E Premte, 04.26.2024, 12:09am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

PATRIOTËT TALLAVA DHE UDHA E KOMBIT

(fragment nga libri "Udha e Kombit (pro dhe kundër)"

Nga REXHEP SHAHU


E Premte, 03.02.2012, 10:08am (GMT+1)

Në ditët tona, si në kohë të mëhershme, vazhdojnë e gëlojnë patriotët. Individë patriotë nëpër tavolina, sofra, podiume, mikrofona, studio, kamera. Patriotë pazari. Patriotë me fjalë. Patriotë e nacionalistë që thonë, por s'bëjnë asgjë se nuk kanë shpirt, këllqe, për të bërë gjë. Patriotë që derdhin shi rrëbesh fjalësh patriotishte, mallkime e akuza kundër atyre patriotëve që janë patriotë me punë e jo me fjalë, kundër atyre që nuk thonë por bëjnë patriotizëm e nacionalizëm në punën dhe jetën e përditshme private apo publike të tyre. Patriotë nga ai lloj që nuk shohin trarin në sytë e tyre por shohin qerpikun në sytë e të tjerëve. Gjithë propaganda patriotike që bëjnë disa njerëz për t'u dukë patriotë, gjithë llomotitjet e tyre, gënjeshtrat dhe urrjejtja që derdhin ndaj kundërshtarëve, bëhet nga njerëz që s'janë patriotë në fakt, por që i janë sulë patriotizmit si mizat mjaltit...

Duke parë se patriotizmi është biznes, kryesisht politik, në rethana të caktuara në Shqipëri, dhe gëlon në stinë të ndryshme të historisë shqiptare, shumëkush bën patriotin dhe e konsideron biznes mjaft fitimprurës. Edhe në gjithë këto vite që vendi ynë nuk e ka mbi krye diktaturën (ani se zingjirët e saj i kemi nëpër këmbë), debatet patriot ose jo patriot, patriot ose tradhëtar i kombit kanë qenë të nxehta stinë pas stine.

Njerez që nuk kanë patur fuqi, që nuk kanë patur pushtet real moral e as pushtet politik apo juridik, njerëz me hipotekë turpi e krimi nga e shkuara e tyre në diktaturë ose në këto 20 vjet pluralizëm, që mund të kenë qenë më të zellshmit për të futur në burg të tjerët me denoncime, që mund të kenë qenë më partiakë komunistë e të rinj komunistë të devotshëm se sa vetë diktatori, ose me hipotekë vjedhjesh gjatë ushtrimit të funksioneve të ndryshme në vitet post diktaturë, me bëma të vogla si vjedhje të pasurisë publike, përvetësime, rryshfete, pasurime të befta në sajë të detyrës së ushtruar, gdhihen një ditë dhe përziejnë pazarin për një kohë të gjatë duke dalë në krye të turmave si patriotë të kulluar të këtij vendi, që do ta bëjnë Shqipërinë etnike, më pas Shqipërinë e madhe e më pas Shqipërinë natyrale.

Patriotë të tillë me fjalë të nxehta patriotishte që të këpusin shpirtin, të çojnë flokët përpjetë e të rrënqethin mishin nëpër tribuna, në sheshe e salla shumëngjyrëshe, me pjesëmarrës a të ftuar kryesisht vartës të tyre nëpunës, vartës të vartësve të tyre, familjarë e farefis të tyre, me pjesëmarrës njerëz mercenarë të paguar ose me para në dorë, ose me poste e detyra të ofruara e premtuara, ndezin shpesh ekranet tona, mjediset tona, duke vajtuar me dhembshuri të shpifur për kombin e atdheun, që kasta shtetërore po e shet, e ka shitur ose po e vdes atdheun e kombin, duke e shpallur jo shqiptare kastën shtetërore dhe sikur pushtetarët në këtë vend vijnë nga shtete e kombe të tjera dhe nuk dalin nga ky popull e me votat e këtij populli.

E ka pasë më shumë se saktë e drejt ai që ka thënë i pari se patriotizmi është streha e fundit e horrave. Në këtë vendin tonë kjo është vertetuar e verifikuar në mënyrë përfekte. Dështo ku të duash, vidh e rip sa e si të duash, bëju horr e maskara sa të duash dhe mos ki frikë se edhe burg po të bësh si hajdut apo si përdhunues të miturash a nxënëse shkollash, edhe po të lançohesh nga shoqëria si i pabesë, si mosmirënjohës, si tradhëtar, e ke një mundësi : mjafton të fillosh të mbash fjalime patriotishte, të botosh artikuj patriotishte, të grumbullohen e të vijnë pranë të gjithë mëkatarët, të gjithë të pandershmit e mëhallave tona. Të vijnë pranë ish sigurimsat, ish pushtetarët e diktaturës, ish kuadrot e asaj kohe, që ua kujtojnë njerzve si rastësisht gjithë kurvëritë e flliqta që mund të kenë bërë, dhe recitojnë patriotizëm e nacionalizëm sa edhe zotin vetë e bëjnë të ulet rrafsh në tokë e të dëgjojë i mahnitur. Por fatkeqësisht, të vijnë pranë edhe një pjesë idealiste e shoqërisë, ajo pjesë që ndihet në borxh me atdheun e shoqërinë, ajo pjesë që nuk i është përgjigjur atdheut bash në ditët kur atdheut i është dashtë më shumë dhe ndjehen ne kompleks faji gjithë jetën.

Siç ndodh në Kosovë, që, ata të cilët nuk iu gjenden atdheut në kohën e luftës, ata që u trembën në atë kohë, ata që u fshehen në atë kohë, që ishin mbi 18 vjeç në kohën e luftës për Kosovën, të rënë në kurth nga ndjenja e fajit që s'iu gjenden Kosovës kur iu deshtën më shumë se kurrë, vrapojnë sot të bëhën trima nëpër udhë e sheshe, kur janë të sigurtë se nuk rrezikojnë asgjë por fitojnë apo shtojnë kilogramë në kandarin e patriotizmit, për të kompensuar trimërinë e patriotizmin e munguar në kohën e momentin e duhur. Edhe në këtë rast, supërpatriotë, dashnorë të mëdhenj të kombit të bashkuar shqiptar, na dalin ca që rrinë të fshehur skutave të ngrohta, në vende të ndryshme të Perendimit, dhe derdhin lumë akuzash kundër shteteve në Kosovë e Shqipëri dhe nuk jetojnë në realitetet respektive në Shqipëri e Kosovë, por bëjnë trimin pas gardhit.

Problemi qëndron se këtyre lloj patriotëve nuk u ka dalë kush përpara e tu thotë, prisni njëherë, pa na tregoni kush apo cilët jeni ju, çfarë jeni, çfarë keni bërë më parë në jetën tuaj, çfarë nuk keni bërë e që duhej ta bënit për komb e atdhe. Pra nuk ka dalë dikush t'i fusë në skanerin ndriçues të së vërtetës e t'ua bëjë atë pyetjen shkatërruese : Ku ishe ti kur iu deshe atdheut? Ku ishe ti kur iu deshe Kosovës? Ku ishe ti....

