VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SAMITI I PEJËS I FORCAVE TË ARMATOSURA FORCON BASHKËPUNIMIN DHE SIGURINË RAJONALE
E Shtunë, 11.05.2011, 09:19am (GMT1)

Pjesëmarrësit në konferencë...

Valona Tela

Konferenca e ministrave rajonalë të mbrojtjes është kurorëzuar me një deklaratë të përbashkët. Ngjarja, e organizuar nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, është zhvilluar në Pejë, ndërsa nikoqiri i saj, ministri i FSK-së, Agim Çeku, ka lexuar pjesë të deklaratës:

"Ne, ministrat e Mbrojtjes dhe përfaqësuesit e Republikës së Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Sllovenisë dhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës u takuam sot në Pejë, për të afirmuar qëllimet tona, për të rritur bashkëpunimin në nivel bilateral, rajonal dhe euroatlantik, në fushën e sigurisë, si dhe në fushën e përgjigjes ndaj emergjencave civile".

Sipas Çekut, rritja e efikasitetit në këto fusha mund të arrihet vetëm me koordinimin e kapaciteteve:

"Duke bashkëpunuar në këtë mënyrë, në rajon do të arrihet një transparencë më e madhe në planifikim dhe pjesëmarrësit do t'iu përgjigjen në mënyrë më efikase emergjencave civile".

Duke lexuar pjesë të deklaratës, kreu i FSK-së bëri të ditur se ministrat e rajonit janë zotuar se do të realizojnë një stërvitje të përbashkët rajonale, në reagim ndaj emergjencave civile.

Në konferencën e parë të këtij lloji, e cila nga disa të pranishëm është cilësuar edhe si historike, nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Serbisë dhe të Bosnjës.

Por, Çeku tha se edhe këto dy vende të rajonit mund të bëhen pjesë e deklaratës në fjalë, po qe se duan të angazhohen për bashkëpunim.

"Serbia e Bosnja janë të mirëseardhura që t'iu bashkëngjiten përpjekjeve tona për bashkëpunim bilateral, edhe rajonal, edhe euroatlantik në dy fusha - në fushën e sigurisë dhe në fushën e emergjencave civile".

Derisa ministrat rajonalë të Mbrojtjes dhe përfaqësues të NATO-s - po ashtu pjesëmarrës në konferencë - kanë diskutuar për paqen dhe sigurinë në rajon, forcat paqeruajtëse të Aleancës Veriatlantike kanë vazhduar edhe sot të përballen me sfidën e rikthimit të lirisë së lëvizjes në veri.

Kjo pjesë e vendit, prej javësh, është barrikaduar nga ana e serbëve lokalë, si reagim ndaj dërgimit të doganierëve dhe policëve kosovarë në vendkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, përkatësisht në Jarinë dhe në Bërnjak.

Përfaqësuesi i komandës ushtarake të SHBA-së për Evropë, admirali Mark Montgomeri, ritheksoi qëndrimin ndërkombëtar se vetëm dialogu mund të zgjidhë situatën e krijuar.

"...komunikimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është zgjidhje afatgjate për strukturat paralele dhe bllokadat rrugore", ka thënë ai.

Në konferencën e së premtes ka marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, si dhe shefi i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi.

Dy liderët shtetërorë kanë kërkuar forcimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit në mes të shteteve të rajonit, në funksion të paqes.

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.