VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Alber Rohan: Kosova ka Kushtetutë moderne dhe em standarde plotësisht evropiane
E Premte, 06.12.2009, 08:13pm (GMT1)

 

 

 

 

Kushtetuta e Kosovë është Kushtetutë demokratike, që siguron të drejtat e minoriteteve dhe në këtë aspekt mund të thuhet është e pakrahasueshme edhe në Evropë. Kushtetuta e Kosovës është një kushtetutë republikane, moderne dhe me standarde plotësisht evropiane. Kështu thotë në një intervistë ekskluzive për Radio Kosova, ish ndërmjetësi për statusin e Kosovës, diplomati austriak Albert Rohan i cili do të qëndrojë me 15 qershor në Kosovë në një vjetorin e Kushtetutës.

 

R. Kosova: Zoti Rohan, ju do të jeni më 15 qershor në përvjetorin e Kushtetutës së Kosovës, së bashku me Ahtisarin dhe zotin Ishinger. Jeni i lumtur që do të vizitoni Kosovën e pavarur ?
Albert Rohan: Po, patjetër, kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë. Ka 20 vite që Kosovën e vizitoj gati çdo vit, ndërsa kjo vizitë me 15 qershor është një kualitet i ri dhe natyrisht gëzohemi për këtë.

R. Kosova: Më 15 qershor, kur do të jeni edhe Ju në Kosovë, mbushet një vit nga Kushtetuta e Kosovës, e cila është ndërtuar mbi bazamentin e shtruar nga Ahtisari, Ju dhe zoti Ischinger. Si do ta vlerësonit Kushtetutën e Kosovës ?
Albert Rohan: Mendoj se është një Kushtetutë me standarde evropiane, e cila është miratuar nga Parlamenti i Kosovës. Në propozimin tonë me Zotin Ahtiasri dhe zotin Ischinger ne kemi dhënë vetëm bazat e parimeve themelore për Kushtetutën e Kosovës, ndërsa përpilimi i saj dhe miratimi ka qenë kompetencë dhe detyrë e vetë Parlamentit të Kosovës. Kushtetuta e Kosovë është Kushtetutë demokratike, që siguron të drejtat e minoriteteve dhe në këtë aspekt mund të thuhet është e pakrahasueshme edhe në Evropë. Kushtetuta e Kosovës është një kushtetutë republikane, po përsëris: është moderne dhe me standarde plotësisht evropiane.


R. Kosova: Zoti Rohan këtë vjeshtë do të mbahen zgjedhjet lokale. Pavarësisht nga fakti nëse serbët do të pranojnë të dalin ose jo në zgjedhje, a duhet që Qeveria e Kosovës ta zbatoj decentralizimin ?
Albert Rohan. Natyrisht, kjo është obligim dhe ata e kanë marrë përsipër këtë përgjegjësi. Decentralizimi duhet të zbatohet, ndërsa besoj se përfaqësuesit politikë të serbëve do t'i kthehen arsyes dhe ta kuptojnë se duhet të dalin në zgjedhjet lokale të radhës.

R. Kosova: Zoti Rohan, kemi një forcim të interesimit amerikan për Ballkanin që u dëshmua me vizitën e paradokohshme të zëvendëspresidentit amerikan Bajden në Kosovë. Si e vlerësoni ju rolin e sforcuar amerikan ne Ballkan ?
Albert Rohan: Përshëndes vizitën e zotit Bajden dhe faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një pauze, përsëri janë aktive në Ballkan dhe kjo është e domosdoshme pasi shkon në interes të normalizimit dhe stabilizimit të situatës. Mund të them se vizita kohë më parë e zotit Bajden ishte shumë e qëlluar dhe një hap tejet i rëndësishëm dhe unë plotësisht pajtohem me thënien e tij se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Për këtë nuk kam asnjë pikë dyshimi.