Këshillojnë, diktojnë, oratorojnë, lektorojnë por nuk bëjnë asgjë, vetëm thonë. Thonë dhe nuk bëjnë asgjë. Rrinë si e ëma e Zeqos në majë të thanës... Bëjeni pra, çfarë prisni. Apo doni me i nxjerrë gështenjat nga zjarri me gishtat e të tjerëve. Kush, kur dhe cilin ka ndalë ndokush me u bë trim kur është dashtë trimëria....

Paska folë presidenti serb Tadiç në Deçan si president serb këto ditë janari të 2012. Patriotët shqiptarë irritohen dhe thonë pse ai ka folë ashtu si president serb. Dhe u hakërrehen qeverive shqiptare të nisin luftë. Kush po i ndalon patriotët shqiptarë të shkojnë në luftë, të nisin luftë. Kush po ua ndalon trimërinë. Edhe unë bëhëm trim mes ushtarëve të NATO-s dhe ulëras deri në kupë të qiellit, mbamëni o burra se i rashë... Partiotët e mejhaneve në kësi rastesh janë ngatërrestarë perfektë.

Parë në një kënd tjetër, jashtë biznesit të patriotëve të hekurosur, është më shumë se sa mirë që shqiptarët reagojnë, dyshojnë, kundërshtojnë. Por duke reaguar e protestuar aq pak shqiptarë, vërtetohet sërish mungesa e patriotizmit tek ne si dimension i munguar, i kërkuar e shumë i nevojshëm. Në rastin në fjalë duhej të reagonte presidentja e Kosovës dhe ai i Shqipërisë e të mos struken si struca. Të reagonin qeveritë por edhe opozita si qeveri e nesërme duhej të reagonte dhe të mos fshihej prapa gishtit.

Në luftën e përpjekjet e tyre për kredenciale patriotike, për vota e pushtet të nesërm, patriotët e nxehtë shqiptarë nuk fitojnë asgjë duke përbaltur institucionet legale të shqiptarëve, të dalë nga votat e shqiptarëve. Të luftosh kundër shqiptarëve lufton thjeshtë të marrësh pushtetin.

Shqiptarët duke i parë dhe dëgjuar mentorët patriotë, ata që bluajnë në të thatë, pyesin në heshtje : po ku i marrin paratë këta patriotët tanë që bredhin botën dhe grumbullojnë njerëz edhe nëpër sheshet e botës për shfaqje patriotike. A ju mjaftojnë thua rrogat këtyre patriotëve për bileta udhëtimesh, për hotele lluksoze, për dreka e darka patriotike. A ju mjaftojnë thua rrogat që marrin në këtë shtet, jo patriot sipas tyre, për të mbajtë vetën, familjet dhe për të bërë gostira e festa patriotike. Pse nuk i braktisin punët dhe detyrat që kanë në shtet këta patriotë që janë kundër shtetit, që nuk e duan këtë shtet? Apo privilegjet i duan, por duan gjithë pushtetin se nuk u mjafton ai pushtet që kanë.

Kategoria e ish pushtetarëve të këtyre 20 viteve pluralizëm, që ia kanë pirë lëngun pushtetit, karriges, që kanë mjelë sa kanë dashtë, që ju ka pre palla pa hesap, duke qenë të panginjur, të pangopur, lubi, sapo ua heqin turirin nga sisa e pushtetit, rendin me vrap të bëhën patriotë, të shpallin antishqiptarë e antikombëtarë liderin e radhës, kryeministrin e radhës, apo kryetarin e radhës. Kjo kategori duan sërish pushtet. Ndaj bëjnë patriotin e përgjëruar për komb e atdhe, shajnë atë të cilit deri dje ia puthnin bythën dhe synimin e kanë të qartë të bëhen së paku deputetë, ministra a zëvendësministra, qoftë edhe nëpërmjet partiçkave të vogla. Këtu bëhën bashkë gjithë të pakënaqurit e sotëm e të djeshëm që kanë rënë nga fiku i pushtetit. Gjithkush e don punën, karrigen, postin, pushtetin. Por ti që punove deri dje me X kryeministër dhe e ngrije në qiell, nuk shkon që nesër ta shpallësh tradhëtar, antikombëtar. Po të kishte qenë i tillë, duhej që ti i rëni nga fiku sot të kishe ikur vetë dje, të kishe dhënë së paku dorëheqje. Por sot që të kanë larguar nga posti, nuk shitesh dot vetë si patriot i kulluar dhe nuk e shet dot shefin tënd si antishqiptar apo antikombëtar.

Gjithmonë kam qenë për atë që shqiptarët të munden e të dinë ta dridhin e ta tundin botën. Të tërheqin vemendjen. Të jenë faktorë realë. Kam qenë për atë që nuk kanë munguar kurrë mënyrat e metodat për t'u faktorizuar. Kam shfaqur nervozizëm dhe jam bërë fjalëkeq pse nuk e shfrytëzuam si komb shansin e rastin historik e të papërsëritshëm në vitet 1998 1999, kur lufta për Kosovën vlonte. Kishim aleatë si rrallë herë ndokush. Nuk treguam fuqi. U shfaq e pështirë lufta për pushtet, pasi u kuptua se Kosovën po e çlironte Amerika dhe NATO-ja. Dhe më pas renden lepujt e luftës e tigrat e paqës të merrnin për veten e tyre meritat dhe vetëlavdëroheshin nga mëngjesi në mbrëmje si çlirimtarë kur në fakt ishin ndihmës të çlirimtarëve se çlirimtarë ishin Amerika dhe NATO-ja. Kam shfaqur nervozizëm që ushtarakët shqiptarë, që rrinin me mua në Kukës dhe bënim luftë nëpër tavolinat e kafeneve, në disa muaj të viteve 1998-1999, i mbushen dhe zbukuruan gjokset, nga Presidenti i kohës, me dekorata e lëvdata për trimërinë e munguar që duhej të tregonin, për lavdinë e pamerituar që kishin ëndërruar.

Aleancën Kuq e Zi, që filloi si levizje dhe po shndërrohet në parti politike, aleancë apo levizje a frymë e tifozave kuq e zi të kombëtares shqiptare të futbollit, nuk e kam refuzuar për shfaqjen legale, për levizjet që ka bërë. Por nënteksti e qëllimi i fshehur i saj janë tjetër gjë. Ajo në fakt s'është "partia" e futbollit.

Kjo aleancë ka shpalosë flamurin shqiptar shumë bukur dhe bujshëm. Vota nuk merr as në Shkup, as në Romë, as në Prishtinë, as në Amerikë. Votat, si parti politike duhet t'i marrë në Shqipëri.

Por, që ua kujtoi shqiptarëve flamurin e tyre bëri vetëm mirë. Që shqiptarët, duhet ta duan flamurin, ta shpalosin kudo e kurdo pa turp e pa frikë, siç bëjnë amerikanët (s'gjendet film amerikan që nuk del domosdoshmërisht në pah flamuri amerikan, në çfarëdolloj filmi edhe të rëndomtë), kjo është domosdoshmëri. Që duhet që në kopësht e në çdo klasë shkolle të mësohemi me dashurinë për flamurin, kjo është imediate. Që ta mësojnë dhe ta dinë të gjithë shqiptarët hymnin e flamurit. (Flas për shqiptarët që ta duan e nderojnë flamurin shqiptar dhe nuk flas për bujtësit e ndryshëm që nuk janë shqiptarë dhe nuk kanë pse e duan flamurin shqiptar, nuk kanë pse e duan heroin kombëtar të shqiptarëve, nuk kanë pse e duan hymnin kombëtar të shqiptarëve, por dhe nuk kanë pse flasin në emër të shqiptarëve duke mashtruar si shqiptarë, për simbolet e shqiptarëve).

