VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KRYEMINISTRI BERISHA: HUMBJA E HAVELIT ËSHTË VËRTE E MADHE, POR SHUMË HERË MË E MADHE TRASHËGIMIA E TIJ
E Shtunë, 12.24.2011, 10:02am (GMT1)

Kryeministri Berisha: Humbja e Havel është vërtet e madhe, por shumë herë më madhe është trashëgimia që ai lë për të gjithë njerëzit që duan dhe besojnë në lirinë dhe vlerat e saj

Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e funeralit shtetëror në nderim të ish Presidentit çek Vaclav Havel, që u zhvillua në katedralen St. Vitus, në Kështjellën e Pragës. Të pranishëm në këtë funeral shtetëror ishin zyrtarë të lartë botërorë, kryetarë shtetesh si dhe përfaqësues të tjerë të njohur të politikës dhe të fushave të tjera.

Duke e cilësuar ish presidentin Havel si disidentin kryesor të botës intelektuale në ish vendet komuniste, një nga cekët dhe evropianët më të shquar të të gjitha kohërave por edhe një personalitet të vërtetë botërorë, në një prononcim të dhënë për Televizionin Publik Shqiptar kryeministri Berisha shprehet:

"Sot, Vaclav Havel, u përcoll për në banesën e fundit në mënyrën më dinjitoze, me një ceremoni ndër më përfaqësueset që është zhvilluar ndonjëherë. Kjo, sepse Vaclav Havel , ishte një nga çekët më të shquar të të gjitha kohërave, por ishte dhe një nga europianët më të shquar të të gjitha kohërave dhe një personalitet i vërtetë botëror. Presidenti Havel përfaqëson intelektualin simbol, disident, i cili pasi çliroi veten e vet dhe e vendosi për disidencë, udhëhoqi disidencën çekosllovake të asaj kohe dhe u bë një nxitës, inkurajues i madh për inteligjencën e vendeve ish-komuniste, për të dalë nga konformizmi.

Presidenti Havel, do të thosha se është, disidenti kryesor i botës intelektuale në vendet ish komuniste, që së bashku me Andrei Sakharov, nuk u larguan nga vendet e tyre, por ndanë fatin me qytetarët, ndanë persekutimin, burgjet dhe privacionet e mëdha me qytetarët e tyre.

E tërë vepra e tij letrare është një vepër, e cila fund e krye drejtohet kundër sistemit totalitar, por pas rënies së murit të Berlinit, presidenti Vaclav Havel, intelektuali Vaclav Havel, do të vijë në krye të lëvizjes së kombit të tij dhe në një hark kohor të shkurtër tre javor, do të realizonte me atë që u quajt "Revolucioni i Kadifenjtë" përmbysjen paqësore të regjimit komunist në Çekosllovaki dhe vendosjen e sistemit të ri.

Vaclav Havel do të zgjidhet president i Çekosllovakisë demokratike dhe do shpallte si moto të tij, se e vërteta dhe dashuria do të dominojnë, do të mbizotërojnë mbi urrejtjen dhe gënjeshtrën, duke sintetizuar në këtë mënyrë thelbin e filozofisë së tij. Havel u bë frymëzues për të gjithë inteligjencën e vendeve të tjera komuniste. Me një përpjekje të fuqishme, për të përmbysur në mënyrë paqësore diktaturat komuniste. Për ne, ai ishte simboli dhe frymëzuesi kryesor në mbarë Europën. Si president i Çekosllovakisë dhe më pas si president i Çekisë, mbajti parasysh gjithnjë të vërtetën dashurinë, me të cilat ai çoi përpara vendin e tij.

Shqiptarët kanë humbur një nga miqtë me të mëdhenj të kohërave. Presidenti Vaclav Havel është autor i shumë veprave , i shumë shkrimeve, por në memorien time dhe të të gjithë shqiptarëve shkrimi i tij se, "Unë jam shqiptar", në një kohë kur barbaritë serbe, po spastronin Kosovën nga banorët shqiptarë mijëra vjeçare të atij vendi, presidenti Havel u ndie shqiptar dhe mbështeti fuqishëm çlirimin e Kosovës. Humbja është vërtet e madhe, por shumë herë më madhe është trashëgimia që ai lë, për kombin e tij dhe për të gjithë njerëzit që duan dhe besojnë në lirinë dhe vlerat e saj.

Bota gjithnjë ka nevojë të inspirohet nga personalitete si Vaclav Havel. Gjithnjë ka nevojë që dashuria dhe e vërteta të mbizotërojnë mbi gënjeshtrën dhe urrejtjen. Bota gjithnjë ka nevojë, që pushteti, qeveria, të bëjë gjithçka për të ruajtur zemrën e dhimbsur, fytyrën njerëzore, si detyrimi më madhor i saj për të çuar përpara një shoqëri".

Ish Presidenti çek Havel u nda nga jeta pak ditë më parë, në moshën 75-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Vaclav Havel ishte Presidenti i parë dhe i vetëm post-komunist i Republikës Federative të Çekosllovakisë (1989- 1992) dhe Presidenti i parë i Republikës së Çekisë (1993 2003). Ish-dramaturgu i njohur Havel është konsideruar si një prej disidentëve më të fortë anti-komunist në ish-bllokun lindor.


23/12/2011

(http://www.keshilliministrave.al)

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.