VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KADAREJA PRESIDENT, PROPOZIM I 21 INTELEKTUALËVE SHQIPTARË
E Premte, 10.14.2011, 04:21pm (GMT1)

Tiranë, 14 tetor - Pa u tharë akoma boja e stilografit me të cilin Brukseli firmosi mospranimin e Shqipërisë në BE dhe pa kaluar 48 orë nga dështimi i radhës i klasës politike shqiptare, një grup intelektualësh kanë dërguar propozimin e tyre në redaksinë e gazetës Sot, duke kërkuar zgjedhjen e Kadaresë në postin e presidentit të ardhshëm të Shqipërisë. Natyrisht, ata e kërkojnë realizimin e këtij propozimi, nëpërmjet negociatave që politikanët e sotëm duhet të bëjnë me shkrimtarin e madh shqiptar, për t'i mbushur më parë mendjen këtij të fundit që të pranojë pozicionin e ri politik.

Nga ana tjetër, këtë propozim 21 intelektualët ia kërkojnë Kadaresë në formën e një sakrifice, pasi atij do t'i duhet të braktisë përditshmërinë e qetësisë së tij, për t'u futur në ingranazhet tinzare të politikës, e cila ka shkatërruar shumë fate individësh. Pasi kemi kaluar 21 vjet në pritje të dritës jeshile, ne jemi të bindur më në fund se në Shqipëri nuk ekzistojnë forca reale që mund të marrin mbi shpatullat e tyre zgjidhjen e krizës, prandaj mendojmë që drejtimi i shtetit të kalojë në dorën e një patrioti të njohur dhe një specialisti të letërsisë, i cili ka bërë për vete një pjesë të madhe të njerëzimit", thuhet midis të tjerave në këtë letër. Natyrisht ndjehet qartazi se guximi me të cilin është firmosur ky dokumentar në radhë të parë mbart brenda paragrafëve të tij dhimbjet tepër të mëdha për mungesën aktuale të një çengeli të shpresës, ku secili prej shqiptarëve mund të varë qetësisht alternativat e të ardhmes. "Në këtë mënyrë, 21 vjet pas vendosjes së pluralizmit, ne jemi akoma më pesimist se sa ishim në vitin 1990 për të ardhmen tonë të përbashkët dhe për alternativat personale të fëmijëve tanë, në të ardhmen", vijohet të thuhet në këtë letër.

Letërshkruesit e kanë parasysh se realizimi i dëshirës së tyre mund të përbëjë një mision të pamundur, jo vetëm për shkak të konfuzionit që është krijuar në politikën e sotme amorfe, por edhe për shkak të refuzimit që mund t'i bëjë vetë Kadareja një propozimi të tillë. Për këtë arsye ata i bëjnë edhe një lutje direkte shkrimtarit që të pranojë pa kushte propozimin e tyre, me bindjen absolute se vetëm ai mund t'i përhapë Shqipërisë një vizion të ri nëpër botë.

Gjithmonë në debatet për Kadarenë, figura e tij është përballur me atë të Vacllav Havelit, duke mos iu qasur dot plotësisht krahasimit. "Kadareja nuk mund të jetë si Haveli, sepse atij i mungojnë vuajtjet e diktaturës", thonë shpesh kundërshtuesit e Kadaresë. Një akuzë tjetër që i bëhet Kadaresë ka të bëjë me një pjesë të krijimtarisë së tij, e cila, sipas tyre, në vend që të shërbente si një radioskopi e krimit komunist, ka shërbyer si butafori për të mashtruar bashkëkohësit dhe për të dhënë një aparencë të zbutur të diktaturës. Me pak fjalë, akuza ka të bëjë me faktin se vepra e Kadaresë duartroket barbarinë e komunizmit, në vend që të shfaqej si një kartotekë e kësaj barbarie. Në këtë kontekst, mund të shtohet edhe më shumë se kaq, duke thënë se Haveli thotë që "në një miting diktatura mund të detyrojë të shkosh me dhunë, por nuk mund të detyrojë të duartrokasësh me pasion aq të madh". Pra, duartrokitjet e një pjese të krijimtarisë së Kadaresë bien ndesh me kundërshtimet e hapura të Havelit, ku njëri ka zgjedhur menynë e darkave qeveritare si ushqim shpirtëror, ndërsa tjetri racionin e supës së burgut.

Sidoqoftë, Kadaresë nuk i ka interesuar ndonjëherë të krahasohet apo të bëhet i barasvlefshëm me dikë tjetër, qoftë ai disident, apo njeri i përkëdhelur i diktaturave. E vetmja gjë që ka synuar shkrimtari ynë në konkursin e krahasimeve ka qenë diferenca e vlerave letrare dhe artistike në krijimtari. Dhe këtë kusht Kadare e tejkalon më së miri duke sqaruar se "shkrimtari nuk mund të japë llogari para askujt, madje as para popullit apo zgjedhësve, sepse ai nuk zgjidhet nga askush. Detyrimi kryesor dhe i vetëm i një shkrimtari është detyrimi përpara artit të të shkruarit, ku secili merr vlerësimin apo refuzimin individual të lexuesve botërorë".

Pavarësisht nga kundërshtuesit e shumtë, kontributi i Kadaresë në periudhat e traumave kombëtare ka qenë i dukshëm. Duke nisur që nga edukimi që ai i ka bërë brezave të rinj me shije profesioniste letrare e deri tek i arratisjes së tij, në vitin 90-të, duke i dhënë kështu një goditje përfundimtare sistemit të kaluar. Natyrisht, pa llogaritur këtu pagjumësinë e tij në ditët dhe netët e Rambujesë, ku aktiviteti i lëvizjeve të tij u dhjetëfishua. "Kur një njeri i mirë kërkon të ndahet prej nesh, si mund ta mbajmë? I thoni përse është i dobishëm dhe kjo do ta mbajë". Këto vargje janë shkëputur nga krijimtaria e Bertold Brehtit, por në rastin e Kadaresë kjo mund të lexohet kështu: Nëse një njeri i mençur nuk pranon të vihet të në krye të politikës, si mund t'ia bëjmë? I thoni se kjo mund të shpëtojë kombin nga një pjesë e marrëzive politike dhe kjo do ta bindë atë.

Redaksia e gazetës "Sot" nuk i ka publikuar emrat e 21 intelektualëve të Tiranës që e propozojnë Kadarenë për president shqiptar.

(http://www.koha.net)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.