R. Kosova: Si rezultat, prisni ndonjë ndryshim të politikës së Serbisë ndaj Kosovës dhe mendoni se mund të ketë ushtruar ndonjë ndikim zoti Bajden tek politika serbe ?
Albert Rohan: Besoj se në çështje që kanë të bëjnë me parimet kushtetuese, pozicioni Beogradit nuk do të ndryshojë. Kjo do të thotë se në planin juridik Beogradi do të mbajë qëndrimin e patundur për Kosovën dhe është e natyrshme që të mos presim që ky qëndrim për
Kosovën të ndryshojë kaq shpejt. Mirëpo, ka diçka që ka filluar të vërehet e që ka të bëjë me atë që ka thënë edhe zoti Bajden; që Beogradi të mos përpiqet më ta keqësojë situatën më shumë, pra që të mos vazhdojë në mënyrë aktive, siç ka bërë deri më tani, ta pengojë
zhvillimin e Kosovës. Kjo do të ndodhë dhe kjo është me shumë rëndësi. Duhet të gjendet patjetër ndonjë lloj mundësie kooperimit në mënyrë që jeta të ecën përpara në mënyrë që të dyja vendet të jetojnë pranë njëri tjetrit, dhe, ky mendoj është synim parësor.


R. Kosova: Tani ka disa kërkesa të Beogradit për shtimin e komunave serbe në Kosovë, më shumë se që parashihen me planin Ahtiasri. Si i shikoni këto kërkesa tani ?
Albert Rohan: Shikoni, Qeveria serbe gjithmonë e ka thënë se nuk e pranon planin Ahtiasri dhe këtë qëndrim ajo nuk e ka ndryshuar. Kjo është për keqardhje, sepse plani i Ahtisarit paraqet kompromisin më të mundshëm midis shqiptarëve dhe serbëve. Çdo pjesë e planit të Ahtisarit, si janë decentralizmi apo të drejtat e minoriteteve, janë në interes para së gjithash të vetë serbëve. Prandaj për mendimin tim të mos bashkëpunosh këtu, është në të vërtetë kundërshtim i vetë interesave të serbëve në Kosovë. Dhe mund të them se bashkësia serbe këtë gabim herët a vonë do ta kuptojë. Nëse serbët duan të kenë të ardhmen e tyre në Kosovë, gjë që e dëshirojmë të gjithë, atëherë ata duhet që të pranojnë planin e Ahtisarit dhe të drejtat që iu ofron ky plan. Në këtë kuadër ata duhet të kooperojnë me institucionet e Kosovës, ndryshe këto të drejta nuk do të mund t'i gëzojnë. Ky fakt duhet të kuptohet vetë nga serbët e Kosovës, ata duhet të vetëdijesohen dhe jo të gjejnë arsye emrin e Ahtiasrit, sepse ne plan nuk flitet për emrin e Ahtiasrit, por për esencën e propozimit që ka të bëjë me të drejtat e tyre.


R. Kosova: Këto ditë Rusia është kthyer në Grupin e Kontakti për Ballkanin, ndërsa ky fakt u komentua si një lloj zbutje e qëndrimit rus ndaj pavarësisë së Kosovës.
Shini ju shenje se Rusia ka zbutur qëndrim ?
Albert Rohan: T'u them të drejtën unë nuk kam informacione për këtë. Sidoqoftë, shpresoj se edhe Rusia do t'i kthehet arsyes dhe ta ndryshojë qëndrimin e saj, pasi një kundërshtim i pavarësisë së Kosovës dhe planit të Ahtisarit për një kohë të gjatë mund të them se nuk është qëndrim konstruktiv. Mirëpo, siç thash, kjo është vetëm shpresa ime, ndryshe unë nuk kam indikacione për një gjë të tillë.