Patriotët tanë shpesh janë konstatues të mirë. Asgjë e keqe deri këtu. Por ky vend ka patur dhe ka konstatues shumë të zotët që nuk veshin kostumin e patriotit të mejhaneve. Që nuk mohojnë gjithçka që kanë bërë mirë ose relativisht mirë të tjerët. Ose që pohojnë me plot gojën se një apo dy gjëra janë bërë mirë ose shumë mirë deri sot.

Nuk ka shqiptar që nuk e din se do të ishte mire, mrekullia e zotit, të kishim të bashkuar gjithë trojet shqiptare. Do të ishim dhjetë milionë shqiptarë në një shtet. Patriotët tanë urdhërojnë dy shtetet shqiptare, (nuk e quajnë fare arritje që së paku u mbërrit të kemi dy shtete shqiptare), të bashkohen. Në kultim e seriozitetit në dukje, në shfaqje dhe në kulmin e talljes ndaj shqiptarëve, del një "patriot i kuluar" dhe thotë se dhjetë milionë shqiptarë duan të bashkohen në një shtet, por nuk i lejojnë Sali Berisha dhe Hashim Thaçi që të bashkohen. Zot na ruaj prej këtyre lloj donkishotëve allasoj, pasi Donkishoti i Servantesit duhet puthë në ballë.

Po të ishin vetë hypur në traktor duke e drejtuar atë, jam thellësisht i bindur se patriotët e thekur do të kërkonin që t'i vendosnin qetë, para traktorit që ecën, për ta tërhequr atë.

Ngaqë vendit tonë i kanë munguar shpesh patriotët, nacionalistët (ata që e duan Shqipërinë dhe nuk urrejnë askënd tjetër, jo ato që e duan Shqipërinë duke urryer kombet e tjera) dhe ndjekësit e tyre, në kohën, vendin dhe momentet e caktuara historike, ngaqë, si edhe sot, ka qenë shpesh modë patriotësh të bëjnë trimin pas luftës dhe të urtin pas kuvendit, jemi këtu ku jemi e si jemi dhe shpesh shumëkujt i duket sikur këtu çdo gjë nis nga e para. Sepse patriotizmi është dimension i munguar tek ne. Ne kemi shumë fjalë e pak vepra e punë patriotike të realizuara.

Nuk u pëlqen të dëgjojnë e të dinë se nuk janë A-ja e botës dhe e patriotizmit shqiptar. Ndërsa ngrihej flamuri kombëtar në Vlorë në nëntor 1912, lumjanët u bënë digë dhe ndalën hordhitë serbe ato ditë. Mbi 300 lumjanë ranë në atë betejë. U vranë edhe shumë serbë. Nuk erdhën dot lumjanët me e vu dorën e tyre tek huri apo shkopi i flamurit sepse ngritën digën e qëndresës shqiptare, ndryshe kush e di ku do të kishte përfunduar Ismail Qemali me flamur në gji...

Patriotët e ditës sot që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, rrinë dhe vetëm kritikojnë drejtuesit e vendit në Shqipëri dhe në Kosovë. Pse ata nuk bashkojnë Shqipërinë me Kosovën. Këto janë urdhëra peshku që jepen nga tru peshkë. Pa iu dridhë qërpiku dhe pa iu dridhë mjekra shpallin nga foltoret e tribunat si tradhëtarë ata që drejtojnë vendin. Duke fyer kështu deri në palcë shqiptarët, votuesit shqiptarë. Duke ua heqë hundën shqiptarëve. Duke e quajtë "regjim" qeverisjen aktuale.

Patriotët shqiptarë duan bashkim kombëtar. E duan menjëherë bashkimin. Të gjithë janë në kor për këtë. Edhe patriotët ish hartues të programeve internacionaliste dje, akademikët e djeshëm marksistë, akademikët që hëngën paratë e shqiptarëve dhe nuk bënë, shkruan apo botuan dot një histori të shqiptarëve në miliona e miliona kopje që ta lexonte e ta mësonte bota, e "urdhërojnë" bashkimin kombëtar.

Autoritetet e dy shteteve shqiptare, patriotët tanë "të kuluar", i quajnë servila të grekërve e serbëve. Dhe shtetarët janë mes dy zjarreve të patriotëve : ose servila ose Donkishotë. Kështu është kur e mendon shtetin si shoqëri turistike...

Druaj se ata që thërrasin me zë më të lartë për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, janë kundër këtij bashkimi dhe thërrasin ngaqë e dinë se nuk bëhet siç ata e urdhërojnë të ndodhë. Qofsha i gabuar...

Ka vetëm dy rrugë për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, për krijimin e një shteti shqiptar në rajon: lufta ose diplomacia.

Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën do të bëhet një ditë nëse shqiptarët do të dinë. Kur Kosova të bëhet anëtarë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe dy shtetet tona të lira, me mbështetje të miqve, mundet që të kërkojnë të bashkohen. Teorikisht duhet të jenë të lira të bashkohen. Por edhe atëhere duhet fuqi e aftësi e madhe e shqiptarëve që të bindin botën. Shqiptarët nuk munden të vendosin vetëm, pa miqtë, nuk munden të fitojnë vetëm, pa miqtë, se nuk kanë mundur kurrë pa miqtë.

Kjo mund të ndodhë falë një vullneti të madh shqiptarësh dhe falë një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare. Pa ndodhë kjo, patriotët tanë vrasin miza, skuqin miza, hanë miza. Që të ndodhë kjo, duhet të punojmë që Kosova të bëhet anëtare e OKB.

Edhe patriotët kudo që janë, të punojnë dhe, sa grumbullojnë fonde për tubime patriotike nëpër botë për t'u shitë mend emigrantëve shqiptarë, të grumbullojnë fonde për lobime e udhëtime për njohje të Kosovës. Ti lëmë tubimet mes veti, fjalimet trimërishte në salla të ngrohta dhe shitjen e mendve e mburrjet para njëri -tjetrit. Ta bëjmë e të mos e themi, të mos e bëjmë bashkimin kombëtar çorbë samurri me fjalë që u vjen era.

Siç po punon Jozefina Topalli, që shkon dhe u lutet edhe vendeve myslimane arabe që ta njohin Kosovën. Disa patriotë shqiptarë e përgojojnë për këtë gjest kryetaren e Parlamentit, Zj. Topalli, por ajo po bën punë të mirëfilltë patriotike për bashkimin kombëtar shqiptar. Nuk po bën koncerte e dasma patriotike me mish patriotik...

Siç po punon dhe po u lutet edhe shteteve fise, zv. Kryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli, që ta njohin edhe ato Kosovën si shtet të pavarur. Për t'u bërë anëtare e OKB.

Pastaj, kur Kosova të jetë në OKB, nëse patriotët shqiptarë do ta duan bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, le t'ia grahin, se udhën e kanë çelë.

