VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BOTOHET VEPRA "STUDIME PËR ETIMOLOGJI DHE FJALËFORMIM SHQIP" E NORBERT JOKLIT
E Martë, 10.18.2011, 05:57pm (GMT1)

Prishtinë, 18 tetor 2011 (Kosovapress)

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka sjellë në shqip dhe gjermanisht vëllimin e parë nga vepra e gjerë e albanologjike e Norbert Joklit "Studime për etimologji dhe fjalëformimi shqip", në të cilën Jokli ka inauguruar vështrimin etimologjik që merrte parasysh tersin e zhvillimit të leksikut të shqipes.

Me ketë rast, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Besim Bokshi ka thënë se kjo vepër dhe përkthimet e tjera që janë botuar nga Akademia, ofrojnë ndihmë studiuesve tanë të ri të shqipes, duke sjellë të përmbledhura trajtesat e albanologëve të publikuara nëpër revistat e kohës.

Bokshi: Jokli kohën më të madhe ia fali trajtimit të çështjes së shqipes
(Video)
"Sot botimi dhe promovimi i këtij libri shqip e gjermanisht, në 100 vjetorin e publikimit të parë në gjuhën gjermane, kërkon një solemnitet me të cilin edhe koha jonë i shpreh mirënjohje Norbert Joklit, që pjesën më të madhe të kohës së tij shkencore ia fali trajtimit të gjithanshëm të çështjes së shqipes, e që la në trashëgim gjithë atë lartësi të trajtimit shkencor të gjuhës sonë. Kjo mirënjohje do të fuqizohet me botimin e gjithë veprës së tij për shqipen", ka thënë Bokshi.

Ai shtoi se vrasja e Joklit nga nazistët në vitin 1942, ishte një fatkeqësi e rënd për studimet albanologjike, e bashkë me të edhe fatkeqësia e humbjes së fjalorit etimologji të tij të shqipes, për të cilën si shënon Çabej ai punoi tërë jetën me zell.

Ndërsa sipas akademik Rexhep Ismaili bota shqiptare ka bërë përpjekje për respektimin e figurës dhe veprës së Joklit, ku në organet shkencore janë botuar studime të veçanta edhe nga dorëshkrimet.

Ismaili: Në këtë vepër kishte privilegjuar etimologjinë dhe historinë e fjalës
(Video)
"Vepra e parë e madhe e Joklit ishte kjo që po botojmë tani "˜Studime për etimologjinë dhe fjalëformimi shqip'. Në këtë ai kishte inauguruar vështrimin etimologjik që merrte parasysh tërsin e zhvillimit të leksikut, kishte privilegjuar etimologjinë dhe historinë e fjalës, por burimin etimologjik synonte ta mbështeste me një pamje sa më të plot të saj të formimeve të historisë së fjalës në të gjitha zhvillimet. Çabej, sprova të tilla nuk ngurronte t'i quante një lloj traktati monografik për fjalët", ka thënë Ismaili.

Botimin e kësaj vepre pas një shekulli, akademik Kolgec Topalli e cilësoi si një punë me vlera të mëdha.

Topalli: Jokli nuk ishte më shumë se 34 vjeç kur shkroi këtë vepër
(Video)
"Megjithëse Jokli nuk ishte më shumë se 34 vjeç kur shkroi këtë vepër, për objektin e saj, gjerësinë e trajtimit të materialit dhe metodën me të cilën punoi ajo qëndron përkrah veprave tjera të më vonshme, duke e paraqitur atë që në fillimet e tij, me pjekurinë, thellësinë dhe maturin e një shkencëtari të mirëfilltë", ka thënë Topalli.

Ndryshe, vepra "Studime për etimologji dhe fjalëformimi shqip", për herë të parë është botuar në vitin 1911./L.Gashi/

(http://www.kosovapress.com)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.