VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Një mur tjetër duhet të shembim, Murin e Shengenit

Nga Jozefina TOPALLI


E Shtunë, 05.30.2009, 07:45am (GMT1)

Unë vij sot këtu, pasi pata fatin të jem në Samitin e Strasburgut, i cili ka hyrë në historinë e Shqipërisë si Samiti i ngjarjes më historike, pas pavarësisë së saj. Samiti, ku Shqipëria së bashku me Kroacinë u bënë anëtare me të drejta të plota të Aleancës së Lirisë. Për shqiptarët, Brukseli atë ditë, kur flamuri shqiptar u valvit krah flamujve të kombeve të lira, u bë qytet po aq i dashur sa Vlora, qyteti ku u ngrit flamuri i pavarësisë në vitin 1912.

 

Jam shumë e nderuar që ulem këtu bashkë me ju, si përfaqësuese e një kombi që vetëm 18 vjet më parë nuk i lejohej as të mendonte për NATO-n. Ndërsa sot, unë, sjell me vete lumturinë e të gjithë shqiptarëve, të cilëve ëndrra e NATO-s iu kthye në realitet. Faleminderit popujve dhe qeverive tuaja aleate, që e ushqyet dhe i dhatë jetë kësaj ëndrre!

Shqipëria është një komb që ka vuajtur nën dhunë e terror, ndaj edhe iu bashkangjit menjëherë vendeve të aleancës kundër terrorizmit. Ndërsa, edhe pse jemi një vend i vogël, misionet tona paqeruajtëse janë kudo.

 

Mbijetesa e shpirtit europian të shqiptarëve është me të vërtetë një mrekulli hyjnore. Kjo është një ndër arsyet thelbësore që Shqipëria u rendit si vendi i parë në ish-lindjen komuniste që kërkoi anëtarësimin në NATO.

Sali Berisha, sot kryeministër i vendit, nënshkroi në vitin 2009 anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, nënshkroi kërkesën për statusin e vendit kandidat, duke pasur me vete energjinë, ëndrrën, vokacionin e pashtershëm proeuropian të shqiptarëve, shpirtin e tyre të paqtë, kodin e tyre të lirisë.

Sot motoja e Shqipërisë është vazhdimësia e ndryshimit, që e bën atë, me kontributet e veta, pjesë të familjes së madhe europiane. Dhe një nga kontributet që shqiptarët sjellin me vete dhe i përcjellin Europës është një vlerë tjetër mjaft e çmuar që ata kanë trashëguar, një shembull i rrallë i harmonisë dhe tolerancës fetare, është respektimi i besimit të njëri-tjetrit dhe besimi në vlerat e mëdha të perëndimit.

Ju sot keni mes jush shpirtin energjik të kombit tim, keni mes jush shpirtin paqësor të shqiptarëve, keni mes jush Shqipërinë, vendin e shqiponjave, shpendit të lirë dhe krenar.

 

Në 18 vjet Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë në një kohë rekord.

Shqipëria, ky vend i vogël në Ballkan, cilësohet si zëri i moderimit në rajon.

Shqipëria, ky vend i vogël në Botë, në këtë kohë të krizës globale, vazhdon të ketë rritje pozitive ekonomike. Shqipëria është një vend që po vrapon me thyerje rekordesh, duke kapërcyer çdo vit vetveten.

 

Ju ftoj të vini në Shqipëri dhe të shihni transformimin e saj të madh!

Ju ftoj të shihni sesi është modernizuar infrastruktura, sesi është përfshirë ekonomia nga reforma të një revolucioni fiskal. Ne përgjysmuam taksat, aplikuam taksën e sheshtë 10 përqind, dyfishuam rrogat dhe pensionet, dyfishuam të ardhurat në buxhet dhe, falë luftës ndaj evazionit fiskal, të ardhurat janë rritur çdo vit me 22 përqind, duke sjellë çdo vit në Parlament një buxhet shtesë. Ne investuam 30 përqind të buxhetit në investime. Ne realizuam prokurimet elektronike, taksat elektronike, doganat elektronike. 2.7 milion turistë nga vendet e rajonit, Europës dhe mbarë botës, qytetarë nga vendet tuaja, erdhën në Shqipëri dhe shijuan erën e ndryshimit, shijuan sigurinë, shijuan qetësinë. Programi i qeverisë dhe mazhorancës së djathtë ishte një sukses i plotë përsa i përket luftës ndaj korrupsionit. Shqipëria, që ishte një ndër 24 vendet më të korruptuara, vitin e kaluar la pas 95 vende dhe vazhdon të përmirësohet. Shqipëria në katër vjet, si asnjë vend tjetër i Europës, ia doli të dyfishojë buxhetin. Në katër vjet, kemi mbledhur pothuaj 100 përqind më shumë se qeveria paraardhëse. Kjo ecje galopante përpara bëri që Banka Botërore, në raportin e saj të vitit 2008, për garën botërore të 108 vendeve për klimën e biznesit të vendoste Shqipërinë, e cila vetëm 18 vjet më parë ishte vendi i investimeve të huaja të ndaluara, në vendin e 12 në botë për garancinë e investimeve të huaja, për lehtësirat fiskale. Banka Botërore, nëpërmjet raportit të saj prestigjoz "Doing Business", e rreshtoi Shqipërinë ndër dhjetë ekonomitë më reformatore të botës, duke i dhënë asaj vendin e dytë për 4 nga 10 kategoritë e vlerësuara. Shqipëria ka sot barrën më të ulët fiskale në Europë. Kjo falë doktrinës së rritjes së investimeve, rritjes së pagave dhe pensioneve dhe uljes së taksave.

 

Por një mur tjetër duhet të shembim, së bashku me vendet mike. Murin e Shengenit. Ky është fokusi i politikës sonë të jashtme, kjo është ambicja jonë dhe unë kërkoj mbështetjen tuaj. E ndjej që edhe kësaj radhe ju do të na mbështesni, do të mbështesni një popull që u izolua tërësisht nga e gjithë bota për 50 vjet. Një popull që një të tretën e tij e ka sot jashtë kufijve të Shqipërisë.

Anëtarësimin në NATO ne kurrë nuk e kemi konsideruar si dhuratë. Ky anëtarësim është sa fryt i reformave dhe përpjekjeve të suksesshme të bëra në vitet e fundit, po aq edhe një kapitull i ri detyrimesh dhe sfidash.

 

Sfida kryesore që Shqipëria ka përpara janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Unë si Kryetare e Kuvendit, ndihem shumë mirë që për herë të parë shqiptarët do të shkojnë në këto zgjedhje me një infrastrukturë tërësisht të re dhe moderne. Për herë të parë ne kemi një kod të ri elektoral, të votuar me konsensus në Parlament, kemi institucione zgjedhore të miratuara po me konsensus që funksionojnë në përmbushje të gjithë detyrimeve ligjore, për herë të parë zgjedhësit shqiptarë kanë regjistrin e tyre elektronik dhe ajo që është më e rëndësishme, për herë të parë shqiptarët kanë kartat e tyre të identiteti, karta të një standardi nga më të lartët dhe më modernët në Europë, me tregues të fortë sigurie. Ju ftoj të vini dhe të monitoroni zgjedhjet në Shqipëri!

* Fjala e Kryetares së Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.