Rruga e dytë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë është lufta.

Nëse patriotët e nxehtë shqiptarë duan ta nisin luftën, unë garantoj se jam në llogore me to. Por nuk ua mban t'ia nisin luftës me armë për bashkimin kombëtar se ndoshta ju merr frymë nga pas...

Nëse ia nisni luftës me armë, më prini para se jam me ju për luftë krah për krah. Por lufta niset dhe nuk bëhet me bla bla bla. Ose heshtni.

Për patriot fjalësh, për luftë e trimëri fjalësh, jam i pakonkurueshëm vetë, kam dhënë mjaft prova...

Patriotët e passhiut urdhërojnë bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Kaq e thjeshtë ju duket atyre. Dhe shtetarët aktualë që nuk zbatojnë urdhërat e patriotëve tanë, janë tradhëtarë. Kjo është si puna e gjelave në majë të grumbullit të plehut. Gjeli nga maja e grumbullit të plehut urdhëron pulat që ti mblidhen dhe i mblidhen, por patriotëve tanë nuk u mblidhen, nuk urdhërohen dot pushtetarët që janë zgjedhur me vota shqiptarësh. Patriotëve të tillë të passhiut u ka humbë trimëria si shurra e pulës.

Patriotët e ditës nuk nisen nga vetja e tyre, nuk bëhen patriotë vetë në punët e tyre. Atdheun e duan për ta qeverisur, për ta zhvatur, por nuk më bindin se e duan për ta dashur. Nuk e duan se e duan dhe se duhet ta duan. Nuk bëhen esëll vetë dhe t'i thonë popullit që ta bëjnë esëll edhe atë, se ne shqiptarët jemi popull i vogël, nuk jemi popull hero, nuk jemi popull luftarak, nuk bëjmë sakrifica të gjata, ne kemi luftuar nëpër beteja aq orë apo ditë sa na ka mjaftuar buka që kemi patur me vete në trastën e shpinës.

Patriotët tanë të passhiut të mbrujtur me internacionalizëm të thellë, nuk gërmojnë të shohin shkaqet pse ne si popull nuk jemi nacionalistë sa duhet të ishim, pse ne shqiptarët jemi pajtuar me humbjen e teritoreve tona shqiptare, pse ne shqiptarët jemi pajtuar me humbjen e aq shumë njerzve nëpër beteja të humbura në histori. S'e patëm Kosovën për një kohë të gjatë. Tani e kemi. S'e kemi një hapsirë tjetër shqiptare sa Kosova, Toplicën përtej Kosovës, s'e kemi Çamërinë, s'kemi Plavë e Guci, s'kemi hapsirën shqiptare në Maqedoni dhe patriotët shqiptarë ngatërrohën për buzëkuqët e parfumet e politikës së ditës, për karriget e tyre të sotme e të nesërme, dhe nuk e përmendin Toplicën, e trojet shqiptare që s'i kemi, pasi përmendja e tyre do të bënte që Serbia, Greqia e përtej të hapnin veshët mirë...

Patriotët shqiptarë të ditës nuk e kanë platformë të tyre njohjen e historisë reale kombëtare të shqiptarëve, historisë së pafallsifikuar, bërjen e përpjekjeve për rikuperimin e humbjeve që shqiptarët kanë pësuar në historinë e tyre tragjike e të pafat, rritjen e forcimin e unitetit mes shqiptarëve, dashurisë mes shqiptarëve, njohjeve reale mes shqiptarëve, lidhjet martesore mes pjesëve shqiptare, pra unitetin kombëtar. Jo. Ata shpallin tradhëtarë pushtetarët, cilëtdo qofshin. E shqiptarët nuk besojnë se kanë dhënë votat e tyre për tradhëtarët - le të çirren gjithë ditën e gjithë natën patriotët e passhiut.

Kjo tregon se patriotët shqiptarë janë pa asnjë platformë tjetër veç asaj se si të marrin ca vota e të hyjnë në parlament me mbrojtë veten e tyre dhe të marrin pjesë në ndarjen e tortës së pushtetit. Dhe për këtë mbështeten në parulla të forta patriotike e jo në platforma të shëndosha kombëtare që kërkojnë kontributin e të gjithëve.

Patriotët shqiptarë nuk i shqetëson fakti se njëra prej dy forcave kryesore politike të vendit që do të marrë patjetër pushtetin një ditë, pikërisht Partia Socialiste e Shqipërisë, është parti internacionaliste dhe nuk e ka aspak në vëmendjen e saj çeshtjen kombëtare shqiptare. Një gjysmë fjalie ka në programin e saj politik Partia Socialiste e Shqipërisë për Kosovën që patriotët shqiptarë duan me urdhër peshku ta bashkojnë me Shqipërinë. A i pyet Partia Socialiste nesër, kur të jetë domosdo në pushtet, patriotët shqiptarë, a i dëgjon. Apo patriotët shqiptarë janë kundër qeverisë së sotme dhe ky është patriotizmi i tyre i madh, misioni i tyre patriotik e historik kombëtar.

Por qeveria e sotme të paktën nuk ka treguar asnjëherë me të thënat e të bërat e saj se nuk e ka çeshtjen kombëtare shqiptare yll të saj polar. Qeveria e sotme mori të paktën përsipër rriskun e madh, bashkoi fizikisht kombin me një autostradë, autostradë që vazhdon të mallkohet edhe nga patriotët e ditës.

Nuk i dëgjova kurrë patriotët e ditës të kenë folë një fjalë për këtë mrekulli shqiptare, për këtë udhë që bashkoi kombin fizikisht. Nuk i pashë kurrë të bënin një gjest në udhë, te tuneli, të jepnin një konferencë shtypi, të bënin një falenderim atyre që e bënë këtë udhë. Nuk i pashë kurrë që ta mbushnin një herë autostradën me flamurin kombëtar shqiptar. Të ngulnin katër flamuj të mëdhenj në katër hyrje daljet e tuneleve në malin e Rrunës, në Kalimash. Të propozonin të vendosej ndonjë pllakë me ndonjë fjalë të shkruar aty tek tuneli në malin e Rrunës që deri në qershor 2009 ishte mur i madh Berlini që ndante shqiptarët. Të shkruanin së paku tek ky tunel : Kjo është ura e bashkimit të kombit shqiptar... Apo nuk ju vjen mirë patriotëve të Tiranës e të Prishtinës... Se nuk dinë të shohin mire, të flasin mire, të duan mirë patriotët e thekur shqiptarë.

Patriotët e parfumosur e të xhelatinosur shqiptarë që duan të bëhen ndërgjegja e kombit, ndërgjegja e shqiptarëve, le të dalin thjeshtë sejcili e t'u tregojë shqiptarëve nëpër ekrane e faqe gazetash se ku ishin në vitet 1998 1999. Ku ishe ti? Ku isha unë? Çfarë po bëja për kombin në ato kohë. Ku dhe si. Duke treguar sejcili shqiptar thjeshtë këtë gjë, ku ishte e çfarë bëri sejcili individualisht, do të mund të ndriçohet historia e gjithësejcilit, bëmat e çdo shqiptari patriot ose jo. Edhe nëse keni qenë në ndonjë xhep..., edhe nëse keni qenë duke shpërnda e shitë ndihma, thuajeni, punë është, punë patriotike është. Edhe se jeni gjallë, keni mbetë gjallë, punë patriotike është, fitore patriotike është, atdheu ka nevojë për bij të gjallë patriotë, të zotët, trima e të mençur...

