VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

HORLLËKU I ENVER HOXHËS, BURRËRIA E BAHRI OMARIT DHE MISTERE TË TJERA SHPALOSUR NGA ARKIVAT

(Marrë nga libri "Enver Hoxha" i Blendi Fevziut)


E Enjte, 12.29.2011, 12:05pm (GMT1)

Zbulohet letër-këmbimi i Enverit me Musine Kokalarin

Misteri i marrëdhënieve të Enver Hoxhës me njërën prej vajzave më të emancipuara në Shqipëri luhatet nga letrat dashamirëse të viteve '30, tek ekzekutimi i vëllezërve dhe burgosja e saj për 18 vjet. Kërkesës së të huajve për ta liruar, Hoxha iu përgjigj: Gjallë ende është rrospia? Musine Kokalari kaloi vitet e fundit si fshesare në Rrëshen e u përcoll në varreza vetëm nga dy varrmihësit

Mbasditen e 28 nëntorit 1944, kur parada entuziaste mbaroi, Qeveria e re e nisi punën me një gjest jo të zakonshëm për regjimin komunist: organizoi një ballo në hotel "Dajti", në mjediset e të cilit qenë vendosur anëtarët e Qeverisë. Enver Hoxha qëndronte në suitën nr. 5, në katin e dytë: suita më e madhe e Hotelit, me një dhomë ndenjje, dhomën e gjumit dhe një tarracë që binte mbi bulevard. Në tarracë qëndronte natë e ditë një rojë, partizan i Batalionit Special. Në ballo, kreu i Qeverisë u paraqit për herë të parë publikisht me të fejuarën e tij. Vajzë e re nga një familje dibrane e ardhur në Tiranë nga Manastiri - sot qytet në Maqedoni - në vitin 1928, quhej Nexhmije Xhuglini dhe ishte shkolluar në institutin mbretëror "Nëna Mbretëreshë", institucioni mësimor femëror më prestigjioz në vend. Enver Hoxha dhe Nexhmije Xhuglini qenë njohur më 23 nëntor 1941, vetëm dy javë pas themelimit të PKSh, në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste. Në kujtimet e saj Nexhmije Hoxha shkruan se e ka parë Hoxhën nga larg që në demonstratën e 28 tetorit 1941 në qendër të Tiranës:

"Aty pashë një burrë trupmadh, që dallonte një kokë mbi të rinjtë që e rrethonin, të shkëpuste me forcë një të ri nga duart e një milici. Cili qe vallë? Pranë meje u ndodh Meli Dishnica, e motra e Esat Dishnicës, e cila nuk linte demonstratë pa marrë pjesë. E pyeta: Kush është ai? Më tha se ishte një profesor nga Korça, që e kanë pushuar nga puna dhe tani ka ardhur në Tiranë, shet cigare në një lokal këtu afër. Si e quajnë? e pyeta. E quajnë Enver Hoxha, më tha".

Njohja me Nexhmijen

Enver Hoxha duket se nuk e ka fshehur simpatinë për militanten e re komuniste që nga takimi i tyre i parë dhe në ato të mëpasme nëpër bazat ilegale të Tiranës: simpati që vajzës së re i kishte rënë në sy mjaft mirë. 57 vjet më pas Nexhmije Hoxha përshkroi në kujtimet e veta atë ditë të vitit 1942 kur, në një bazë ilegale pranë Gjimnazit të Tiranës (gjimnazi i sotëm "Qemal Stafa"), Enver Hoxha i propozoi martesën. Baza ku strehoheshin vetëm të dy ishte marrë me qera për Hoxhën nga miku i tij i afërt, Syrja Selfo. Ky i fundit u bë mbështetësi më i madh financiar i Hoxhës dhe i familjes së tij gjatë Luftës, me sa dëshmon vetë Hoxha në kujtimet:

"Syrjain e kisha shok të mirë, me të cilin bisedoja shpesh dhe më kishte kuptuar. Ai komunist nuk ishte, por ishte patriot, antiitalian, antifashist. Mua veçanërisht më donte sinqerisht dhe unë po ashtu. Syrjai e ndihmoi Luftën sa mundi. Dy shtëpi që zuri me qira na i vuri në dispozicion të punës sonë ilegale. Jepte ndihma në të holla për Luftën tonë dhe mua personalisht gjatë Luftës më ka ndihmuar shumë, po ashtu familjen time kur dola në ilegalitet".

