VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PRESIDENTJA VESH KREACIONET E BLERINA KOLLOKOQI - RUGOVËS
E Mërkurë, 10.12.2011, 03:47pm (GMT1)

Nëse presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerësohet ose kritikohet për veshjen e saj, "fajtore" për këtë është Blerina Kllokoqi-Rugova. Emri i njohur në fushën e modës në Kosovë është konfirmuar si kreatorja personale e të parës së vendit. Kllokoqi-Rugova, gruaja e djalit të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, tash një muaj "ka kontratë" me gruan që u zgjodh presidente e vendit në prill të 2011-s. Ajo do t'ia besonte veshjen kreatores që thotë se është e vetmja që në Kosovë "eksploron" linjën unike të njohur si "haute couture".

Megjithëse kishte pasur rastin që edhe më herët të takohej me të parën e vendit, Kllokoqi - Rugova ka thënë se ka disa javë që zyrtarisht është emëruar kreatore e presidentes Jahjaga.

"Kam pasur nderin që të bashkëpunoj edhe më parë me Jahjagën. Ajo ka qenë e ftuar në disa prej revyve të mia dhe ka pëlqyer stilin që kam lansuar", ka thënë Kllokoqi - Rugova. Deri tani se kush qëndron prapa veshjeve të presidentes ka qenë fshehësi. Para një muaji edhe vetë KllokoqiRugova do të befasohej me vendimin Jahjagës.

"Në fillim kam qenë e habitur me lajmin, pasi që interesi për të veshur presidenten ka qenë dhe është i madh, por unë kam arritur të fitoj një përgjigje. Zgjedhja e saj është bazuar në dëshirën për t'u veshur në linjën "˜haute couture'. Dhe për këtë e vlerësoj shumë", ka thënë ajo.

Duke pasur mundësi ta njihte për së afërmi, Kllokoqi-Rugova thotë se nuk e ka të vështirë të punojë për gruan së cilës i vë epitetin "zonjë e hekurt".

"E vlerësoj lart përkushtimin e saj profesional dhe bashkëpunimin e ndërsjellë. Presidentja paraqet zonjën e hekurt, me një sens humori për t'u admiruar. Ajo është shumë e këndshme në komunikim dhe shumë e dashur me stafin", ka thënë Kllokoqi - Rugova, derisa ka shtuar se rezultatit final i kontribuon edhe mirëkuptimi i madh.

Por kreativiteti i disenjatores Kllokoqi - Rugova kufizohet kur është fjala për veshjet që ia "thur" presidentes. Ajo thotë se i përmbahet rregullit që përcakton stilin e veshjeve të personaliteteve publike.

"Ekziston një rregull e stilimit të veshjeve për personalitete publike në pozita lidershipi, në rastin e presidentes. Kjo karakterizohet me funde ose fustane nën gjunjë, linja elegante të veshjes dhe material të pangarkuar në përmbajtje. Dhe unë patjetër që e respektoj një rregull të tillë", ka shtuar Kllokoqi - Rugova.

Kreatorja po ashtu i "bindet" shijes së presidentes, duke kombinuar krijimet me preferencat e saj.

"Presidentja preferon tonet e errëta dhe ato pastel, pikë e rëndësishme e mirëkuptimit tonë profesional. Format janë zgjedhje e imponuar nga teknika e prerjes. Presidentja ka siluetë të përshtatshme për fustane, funde dhe sako, po ashtu fustane glamuri", ka shpjeguar Kllokoqi - Rugova, derisa ka shtuar se të gjitha këto i përshtaten agjendës së presidentes.

Kreatorja thotë se presidentja paraqet figurën unifikuese dhe mjaft popullore të një vendi, dhe ky fakt e bën të ndiejë kënaqësi të madhe që Jahjaga ia ka besuar veshjet.

Ani pse ka besim në punën e kreatores që ka përzgjedhur, Jahjaha ka edhe kërkesat e veta. Kllokoqi-Rugova thotë se nuk ka "përplasje" në ide dhe se nuk e ka vështirë të plotësojë kërkesat e Jahjagës për shkak se është e qetë dhe e prerë.

"Është shumë e interesuar për të njohur veshjen, teknikën e prerjes dhe efektin që krijon një veshje, theksin e veshjes, ndikimin e prerjes në qëndrim dhe siluetë", ka thënë Kllokoqi - Rugova.

Kur është fjala për vlerësimin e veshjes së presidentes, Kllokoqi - Rugova shprehet e rezervuar.

"Për këtë mund të komentojnë kritikët e modës", thotë ajo. "Por me aq sa kam kuptuar, paraqitja e saj në aspektin e veshmbathjes është vlerësuar lart dhe është komentuar gjatë dhe pozitivisht në të gjitha vizitat e saj në nivel ndërkombëtar".

(http://www.koha.net)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.