Unë për vete nuk u tregova patriot e nacionalist, nuk shkova në luftë ku ishte llogorja ime. E lashë bosh llogoren time në frontin e luftës me armë. U futa në mes të shumë burrave e grave që qanin dhe qava edhe unë. Nëse lotin tim e quani kontribut, quajeni pra se unë kam derdhë lotë burri për Kosovën e për kombin shqiptar. Nuk fitova as lekë në atë kohë që ishte kohë e një biznesi të madh me shpërndarje e tregti ndihmash e me tregti armësh...

Por nuk hyra as në radhët e spiunëve të vjetër e as në radhët e spiunëve të rinj që mbinë hatashëm në ato mote. Spiunë që thërrisnin kapni spiunat, mashtrues që thërrsnin kapni mashtuesit, tradhëtarë që thërrsnin kapni tradhëtarët, frikacakë që thërrsnin kapni frikacakët. Thjeshtë bëra gazetarin. Informova nga kufiri shqiptaro-shqiptar, të cilin disa patriotë të thekur të sotëm e quanin kufiri shqiptaro-serb e më butë, kufiri shqiptaro jugosllav...

Patriotët shqiptarë në vend që të merren me njohjen e hapsirës shqiptare nga shqiptarët, se pa e njohur nuk mund ta duan njerzit, në vend që të nisin një punë me projekte konkretë, me platformë të thjeshtë kombëtare, me platformë të nisur nga Sami Frashëri, të minuar nga pasardhësit e tij, të nisur nga Pashko Vasa, të minuar nga pasardhësit, ata u bien daulleve patriotike për të bërë zhurmë, thjeshtë zhurmë dhe për të përçarë njerzit.

As patriotët vetë nuk e dinë dhe nuk e njohin teritorin e Shqipërisë e të Kosovës. Nuk e kanë shkelur hapsirën shqiptare. Mundësojuani nxënësve shqiptarë, me plane e programe konkrete që ta shëtisin hapsirën shqiptare me anë të eskursioneve të detyrueshme. Kjo është gjeografia që ju duhet fëmijëve shqiptarë. Por patriotëve tanë nuk u hyjnë në punë vogëlsira të tilla, ata janë për fjalë tribunash e bëma të mëdha...

Patriotët shqiptarë nuk luftojnë të ruhet gjuha shqipe, të pasurohet me fondin e saj, të shenjtërohet ajo. Patriotëve shqiptarë nuk u bën përshtypje fare që nuk merret vesh se në cilin qytet europian je kur ecën nëpër Tiranë, kur hyn në dyqanet e kafenetë e Tiranës a Prishtinës, ku rrallë sheh reklama në gjuhë shqipe, rrallë dëgjon muzike e këngë në gjuhë shqipe. Patriotëve shqiptarë nuk ju bën përshtypje se bëhën dhjetra e dhjetra konkurse e spektakle në kryeqytetet shqiptare për këngë në gjuhë të huaja por jo në gjuhë shqipe, gjithmonë të sponsorizuara nga sponsorë gjeneralë kompani të huaja...

Nëse patriotët e "shquar" shqiptarë të tallavasë presin që qeveritë shqiptare ta vënë kufirin shqiptar në Nish, te Molla e Kuqe, apo në skajin më fundor të Çamërisë, në zbatim të thirrjeve të tyre nga podiumet apo ekranet televizive, kjo do të thotë se ata po ia këndojnë vetës së tyre njëherë këngën e trimërisë dhe trimërinë do ta bëjnë shekullin tjetër. Nuk i vendosin vetëm shqiptarët kufinjtë e hapsirës shqiptare, por patriotët tanë këtë nuk duan ta dinë dhe nuk duan të dëgjojnë nga ai vesh. Me vu kufirin, duhet aty të jetë edhe kundërshtari apo kufitari. Shkoni patriotë, prinani para dhe vini ju në prani të kufitarëve gurët e kufinjve të kombit. Ne i pranojmë ato kufinj dhe ju u shpallim heronj kombëtarë...

Më shumë se kurrë na duhet në këtë fillim shekulli një dozë e fortë nacionalizmi, dozë e përhershme e jo vaksinë antigrip, pasi po hyjmë pashmangshëm në një epokë globalizmi, në një epokë që popujt e kombet pa identitet i rrafshon, shuan dhe unifikon apo i zhbën fare nëse nuk pohojnë fuqishëm vlerat dhe identitetin e tyre nacional.

Më shumë se kurrë na duhet të ruajmë gjuhën, doket, zakonet, traditat, pasuritë shpirtërore e materiale që kemi si pasaporta të identitetit tonë kombëtar. Por patriotët tanë të parfumosur nuk i shqetëson kjo gjë. Ata i shqetëson pushteti, ata duan pushtetin dhe vetëm pushtetin. Ata nuk kritikojnë qeveritë dhe nuk i nxisin qeveritë të bëjnë mirë detyrat, por i shpallin tradhëtare dhe u kërkojnë të largohen nga pushteti ose të bëjnë Shqipërinë etnike menjëherë.

Historia jonë e re, pas Luftës së Dytë Botërore, nisi me fallsifikim. Fallsifikim themelimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë, themeluar, drejtuar e udhëhequr nga serbët në fillimet e saj. Fallsifikim numri i deshmorëve të atdheut. Unë përkulem para të rënëve se kanë dhënë gjënë më të shenjtë, jetën e tyre për atdhe. Por nuk gjenden dot 28 mijë deshmorë. Duke fallsifikuar numrin e të rënëve, duke e rritur artificialisht atë, kanë zvogluar lavdinë dhe nderimin për dëshmorët e vërtetë të atdheut.

Fallsifikim i madh ndodhi sepse lufta në të vërtetë nuk u bë për të shporrur pushtuesit nga Shqipëria por për të marrë pushtetin politik siç edhe e morën komunistët.

Fallsifikimi, duke e fshehur të vërtetën, nuk lejoi askënd asiqare të shkruajë e thotë se komunistët shqiptarë në veri të vendit nuk bënë luftë me gjermanë e italianë por bënë luftë me shqiptarët vendas.

U shpartallua Mehmet Shehu me trupat e tij në Fushë Aliaj të Dibrës në luftë me dibranët. Dibranët e vrarë prej partizanëve të Mehmet Shehut u shpallën armiq, partizanët e vrarë prej dibranëve u shpallën heronj. Tre heronj populli polli beteja në Fusha Aliaj ku partizanët me në krye Mehmet Shehun dështuan me turp. A ishte luftë çlirimtare kjo?!

Duke dëgjuar Izet Durakun dhe duke parë dokumentet që ai ka nxjerrë nga arkivat për librin për Njazi Hoxhën dhe historinë e fallsifikuar, dokumente që për fat të keq i kanë prekë dhe të tjerë por që nuk kanë mundë e nuk kanë ditë me i lexue, (s'them nuk kanë dashtë...), verifikohet plotësisht fallsifikimi si metodë, si mënyrë e komunistëve që luftuan për të marrë pushtetin.

