VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LajmeShqip: PTK-DARDAFON ARRIN NË GJYKATË
E Mërkurë, 10.12.2011, 12:05pm (GMT1)

Prishtinë- E Mërkurë, 12 Tetor 2011  Kur Portali LajmeShqip.com kishte publikuar ekskluzivisht 12 faqe të aktakuzës së ngritur ndaj kryeshefit të Postë-Telekomit Kosovar, Shyqeri Haxha, kryetarit të Bordit të drejtorëve të kësaj kompanie, Rexhë Gjonbalaj dhe pronarëve të kompanisë private "Devolli Group", më 8 qershor të këtij viti, për keqpërdorime të mëdha dhe shkelje ligjore, në bashkëveprim, kishin qenë të menjëherëshme reagimet nga Oda Ekonomine e Kosovës, Aleanca Kosovare e Biznesit etj.

Portali nuk kishte komentuar asgjë, por kishte raportuar për ngritjen e aktakuzës ndaj tyre dhe kishte publikuar 12 faqet e para të saj. Dhe ky raportim i portalit, po konfirmohet tani kur të akuzuarit pritet të dalin të enjten në gjykatë, për t'iu konfirmuar aktakuza.

Njëri nga skandalet më të mëdha ku janë të përfshirë zyrtarët e kompanisë kosovare publike PTK, e cila është nxjerr në shitje, do të përfundojë të enjten në Gjykatë.
Dy drejtuesit kryesorë të kësaj ndërmarrjeje, Shyqeri Haxha, kryeshef i PTK-së dhe Rexhë Gjonbalaj, kryetar i Bordit të drejtorëve, së bashku me pronarët e kompanisë "Devolli Group", Blerim Devolli, Shkelqim Devolli dhe përfaqësuesi ligjor i kësaj kompanie, Ismet Bojku do të paraqiten në seancën për konfirmimin e aktakuzës në Gjykatën e Prishtinës, nga një gjyqtar ndërkombëtar i EULEX-it, për akuza të ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Atyre pritet t'u lexohet akuza pesë muaj pas ngritjes së saj, nga dy prokurorë të EULEX-it, për lidhjen e kontratës që ka të bëjë me operatorin mobil virtual, e cila cilësohet si tejet e dëmshme për PTK-në.

Dy zyrtarët e PTK-së, Haxha e Gjonbalaj, akuzohen për vepra penale të lidhjes së kontratave të dëmshme, Shpërdorim të pozitës zyrtare dhe Keqpërdorim të Autorizimeve në Ekonomi.

Pronarët e Devolli Group, Blerim Devolli dhe Shkëlqim Devolli si dhe zyrtari i kësaj kompanie, Ismet Bojku, akuzohen për mashtrim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të besimit, falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe krim të organizuar.

Ata do të paraqiten në gjykatë katër ditë pas tërheqjes nga tenderi për privatizimin e PTK-së, të kompanisë kroate "Harvatski Telekom". Arsyeja e kësaj tërheqjeje, sipas zyrtarëve të saj, ka të bëjë po me këto akuza të ngritura nga prokurorë të EULEX-it. Ndërsa kryeshefi i PTK-së, Haxha, tërheqjen e kompanisë kroate dhe përmendjen e akuzave, i ka cilësuar si përpjekje për ta denigruar personalitetin e tij dhe për ta ulur vlerën e PTK-së.

Hetimet për këtë skandal të PTK-së kishin nisur në korrik të vitit të kaluar. Aktakuza ishte ngritur një vit më vonë.

Kryetari i Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj akuzohet se, më datën 20 tetor 2008, në takimin e Bordit të Drejtorëve të PTK-së, qëllimisht ka votuar në favor dhe pa rezervë që PTK-ja të lidhë marrëveshje me Dardafonin, me një ndarje të fitimit me PTK-në në vlerë prej 22 për qind. Rexhë Gjonbalaj ishte i vetëdijshëm se marrëveshja përfshinte një ndarje të papranueshme të fitimit prej 22 për qind dhe një mungesë e sigurisë së domosdoshme për PTK-në dhe ishte bazuar në propozimin për ndarjen e fitimit të cilën më parë Bordi e kishte refuzuar.

Gjonbalaj ishte forca kryesore në bord të PTK-së, që marrëveshja të aprovohej me këtë ndarje të papranueshme të fitimit dhe përmbajtjen e pasigurt.

Shyqeri Haxha, kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, akuzohet se e ka nënshkruar marrëveshjen finale më 16 janar 2009 ndërmjet PTK-së dhe Dardafon.net LLC, duke e ditur se kjo marrëveshje do t'i shkaktonte humbje PTK-së në vlerë të pallogaritshme, që do të tejkalonte 100.000.00 euro.

Portali LajmeShqip.com i kishte publikuar ekskluzivisht 12 faqet e para të aktakuzës në qershor, gjë që kishte bërë të reagojnë për ta sulmuar ashpër Portalin LajmeShqip.com nga Oda Ekonomike, AKB etj. Publikimi i parë i aktakuzës mund të lexohet këtu.

(http://www.lajmeshqip.com)

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.