VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KOSOVA E VITEVE '50 NË TRIDHJETË FOTOGRAFI EKSKLUZIVE
E Martë, 10.18.2011, 08:01am (GMT1)

Fotolegjenda: (E dyta nga e majta) Judith Robinson, e veja e Neil Robinsonit, ka kthyer fotografitë në vendin ku u realizuan gjysmë shekulli më parë

Fiks pesëdhjetë e pesë vjet më parë, një grup i studentësh të Universitetit Cambridge, kishin eksploruar malet e Deçanit. Shënjestër e këtij grupi studentësh të botanikës ishin malet e lulet, por kureshtja i kishte sfiduar të njiheshin me njerëzit e vendit që vizitonin sefte. Ekspedita katërjavëshe e studentëve nga Anglia do të dokumentohej nga Neil Robinson, i cili kishte marrë përsipër të fotografonte vendet nëpër të cilat kishin shkelur. Me fotografitë që kishte realizuar me aparatin fotografik të tipit "Kodak", Robinson do të merrte me vete një copë kulture nga Kosova. Fotografitë që pasqyrojnë mënyrën e jetesës së kosovarëve në zonën e Dukagjinit, me dekada do të qëndronin të mbyllura në dollapin e tij. Njerëz me veshje kombëtare tek punojnë në fusha, shtëpi të asaj kohe dhe shumë më shumë janë disa nga imazhet që sjellin fotografitë. Për më shumë se një gjysmë shekull ato nuk janë parë në publik. Deri të shtunën mbrëma, kur janë ekspozuar në Muzeun Etnologjik të Prishtinës.

Judith Robinson, e veja e Neil Robinsonit, është ajo që ka marrë iniciativën që fotografitë t'i kthejë në vendin që u takon.

Në një bisedë për "Kohën Ditore" ajo ka shpalosur kujtimet e bashkëshortit të ndjerë nga udhëtimi që do të zinte vend të rëndësishëm në jetën e tij.

"Ai nuk dinte asgjë për Kosovën para se të vinte këtu, por njerëzit i kanë lënë shumë përshtypje dhe gjithmonë i ka ruajtur me kujdes fotografitë, sepse e ka ditur që janë të rëndësishme dhe të vlefshme", ka rrëfyer Robinson.

Sipas saj, ekspedita e studentëve britanikë në Kosovë, atëkohë kishte ndodhur rastësisht.

"Në fillim ata kanë dashur të shkojnë në Maqedoni, por një profesor nga Shkupi u ka treguar se ajo pjesë ku kanë dashur të shkojnë ka qenë e studiuar. Por ai e ka ditur që ka male në Kosovë që nuk janë eksploruar dhe u ka thënë se do të ishte mirë të shkonin në Deçan", ka shpjeguar ajo.

Robinson kujton se bashkëshorti i saj shpeshherë i nxirrte nga sirtari fotografitë e realizuara në Kosovë, por sa ishte gjallë nuk gjeti rast që t'ua dhurojë njerëzve që u takojnë.

"Ai vdiq në vitin 2008 kur edhe u shpall Pavarësia e Kosovës. Fatkeqësisht nuk ka pasur mundësi të kontaktojë me dikë para se të vdiste, sepse nuk ka pasur ide se këtu është edhe Muzeu Etnologjik", ka thënë ajo.

Judith Robinson është ajo që ka marrë iniciativë të sjellë fotografitë në Kosovë, pasi rastësisht kishte dëgjuar në radio të përmendej Muzeu Etnologjik i Kosovës.

"Në një intervistë të Elizabeth Gowing për BBC-në, ajo e përmendi Muzeun Etnologjik në Prishtinë dhe mendova se ky është vendi ku duhet të jenë fotografitë", ka thënë Robinson, e cila nëpërmjet Gowing ka kontaktuar me muzeun.

Gjatë vizitës në Kosovë, ajo ka "shkelur" nëpër vendet ku kishte shëtitur bashkëshorti i saj.

Mbi tridhjetë fotografi të cilat pasqyrojnë jetën e kosovarëve dhe të tjerat që Neil Robinson u ka bërë maleve në Kosovë, e veja e tij, ia ka dorëzuar Muzeut Etnologjik të Kosovës.

"Fotografitë nuk do t'i marr me vete. Mendoj se ato do të ekspozohen në muzetë tjerë në Kosovë, por do t'i takojnë Prishtinës. Është dhuratë imja e po ashtu dëshirë e bashkëshortit tim", ka thënë ajo.

Duke shprehur bindjen se këto fotografi do të zgjojnë kureshtjen e kosovarëve, ajo ka dhënë një porosi. "Këto i takojnë trashëgimisë suaj dhe duhet t'i çmoni".

Me rastin e hapjes së ekspozitës në Muzeun e Kosovës, i pranishëm ishte edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, i cili është shprehur i kënaqur që fotografitë e Neil Robinsonit janë kthyer në Kosovë.

"Mendoj se Muzeu Etnografik është një vend i shkëlqyer për të mbajtur një ekspozitë, sepse tregon shumë për njerëzit e Kosovës", ka thënë Cliff.

Valon Shkodra, etnolog në Muzeun Etnologjik, po ashtu është shprehur i kënaqur me iniciativën e Judith Robinsonit.

"Këto fotografi do ta pasurojnë edhe më shumë Muzeun Etnologjik dhe mendoj se me këso bashkëpunime mund të arrijmë më shumë", ka thënë ai.



Foto1. "Gruaja shqiptare", Neil Robinson, 1956

 



Foto2. "Vajzat duke shitur qershi", Neil Robinson, 1956

(http://www.koha.net)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.