Pikërisht ky mik i tiji, Syrja Selfo, në vitin 1946 do të arrestohej për "komplot kundër pushtetit popullor" dhe do të dënohej me pushkatim. Në kujtimet e tij, në librin "Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re", Enver Hoxha sqaron se pushkatimi i Selfos qenkësh një intrigë e kurdisur nga Koçi Xoxe dhe se ai e paskësh dhënë urdhrin për ekzekutim, pasi ky i fundit i paskësh dëftuar deponimin e Selfos me firmën e tij. Për fatin tragjik, Selfo kishte qenë krejtësisht i pafajshëm. 40 vjet pas pushkatimit të tij Hoxha shprehu keqardhje: mbetet ndoshta keqardhja e vetme e tij në gjallje.

Propozimi për martesë

Nexhmije Hoxha, në kohën tonë, e dëshmon kështu momentin kur Hoxha i propozoi martesën:"Ndërkohë që unë isha me shpinë nga ai duke përgatitur kafenë, Enveri ia pati që andej ku po rrinte: "E di Nexhmije, meqë s'po kupton gjë ose po bën sikur s'kupton, po ta them copë: DUA TË MARTOHEM ME TY!" Unë ngriva, një propozim i tillë, i thënë kaq bram, më ra si bombë në kokë".

Pak ditë më pas, vajza e re, e vendosur për zgjedhjen e saj, e organizoi ditën që të shkonte në bazën ku ndodhej Enver Hoxha. Vajtja atje ishte për t'i kthyer përgjigje propozimit të tij, siç dëshmon në kujtimet, në po atë mënyrë.

"I thashë: "U thye fronti i rezistencës sime, u dorëzova!" Kjo i erdhi aq e papritur sa për një moment mbeti si i hutuar dhe sikur më pyeste me sy: "E dëgjova mirë"? "Po, po, - i thashë duke qeshur, - unë u dorëzova!".

Ishte viti 1942: Hoxha dhe Xhuglini do të jetonin edhe dy vite në ilegalitet, shpesh me ndarje disamujore. Deri në vdekjen e Hoxhës në prill të 1985-ës ata jetuan së bashku plot 43 vjet. Roli i zonjës Hoxha është padyshim ndër më të diskutuarit dhe misteriozët në jetën e liderit komunist. Vetë ajo, në një intervistë të vitit 1995 kur gjendej në burgun e Tiranës, ka dëshmuar se në histori i është veshur një rol që nuk e ka luajtur kurrë.

"Unë nuk kam luajtur asnjë rol në vendimmarrjen e Enverit, me përjashtim të kohës që ai ishte sëmurë dhe unë ua komunikoja porositë e tij shokëve".

Në të vërtetë, lidhja e Nexhmije Hoxhës me të shoqin duhet të jetë bërë shumë më e fortë pas infarktit që ai kaloi në vitin 1973. Kjo duket në vitet që pasuan, nëse u referohesh shënimeve të Hoxhës në ditarin e tij:

"E hënë, 5 tetor 1981.

Nexhmijen e kam ca sëmurë dhe, kur sëmuret ajo, jam edhe unë i sëmurë. Kur ajo është mirë, edhe unë ndjehem mirë".

Ajo që bashkon shumë dëshmitarë dhe njerëz që i kanë njohur është fakti që zonja Hoxha ishte pa dyshim një grua e ashpër, e aftë të kryente çdo krim dhe ta thellonte paranojën që Hoxhës i theksohej më shumë sa më tepër pushtet fitonte. Ka shumë vetë që thonë se vajza e re u deformua me kalimin e kohës, nga ndikimi i pushtetit, joshjes të së cilit shumë pak vetë në histori kanë arritur t'i rezistojnë. Mirëpo në një letër që i dërgon Hoxhës në vitin 1944, vajza e re dëshmon karakteristikat e një shpirti kriminal dhe një rol pranë Hoxhës që padyshim do të ketë qenë ndër më negativët. Është letra e 14 tetorit, në të cilën vajza e re me pseudonimin "Delikatja" i ankohet "të fejuarit" të saj për mosbindjen e shokëve të Qarkorit të Tiranës (Gogo Nushi, Ymer Dishnica, Nako Spiru) për të zbatuar urdhrat e tij për të vrarë Anastas Plasarin dhe "shokë" të tjerë:

