VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MBROJTJA KUNDËRSHTON THËNIET E DËSHMITARIT "X"


E Martë, 02.28.2012, 04:03pm (GMT1)

Prishtinë - Konfirmohet seanca e shqyrtimit kryesor në rastin Kleçka për pranueshmërinë apo jo të dëshmive të dëshmitarit "X". Gjatë pjesë së parë të seancës së sotme, avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar dëshmitë e dëshmitarit "X", pasi, sipas tyre, mënyra e marrjes së tyre është bërë me shkele procedurale dhe nga një njeri për të cilin ka raporte mjekësore se ai ka pasur çrregullime psikike.

Seanca ka filluar me përplasje midis prokurorit, palës mbrojtëse dhe trupit gjykues në çështjen se kush do të duhej i pari të fillonte me shpalosjen e dëshmive lidhur me këtë çështje.

Pala mbrojtëse ka kërkuar që prokurori të filloj i pari të shpalos dëshmitë, ndërsa më pas mbrojtja të shpalos argumentet e veta lidhur me pranueshmërinë ose jo të dëshmive të dëshmitarit "X".

Megjithatë, trupi gjykues, siç u tha, proceduralisht vendosi që mbrojtja të filloj e para me shpalosjen e argumenteve ta saj lidhur me dëshmitë e dëshmitarit "X".

Fehmije Bytyqi-Gashi, avokate mbrojtëse e të akuzuarit Arben Krasniqi ka thënë se dëshmitë e dëshmitarit "X" duhet të konsiderohen si të papranueshme, pasi që vetë mënyra e marrjes së tyre, krijon dyshime për procesin.

"Mungesa e Agim Zogajt në deklaratat e të cilit është mbështetur ky proces, e bënë të pamundur që ky proces të jetë i drejtë dhe i paanshëm", ka thënë ajo. Sipas saj, vetë mënyra e vdekjes së tij krijon shumë dyshime për vetë mënyrën e marrjes së deklaratave të tij. Ajo, po ashtu, u është referuar disa mospërputhjeve në mes të deklaratave të dëshmitarit "X" dhe realitetit në të cilin gjendej Arben Krasniqi. Sipas saj, në kohën kur Arben Krasniqi akuzohet në deklaratat e Agim Zogajt, ai ka qenë i plagosur në tri vende dhe ka qenë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Ndërsa, Florin Vertropi, avokat mbrojtës i Naser Krasniqit ka folur më shumë për raportet mjekësore, sipas të cilave, Agim Zogaj kishte çrregullime psikike. Sipas tij, dëshmitë e dëshmitarit "X" janë marrë me shkelje procedurale.

"Dëshmitë e dëshmitarit "˜X' janë marrë me shkele procedurale dhe nuk mund të jenë të besueshme", ka thënë ai.

Trupi gjykues, duke u mbështetur në nenin 153 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës në njëfarë mënyrë është pajtuar me mendimin e avokatit Vertopi se provat e marra me shkelje procedurale konsiderohen si të papranueshme.

Pjesa e dytë e seancës së sotëm pritet të vazhdojë në orën 13:30, ku avokatë të tjerë mbrojtës pritet të shpalosin argumente të tjera në kundërshtim të pranueshmërisë së dëshmive të dëshmitarit "X". /Kosovapress/

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.