë fuqi vepruese atij menjëherë pas botimit në fletoren zyrtare.

Me shumë gjasë ky ligj do të hyjë në fuqi para muajit shtator, çka i hap rrugën diskutimit të një tjetër projektligji që do të përcaktojë destinacionin e ndryshuar të sheshit dhe procedurat që do të ndiqen për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.

Debatet për prishjen e Piramidës kanë vazhduar gjatë pasi një grup shoqatash dhe personalitetesh, kanë depozituar në presidencë një peticion të firmosur nga 6100 qytetarë kundër prishjes së saj.

Ndërtimi i kompleksit të ri parlamentar është shpallur nga mazhoranca si një nga projektet më madhore të qeverisë në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

(http://www.koha.net)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.