VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MBUSHEN TETË VJET NGA LUMTURIMI I NËNË TEREZËS
E Mërkurë, 10.19.2011, 10:12am (GMT1)

Prishtinë, 19 tetor 2011 (Kosovapress)

Sot shënohen tetë vjet nga Lumturimi i humanistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza. Nënë Tereza, u shpall e lumturuar 8 vjet më parë , më 19 tetor 2003 nga Papa Gjon Pali II, si simbol i ndihmës për më të varfrit, të cilëve ajo iu kushtoi jetën.

Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel në vitin 1979, ajo deklaroi: "Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri".

Nënë Tereza u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit. Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.

Ajo ndërroi jetë në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeçe, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Ajo prehet në selinë e Urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta. Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës.

(http://www.kosovapress.com)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.