Partizanët e brigadës së pestë pushkatuan pa asnjë gjyq (pushkatim, kjo është fjala që përdornin komunistët në raportet e tyre me shkrim, sipas dokumenteve që ka Izeti) 12 lusjanë dhe dogjën 32 nga 75 shtëpi në fshatin Lusën të Lumës. Pushkatuan pa asnjë gjyq 23 fshatarë të Buzëmadhes, pushkatuan po pa gjyq 5 fshatarë në Novosej. 40 lumjanë të pushkatuar nga partizanët e brigadës së pestë. Nuk ishin as gjermanë, as italianë as serbë, por shqiptarë.

Ndërsa betejën më të madhe të partizanëve të vendit, të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, nuk e kanë shkruar e as përmendur kurrë në libra deri në vitin 1990. Për të vetmen arsye, kam të drejtë të mendoj, se do të zbehej e zvogëlohej beteja e Mezhgoranit.

Ne kemi fallsifikuar në mënyrë të turpshme në histori, në art, në letërsi, në kinematografi. Gjithë veprat tona artistike japin vetëm italianë e gjermanë të vrarë e rrallë partizanë. Nga dolën pastaj 28 mijë të rënë, dëshmorë...

Nisur nga dokumentet gjermane që ka Izet Duraku në librin e tij për Njazi Hoxhën, rezulton se beteja e Hanit të Laçit në Bardhoc të Kukësit, me 24 shtator 1944, është më e madhja që kanë bërë ndonjëherë formacionet ushtarake nacionaliste vendase. Pra nuk e kanë bërë partizanët e asnjërës prej brigadave partizane të Shqipërisë. E kanë bërë partizanët e vendit të çetës së Lumës, të Hasit, të Tropojës, të batalionit "Perlat Rexhepi" dhe të batalionit të Kosovës, të drejtuar nga Njazi Hoxha, me ndihmën e anglezëve... Mbi 74 makina e 3 tanke gjermane të djegura e të shkatërruara, mbi 70 gjermanë të vrarë, 26 robër gjermanë, mes tyre 3 gra të ambasadës gjermane në Tiranë, pasi autokolona e madhe po shoqëronte përsonelin e ambasadës gjermane drejt Beogradit, pasi Gjermania ishte në largim e sipër prej rajonit tonë.

Fallsifikimi i numrit të dëshmorëve, të veteranëve, të familjeve të dëshmorëve, si për traditë, ka shfaqur tendenca edhe në Kosovë edhe në Maqedoni. Kur bëhet fjalë për beteja që kanë ndodhur dje, shumica e të cilave krejt të filmuara e të fotografuara nga vetë pjesëmarrësit, kur deshmitarët janë gjallë, dhe fallsifikimi ndodh në sy të deshmitarëve, imagjino për ato që kanë ndodhur para 60 e sa vitesh.

Sepse trimërinë e munguar duam ta kompensojmë me dhe në mënyra të pandershme, siç bëjnë sot patriotët e ditës që duan të kompensojnë mungesën e tyre të patriotizmit. Janë shumë nga ata patriotë që trimërojnë sot por dje nuk dolën në luftë vetëm prej patriotizmit të madh se "prej trimnie nuk duronin as sytë me ia pa armikut...", e kishin shumë inat armikun dhe ndaj nuk dolën në luftë fare, "mos me ia pa sytë e as ftyrën shkaut...".

Nuk u treguan patriotë kur ishte koha, kur ishte, ja sheshi - ja mejdani, por rrinin me mua dhe shokët e mi të pamundur në skuta kafenesh në Kukës, Tiranë a në shtete të perendimit, rrinin në xhepat e nën kapotet e "Bacave të Kombit", dhe dalin sot të shesin patriotizëm, të gjuajnë armikun me vezë a domate të kuqe dhe u ulërijnë qeverive shqiptare pse nuk e bashkoni kombin, pse nuk e merrni pjesën veriore të Mitrovicës, pse e lejoni Tadiçin të flasë si president serb në manastirin serb të Deçanit, pse e lejoni qeverinë e Shkupit të heqë tabelat në gjuhën shqipe në aeroportin e Shkupit, pse nuk ia sherrni bolet qeverisë së malit të Zi që gjobit shqiptarët atje po të mbajnë e valvisin flamurin shqiptar.

Patriot i zjarrtë shqiptar, në prehër të qeverisë, në prehër të forcave të NATO-s, në aroma parfumesh, bëhëm e jam vetë dhe nuk ma kalon askush. Por patriot me mendtë e mia dhe fuqitë e mia dhe me i dhënë mend edhe shtetit dhe gjithë bashkëkombasve, duhet me u bë vetë. Ka një kosto të jesh patriot. Duhet përballuar ajo kosto. Duhet trimëri e panegocueshme dhe atdhedashuri pa kushte...

Patriotizmi me fjalë dhe pallavra ekranesh vetëm dëm i sjell çeshtjes kombëtare. Çdo lloj shfaqje teatrale zbeh dhe shëmton patriotizmin e vërtetë të shqiptarëve

Me shumë mund e me shumë malore, Shqipëria në njëzet vitet postkomuniste ka bërë hapa përpara. Por vendi ynë duhet gjykuar si vendi ynë, me shumë kundërthënie, me shumë mospranime e kundërshtime. Se këtu edhe kur e bën një gjë drejt dhe mirë, ta kundërshton kundërshtari vetëm nga inati pse nuk e ka bërë ai, por e ke bërë ti.

Pa pretenduar të guxoj të rrok gjithë ndodhitë e zhvillimet në vend në vitet postkomuniste, ajo që përbën interesin tim është lufta pro dhe kundër ndërtimit të Udhës së Kombit që lidh Tiranën me Prishtinën, që lidh si udhë e vetme toksore Shqipërinë me Europën qendrore. Dhe pa mëdyshjen më të vogël, krejt i bindur në çfarë them e bëj, debatet dhe lufta për këtë udhë, janë debatet dhe lufta mes patriotëve e nacionalistëve dhe jo patriotëve e internacionalistëve shqiptarë.

Duke mos ia llogaritë asnjë punë tjetër Sali Berishës, punë historike, që ka bërë në këto dy dekada, jam thellësisht i bindur se vetëm me ndërtimin e autostradës që lidhi dhe bashkoi fizikisht kombin, ai ka hyrë në mesin e patriotëve të mëdhenj të këtij kombi.

Kundërshtarët e tij që rrinë e kujtojnë se ka kushtuar shumë kjo autostradë, që ka privuar këtë e atë gjë (janë gati të na thonë se ka privuar shpërndarjen falas të perzervativëve...), janë ata lloj patriotësh që nuk e duan kombin edhe pse e thonë ngado nëpër sheshe e salla të vendit e jashtë vendit se e duan.

Sali Berisha bëri patriotizëm, nuk mbllaçiti si çamçakez patriotizëm. Ka njëmijë e një të zeza thonë patriotët e mejhaneve dhe kundërshtarët e tij. Ndoshta, por ama e bëri udhën e shqiptarëve, Udhën e Kombit shqiptar, i bashkoi fizikisht shqiptarët dhe nuk mund t'i ndajë askush kurrë më sa ta ngrohë dielli tokën. E ky në fakt është "mëkati" i tij, mëkat që armiqtë e shqiptarëve dhe patriotët e mejhaneve nuk ia falin. Punët patriotike i bën Sali Berisha, fjalimet patriotishte ua len patriotëve të mejhaneve. Gjithmonë sa flasim e kemi fjalën për Udhën e Kombit, jo për punët e tjera të pabëra në këtë vend që duan patriotë të mëdhenj të kalibrit të Sali Berishës.

