VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

"Koha ditore": BARRIKADAT MBESIN, SERBËT E VERIUT KËRKOJNË UNMIK DHE USHTRINË SERBE
E Mërkurë, 10.19.2011, 04:37pm (GMT1)

Mitrovicë, 19 tetor - Përfaqësuesit e komunave paralele në veri të Kosovës, kanë deklaruar se kanë autorizuar kryetarët e tyre që me KFOR-in të gjejnë zgjidhje për furnizimin e trupave ndërkombëtare në veri. Ata po ashtu kërkojnë që në veri të mos zbatohen marrëveshjet e arritura në dialogun Prishtinë-Beograd, si dhe revokojmë vendosjen e misionit të EULEX-it. Ata kërkojnë misionin e UNMIK-ut e madje edhe ushtrinë serbe, raporton Telegrafi.

Këto përfundime u miratuan nga këshilltarët e komunave paralele, pas tri orësh të debatit, ndërsa pas takimit është kërkuar që në pikat kufitare të kthehet gjendja që ishte para 25 korrikut. Kur është fjala te incidenti i 27 shtatorit, kur serbët sulmojnë ushtarët e KFOR-it, ata kanë kërkuar që "të formohet një Komision i pavarur nën patronazhin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së".

Kuvendi i komunave paralele është kundër marrëveshjeve të arritura në dialogun mes Prishtinës e Beogradit, sepse thonë se "është kundër interesave të popullit serb".

"Kërkojmë që negociatat dhe dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës të kthehet nën patronazhin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Për shkak të anshmërisë dhe mosrespektimit të mandatit të rënë dakord, kërkojmë që shteti i Serbisë të revokojë shtrirjen e EULEX-it në territorin e Kosovës", thuhet në konkluzionet e takimit, ku kërkohet po ashtu që të riaktivizohet misioni i UNMIK-ut.

Përfaqësuesit e komunave paralele kërkojnë madje që "shteti serb dhe KS i OKB-së të sigurojë kthimin e forcave ushtarake serbe dhe vendosjen e tyre fillestare në veri të Kosovës".

Barrikadat pra vazhdojnë të mbesin. Kryetari i komunës paralele të Zubin-Potokut, Stevan Bozhoviq, u ka thënë gazetarëve se konkluzionet nuk do të thonë se hiqen barrikadat, por se do të lejohet disi furnizimi i KFOR-it.

"Autorizojmë kryetarët e komunave që të gjejnë mënyrën se si ushtarët me kohë të furnizohen me mjetet e nevojshme", ka thënë ai, transmeton "Tanjug".

Sipas tij, kalimi i ushtarëve do të kontrollohet nga qytetarët. Ndërsa, si zgjidhje mund të jetë kalimi i kontrolluar në një kohë të caktuar dhe numër të caktuar të ushtarëve të KFOR-it.

Ndërsa, kryetari i komunës paralele të Zveçanit, Dobrosav Dobriq, ka thënë se barrikadat do t'i largojnë, atëherë kur "KFOR-i i kthen zyrtarët e Kosovës, ashtu siç i ka sjell".

(http://www.koha.net)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.