"Për të gjitha ato që më porositët, për kontrollin dhe spastrimin e disave unë ua komunikova shokëve. Siç të ka shkruar Deti [Nako Spiru], ata nuk janë të mendimit që vendosëm atje. Ata s'kanë besim që ta kem raportuar drejt çështjen e Anastas Plasarit e të tjerëve. Prandaj hezitojnë se mos bëjnë një veprim të padrejtë. Megjithëse s'më pëlqen të përgjigjem për akuza të vogla, por nuk kam qenë unë që kam vendosur të sjellin Anastas Plasarin atje [...] Delikatja".

Strehimi në shtëpinë e kunatit

Në vitin 1942, çifti i ri u vendos në banesën e familjes Omari, kunatit të Enver Hoxhës. Nexhmije Hoxha e dëshmon kështu në kujtimet e veta vizitën e parë në familjen e kunatës, në një shtëpi në rrugën e Bamit (sot rruga "Qemal Stafa"), ngjitur me shtëpinë e prefektit të Tiranës Qazim Mulleti:

"Më tha: "Kjo është dhoma ku rri e punon Enveri, kur vjen këtu. Tani është edhe tëndja. Rrini këtu, bisedoni e punoni. Për natën do të bie një dyshek për ty, kurse Enveri fle me djemtë e mi"". Më tej zonja Hoxha sot tregon:

"Atë natë zbrita poshtë, në katin e parë dhe më njohën me të zotin e shtëpisë, Bahri Omarin. Ai të jepte përshtypjen e një intelektuali, qoftë në mënyrën sesi mbahej, qoftë në sjelljen e tij dhe në bisedë. Dukej se e donte dhe respektonte të shoqen përderisa pranonte të strehonte vëllanë e saj komunist dhe të fejuarën e tij...".

Enver Hoxha dhe Nexhmije Xhuglini qëndruan, me shkëputje të herëpashershme afro 8 muaj në shtëpinë e familjes Omari. Vetë Bahri Omari u angazhua me forcat nacionaliste dhe në vitin 1944 pranoi detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e kryeministrit Rexhep Mitrovica. Nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet e tij me Hoxhën në atë kohë: a ka pasur ndonjë bisedë ose sherr mes tyre. Enver Hoxha, në një radiogram të datës 29 shtator 1944, drejtuar Gjeneral Dali Ndreut, shprehet me përbuzje për kunatin, njeriun që e kishte strehuar dhe ndihmuar në ditë të vështira, siç e dëshmojnë pothuaj të gjithë ata që e kishin njohur, sidomos edhe për vetë të fejuarën e tij, Nexhmijen. Ja teksti i radiogramit, i bërë publik vetëm në vitin 2004:

Urdhri për arrestimin e Omarit

"Datë 29/IX/1944.

Gjeneral Daliut.

Për sa u përket Bahri Omarit me shokë mos qëndroni as pak në thirrjen e bame veçanërisht. Ato hynë në kategorinë e horrave të tjerë.

Enver".

Fati i Bahri Omarit do të ishte tragjik: ai u arrestua bashkë me 60 figura të tjera të rëndësishme të jetës politike dhe publike shqiptare në nëntor të vitit 1944 dhe doli përpara Gjyqit Special, një prej gjyqeve të para të diktaturës komuniste, më 15 dhjetor 1944. Në listën prej 60 personalitetesh përfshiheshin nënshkrues të Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ish- kryeministra, ish- kryetarë të Parlamentit shqiptar, ish-ministra, shumica prej tyre të diplomuar në Europën Perëndimore. Por, pa asnjë dyshim, pothuajse të gjithë të implikuar si bashkëpunëtorë të pushtuesve: pa e ditur shkakun dhe pa u hyrë justifikimeve, ata qenë shndërruar në kolaboracionistë. Prokuror i çështjes ishte Bedri Spahiu, ndërsa kryetar i Trupit gjykues zëvendëskryeministri, gjeneral-lejtënant Koçi Xoxe, një njeri me shkollim fillore, me profesion teneqexhi, ashtu si edhe prokurori Spahiu: një ish-toger i degraduar dhe i çmobilizuar i Ushtrisë Mbretërore që në vitin 1935, pa kurrfarë formimi juridik dhe njohje të ligjeve. Gjyqi u zhvillua në kinema "Kosova" (sot "Teatri Kombëtar"), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10.00. 17 veta u dënuan me vdekje, të tjerët me burg nga 20 deri në 30 vjet. Vetëm 5 veta u liruan. Midis të dënuarve me vdekje ishte edhe Bahri Omari, kunati i Enver Hoxhës. Ai kishte besuar deri në fund se jeta do t'i kursehej. Këtë ia kishte përforcuar edhe më shumë dhurata që kishte marrë më 31 dhjetor 1944: në qelinë e tij në burgun e Tiranës kishin mbërritur tri racione bakllava dërguar nga nusja e kunatit, Nexhmije Hoxha, si urim për vitin e ri dhe për martesën me gjeneral-kolonel Enver Hoxhën. 4 muaj më pas po merrte një dhuratë të dytë: dënimin me vdekje.

