VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AKUZA TË RËNDA PËR TË AKUZUARIT E "MEDICUS"
E Mërkurë, 10.05.2011, 08:33am (GMT1)

Lutfi Dervishi, të martën, bashkë me të birin Arban Dervishin dhe kolegë të tij nga klinika "Medicus" janë paraqitur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku ka filluar gjykimi i tyre për vepra të ndryshme penale. Prokurori që përfaqëson organin e akuzës, kanadezi Jonathan Ratel ka lexuar aktakuzën prej pesë pikash kundër gjashtë mjekëve dhe një ekonomisti, mirëpo që të shtatë janë deklaruar të pafajshëm.

Në pikën e parë të aktakuzës prokurori e akuzon Lutfi Dervishin, Driton Jiltan dhe Sokol Hajdini për trafikim me qenie njerëzore në bashkëkryerje. Sipas aktakuzës në mes të janarit 2008 dhe 4 nëntorit ata kanë kryer vepër penale të trafikimit me njerëz duke marrë pjesë në heqjen e organeve njerëzore për transplantim te personat tjerë me qëllim të shfrytëzimit.

Në gjykimin e sotshëm, i akuzuari Lutfi Dervishi, tha se ka mbetur pa para. Nuk po mund t'i shlyej as borxhet që ka ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës. Për këtë arsye ka kërkuar që t'i lejohet ta rihapë klinikën "Medicus" në të cilën besohet se janë kryer 30 operacione të transplantimit të veshkave në mënyrë të paligjshme.

Fatura e tij e borxhit për klinikën "Medicus" që dokumenton se borxhi ndaj KEK-ut është 5. 300 euro i është dorëzuar nga avokati i Dervishit, Linn Slattengren edhe prokurorit special, Jonathan Ratel.

"Unë kërkoj që klinika "˜Medicus' të lëshohet në përdorim. Fatura e rrymës 5. 300 euro. Klienti im nuk është në gjendje ta paguaj rrymën", ka thënë Slattengren për urologun Lutfi Dervishi i cili ditën e parë të nisjes së gjykimit të martën, gjendjen ekonomike të tij e ka paraqitur si mesatare pasi që merr vetëm 1. 000 euro në muaj.

I biri i mjekut kryesor, Lutfi Dervishi, Arban Dervishi akuzohet se ka kryer veprën penale të trafikimit me njerëz duke kontribuar qenësisht në kryerjen e veprës duke përfshirë rekrutimin, transportin, transferimin dhe duke mbajtur të fshehur ose pranimin e personave me qëllim të shfrytëzimit.

Urologu Lutfi Dervishi, akuzohet për krim i organizuar në bashkëkryerje. Sipas prokurorit, Dervishi në mes të janarit 2006 dhe 4 nëntorit ka organizuar themeluar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar aktivitete e një grupi kriminal të organizuar së bashku me shtetasin turk dr. Yousuf Sonmez i njohur si "Dr Vampiri" dhe shtetasin tjetër izraelit, Moshe Harel ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë. Akuza për krim të organizuar rendojnë edhe mbi Arban Dervishin, Driton Jiltan dhe Sokol Hajdinin.

Lutfi Dervishi, Driton Jilta Sokol Hajdini, Sylejman Dulla dhe Islam Bytyqi, akuzohen për ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore nga 1 janari 2008 deri më 4 nëntor të atij viti duke kryer vepër penale të kryerjes së trajtimit mjekësor ose angazhimit në aktivitete tjera mjekësore për të cilat sipas ligjit kërkohet kualifikime specifike ose autorizim ligjor.

Për shpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimit akuzohet mjeku Driton Zhilltai cili në atë kohë punonte edhe në OSBE si mjek. Mjeku tjetër Ilir Rrecaj, akuzohet po ashtu se në cilësinë e sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë ka kryer vepër penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare ose autorizimit.

Mjekët kosovarë përfshirë dy shtetas të huaj, turkun Yousuf Sonmez dhe izraelitin Moshe Harel, akuzohen se si grupi kriminal i organizuar ka trafikuar persona në Kosovë për qëllim të marrjes së organeve njerëzore për transplantim tek persona të tjerë. Prokurori pretendon se rreth 20 persona te huaj janë rekrutuar me premtime të rreme për pagesa në vitin 2008.

Në seancën e parë të martën avokatët kanë dhënë arsye të ndryshme për ta shtyrë procesin. Avokati amerikan Linn Slattengren ka kërkuar nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Arkadiusz Sedek dhe anëtarët Dean Pineles e and Hamdi Ibrahimi që ta pezullojë procesin derisa Gjykata Kushtetuese e Kosovës të dalë me vendim lidhur me ligjshmërinë e vendimit të gjykatës për pranimin e provave materiale të mbledhura nga gjykata katër vjet më parë pa vendim të gjykatës. Por kjo kërkesë është kundërshtuar nga prokurori.

Mbrojtja ka akuzuar prokurorin Ratel se nuk po ua jep provat shfajësuese, siç janë kompjuterët, librin e protokollit dhe licencën. Këto akuza i ka mohuar ai duke u arsyetuar se libri i protokollit dhe licenca e punës nuk janë gjetur kurrë.

Trupi Gjykues ndërkohë nuk e ka aprovuar as kërkesën e avokatit Florin Vertopi për gjetjen e një salle për gjykim. Në fillim të seancës, Vertopi ka thënë se në sallën prej 100 metrash katror, pa karrige e tavolina dhe me temperaturë të lartë për shkak të shumë frymëve në të nuk do të mund të nxirret vendim i drejt.
(http://www.koha.net)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.