VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Washitngton Post: Çfarë duan iranianët?

Shkruan: Jeffry Gedmin


E Martë, 06.16.2009, 11:05am (GMT1)



 

Është e pazakontë të dëgjosh komentuesit se si kritikojnë parregullsitë në zgjedhjet iraniane. Ndjenja e përgjithshme se është bërë një padrejtësi, është duke shtyrë dhjetëra mijëra qytetarë të dalin nëpër rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera, shkruan në numrin e sotëm të së përditshmes "Washington Post", presidenti i Radios Evropa e Lirë, Jeffry Gedmin.

Natyrisht, edhe para se të zhvilloheshin votimet, është ditur se do të ketë probleme. Një grup i njohur me emrin Këshilli Mbikëqyrës vendos se kush lejohet të kandidojë për postin e presidentit Iranian, shkruan zoti Gedmin.

Gjithashtu dihet se fushata nuk është zhvilluar në rrethana të ndershme dhe të shëndosha, siç pohon presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad. "˜Reporterët pa Kufij' e kanë cilësuar Iranin si burgun më të madh për gazetarët në rajon. Qeveria vazhdimisht burgos disidentët dhe një ditë para votimeve, faqet e internetit kanë qenë të bllokuara dhe mesazhet me celularë qenë pamundësuar.

Së këndejmi, parregullsitë në zgjedhje nuk do të duhej të ishin befasi, por cilat janë preferencat e shumicës iraniane, shkruan Gedmin në WP, duke dhënë edhe disa nga të dhënat e grumbulluara nga programi i Radios Evropa e Lirë për Iranin.

Qeveria iraniane ka bllokuar sinjalin e këtij programi, sikurse edhe faqen e internetit, ka kërcënuar gazetarët që gjenden në selinë e radios Evropa e Lirë në Pragë, meqë hapja e një byroje nuk lejohet në Teheran, dhe ka kërcënuar njëkohësisht edhe njerëzit brenda Iranit që flasin me gazetarët tanë, shkruan zoti Gedmin.

Sipas tij, shumë dëgjues të Radios Evropa e Lirë e shfaqin frustrimin, zhgënjimin dhe ndjenjën e nënçmimit, nëpërmjet emaileve, telefonave apo duke shfrytëzuar edhe faqet e Internetit Facebook dhe Twitter.

Por, e vërteta është se nuk mund ta dimë saktësisht se çfarë mendojnë pjesët e ndryshme të shoqërisë iraniane. Protestat në Iran mund të intensifikohen këtë javë, por ato gjithashtu mund edhe të zbehen shpejt, nëse opozita dështon në mobilizimin e klasës së mesme dhe në ofrimin e një strategjie për të ecur përpara.

Qoftë në mënyrë paqësore apo të dhunshme, në mënyrë të shpejtë apo të ngadalshme, demokracia do të fitohet apo humbet në Iran nga iranianët e guximshëm, shkruan WP. Por, do të ishte e pamatur të besohet se Perëndimi nuk ka rol për të luajtur në këtë mes.

Nga iranianët janë dëgjuar thirrjet për angazhimin e Shteteve të Bashkuara dhe kjo është më e pakta që mund të bëhet, shkruan në fund Jeffry Gedmin, president i Radios Evropa e Lirë, në të përditshmen Washington Post.

Jeffry Gedmin


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.