R. Kosova: Do të ishit i gatshëm të loboni për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës, nëse në Prishtinë do të luteshit për këtë ?
Albert Rohan: Unë e bëj me dëshirë këtë çështje kur më jepet rasti, por kjo nuk është detyrë e ish ndërmjetësuesve për statusin, që tani të angazhoheshin për lobimin e pavarësisë. Njohja e pavarësisë është një proces i gjatë, ka mundur të jetë më mirë, por ka mundur të jetë edhe më keq, dhe mendoj se nuk është produktive që vazhdimisht të anoncohen njoftime se sot do ta njoh ky shtet, apo ai shtet Kosovë etj. Duhet punuar për këtë dhe pastaj njohjet do të vijnë individualisht, njëra pas tjetrës. Ato nuk mund të bëhen në bllok, sepse nuk ka dhe nuk ka
pasur njohje on Blok të grupeve të shteteve që i është bërë një vendi, pra ka vetëm njohje veç e veç të shteteve dhe mund të them se ky është një proces pak i ngadaltë që mund të marrë kohë, por që do të përparojë dhe nga sa kemi parë, rezultati deri më tani nuk është aspak
i keq.

R. Kosova: Zoti Rohan si e vlerësoni politikën fqinjësore të Kosovës, sidomos me Malin e Zi dhe Maqedoninë, sepse me këtë të fundit ka pasur një ftohje marrëdhëniesh këtyre ditëve, për të cilën besoj jeni në dijeni ?
Albert Rohan: E di. Incidenti i përfolur shumë nuk duhet të dramatizohet, sepse Kosova dhe Maqedoni janë fqinj. Jeni vende që do të jetoni pranë njëri tjetrit përherë dhe me njëri tjetrin, prandaj duhet të vendoset një bashkëpunim dypalësh që është normal për dy shtete fqinje, dhe, kjo do të ishte ajo që duhet. Jam i sigurt se herët a vonë do të vendosen edhe marrëdhëniet diplomatike dhe do të ketë një normalizim të plotë marrëdhëniesh. Më në fund kjo është në interesin e të dyja palëve dhe kjo do të ndodhë me siguri.

R. Kosova: Zoti Rohan, ta prekim edhe mundësinë e anëtarësimit të shtetit më të ri - Kosovës në strukturat euro-atlantike ?
Albert Rohan: Së pari më duhet të them se është parim i BE që çdo vend evropian që përmbush kriteret e anëtarësimit, mund të bëjë një kërkesë për anëtarësim dhe të anëtarësohet. Para së gjithash varet nga vetë shtetet, në këtë rast edhe nga Kosova, kur do ti plotësojë kriteret e Kopenhagës, dhe mund të them se këtu vendet e Ballkanit janë akoma larg për të parë dritën e tunelit evropian. Por, për mua një gjë është e sigurt: ose duhet të ketë një datë të njëjtë për pranimin e njëkohshëm të vendeve të Ballkanit, ose nëse ndodh që një prej vendeve
përmbush kushtet më herët se vendi tjetër, atëherë BE duhet të vërë kusht që ai vend të ketë të zgjidhura të gjitha problemet me fqinjët e vet, që më pas të mos ketë telashe që mund të dalin. Kjo duhet të bëhet në mënyrë që të mos importohen problem brenda BE, ashtu siç ndodhi në rastin e Qipros, apo siç ndodh tani problemi midis Sllovenisë dhe Kroacisë. Ndryshe, nëse pranohet një vend që ka problem me një vend tjetër, atëherë importohet brenda BE një konflikt territorial dhe kjo nuk duhet të lejohet.

R. Kosova: Çështja e liberalizimit të vizave zoti Rohan është aktuale për vendet e Ballkanit. Mund të ndodh që Kosova të përjashtohet nga ky proces ?
Albert Rohan: Natyrisht, kjo nuk guxon të ndodhë dhe rreth kësaj më duhet të them dy gjëra: me siguri se do të ketë liberalizim vizash sepse sa më shumë që lëvizin njerëzit, njihen mes vetë, shohin dhe shkëmbejnë vlera me njëri tjetrin, aq më mirë. Së dyti, Kosova nuk mund të
përjashtohet nga ky proces - nga liberalizimi i vizave dhe besoj se kjo nuk do të ndodhë. Siç mund të shihet, ka disa vende që kanë paralajmëruar dhe do të heqin vizat për Kosovën. Prandaj edhe përkundër disa problemeve politike - pasi kemi pesë vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, shpresoj se mund të gjinden zgjidhje pragmatike, që nuk do ta përjashtonin Kosovën.

Intervistoi Fadil Gashi
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.