Këtu ndahen patriotët e mejhaneve me patriotët e vërtetë të vendit.

E kemi thënë diku në këtë Apologji të Shkurtë të Udhës time të Kombit se shqiptarët kanë kujtesë, ani se patriotët e mejhaneve i marrin si të pakujtese shqiptarët.

Patriotët e mejhaneve thërrasin në ndihmë edhe figura të mëdha të vendeve fqinje për të shëmtuar punët e mëdha të vendit tonë. Siç thirrën në ndihmë një ish udhëheqës të një vendi fqinj për të akuzuar Sali Berishën për kontrabandë nafte në kohën e luftrave në ish Jugosllavi.

Por patriotët e mejhaneve nuk duan ta kujtojnë se kur të gjithë silleshin rreth minifundeve dhe kur rrezikohej seriozisht gjysma e kombit shqiptar Kosova, Sali Berisha në vitin 1992 i kërkoi Aleancës së Atlantikut të Veriut, (NATO)-s, të bombardonte caqet ushtarake të Beogradit. Ashtu siç edhe ndodhi në pranverën e vitit 1999. Patriotët e mejhaneve duan t'i harrojnë këto gjëra. Por shqiptarët nuk i harrojnë dot.

Patriotët e mejhaneve kur duan e zvogëlojnë fuqinë e Shqipërisë, kur duan e zmadhojnë. Për ta ndërtuar udhën e kombit dhe tunelin thanë është marrëzi se ne nuk mundemi.

Për ta zmadhuar Shqipërinë e zmadhojnë kur ajo u duhet për të furnizuar makinerinë ushtarake të Beogradit me naftë nga Shqipëria. Kush është ai idiot që e han këtë. Kush është ai njeri me dy pare mend në krye që e beson se Shqipëria e vitit 1996 paska patur fuqi të furnizonte ushtrinë serbe me naftë.

Serbisë i vinin çisterna dhjetra mijëra tonëshe me naftë përmes Danubit nga Rumania, e cila ende sot e kësaj dite nuk e ka njohur dhe pranuar shtetin e Kosovës. E dinë këtë pseudopatriotët, por nuk ju intereson ta thonë. Thjeshtë duan të gozhdojnë e kryqëzojnë Sali Berishën.

Është S. Berisha, si lider i PD, i cili që në lindjen e kësaj partie deklaroi haptaz dhe me krenari se çeshtja kombëtare shqiptare do të ishte ylli polar i kësaj force politike. Pa u lodhur, mund ta gjeni të shkruar këtë gjë në artikullin e tij në numrin e parë të gazetës "Rilindja Demokratike", me 5 janar 1991.

Duke bërë Udhën e Kombit, udhën që bashkoi fizikisht shqiptarët, ky njeri dhe kjo forcë politike bënë aktin më të madh të patriotizmit që është bërë ndonjëherë në këtë vend e për këtë komb.

Forca tjetër politike e madhe e vendit tonë është Partia Socialiste e Shqipërisë. Rreth saj, dukshëm e padukshëm mblidhen prej dy dekadash edhe patriotët e mejhaneve bashkë me spiunët dhe ordinerët, me ishsigurimsat e ish drejtuesit e ndryshëm se ajo është parti ceculash, parti organizatash bazë aktive në çdo kohë.

Jo se mblidhen pak edhe përrreth Partisë Demokratike plot ish të dënuar ordinerë, përdhunues, plot bij pushtetarësh që s'kanë lënë gjë pa bërë në diktaturë, plot ish pushtetarë të rënë nga fiku që blenë kartat e të përndjekurve politikë. Dhe shyqyr që nuk është PD parti celulash por parti elektorale dhe nuk i shohim përditë disa fytyra përveçse kur arrijnë të zënë ndonjë karrigë pushteti. Sepse patriotët e mejhaneve atë zanat kanë, grazhd lypin, lëpirje bëjnë.

Një pjesë e patriotëve të mejhaneve, nga ata që hiqen edhe si burrështetas, edhe si filozofë, mblidhen rreth Partisë Socialiste duke kujtuar si gomari në ëndërr se kjo forcë politike është si ajo e kohës së Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Kur në fakt nuk është më e tillë.

Partia Socialiste lyp argatë patriotët e mejhaneve, edhe pse në fakt nuk ka nevojë për to, vetëm për fjalime patriotishte kundër Sali Berishës.

Argatët e PS, duke dashtë me e puthë e kafshojnë PS. Duke dashtë me ia rregullue vetullat, ia nxjerrin sytë. Duke dashtë me servilizëm të pështirë të shpallin shtribalizimin e saj dhe ta nxjerrin nga zona e parë operative, e shëmtojnë edhe më keq dhe e ndihmojnë të tribalizohet edhe më shumë.

Partisë Socialiste të Shqipërisë i mungon Udha e Kombit, udha kombëtare si vijë, si synim. Unë nuk jam socialist. Por jam qytetar i këtij vendi dhe nuk kam atdhe tjetër si patriotët e mejhaneve që kanë dy shtetësi, që nesër po të duan ikin dhe jetojnë në Amerikë apo vende të tjera, që kanë lekë pafund, që nuk janë shqiptarë në origjinë. Unë dua që Partia Socialiste të ketë udhë kombi se neser do të qeverisë vendin ku unë jetoj.

Profesor Miftar Spahia, në kohën e Luftës së Dytë Botërore, i thotë Abedin Shehut, mirë që je komunist, por përpiqu të jesh komunist shqiptar...

Nisur nga kjo, unë kam kërkuar dhe kërkoj pjesën kombëtare shqiptare tek socialistët shqiptarë dhe atë pjesën internacionaliste nuk e konsideroj, nuk e dua. Dhe çeshtja kombëtare, udha e kombit duhet domosdo të jetë në ashtin e kësaj force politike. Ndryshe nuk mund të jetë parti shqiptare e gjysmës a çerekut të shqiptarëve.

Kam shkruar se Edi Ramës të gjitha mundjet e humbjet ia ka shkaktuar Udha e Kombit dhe do t'ia shkaktojë. Jo pse nuk ishte i kthjelltë, i qartë pro ndërtimit të autostradës, por se nuk e ka udhë të tijën kombin. Dhe kjo gjysmë kombi që kemi brenda Shqipërisë administrative nuk funksionon më pa Kosovën.

Kosova është dhe ndihet e përjashtuar nga dokumentet bazë politike të Partisë Socialiste. Kjo të kujton gjithë ditën Partinë e Punës së Shqipërisë, megjithëse ajo recitonte kreshnikshëm dashuri për Kosovën dhe kërcënim për Jugosllavinë e kohës, sa herë i prishej ujdia me Jugosllavinë sepse nuk i binte në mendje për Kosovën.