Bahri Omari mori dënim kapital edhe pse shumë të tjerë, që kishin mbajtur funksione më të rëndësishme, si kryeministri i fundit Ibrahim Biçakçiu, u dënuan vetëm me burgime të gjata. Dënimi i tij të bën të mendosh se ishte gjesti i parë që shpallte simbolikisht se regjimi i ri nuk do të tregohej tolerant ndaj asnjërit prej kundërshtarëve të tij, qofshin edhe njerëz të afërt të drejtuesve të tij, siç ishte kunati i Enver Hoxhës, njeriu që e kish ndihmuar kaq shumë në vitet e studimeve në Francë dhe gjithnjë më vonë.

Eliminimi i kunatit të Hoxhës

Bedri Spahiu, shok klase i Enver Hoxhës, prokurori i çështjes në fjalë, njëri prej "duarve të forta" të regjimit që do të përfundonte edhe vetë në burg për 30 vjet më radhë. Më 1991 ai u bë ndër të paktat figura të atij regjimi, të ndëshkuar ose jo, që shpreh publikisht pendimin për atë që ndodhi. Në një letër të hapur, të botuar në gazetën "Republika" më 6 qershor 1991 me titullin "Bedri Spahiu revizionon Bedri Spahiun", shprehej:

"Dy herë Enver Hoxha ka caktuar prokuror të gjyqeve më të rëndësishme historike të vendit tonë një injorant të fushës së drejtësisë si Bedri Spahiun. Herën e parë si Prokuror të Gjyqit Special, për të dënuar të ashtuquajturit armiq të popullit dhe herën e dytë prokuror të gjyqit të Koçi Xoxes. Sot ndjehem i turpëruar që kam luajtur rolin e Prokurorit të atyre gjyqeve. Komunistët e dinë këngën që këndonte populli atë ditë të zhvillimit të gjyqit: "Tradhtarët porsi miu/ i dënoi Bedri Spahiu". Sot unë do të thoja: shumë lavdi për njerëz të palavdishëm!"

Bedri Spahiu e kujton kështu momentin kur Bahri Omari dhe 16 të dënuarit e tjerë u pushkatuan:

"Kur komandanti i skuadrës së pushkatimit dha urdhër, një lëvizje u pa në rreshtin e të dënuarve, të cilët i kthyen krahët tytave të armëve, siç kish urdhëruar komandanti. Vetëm një njeri pati guximin t'i kundërvihej urdhrit: "Jo, askush nuk duhet t'i kthejë krahët nga tytat, pasi pas shpine vriten vetëm tradhtarët. Këtë do ta vërtetojë historia". Ky ishte Bahri Omari, një burrë i zgjuar dhe patriot".

Të 17 të dënuarit u varrosën në një gropë anonime, për t'u zbuluar rastësisht 60 vjet më pas, në një lagje në periferi të Tiranës. Mbi të ishte ngritur edhe një shtëpi. Amaneti i vetëm i shumicës së tyre kishte qenë të mos t'u prekeshin familjet. Në të vërtetë, familjet e të gjithë atyre, me përjashtim të asaj të Omarit, bënë vite të gjata burgje dhe internime në vitet e komunizmit.

