VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LUAN KRASNIQI I JEP FUND KARRIERËS
E Enjte, 12.29.2011, 06:42pm (GMT1)

Prishtinë, 29 dhjetor - Një ndër figurat më të mëdha që ka dhënë sporti shqiptar në arenën ndërkombëtare, boksieri Luan Krasniqi sot ka shpallur largimin e tij nga boksi profesionist.

"Të dashur miq, viti 2011 po përfundon dhe mua më ofron mundësinë që të gjithëve t`ju falënderoj përzemërsisht. Unë nga sporti i boksit profesionist do të tërhiqem dhe të gjithë juve ju jam mirënjohës për mbështetjen tejet të madhe që e kam pasur nga tifozët e mi, gjatë gjithë kohës së angazhimit tim si boksier.

Në rrugëtimin tim sportiv, ju më keni dhënë kurajë dhe se simpatinë tuaj e ndiej edhe sot, përmes letrave të shumta që më arrijnë çdo ditë.

Ndaj, për këtë sport të dashur për ne, do të punoj në vazhdimësi. Përvojën time do ta vë në shërbim të këshillimit dhe mbështetjes së talenteve të rinj. Natyrisht që si ekspert i këtij sporti, po ashtu, përmes ekraneve do të jem i angazhuar për ju.

Unë do të bëj çmos që boksi të mbetet atraktiv, në mënyrë që ju, të dashur aderues të sportit të boksit, edhe në të ardhmen të përjetoni ndeshje interesante dhe të nivelit të lartë!

Ju faleminderit dhe mirë u pafshim,

I juaji Luani".

Ishte kjo përshëndetja lamtumire e kolosit shqiptar, njeriut që me talentin dhe forcën e tij bëri bujë në botën e boksit botëror, raporton Indeksonline.

Që nga viti 1997, Krasniqi u bë pjesë e ringut botëror profesionist, duke regjistruar në karrierën e tij 35 ndeshje, nga të cilat 30 fitore (14 me KO), 1 barazim dhe 4 humbje. Gjatë karrierës së tij ai sfidoi emra të mëdhenj në boksin profesionist si Vladimir Klitchko, Samil Sam e Feliks Savon. Luan Krasniqi, i lindur në Junik, tashmë është 40 vjeçar.

(http://www.koha.net)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.