Në programin politik të Partisë Socialiste të Shqipërisë ka vetëm një gjysmë fjalie për Kosovën. Dhe asnjë koment për këtë nga asnjë socialist, përjashto mërmërimat e Pandeli Majkos të vënë në siklet nga Lutfi Dervishi që ia vuri në dukje këtë shpërfillje ndaj Kosovës që bën Partia Socialiste në platformën a programin e saj politik, ditën që po miratohej programi politik i socialistëve, gjatë transmetimit live të këtij evenimenti nga TCH.

Gjysmë fjalie për Kosovën, 54 germa, batare fjalësh e akuzash kundër ndërtimit të autostradës për mëse tre vjet dhe Edi Rama krejt serbez, i mbështetur në miqësinë për interes të dy miqve të tij publicistë në Kosovë, Baton Haxhiu e Shkelzen Maliqi, shkon për festën e flamurit në Prishtinë me 28 nëntor 2011 dhe ia dhuron programin politik të botuar libër të Partisë Socialiste të Shqipërisë, program apo libër ku mungon Kosova, Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit. Pozuan të lumtur të dy para kamerave dhe kaq.

Këtu janë dy gjëra: Ose Edi Rama nuk e ka idenë fare se çfarë është shkruar në atë program dhe thjeshtë ai e ka recituar pa ditur se ç'po bën e ç'po thotë.

Ose atij nuk ia ndjen fare për Kosovën dhe shkoi atje thjeshtë për shou, me promovue dhe me shitë sa më shumë kopje të librit të tij "Kurbani" që rreket ta shpallë si kuran dhe thëniet e tij në atë libër t'i promovojë si ajete kuranore.

Por nëse mendon si lidër i opozitës shqiptare që një ditë do të drejtojë këtë vend, ky trajtim që i bën Kosovës mund ta bëjë nesër të notojë ne rërë. Është vrarë frika tashmë tek shumica e shqiptarëve. Dhe Kosova nuk është as Batoni e as Shkelzeni.

Ajo që nuk po e marr vesh është heshtja e Hashim Thaçit për programin dhuratë që i bëri Edi Rama, program që Kosovës i kushton gjysmë fjalie ose 54 germa a karaktere. Nganjëherë më shkon mendja se Thaçi po ndjek në mënyrë shëmbullore mësimet e mjeshtrit të tij Rugova dhe po hesht si dikur mjeshtri i tij kur s'donte të harxhonte fjalë me provokatorët socialitë të Tiranës, qoftë ministra (që ju fliste për manin dhe rakinë e manit), apo politikanë a gazetarë mercenarë që nuk arritën ta fusnin në vathën e të intervistuarve të tyre dhe pastaj nga ky shkak thonin si dhelpra, se ishte rrush i papjekur...

Gjithësesi gjëra të vogla në dukje por unë mendoj se kanë domethënie. Të mos i kushtohet vemendje gjysmës së kombit që është Kosova në një program politik rreth njëqind faqësh nuk mendoj se është gjë e mirë, nuk mendoj se është rastësore dhe i ka shpëtuar lidërshipit socialist.

Nuk e di se ç'do të thonin e ç'do të bënin në këtë rast shtribalizuesit e Partisë Socialiste.

Nuk e di a është tribalizim apo është shtribalizim përjashtimi i Kosovës nga programi politik që do të udhëheqë qeverimin e vendit një ditë.

Në kohën kur Enver Hoxha mbante kapelen si të marshallit Tito, Kosova ishte prezente në qindramijera dokumente dhe shkëmbime mes dy vendeve.

Më pas kur Enveri mbante kapelen si të Hrushovit, e shpalli si të paqenë Kosovën dhe ajo nuk përbënte më interes për Shqipërinë. Ndoshta që në atë kohë u ngjiz mosdashja e komunistëve shqiptarë ndaj Kosovës, mosdashje që duket është transmetuar tek komunistët e konvertuar në socialistë.

Kur Enveri vuri kapelen si të Mau Ce Dunit, Kosova u shpall vend mik e Kina vend vëlla. Atëhere thuhej "miqtë kosovarë" e "vëllezërit kinezë". Thuhej, që nga 1974, letërsi kosovare e letërsi shqiptare. Pra, Partia Komuniste, më vonë Partia e Punës së Shqipërisë, Kosovën e braktisi. Por Kosova nuk mundi kurrë ta braktiste Shqipërinë. Janë mijëra e mijëra shqiptarë të Kosovës që kanë dhënë jetën për Shqipërinë, janë mijëra e mijëra shqiptarë të Kosovës që kanë bërë mijëra vite bug për Shqipërinë. Për t'ua kujtuar patriotëve tanë të ditës se edhe e vetmja ushtri në ditën e ngritjes së flamurit në Vlorë me 28 nëntor 1912, ishte ushtria e Isa Boletinit me 400 luftëtarë që kishin mbërritur në Vlorë dhe që mbrojtën qeverinë e kohës...

Janë gjithë betejat më të mëdha të shqiptarëve në historinë e tyre që i kanë bërë dhe drejtuar shqiptarët e Kosovës, beteja me mijëra e dhjetra mijera luftëtarë në emër të kombit shqiptar deri në ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar në Vlorë dhe janë ca lojra luftash me çeta të vogla (e filma dy serialë...) që kanë bërë shqiptarët në Shqipëri deri në Luftën e Dytë Botërore.

Shkurt, pasi duket se dolëm nga hullia, patriotët e sotëm të mejhaneve, patriotët tallava, duhet të jenë me këmbë në tokë. Mos ta shëmtojnë patriotizmin shqiptar me fjalë dhe ta mësojnë se gomari nuk e mban barrën e kalit dhe gomarit nuk i vihet shalë

REXHEP SHAHU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NË MAQEDONI SITUATA TRAGJIKE PËRSHKALLËZOHET NË TENSIONE NDËRETNIKE (03.02.2012)
NË GOSTIVAR PROTESTUAN 5 MIJË VETË KUNDËR VRASJES SË DY SHQIPTARËVE (03.02.2012)
NË 20 VJETORIN E REFERENDUMIT KUVENDI I KËSHILLTARËVE SHQIPTARË TË LUGINËS SË PRESHEVËS DEL ME PLATFORMË POLITIKE (03.02.2012)
RONA NISHLIU REGJISTRON KËNGËN "SUUS" NË HOLLIVUD (03.01.2012)
TË ENJTEN PROTESTË NË GOSTIVAR PËR VRASJEN E DY TË RINJVE SHQIPTARË (02.29.2012)
AGIM TIRANA E KA DJEGUR GJERGJ NDRECËN NË HETUESI ME CIGARE NË FYTYRËNga AGRON SHIJAKU (02.29.2012)
MARTIRËT ANTIKOMUNISTË E DESHËN LIRINË, NDËRSA KOMUNISTËT NUK U NDJENË KURRË TË LIRË...Nga PËLLUMB MALAJ (02.29.2012)
GJYQI I HAPURNga VISAR ZHITI (02.29.2012)
IVO BANAC MENDON SE MARRËVESHJA ËSHTË ABSURDE SEPSE SOVRANITETI EKZISTON OSE NUK EKZISTON (02.29.2012)
ENGEL ËSHTË I ZHGËNJYER NGA BE PSE KOSOVA NUK PATI TË NJËJTAT PËRFITIME SI SERBIA (02.29.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]