Por dënimet e Gjyqit Special nuk ishin të vetmet. Për 5 vite me radhë regjimi komunist u mor me spastrimin e pjesës më të madhe të personaliteteve që kishin ndikim në popull ose që shprehnin rezerva për mënyrën sesi regjimi po ndërtonte pushtetin e tij.

Pak kohë pasi Qeveria qe instaluar në Tiranë u arrestuan 15 vetë të një grupimi që quhej "Grupi Bashkimi Demokrat". Ishte iniciativa e një numri intelektualësh, kryesisht të majtë, që kishin vendosur të krijonin një parti socialdemokrate, me të cilën do të paraqiteshin në zgjedhjet. Grupi u cilësua "i nxitur nga reaksioni". 8 vetë u dënuan me vdekje, 7 të tjerë me dënime të rënda deri në 30 vjet burg.

Goditja e Musine Kokalarit

Midis tyre edhe një grua, Musine Kokalari, vajza e një avokati të pasur. Njëra ndër femrat më të shkolluara, të bukura e të emancipuara të Shqipërisë, autore e tre librave të suksesshëm në vitet e fundi të Luftës. Dy vëllezërit e saj, Muntaz dhe Vejsim, qenë pushkatuar pa gjyq, pa asnjë akuzë, edhe pse nuk qenë përfshirë në politikë, në bodrumet e hotel "Bristolit" më 12 nëntor 1944, kur Enver Hoxha nuk kishte hyrë ende në Tiranë. I treti, Hamiti, shok klase për shumë vite i Hoxhës, kishte shpëtuar për një arsye të thjeshtë: natën ku i morën dy vëllezërit, ai dergjej në shtrat i sëmurë me ethe të rënda dhe partizanët nuk e bartnin dot.

Qëndrimi në gjyq i Musine Kokalarit qe mbresëlënës. Ajo deklaroi:

" Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund ti persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!"

Vitet e fundit, si fshesare rrugësh

Vajza kaloi 18 vite nëpër burgje. Pas lirimit u internua në Rrëshen, ku do të plakej duke punuar si fshesare rrugësh. Jetoi atje, e vetme dhe e refuzuar nga komuniteti, por shumë krenare, derisa vdiq nga kanceri në vitin 1983. Në ditët e lëngimit të rëndë Musine Kokalarit i ishte mohuar edhe ndihma mjekësore, çfarë e detyroi që një javë përpara vdekjes të shkruante në fletoren e saj të shënimeve:

"Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 18 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individe, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç´domethënë familje. Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike...".

Ditën e vdekjes operativi i Sigurimit të Shtetit për Rrëshenin thirri në zyrë fqinjin e saj, një i moshuar edhe ai i persekutuar: e porositi se, nëse ai ose dikush tjetër do të merrnin pjesë në varrim, do të arrestoheshin. Ajo u përcoll e vetme: pas karrocës me arkivolin e saj ecnin vetëm dy varrmihësit e "shërbimeve komunale".

Letërkëmbimi me Musinenë

Pas viteve 1990 raporti i Hoxhës me Musine Kokalarin dhe ndëshkimi i saj janë diskutuar shumë. Është shkruar madje qe ajo të ketë refuzuar një propozim për martesë të Hoxhës ose që të jetë tallur me të, por janë tregime që nuk ngjajnë bindëse. Më befasues është fakti që, pas vitit 1991, është zbuluar në AQSh një letërkëmbim mjaft intensiv midis Musine Kokalarit dhe Enver Hoxhës. Letrat u takojnë fundit të viteve '30, kur ajo ishte studente në Romë dhe ai mësimdhënëse në Korçë. Duket letërkëmbim shumë i zakonshëm, fort dashamirës, ku Hoxha e përgëzon për shkrimet e saj në shtypin e kohës. Letra e fundit daton në vitin 1939 dhe duket qartë se Hoxha dhe Kokalari janë edhe kushërinj të largët. Por qëndrimi i Hoxhës ndaj saj bëhet edhe më i pakuptueshëm po t'i referohesh një të dhëne tjetër. Tregohet se më 1960, kur një ndihmës i tij e ka njoftuar se PEN Club International kishte kërkuar zyrtarisht lirimin e saj, duke e futur në listën e 30 shkrimtarëve të burgosur nga diktaturat në botë, përgjigja e tij të ketë qenë vetëm: "Ende gjallë rrospia?!"

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.